Blogbox | Shëndetësia

Kemi nevojë të flasim për shëndetin mendor

Nga - 23.06.2017

Pse kosovarët e konsiderojnë tabu të flasin për problemet emocionale dhe mendore.

Në shoqërinë kosovare rrallë herë dëgjojmë dikë tek thotë se ka vizituar një psikolog/e apo psikiatër, për shkak të ndonjë problemi të mundshëm emocional, apo problem që ka të bëjë me psikikën.

Për dallim nga shoqëritë përendimore ku njerëzit flasin hapur për vizitat tek psikologë apo psikiatër – sikurse për ndonjë vizitë tek ndonjë mjek të mjekësisë familjare apo vizitë mjekësore për shkak të ndonjë problemi fizik – këtu duket se vizita të tilla ndodhin në heshtje.  

Ani pse Psikologjia nuk është gjë tjetër veçse shkencë, e cila pothuajse njejtë si mjekësia, ka objekt studimi njeriun. Mjekësia merret më shumë me çrregullime apo simptoma kryesisht fiziologjike, kurse Psikologjia me probleme dhe çrregullime emocionale, spirituale, të humorit, të sjelljes, etj.

Të dyja këto si fiziologjia dhe psikika ndërveprojnë njëra me tjetrën, dhe kanë  rëndësi të njejtë për jetesën e njeriut.

Është e palogjikshme që dy gjëra që kanë rëndësi të madhe për njeriun si- fiziologjia dhe psikologjia, t’i kushtohet njërës më shumë rëndësi ndërsa tjetrës jo.

Mirëpo se sa e trajtojnë popullata e Kosovës njëlloj për nga rëndesia shëndetin fizik dhe mendor, mundë të shihet lehtësisht. Nuk ka nevojë të shkojmë shumë larg, mjafton të analizojmë vetëm rrethin shoqëror të secilit prej nesh.

Reagimet e para që merr nëse tenton të tregosh se ke nevojë për një psikolog, që ta konsultosh për ndonjë problem emocional ta zëmë, janë të tilla që tregojnë një lloj habie ndaj vendimit tënd. Sikur të ishte diçka jo normale dhe rrjedhimisht sikur të flasësh për diçka që është tabu.

Është e palogjikshme që dy gjëra që kanë rëndësi të madhe për njeriun si – fiziologjia dhe psikologjia – e t’i kushtohet njërës më shumë rëndësi ndërsa tjetrës jo.

Një ndër arsyet pse mendoj që ndodh kjo, është pikërisht frika nga reagimi apo mendimi i të tjerëve mbi veprimet tona, frika se të tjerët të përqeshin apo do të mendojmë se jemi “të sëmurë mendor” nëse vizitojmë për konsultë një psikolog/e.

Aq sa mund të themi ndoshta se ka një lloj “fobie” nga shoqëria jonë, për të vizituar një psikolog/e.  

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në institucionet tona ka shumë pak psikologë të angazhuar, sidomos nëpër shkolla. Edhe atëherë kur psikologët punësohen, kjo bëhet vetëm “sa për sy e faqe”, dhe për të plotësuar deri diku obligimet ligjore. E që megjithatë nuk përmbushen në terësi ngase, nëse flasim ta zëmë për institucionet arsimore, ka mungesë të madhe të psikologëve pavarësisht se ligji obligon punësimin e së paku një psikologu në shkolla.

Shifrat e vitit të kaluar na tregojnë se vetëm 87 psikologë kanë qenë të punësuar nëpër shkolla, derisa ka pasur shkolla që nuk kanë pasur fare psikologë.

