Mentorimi | S`fundmi | Kulturë

Me Kissmet

Nga - 21.05.2019

Edicioni më i fundit i revistës së Termokiss-it, trajton ndryshimet klimatike.

Emergjenca për ndryshimet klimatike dhe kërcënimi global, kanë qenë tema kryesuese në agjendën politike kohëve të fundit, të shtyera nga qytetarët dhe organizatat. Në Kosovë, edicioni më i fundit i revistës më të re, Kissmet, po e adreson gjithashtu këtë çështje.

Kissmet së pari është publikuar në muajin shkurt të këtij viti, si pjesë e një iniciativës të Termokiss-it, komunitet i cili është vendosur në një objekt që ka qenë i braktisur dhe pjesërisht pronë e Komunës së Prishtinës, tani i revitalizuar dhe shndërruar në një hapësirë publike për të gjithë.

“Kur e kemi revitalizu hapësirën nuk ka qenë e sigurt a po bohet a spo bohet, a po na e jep komuna a jo”, tregoi Eljesa Beka, një nga organizatoret e Termokiss-it dhe kryeredaktorja e revistës.  

“E na qysh jemi si popull ‘hajt se me kissmet bohet me kissmet’ edhe me kismet u bo”, tha ajo.

Revista trajton tema të ndryshme për çdo edicion; edicioni i parë i është dedikuar gjeneratës së parë të Termokiss-it, anëtarëve të komunitetit dhe aktivizmin qytetar, ndërsa edicioni i dytë është fokusuar në lidhjen e njerëzve me komunitetin. Në edicionin e tretë që pritet të botohet këtë muaj, përmbajtja i dedikohet ngrohjes globale, mungesa e iniciativave për ta trajtuar këtë çështje dhe keqpërdorimi i natyrës.

Foto nga Kissmet.

Fillimisht është paraparë si revistë e shtypur, por për mbrojtjen e ambientit dhe kursimit të letrës, Kissmet-i tani është vetëm online. “Online krejt kanë qasje aty, ska nevojë me qenë e printume”, tha Beka.

Objektiva e revistës 40 faqëshe, është vazhdimi i filozofisë së Termokiss-it: Të ofrojë hapësirë për tu shprehur. Deri më tani kjo është arritur përmes iniciativave të ndryshme, nga koncertet, natë filmash, klube të shahut dhe diskutime rreth shëndetit mendor.

Përmes Kissmet-it, tentohet që kjo të zgjerohet dhe përmes poezisë, prozës dhe shkrimeve të tjera që njerëzit dëshirojnë të shkruajnë. Gjithashtu shihet si një mundësi për ta zgjeruar komunitetin e Termokiss-it, duke informuar njerëzit për aktivitetet e tyre dhe duke i ftuar që t’iu bashkohen me interesa të përbashkëta dhe iniciativa kulturore dhe bamirëse.

“Ndoshta ki në internet, po nuk ka në gjuhën shqipe”.

Eljesa Beka, kryeredaktore e Kissmet-it

Edhe pse idea për Kissmet-in ka qenë e menduar më parë, u realizua këtë vit pasi Termokiss morri mbështetje financiare për një projekt nga Ministria e Inovacionit. Përpos revistës, ky projekt përfshinë dhe fjalime interaktive, punëdore, klube të reja, trajnim inovativ për vullnetar e shumë aktivitete të tjera.

“Idea për revistë ka qenë që moti, po ky projekt veç ka qenë një shtysë për më ndodhë”, tha Beka. “Edhe pas përfundimit të projektit [në qershor të këtij viti], revista ka me vazhdu, duke u mundu me i përmbushë kërkesat e komunitetit dhe me përfshi sende për t’cilat kemi nevojë me lexu”.

Pjesë e kësaj përfshihen dhe temat, si ajo për ambientin, për të cilën shkruhet shumë diku tjetër por mbulohet shumë pak në gjuhën shqipe. “Ndoshta ki në internet, po nuk ka në gjuhën shqipe”, tha Beka. “Idea ka qenë në shqip me qenë”.

