Në thelb | Zgjedhjet2021

Një perspektivë tjetërqysh për të drejtat e grave dhe LGBTQ+

Nga - 08.02.2021

Me zgjedhje gati çdo dy vjet, midis premtimeve të largëta, K2.0 dëgjon ide për zgjidhje.

Anipse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë.

Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, sllogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë. 

Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha, për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt. 

Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në tetë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.

Perspektivë tjetërqysh për të drejtën me jetu në plotni

Frazat “barazi gjinore”, “mundësi të barabarta”, dhe “drejtësi sociale” janë bërë pjesë e pandashme e retorikës së të gjitha partive, megjithatë të drejtat e personave LGBTQ+ — një ndër komunitetet më të diskriminuara në Kosovë — mungojnë nga programet e të gjitha partive dhe nga prezantimet publike të kandidatëve për kryeministër dhe atyre për deputetë. 

Me gjithë ndërthurjen e lëvizjes së grave me atë LGBTQ+, si luftë e përbashkët ndaj sistemit patriarkal të shpërfaqur nga familja e deri te institucionet më të larta, politikat e prezantuara për barazi gjinore po vazhdojnë të anashkalojnë dhe përjashtojnë personat LGBTQ+. 

Por edhe planet për të luftuar pabarazinë mes grave dhe burrave vazhdojnë të mbesin të mangëta. Kjo bëhet edhe më problematike kur kujtojmë se si pandemia ka ngritur një sërë çështjesh gjinore: gratë janë izoluar me dhunuesit prapa dyerve të mbyllura çka pasqyrohet në numrin e rritur të rasteve të dhunës në familje; gratë pa kontrata ligjore dhe ato që punojnë në sektorin joformal janë goditur rëndë; ndërsa puna e papaguar është shumëfishuar për gratë e papuna, por edhe për ato në treg të punës.

Edhe në këto zgjedhje, kryesisht partitë nuk kanë plane të qarta për të luftuar rrënjësisht diskriminimin sistematik gjinor.

Në programin e LDK-së, udhëheqësit të koalicionit qeverisës aktual në detyrë, nuk figuron asgjë për barazi gjinore. Ndërsa AAK-ja ka një pikë të vetme programore që synon ofrimin e mbështetjes financiare tremujore për gratë e punësuara me pagë mbi minimalen.

PDK-ja në program ka theksuar se do të adresojë stereotipet gjinore, dhunën në familje, riintegrimin e grave e vajzave viktima të dhunës, shkollimin me vështirësi si problem i theksuar në zonat rurale, si dhe problemet e trashëgimisë pronësore. Ka paraparë po ashtu lehtësira tatimore për bizneset private që punësojnë gra dhe për bizneset që udhëhiqen nga gratë. Megjithatë mbetet e paqartë se cilat janë planet konkrete për të realizuar cilëndo politikë të përmendur.

Si politikë për rritjen e pjesëmarrjes ekonomike të grave, PDK-ja ka theksuar edhe vendosjen e “pushimit të lehonisë” për burrat. Në fakt, ligji aktual përjashton baballarët nga përkujdesja e fëmijëve, derisa dëshmitë tregojnë se dispozitat e tanishme të pushimit të lehonisë thellojnë hendekun e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Përfshirjen e baballarëve në kujdesin për fëmijët e ka shënuar edhe Vetëvendosja si politikë të sajën duke theksuar që “pushimi i lehonisë dhe ai prindëror në total do të jenë 12 muaj, ku pjesëmarrës për pagesën do të jetë edhe shteti”. Por as Vetëvendosja nuk specifikon se sa muaj do t’u takonin dy prindërve si leje e lindjes dhe leje prindërore, dhe se si do të mbështeten financiarisht.

Si politika tjera Vetëvendosja ka përmendur rritjen e bizneseve të grave, si dhe rritjen e numrit të çerdheve si parakusht për hapësirë më të madhe për gratë dhe kyçjen e tyre në tregun e punës. Gjithashtu ka theksuar përfshirjen e grave kryefamiljare brenda një plani të banimit të përballueshëm, dhe mbështetje financiare për nënat e papuna gjatë gjashtë muajve pas lindjes.

