Qeverisë do t’i nevojiteshin rreth 40,000 ditë ekspertizë nga jashtë dhe afërsisht 20 milionë euro që t’i trajtonte tërësisht problemet që janë grumbulluar përgjatë viteve në një sërë ministrish, kryesisht për shkak të mungesës së kapaciteteve profesionale të brendshme. Ky është përfundimi që nxori vlerësimi fillestar i nevojave i kryer vitin e kaluar nga Zyra e Kryeministrit në 14 ministritë e Kosovës.
Identifikimi i problemeve të rrënjosura me të cilat përballet administrata publike e Kosovës ishte hapi i parë në krijimin e Fondit të Ekselencës — një mekanizëm përmes të cilit qeveria shpreson ta ndihmojë stafin ministror për t’i zbatuar politikat publike dhe zgjidhur problemet e vazhdueshme përmes përfshirjes së ekspertëve dhe konsulentëve të jashtëm, vendor dhe ndërkombëtarë.
“Fillimisht duam ta masim pulsin”, tha Luan Dalipi, shef i kabinetit të kryeministrit dhe njëri nga promovuesit kryesorë të Fondit të Ekselencës, duke iu referuar gjurmimit paraprak. “Ministritë kanë identifikuar problemet kokëforta brenda sektorëve të tyre, mungesën e kapaciteteve profesionale, profilet e ekspertëve të nevojshëm dhe kohëzgjatjen e nivelin e përafërt të ekspertizës [së nevojshme]”. Sipas Dalipit, më shumë se 40% e të gjitha kërkesave për ekspertizë kanë ardhur nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Krijimi i një Fondi të Ekselencës është pjesë e përpjekjeve të gjata për reformimin e administratës publike shtetërore, të cilën organizatat e shoqërisë civile e kanë cilësuar si tejet burokratike, të politizuar, me mungesë të personelit kompetent dhe që ofron kryesisht shërbime të padigjitalizuara. Që prej vitit 2008 ka pasur tri tentativa të veçanta për reforma në administratën publike, por situata mbetet pothuajse e njëjtë.
Kryeministri Albin Kurti në fillim të këtij viti, në një konferencë deklaroi se zgjidhja e problemeve të trashëguara në administratën publike “kërkon një qasje transformuese”, duke shtuar se miratimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit të Pagave është thelbësor për reformën.
Dalipi, i cili përpara punës së tij në kryeministri ka punuar në fushën e konsulencës për gati dy dekada, tha se është e rëndësishme që administrata publike “të jetë e vetdijëshme për kufijtë e saj profesionalë dhe të thotë: “Nuk kam kapacitete përtej kësaj, kemi nevojë për ekspertizë të jashtme’”.
Sipas Agron Demit, analist i politikave në Institutin GAP, “Puna në shërbimin publik nuk ka qenë tërheqëse apo shpërblyese për profesionistët që nga fillimi i administratës shtetërore. Fillimisht për shkak të pagave të ulëta, por edhe për shkak të presioneve politike dhe mungesës së politikave koherente”.
Përpjekjet e mëparshme që do t’i mundësonin qeverisë të sjellë ekspertë dhe konsulentë të jashtëm për ta ndihmuar administratën publike në detyrat komplekse dhe teknike devijuan në nepotizëm dhe mbrojtje të interesave personale. Një program i tillë ishte Fondi për Kuadro, i themeluar në vitin 2009 — i prezantuar fillimisht si Fondi i Trurit.
Sipas një analize të vitit 2015 të GAP-it, gjatë shtatë viteve të funksionimit të tij, Fondi për Kuadro u largua nga qëllimi i tij parësor, duke u kthyer në një skemë të mbështetjes financiare shtesë për pozitat drejtuese. Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve janë ndarë për drejtorë apo zëvendësdrejtorë të departamenteve ministrore dhe jo për ekspertë të jashtëm për pozita profesionale që ndryshe nuk do të mund të plotësoheshin. Në vitin 2014, një vit para pezullimit të Fondit të Kuadros, 122 nga 222 përfitues të tij kishin të përfunduar vetëm studimet universitare, 94 kishin përfunduar studimet pasuniveristare teksa vetëm gjashtë kishin doktoraturë, gjë që ngriti pikëpyetje nëse Fondi i Kuadros në të vërtetë po përdorej për të sjellë në administratën publike personel kompetent dhe me arsim të lartë.
“Kur funksiononte sipas kritereve ligjore, Fondi për Kuadro ishte thelbësor që një sërë profesionistësh të emëruar në departamentet kryesore të administratës, të stimuloheshin për ta vazhduar punën në sektorin publik”, tha Demi. “Por nuk ka pasur sistem të unifikuar dhe të drejtë të vlerësimit të përfituesve dhe shumë shpejt drejtuesit e departamenteve i futën në listën e përfituesve emrat e vet apo individë të lidhur me partitë politike”.
Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës e kishte kundërshtuar Fondin e Kuadros, duke argumentuar se nuk kishte transparencë lidhur me listat e përfituesve.
