Hera e parë që kam shkruar për një ngjarje kulturore në Kosovë ishte fundi i vitit 2012. Sapo kisha arritur në këtë vend që do të bëhej qyteti im për të paktën shtatë vitet e ardhshme (ku ende jam duke jetuar këtu), dhe kolektivi artistik slloven Laibach, një degë muzikore e kolektivit të famshëm të arteve konceptuale NSK, ishte duke performuar në Prishtinë.
I mbajtur në parkingun e djegur që dikur ishte krahu kryesor i Pallatit të Rinisë dhe Sportit — përndryshe i njohur si Boro-Ramiz — eksperienca ishte një paraqitje e fuqishme në atë që dukej si një skenë avantgarde emocionuese, edhe pse ajo skenë rrallë herë ka pasë shfaqje të atij kalibri të madh në dekadën e kaluar.
Gjatë gjithë ngjarjes, e organizuar nga Stacioni– Qendra për Art Bashkëkohor, bendi paraqiti gjithçka në regjistrin e simboleve kombëtare: flamujt, himnet, koreografinë solemne dhe estetikën… fuqinë. Të gjitha të sjellura në një lloj dimensioni punk të padëgjuar por të gjithëpranishëm në të cilin e gjithë makineria e shtetit u vu në pikëpyetje gjatë procesit të paraqitjes.
Vendi i cili u dogj në mënyrë misterioze në vitin 2001 dhe nga atëherë nuk u rikthye në hijeshinë e mëparshme, sapo ishte riaktivizuar disa muaj më parë përmes një intervenimi të madh artistik Prishtinë-Mon Amour. E bërë nga krijuesit e pavarur të kulturës Rina Kika, Tobias Bienz dhe Astrit Ismaili, ngjarja kishte sjellë me dhjetëra artistë që performuan për një orë të plotë te salla e djegur, kishte shumë vizitorë kurioz që kishin ardhur për të parë sesi kjo godinë simbolike ishte transformuar për këtë rast.
Ndodh shumë shpesh që artistët bashkëkohor dhe shumë krijues të kulturës kanë dështuar të mësojnë apo ta kujtojnë këtë mësim prej kësaj bote të komunikimeve.
Fatkeqësisht, sado të fuqishme dhe frymëzuese që ishin këto inciativa dhe që kishin tërhequr qindra persona për të shijuar kryesisht artin konceptual, ata bëjnë përjashtim — në vend të rregullës — kur bie fjala për artet bashkëkohore që e ftojnë masën e qytetarëve të rëndomtë për një bisedë në publik.
Nëse i shikojmë forumet që iu referohemi si arte bashkëkohore, domethënë galeritë apo hapësirat e ekspozitave — shpesh gabimisht merren si qershia mbi tortë e shprehjes kulturore — nuk është e pazakonshme të gjesh hapësira që merren me një grup të ngjashëm të të pranishmëve dhe producentëve; kryesisht mbesin të limituara, minoritariane, të priviligjuara dhe ndonjëherë gjithashtu, pa dyshim, intelektualisht elitiste.
Ky kapacitet i kufizuar për të biseduar me një shumëllojshmëri të njerëzve ma kujton kohën kur punoja si gazetare në një gazetë vendore dhe kryeredaktorja — një grua e imët, e zgjuar, me lidership të mirë — e cila shumë lehtë i refuzonte shkrimet e këqija me një përgjigje të thjeshtë: “Kjo është shumë palidhje!”. Ajo më tregonte se nëse lexuesi mesatar nuk mund ta kuptojë se çka po shkruan, atëherë nuk e ke shpjeguar mirë.
Kam frikë se shumë shpesh, artistët bashkëkohor dhe shumë krijues të kulturës kanë dështuar të mësojnë apo ta kujtojnë këtë mësim prej botës së komunikimeve, duke pranuar një realitet në dukje të kënaqshëm ku ata flasin me një elitë të vogël.
Këto janë çështjet që ne në K2.0 shumë shpesh i kemi trajtuar që nga lindja jonë si një platformë e blogut duke iu dhënë hapësirë për kritikë dhe shkëmbim; përmes edicionit të gjashtë të printuar të magazinës sonë, Balkart, e cila iu ka dedikuar artit dhe kulturës; magazina jonë online, që përfshin: n’thelb, biseda me artistë dhe aktorë kulturor; dhe në debatet tona publike të organizuara rreth këtyre temave.
Ne flasim për muzikë, art të rrugës, filma –madje edhe për gjuhë.
Kur filluam të mendojmë për edicionin më të fundit të monografisë online, ishte pikërisht kapaciteti i artit dhe kulturës që i tërheq dhe i angazhon ‘masat’ që na tërhoqi vëmendjen, dhe kjo në fund u bë temë e përbashkët për bisedë.
Në këtë edicion, “Kultivimi” e gjetëm veten duke eksploruar një shumëllojshmëri të formave artistike dhe shprehjeve kulturore të cilave u qasemi, nëse jo edhe i konsumojmë në masë të madhe, nëse jo në shifra masive. Përtej kufizimeve të “kulteve artistike” të caktuara apo elitave, këto forma të shprehjes ia kanë dalë të depërtojnë përtej mureve imagjinare apo fizike të dhomës së ekspozitës, dhe janë bërë një medium ose për të zgjeruar apo në mënyrë pozitive për të kultivuar një rrëfenjë alternative.
Edhe pse jo gjithmonë kanë si synim të arrijnë masat, natyra e tyre prapë i ka vendosur në sferën publike, si forma të qasshme të shprehjes. Po flasim për muzikën, artin e rrugës, filmat — dhe gjuhët gjithashtu.
Njëra prej formave që e vrojtojmë është grafiti, një shprehje kulturore që e eksplorojmë përmes syve të Skender Boshnjakut, i cili me dekada e ka dokumentuar grafitin në Kosovë. Shpesh një trashëgimi e keqtrajtuar, në storjen “Shkrimet në Mur” i shikojmë tri dekadat e kaluara të grafitit — si një dëshmi e gjallë e ngjarjeve të fundit të vendit.
Një formë tjetër e shprehjes kulturore që shpesh lihet anash dhe rrallë mendohet për të si art sepse ndoshta si grafiti në mënyrë të natyrshme iu përket rrugëve, është repi. Në tregimin e Ngadhnjim Avdylit “Evolucioni i Hip-Hopit kosovar” K2.0 eksploron krijimin dhe evolucionin e këtij zhanri të muzikës që i tërheq qindra të rinj. Angazhimi i reperëve në çështje sociale shpesh iu ka folur një numri të madh të gjeneratave përtej moshave dhe ka qenë një mënyrë për ata/ato që gjenden jashtë vendimmarrjeve shoqërore dhe politike, të kërkojnë hapësirën e tyre dhe të ndikojnë në narrativat shoqërore.
Është një fenomen që është i dukshëm përgjatë arteve dhe skenës kulturore; gratë në rolet e krijimit të artit po e rrisin shumëllojshmërinë dhe përfaqësimin në çështjet që po i adresojnë, duke e ndryshuar se çka po prodhohet dhe në këtë mënyrë po e ndryshojnë sesi po trajtohen temat e caktuara. Dafina Halili eksploron çlirimin dhe feminizmin e hapësirës kulturore nga gratë në storjen “Gratë që po e shkundin botën e artit”.
Përmes këtij tregimi, bëhet e qartë se rrëfenjat e krijuara përmes artit dhe kulturës ndër vite kurrë nuk do të jenë përfundimtare, dhe prandaj kërkojnë rishikim të vazhdueshëm dhe sfidojnë me shumëllojshmërinë si një element kyç.