"Çështjet më shqetësuese që e pamundësojnë gëzimin e të drejtave të grave janë pasiguria e grave dhe pozita që ato zënë në ekonomi."

Liridona Sijarina, aktiviste feministe

Rreth të drejtave të grave dhe personave LGBTQ+ kemi folur me disa aktivistë dhe ekspertë feministë, përfshirë aktivistin Agon Rexhepi, aktivisten dhe eksperten e buxhetimit gjinor Donjeta Morina, themeluesen dhe kryeredaktoren e platformës feministe QIKA Leonida Molliqaj, si dhe aktivisten feministe Liridona Sijarina. Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ekspertët: 

Çka po na mungon?

Liridona Sijarina, aktiviste feministe

Përderisa pushteti real politik dhe ekonomik në Kosovë mbetet në duar të burrave patriarkalë, të drejtat e grave në masë të madhe ende mbesin mes letrave dhe diskutimeve populliste të cilat gratë nuk i perceptojnë dhe përjetojnë ende si subjekte (të barabarta me burrat). Sot përveç arritjeve deri diku të kënaqshme në rrafshin ligjor, nuk ka politika të mirëfillta gjinore të cilat do e kishin përmirësuar përditshmërinë dhe pozitën e grave qoftë në sferën private, qoftë në atë publike. Kjo për shkak që themelet e këtij sistemi patriarkal ende nuk janë prekur.

Dy nga çështjet më shqetësuese që e pamundësojnë gëzimin e të drejtave të grave janë pasiguria e grave dhe pozita që ato zënë në ekonomi. Dhuna ndaj grave dhe femicidi mbesin në nivel alarmant, duke e bërë sigurinë e grave një nga dështimet më të mëdha të shtetit. Nga këtu del problemi familje me të cilin shteti, duke qenë që ende funksionon si një familje e madhe, nuk është marrë kurrë seriozisht. Në këtë kuptim, shteti vështirë që intervenon në familje me gjithë detyrimet ligjore që i ka marrë e që shpesh bën që gratë të vriten nga burrat e familjes. 

Një tjetër padrejtësi është pabarazia ekonomike që shpesh i kontribuon dhunës dhe vrasjes së grave. Ekonomia mbetet ende terren i dominuar nga burrat, duke shkaktuar pasivitet dhe varfëri më të lartë te gratë. Edhe kur gratë hyjnë në ekonomi, ato akomodohen në vende pune ku keqpaguhen, ngacmohen seksualisht dhe diskriminohen në forma të ndryshme. E kjo e ka një emërues të përbashkët që është mungesa e vullnetit politik për ta ndryshuar status quo-në.

Agon Rexhepi, aktivist

Një prej faktorëve kryesorë të nivelit të lartë të homofobisë dhe transfobisë është mungesa  e informacioneve të sakta rreth personave LGBTIQ+. Kjo mungesë e informacioneve vjen si pasojë e mungesës së veprimit të institucioneve përkatëse. Për shembull, në institucionet tona arsimore nuk ka edukim seksual të mirëfilltë (për të mos thënë fare) dhe rrjedhimisht fëmijët nuk mësojnë për ekzistencën e personave LGBTIQ+ si pjesë të shoqërisë. 

Rol mjaft të madh në informimin e popullatës së përgjithshme rreth personave LGBTIQ+, kulturës së tyre dhe sfidave me të cilat përballen kanë edhe mediat. Portretizimi që u bëhet personave LGBTIQ+ në mediat televizive është kryesisht “senzacional”. Pra, personat LGBTIQ+ shihen si “diçka e rrallë”, “diçka që nuk është pjesë e jona”. Kjo qasje është e gabuar. 

Poashtu, [në] debatet politike dhe aktivitetin e partive politike gjatë kësaj kohe në prag të zgjedhjeve, asnjëherë nuk është diskutuar për planet rreth të drejtave LGBTIQ+. Kjo është një pasqyrë mjaft e pastër e neglizhencës institucionale ndaj komunitetit LGBTIQ+.