Tani me Fondin e Ekselencës në finalizim e sipër, GAP-i ka këshilluar qeverinë se duhet të marrë mësim nga përvojat e kaluara.
Në një raport të muajit maj nga kjo organizatë shqyrtohen ngjashmëritë dhe ndryshimet mes Fondit të Kuadros dhe idesë për Fondin e Ekselencës. Raporti thekson se megjithëse qasjet e dy nismave mund të jenë të ndryshme — Fondi i Ekselencës është për profesionistët në konsulenca afatshkurtra ndërsa Fondi i Kuadros punësoi ekspertë si nëpunës civilë — të dyja synojnë adresimin e mungesës së ekspertizës në sektorë të ndryshëm të administratës publike.
Megjithatë, raporti sugjeron se programi afatshkurtër për konsulencë mund të mos kontribuojë drejtpërdrejt në reformën e administratës publike. Demi shpjegoi se, “Kjo mund të jetë një zgjidhje e përkohshme, por në planin afatgjatë nevojitet reformë e thellë — racionalizim i punës, përcaktim i qartë i përgjegjësive, llogaridhënie dhe paga më të larta për pozitat deficitare”.
Raporti paralajmëron po ashtu se duke pasur parasysh ngjashmëritë midis Fondit të Kuadros dhe Fondit të Ekselencës, programi i ri mund të keqpërdoret për plotësimin e interesave personale ose politike dhe i bën thirrje qeverisë që “të ndërmarrë masa për parandalimin e keqmenaxhimit të mundshëm”.
Luan Dalipi, shefi i kabinetit të kryeministrit, është optimist se Fondi i Ekselencës mund ta ndihmojë administratën publike në zgjidhjen e problemeve kokëforta me të cilat përballet qeveria. Fotografia: Ferdi Limani.
Dalipi beson se keqmenaxhimi nuk ka gjasa të ndodhë nëse ekziston një sistem që mund t’i monitorojë dhe vlerësojë qartë treguesit matës. “Kur ka sistem, roli i individit zbehet”, tha ai, duke përsëritur qëllimin e njohur të qeverisë Kurti në luftimin e korrupsionit. “Gjithçka fillon me vullnet të mirë politik”.
Fondi i Ekselencës do të menaxhohet nga një Njësi e centralizuar e Ekspertizës në kuadër të Sekretariatit Koordinues të qeverisë, në kryeministri, e cila, tha Dalipi, “ka një pasqyrë të përgjithshme të nevojave të qeverisë dhe mund t’i prioritizojë kërkesat që pranon”.
Në janar të vitit 2022, qeveria zyrtarisht e mori vendimin për krijimin e Njësisë së Ekspertizës e cila është ende në proces të themelimit. Sipas Dalipit, dy ish-pjesëmarrës së Young Cell Scheme, bursa të mbështetura nga BE që synonin përmirësimin e kapaciteteve profesionale të shërbimit civil të Kosovës, janë përgjegjës për hartimin e udhëzuesve të detajua operacionalë në bashkëpunim me Zyrën Ligjore.
“Ministritë do të plotësojnë formularët dhe do të krijohet një mekanizëm përmes së ciilit do të vlerësohet nëse kërkesat e pranuara për ekspertizë janë të vlefshme apo jo, nëse ministria është duke kërkuar diçka për të cilën tashmë ka kapacitet”, tha Dalipi. “Nuk jemi të interesuar të punësojmë ekspertizë për pozitat që tashmë ekzistojnë në ministri. Pra, do të bëhet shqyrtim i detajuar”.
Krijimi i Fondit të Ekselencës pritet të finalizohet brenda vitit. Fillimisht parashikohet të ndahen rreth 1 milion euro për fondin.
“Ekspertiza është e kushtueshme, por kostoja e mundshme e problemeve të pazgjidhura dhe ekspertizës joadekuate do të ishte shumë më e lartë”, tha Dalipi. “E gjitha lidhet me analizën kosto-përfitim”.
Një e katërta e buxhetit të fondit do të mbulohet nga shteti, ndërsa për pjesën e mbetur qeveria shpreson të marrë mbështetje nga agjencitë e zhvillimit dhe ambasadat. Në tetor të vitit 2021, qeveria mbajti një takim me donatorët e mundshëm, gjatë të cilit kërkoi t’i ofrohej asistencë teknike ose ndihmë e pjesshme financiare. “Deri më tani kemi vetëm premtime, por ka indikacione se do të marrim mbështetje nga donatorët”, tha Dalipi, duke mos përjashtuar mundësinë e kontributeve nga diaspora.
Por a do të mund Fondi i Ekselencës ta nxjerrë nga ngërçi administratën publike? Agron Demi mban një shkallë skepticizmi. “Ekziston rreziku që shumë ekspertë do të hartojnë raporte me rekomandime të cilat”, sipas tij, “do të mbeten në pritje për t’u zbatuar nga nëpunësit civilë”.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0.
Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian
Pse kjo klauzolë?