Në ndërkohë që shembuj të viteve të fundit kanë treguar se nevoja për psikologë duket të jetë më e madhe. Nxënësit kanë nevojë për trajtim nga psikologu sidomos gjatë fazës së adoleshencës kur kalojnë në sfida të ndryshme për shkak të tranzicionit nga mosha fëmijërore në të rritur, moshë në të cilën krijohet identiteti për vetën, e shumë ndryshime tjera që përjeton individi, si dhe për faktin se gjithashtu po shohim çdo ditë raste të dhunës në shkollat tona. Në këtë rast të dyja palët edhe viktima por edhe shkaktuesi i dhunës kanë nevojë për trajtim nga ana e psikologut.

Lufta e fundit në Kosovë ka lënë shumë gjurmë në kujtesën e pothuajse gjithë atyre që e kanë përjetuar luftë.

Anën tjetër, ngjarjet apo traumat që individi i përjeton në fëmijëri mund të shfaqen edhe shumë më vonë si probleme dhe çrregullime në moshë të rritur.  Prindërit në të shumtën e rasteve nuk dinë se si të sillen me fëmijët  e tyre që përballen me probleme të aspektit psikologjik. Prindërit duhet të veprojnë dhe të bashkëpunojnë me psikologë në këto raste.  Kjo do të ishte shumë ndihmuese për fëmijet dhe prindërit e tyre, do të shërbente që t’i tejkalonin më shpejtë dhe më lehtë këto probleme.

Mirëpo, gjendja është edhe më e keqe në institucionet, ndërmarrjet apo firmat private, ku shumë rrallë (apo fare) kanë në stafin e tyre një psikolog që të mirret me problemet nga ana psikologjike e punëtorëve. Duke ditur vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen punëtorët si presion nga punonjësit, punojnë me orare të gjata, me shumë pak pushim, apo pa asnjë ditë pushim-në muaj lëre më në javë. Këto tek ata shkaktojnë stres të madh, demotivim dhe ndjenjë e humbjes së vlerës për të jetuar.

Anën tjetër, të gjithë jemi në dijeni që lufta e fundit në Kosovë ka lënë shumë gjurmë në kujtesën e pothuajse gjithë atyre që e kanë përjetuar luftën. Shumë prej tyre sot ballafaqohen me çrregullime të ankthit, çrregullim post-traumatik, probleme emocionale, përballen me stres, depresion, e shumë probleme tjera të natyrës psikologjike. Shumë nga ta kanë humbur edhe të afërmit e tyre, edhe pse ka që disa vite që ka mbaruar lufta, kjo nuk do të thotë që “plagët” e tyre janë shëruar.

Gjithashtu edhe një numër i madh janë viktima të dhunës fizike dhe seksuale. Të gjithë këta kanë nevojë të madhe për kujdesin e psikologut. Mbështetja e psikologëve për ta, do t’ua lehtësonte sado pak dhimbjet që ende i kanë ata si pasojë e luftës.

Shohë shumë njerëz, që problemet e tyre psikologjike i trajtojnë si sekrete personale dhe  mundohen ti fshehin apo i ndajnë ato me ndonjë shokë/shoqe, mirëpo harrojnë se ata nuk janë njerëz kompetent dhe kurdoherë ato “sekrete”, ata do t’i trasmetojnë tek të tjerët, pastaj tek ta do të krijohet ndjenja e pendimit. Për këtë shkak është më mirë të vizitoheni tek psikologu, i cili është njeri kompetent, profesionistë, dhe njeri që ka kryer shkollë dhe trajnime për këtë profesion, dhe çfarë është më e rëndësishmja të dhënat e tua dhe të gjitha ato qe i shprehni tek psikologu, do të mbeten konfidenciale, sipas parimeve të etikes të profesionistit të Psikologjisë.

Shpresojë që sa më shpejtë e gjithë shoqëria jonë të ndërgjegjësohet mbi vlerën dhe rëndësin që ka psikologjia dhe kështu të merremi më shumë me shëndetin tonë mendor që të dimë se si të përballemi me problemet që na prekun jetën tonë psikike në mënyrë të pavetëdijshme, mirëpo edhe të vedijshme që si rezultat të kemi një jetë më të mirë dhe më të shëndoshë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTO