Nëpër udhëtimet e mia mjaft të shpeshta për në Beograd, gjatë këtyre gati 15 vjetëve, asnjëherë nuk kam pasur ndonjë telashe të madhe. Megjithatë, udhëtimi në autobus me njerëz të panjohur që, si pa sherr, duke folur mes vete përmendin fjalën “shiptar”, ose pirja e një kafeje në kafene, ndërkohë që kur flet serbishten e varfër sheh fytyrat e të tjerëve të të shohin me dyshim, e situata të ngjashme, këto po, kanë qenë të sikletshme e të pakëndshme.
Por, mbërritja në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (CZKD) të Borka Pavičević-it, që zakonisht ishte edhe aryesja kryesore e udhëtimit tim, ishte një lloj çlirimi, ishte ajo ndjenja e arritjes në territorin e komoditetit, të sigurisë, të lirisë. Aty vërtet jam ndier gjithmonë i lirë dhe i sigurt. Por atë ndjenjë lirie e sigurie nuk ma jepte hapësira si e tillë, muret rrethuese a ndonjë gjë tjetër, por ma jepte Borka, edhe atëherë kur mund të mos kishte qëlluar aty fizikisht.
Kur hyja në CZKD, që nga oborri thirrja me humor në drejtim të zyrës së saj në katin e dytë, me serbishten time të çalë: “jel imate drvo da secate ili neki odžak da čistite” (mos keni dru për të prerë apo oxhak për ta pastruar?) e ajo, duke më buzëqeshur, më bërtiste “čuti!” (hesht) dhe më ftonte me dashamirësi. Shpesh më thoshte me humor se planifikonte t’i botonte në një libër të gjithë e-mailat që ia kisha çuar, sepse, thoshte, për shkak të serbishtës sime të përçudnuar, do të mund të dilte një libër shumë argëtues.
Borka ishte grua e mrekullueshme, ndoshta më e mrekullueshmja që kam takuar në jetë. Jashtëzakonisht e dashur, mikpritëse e miqësore. Por para së gjithash, ishte intelektuale e rrallë që të mrekullonte me dijen e gjerë mbi teatrin, shoqërinë e politikën. Dhe nuk përtonte kurrë të fliste, të shpjegonte, të tregonte histori nga e kaluara. E, shpesh harronte se ngjarjet para vitit 2000, për të cilat fliste, e emrat që përmendte, unë s’i dija, s’kisha nga t’i dija. Pastaj, me durim më shpjegonte, copë pas cope, rrëfim pas rrëfimi, emër pas emri – mbi avantgardën teatrore jugosllave, mbi festivalin Bitef dhe krejt emrat e njohur të teatrit botëror që kishin ardhur aty, më tregonte për punën e saj si dramaturge në Atelje 212 e në teatrot e tjera anekënd ish-Jugosllavisë.
Ajo ishte një kështjellë të cilën nacionalistët e fashistët e të gjitha gjuhëve e feve nuk ia dolën kurrë ta pushtonin. Sepse ishte grua karizmatike, e guximshme, e pakompromis dhe e vendosur. E vendosur të mos dorëzohej kurrë në kauzat e saj për liri dhe dinjitet njerëzor, për lirinë dhe dinjitetin e atyre që liria dhe dinjiteti u mohoheshin, u merreshin e u nëpërkëmbeshin.
Dhe të tillë e bëri edhe CZKD-në e saj: një hapësirë të lirë, një lloj ekstraterritorialiteti në të cilin ishin të mirëseardhur të gjithë të vegjlit, të ndryshmit nga shumica, ata pa zë, të përbuzurit, ata që rezistonin pushtetin, shqiptarët, boshnjakët… Zinin vend e rrinin bukur aty ekspozita që tjetërkund në Serbi mund të digjeshin, tregoheshin rrëfime e flitej aty mbi tema për të cilat diku tjetër në Sërbi burgoseshe e mund të vriteshe, përqeshej pushteti e qahej e mbahej zi për viktimat e dhunës, të fashizmit e të urrejtjes. Kujtesa për të kaluarën tragjike të rajonit dhe beteja që ajo e kaluar tragjike të mos përsëritet më, ishin gjithmonë aty, si vath në vesh.
Borka ishte gjithmonë aty, në CZKD.