Përveç poezisë dhe prozës, Kissmet-i gjithashtu përfshin artikuj hulumtues nga kontribues të ndryshëm të cilët kanë hulumtuar për një temë të caktuar online dhe i kanë përkthyer të gjeturat e tyre në shqip.

Foto nga Kissmet.

Termokiss bën thirrje të hapur nëpër rrjete sociale për këdo që dëshiron të dërgojë shkrime.

“Çdo muaj ka me pasë tema të reja”, tha Beka, duke shtuar se planifikojnë ta publikojnë çdo muaj revistën. “Ka me u rifresku edhe kontenti edhe njerëzit munden me shkru për çkado qe ju doket interesant”.

Por, ajo e cekë që përmbajtja duhet të jetë “objektive”.

“Mos me anu politikisht ose përderisa nuk kemi fakte ose diçka të tillë”, tha ajo. “Në volumin e parë i kemi përfshi krejt shkrimet që kanë ardh. Po njerëzit kanë shkrujtë për politikë p.sh ose kanë marë anë politike edhe ato s’mundem me i përfshi”.

Ajo së bashku me Edonis Hashanin, redaktorin e revistës, janë marrë më shumë me redaktim të shkrimeve dhe me përzgjedhjen e fotografive dhe Gëzim Ramizi “Xaxi” e ka bërë dizajnin. “Xaxi punon me neve prej fillimit”, tha ajo. “Ai është prej gjeneratës së parë të Termokiss-it dhe e din taman për krejt filozofinë e Termokisit”.  

Mundësinë të cilën e jep Kissmet-i për shprehjen e lirë,e ka përqafuar studentja e Universitetit të Prishtinës, Iliria Kajdomqaj, poezitë e së cilës “Mol” dhe “Fërfëllitje” janë publikuar në edicionin e dytë të Kissmet-it. “Mbi të gjitha përmbajtësor si dhe platformë e mirë për promovim për ata që merren me shkrime”, tha ajo.

“Padyshim që ngrohtësia e Termokiss/Kissmet të bën me u ndje sikur shkrimet e në përgjithësi arti e kanë gjetë shtëpinë e tyne".

Iliria Kajdomqaj, autore në Kissmet

Përditshmëria njerëzore, shtresëzimi shoqëror, të drejtat e njeriut, ndjenjat, liria, divergjencat, ajri, koha, janë temat për të cilat shkruan Kajdomqaj. “Frymëzimi është spontan dhe jo i kufizuar: prej Kepler-ëve e te kolonitë e termiteve”, tha ajo.

Për studenten e filozofisë, Termokiss është afirmuar si një hapësirë e të gjithëve dhe beson se Kissmet-i e ka të njëjtin potencial për të shërbyer si hapësirë ku njerëzit mund të shprehin idetë dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

”Përveç informimit: me shërby si hapësinë ku edhe vogëlsia e shkrimeve tona me u rritë pranë tyre e dikush me e gjetë vehten n’to”, tha ajo.

24 vjeçarja e cila ka marrë pjesë në aktivitetet e Termokissit që nga viti i kaluar, thotë se Termokiss-i dhe aktivitetet e tij si Kissmet-i, janë shndërru në mushkëri socio-kulturore të qytetit të Prishtinës.

“Padyshim që ngrohtësia e Termokiss/Kissmet të bën me u ndje sikur shkrimet e në përgjithësi arti e kanë gjetë shtëpinë e tyne”, tha ajo.

Beka është optimiste se nëse ka vullnet dhe ka njerëz që shkruajnë, si Kajdomqaj, atëherë kjo [plasimi i shkrimeve online] mund të vazhdojë përgjithmonë.

“Asht’ një platformë e hapun për krejt njerëzit për krejt studentët, për krejt shkrimtarët”, tha ajo. “Edhe veç t’na shkrujnë”.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.