Donjeta Morina, aktiviste dhe eksperte e buxhetimit gjinor

Gjithçka [mungon]. Gratë dhe vajzat mbesin tërësisht të përjashtuara nga procesi i planifikimit buxhetor. Interesat dhe nevojat e grave rrallë merren parasysh gjatë planifikimit buxhetor, dhe ato konsultohen në mënyrë minimale gjatë dëgjimeve buxhetore. 

Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor kërkon integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit, monitorimit, dhe vlerësimit të buxheteve qendrore dhe komunale. Kjo do të thotë që politikëbërësit parimisht duhet të njohin faktin që përderisa burrat dhe gratë janë të barabartë, për shkak të dallimeve sociale dhe ekonomike kanë nevoja, prioritiete, dhe interesa të veçanta e shpesh të ndryshme. Politikëbërësit duhet të marrin parasysh këto nevoja dhe prioritete të veçanta në secilin hap të draftimit, zbatimit, monitorimit, dhe vlerësimit të buxheteve komunale dhe qendrore.  

"Përderisa shteti bashkë me krejt mekanizmat e vet janë të kontrolluar nga burrat, nuk mund të flasim për politika gjithëpërfshirëse e emancipuese."

Leonida Molliqaj, kryeredaktore e platformës QIKA

Sa ndodh kjo? Pothuajse fare. Shumica e institucioneve publike vazhdojnë të besojnë që buxhetimi gjinor përfundon në momentin kur alokohet buxhet për Zyrat për Barazi Gjinore [ku janë të punësuar zyrtarët për barazi gjinore të cilët janë të detyrueshëm në çdo ministri dhe komunë]. Kjo vjen si rrjedhojë e keqkuptimeve të thella rreth asaj se çka është buxhetimi gjinor dhe si bëhet. 

Përveç Ligjit për Barazi Gjinore, i cili ka bërë buxhetimin gjinor obligativ për të gjitha institucionet e Kosovës, gjithçka tjetër nga aspekti praktik e ligjor mungon. 

Çfarë aspiratash duhet të kemi?

Leonida Molliqaj, kryeredaktore e platformës QIKA

Angazhimi politik i grave është një mundësi për të problematizuar shumë çështje që nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve publike edhe për fatin e keq sepse kanë prekur vetëm gratë. Vetëm kur gratë ndërhyjnë në sferën publike e cila tash është e dominuar nga burrat, mund të hapen mundësi të reja për artikulim e adresim të shtypjes e diskriminimit. Përderisa shteti bashkë me krejt mekanizmat e vet janë të kontrolluar nga burrat, nuk mund të flasim për politika gjithëpërfshirëse e emancipuese.

Është dëshmuar që në një mjedis thellësisht patriarkal, kuota ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm duke ndihmuar gratë nga rajone e profesione të ndryshme të jenë pjesë e parlamentit. Kësisoj, kuota ka lehtësuar angazhimin e grave që në shoqëritë patriarkale shpesh janë të margjinalizuara nga jeta publike. Mirëpo kuota nuk duhet të jetë caku ynë. 

Përderisa kemi parti politike që në të gjitha pozitat organizative e drejtuese kanë vendosur burra, nuk mund të flasim për hapësirë të përshtatshme për gratë. Megjithatë duhet kuptuar që diskutimi për gratë në politikë nuk bën asesi të na rrëshqet vetëm në nivel përfaqësimi.

"Duhet të punojmë që të rinjtë e të rejat LGBTIQ+ të ndihen të sigurt, të pranuar dhe të përfshirë në shoqëri."

Agon Rexhepi, aktivist

Përbërja e listave zgjedhore është një tregues i qartë se si ndahet pushteti brenda një subjekti politik. Zakonisht partitë vërehen tek angazhohen në kërkim të emrave të grave vetëm kur vjen koha e fushatave zgjedhore meqë kanë nevojë për të përmbushur kushtin e kërkuar nga Ligji për Zgjedhje [që lista e kandidatëve të subjektit politik të përbëhet nga të paktën 30% gra]. Partitë nuk kanë një angazhim të përhershëm për të ndihmuar gratë që të bashkohen e përfshihen politikisht.

Në vend të saj, edhe në këtë fushatë po vazhdojnë të grumbullojnë burra nëpër oda e hapësira tjera që historikisht kanë përjashtuar gratë. Këto lloj tubimesh e bëjnë politikën të paarritshme e të papërballueshme për gratë. Ne e dimë që në oda gratë nuk kanë vend, andaj është i papranueshëm fakti që ende vazhdojnë të përdoren nga të gjitha partitë politike si mjet fushate. 

Kjo po ashtu flet për një garë të pabarabartë mes grave dhe burrave kandidatë, sepse kësisoj vetëm burrave kandidatë po u mundësohet të diskutojnë për politikë dhe të përfaqësojnë subjektin e tyre. Për sa kohë të kemi këtë lloj të segregimit në baza gjinore, nuk mund të flitet për sfidim normash tradicionale.

Agoni: Pozita e personave LGBTIQ+ në shoqërinë tonë ka nevojë për ndryshime drastike. 

Gjithsesi, ne duhet të fokusohemi fillimisht në mirëqenien e personave LGBTIQ+, duke filluar nga krijimi i hapësirave të sigurta për ta. Duhet të punojmë që të rinjtë e të rejat LGBTIQ+ të ndihen të sigurt, të pranuar dhe të përfshirë në shoqëri. Duhet të flasim publikisht për të drejat LGBTIQ+ dhe të edukohemi mbi historinë e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë dhe më tej.

Pavarësimi ekonomik është një mënyrë e shëndetshme për fuqizimin e personave LGBTIQ+ dhe pozitës së tyre në shoqëri. Andaj, duhet të synojmë të krijojmë plane konkrete të punësimit të tyre, në bashkëpunim me ta.

Në institucionet arsimore duhet të diskutohet më shumë për komunitetin LGBTIQ+ dhe të krijohen politika të veçanta për mbrojtjen e nxënësve LGBTIQ+ nga ngacmimet.

Duhet të fokusohemi edhe në njohjen ligjore të çifteve LGBTIQ+ dhe të legalizohet martesa mes të njëjtës gjini në vend. Paralelisht duhet të bëhet informimi i popullatës përmes mediave, por edhe të flitet në media për fushat e tjera në lidhje me komunitetin LGBTIQ+. 

Liridona: Ne duhet të punojmë për idealet e artikuluara që moti prej lëvizjes feministe që kërkojnë asgjë më pak se shoqëri të barabartë dhe organizime të drejta politike për të gjitha/ë. Këto aspirata të kauzës sonë do duhej të ishin parimet dhe synimet mbi të cilat funksionon çdo organizim. Në terma të politikëbërjes kjo nënkupton dizejnimin e politikave më të drejta për gratë, gjinitë e tjera dhe grupet shoqërore dhe ekonomike të paprivilegjuara. 

"Duhet të reformohet mënyra se si mbahen dëgjimet publike buxhetore sepse ato vazhdojnë të përjashtojnë gratë dhe vajzat, interesat e të cilave nuk reflektohen në buxhet."

Donjeta Morina, eksperte e buxhetimit gjinor

Ajo shoqëri të cilën e projektojmë ne kur flasim për “ndryshime” është një shoqëri ku të qenët grua, jobinar/e, lezbike, gej, grua a burrë trans, rom/e, i/e ndonjë katundi, në moshë, fetar/e, me nevoja të veçanta nuk të bën më pak të vlefshëm/me për shoqërinë dhe nuk është justifikim për të përjetuar shtypje. 

Shoqëria të cilën duhet ta aspirojmë është një shoqëri ku shtresëzimi ekonomik nuk ekziston. Në gjykimin feminist të cilin unë përfaqësoj, nuk mund të mendohet assesi një shoqëri e mirë derisa dallimi mes të pasurve dhe të varfërve të zhduket dhe mirëqenia të bëhet e drejtë e të gjithëve e jo privilegj i një pakice.

Çfarë ndryshimesh duhen për t’i përmbushur aspiratat?

Donjeta: Së pari, duhet të forcohet infrastruktura ligjore drejt implementimit të buxhetimit gjinor. Ligji për Barazi Gjinore nuk mjafton, duhet edhe një udhëzim administrativ i cili rregullon qartë hapat drejt implementimit të buxhetimit gjinor në të gjitha kategoritë ekonomike.

Të gjitha institucionet publike duhet të mbajnë të dhëna të ndara sipas gjinisë në të gjithë sektorët, dhe të përdorin këto të dhëna gjatë planifikimit të Kornizave Afatmesme Buxhetore dhe Buxheteve Vjetore. Duhet të institucionalizohet një proces sistematik i analizës gjinore gjatë planifikimit buxhetor. Ministria e Financave nuk duhet të pranojë asnjë propozim-buxhet që nuk është i përcjellur dhe i arsyetuar me analizë të thellë gjinore.

Duhet të reformohet mënyra se si mbahen dëgjimet publike buxhetore sepse ato vazhdojnë të përjashtojnë gratë dhe vajzat, interesat e të cilave nuk reflektohen në buxhet. 

Liridona: Politikat më të drejta bëhen veç me ndërhyrje feministe. 

Janë dy alternativa që jodomosdoshmërisht janë në antagoni me njëra-tjetrën: intervenimet dhe mobilizimi në rrugë që artikulon më së miri mllefin dhe revoltën e grupeve dhe individëve të shtypur, dhe marrja e hises politike nga grupet historikisht të margjinalizuara nga politika. Duhet që, për shembull gratë, të ndërgjegjshme për atë se çka i shtyp ato dhe grupet tjera, të hyjnë masivisht në politikë me qëllim të rimendimit të politikës dhe sjelljes së alternativave progresive të qeverisjes.

Ne (dhe shteti) duhet braktisur idenë liberale të “neutralitetit” që mëton se trajtimi i barabartë i të gjitha palëve është drejtësi dhe parim mbi të cilin mund të vazhdojmë të qeverisemi. Është e pakonceptueshme për ne që përderisa grupet dhe individët e caktuar janë cak i diskriminimit pikërisht për shkak të “anshmërisë” së pushtetit përgjatë historisë, sot të pretendohet që neutraliteti në politika sjell mirëqenie për qytetarët/et. 

Çka duhet bërë këtu është që politikat feministe të bëhen pjesë e diskursit politik. Një politikë feministe e cila përfshin dhe merr parasysh perspektivat e të gjitha/ë personave dhe harton politika përkitazi me nevojat dhe specifikat e tyre. Në instancë të fundit, kjo qasje nënkupton që shteti dhe strukturat e tjera duhet të merren seriozisht dhe fundamentalisht me të drejtat e njeriut, me theks të veçantë te grupet e paprivilegjuara. Domethënë, njerëzit duhet të kthehen në epiqendër të politikëbërjes.

Leonida: Nëse shikon programet e partive politike të krijohet përshtypja që në Kosovë nuk kemi nevojë për ndërhyje e politika që përmirësojnë jetët e grave. Edhe në ato pak raste kur përmenden gratë, zakonisht flitet për to vetëm si nëna; pra përgjithësisht parashihen ndihma financiare që ndihmojnë gratë [që janë] nëna të rrisin fëmijët, e jo ato si individë të kësaj shoqërie. Ne kemi nevojë për politika tejet konkrete por edhe të guximshme që shkundin rendin ekzistues diskriminues në Kosovë. Nuk ka asnjë kuptim që të bëhemi thua se varfëria e shtypja ndaj grave do të përmirësohen me disa arnime të vogla. Pa pasur një ndryshim thelbësor në këtë drejtim, nuk mund të flasim për përparim.

Ka pak gra që punojnë e edhe më pak gra që angazhohen politikisht. Kjo duhet të jetë shqetësim i të gjithëve. Në vend të diskutimit të shtruar gabim që fajëson gratë për mungesë vullneti e gatishmërie për t’u përfshirë në sferën publike, duhet të flitet shumë e shpesh për vështirësitë e tyre për ta bërë këtë hap, e që shpesh lidhen drejtpërdrejt me punën e papaguar brenda shtëpisë e familjes tradicionale.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.