Njëherë në Beograd, ndërsa po pinim kafe në njërën prej kafeterive afër CZKD-së, dikush që kaloi andejpari, kur e pa, ia lëshoi një varg të sharash: ‘shtrigë’, ‘tradhtare’, ‘e shitur’, ‘do të ta qijmë nënën’, e ngjashëm. Më bëri përshtypje që Borkës nuk i bëri syri vërr. As që u lodh të kthente kokën nga tipi që po e shante. Vazhdoi bisedën e patrazuar. Pa dyshim, ishte e mësuar me shfryrje ahmakësh të kësaj natyre.
Gjatë krejt këtyre viteve jemi takuar shpesh, në Vjenë, Tiranë, Prishtinë, por më së shpeshti në Beograd. Kemi punuar bashkë në shumë projekte rajonale artistike, përmes CZKD-së, ose individualisht, si në rastin e shfaqjes “Shembja e kullës së Ajfelit”, në të cilën ajo qe angazhuar si dramaturge. Dhe kur flitet për bashkëpunimin kulturor shqiptaro-serb, Borka dhe CZKD e saj ishin në frontin e parë, ideatorë dhe promotorë kryesorë. Kur publikisht e thosha si me shaka se CZKD është si ‘ambasadë kulturore’ e Kosovës në Beograd, Borkës i bëhej zemra mal. Gëzohej, vërtet gëzohej kur shkonim me shfaqje atje, kur vinte publiku dhe kur kishte interesim të mediave.
Dhe atje i kemi luajtur gati të gjitha shfaqjet tona. Kur ata nga teatri Bitef nuk na donin, ose kur JDP nuk përgjigjej, CKZD ishte aty, Borka ishte aty, për të na thënë se jemi gjithmonë të mirëseardhur. Dhe kështu ka qenë krejt këta gati 15 vjet bashkëpunimi e shkëmbimi kulturor. Pushtetet në Serbi janë ndërruar, rrethanat politike kanë qenë herë më të kollajshme e herë më të komplikuara, ardhja jonë në Serbi me shfaqje a me ndonjë aktivitet tjetër kulturor ndonjëherë ka qenë e lehtë, e ndonjëherë më e vështirë. Por entuziazmi dhe dëshira e Borkës për të na mirëpritur nuk kanë ndërruar asnjëherë, pavarësisht gjithkaje tjetër.
Sërbisë i ka hije zija, do të mund të thoshte Eugene O’Neill. Por vdekja e Borka Pavičević-it është humbje e madhe jo vetëm për Serbinë, të cilës ajo i ka bërë shërbimin më të madh si artiste e aktiviste, por edhe për krejt rajonin. Sepse, me punën e saj si dramaturge, si autoritet i pakontestueshëm teatror, si aktiviste e si humaniste, ajo i ka kontribuar skenës kulturore, të drejtave të njeriut dhe emancipimit shoqëror e politik në krejt hapësirën e ish-Jugosllavisë. I ka kontribuar duke qenë Borka Pavičević, një institucion në vetvete.
Borka Pavičević nuk jeton më dhe unë këtë thjesht nuk po mund ta besoj. Nuk e di se si do të mund të hyj prap në oborrin e CZKD-së, duke e ditur që Borka nuk do të jetë më aty. Do të jetë e vështirë. Por do të jetë e vështirë edhe për shumë të tjerë nga Kosova, për Shkëlzen Maliqin domosdo, të cilin ajo e donte dhe e çmonte pa masë, për Kushtrimin dhe të tjerët e festivalit Mirëdita-Dobardan, për Veton Surroin të cilit ia promovoi romanin, për Gjergj Prevazin që ka punuar aty, për Bajrush Mjakun, Alban Ukajn, Adrian Morinën e Shengyl Ismailin që kanë luajtur aty, për ekipin e Kosovo 2.0 që kanë realizuar bashkërisht ekspozitën ‘Përtej’, e për plot të tjerë, qindra artistë e aktivistë nga Kosova dhe dhjetëra e mijëra të tjerë nga Kroacia, nga Bosnja, nga Maqedonia dhe nga shumë e shumë vende të tjera.
Borka Pavičević nuk është më, por ajo la mbrapa një trashëgimi të jashtëzakonshme të dijes, të vizionit për të ardhmen e të besimit në dashuri e në ndryshim. Jeta dhe vepra e saj janë frymëzim për shumë prej nesh. Për mua njëherë, po e po.
Lamtumirë, e dashur Borka.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0