Artet janë, në këtë rast, një formë e shprehjes, duke e dokumentuar apo duke e vënë në dyshim kulturën tonë, në shumës. Në të njëjtën mënyrë nuk ekziston diçka e tillë si arti kosovar, si një kuti e mbyllur e veçantë e mbiemrave, nuk mund të ketë një gjë të tillë si kultura kosovare — në njëjës. Është kjo veçori e fjalës që e ngrit nocionin e kulturës si diçka përfundimtare, e pandryshuar, statike, dhe plotësisht homogjene. Dhe asgjë tjetër nuk mund të ishte më gabim.
Përderisa vlerat tona si shoqëri rriten ndryshe, rishikimi i prodhimit tonë kulturor është qenësor për rritje personale. Por akoma sot, hapësira për një vet-kontrollim artistik shpesh ndikohet nga rreptësia ekonomike, mungesa e vizionit apo përpjekjet koherente si në publik dhe në skenat e pavarura dhe, mos ta harrojmë, zonat e komfortit të krijuesve të kulturës dhe artistëve të mbrojtura nën umbrellën e kritikës joekzistuese.
“Kultivimi” pozitiv i hapësirave të përhershme për të rritur, ndryshuar dhe frymëzuar shprehjet tona kulturore në baza ditore bëhet më i nevojshëm se kurrë më parë.
Është pikërisht absurditeti i mungesës së kritikës konstruktive në hapësirën kulturore dhe artistike që Artrit Bytyqi e sjell në ekstrem në komentimin e tij satirik “Artisët pa kritikë nuk janë artistë”.
“Festivalizimi” i shfrenuar i kulturës është diçka që ka qenë një “kultivim” në vetvete, por jo një që e ka hapë rrugën për krijimin e platformave më të fuqishme kulturore, ku kritika nuk është vetëm e mirëseardhur, por inkurajohet. Në një fenomen që shkon përtej kufinjve të Kosovës, pra në këtë rajon, që thith fonde të rëndësishme dhe programon mundësitë, organizimi i festivaleve një herë në vit i zëvendëson programet e rrethit vjetor, duke ndikuar në vazhdimësinë e prodhimit dhe eksplorimit të tregimeve të reja.
“Kultivimi” pozitiv i hapësirave të përhershme, vendeve të artit, dyqaneve muzikore, stacioneve të radios dhe qendrave kulturore për të rritur, ndryshuar dhe frymëzuar shprehjet tona kulturore në baza ditore bëhet më i nevojshëm se kurrë më parë.
Këto janë çështjet e trajtuara përmes storjes të Nikola Vučić-it, “Problemet me hapësirën kulturore” edhe në episodën tonë të veçantë të podcast-it Konteksti, në të cilin dashamirësit e muzikës Arif Muharremi dhe Alush Gashi e eksplorojnë gjendjen e muzikës së pavarur në Kosovë dhe rrethanat që e bëjnë këtë të mundur — ose të pamundur.
Kjo na sjellë tek një nga storjet e monografisë, “Zgjimi i Trashëgimisë Kulturore të Kosovës”. Valmir Mehmetaj eksploron mospërfilljen institucionale për trashëgiminë kulturore dhe transmetimin e saj tek gjeneratat e reja; ai e imagjinon një të ardhme ku të rinjtë e përdorin realitetin virtual për ta përjetuar një ditë në shekullin e gjashtë, ku trashëgimia bëhet një ambient i vlefshëm për krijimin dhe zhvillimin e kulturës, dhe e konsideron çka na duhet për të arrirë atje.
Dua të mendoj se i njëjti kapacitet për të imagjinuar dhe krijuar që i ka ndihmuar njerëzve të mbijetojnë në momentet më të errëta të historisë është gjithashtu më se e mjaftueshme për të sjellë një diskurs më ndryshe të ideve, rrëfenjave, miteve të reja dhe formave artistike që iu flasin njerëzve, për njerëz. Kjo na mundëson neve si shoqëri ta identifikojmë veten në ekran, në hapësirat e artit, në një traditë të vjetër të dekonstruktuar dhe të rekontekstualizuar, ose në një këngë — sado të ndryshëm që jemi.
Mirësevini te “Kultivimi.”K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia