Mentorimi | Kulturë

Nostalgji për një qytet të pandarë

Nga - 31.01.2019

Rrëfimet e tri grave për një qytet që në kujtesën e tyre, dikur ishte ndryshe.

Në qendrën rinore “Diakonie” të vendosur në jug të Mitrovicës e në afërsi të lumit Ibër, i cili tashmë konsiderohet edhe si sinonim i ndarjes së këtij qyteti, më 19 janar u mbajt “Karavani i Tregimeve”. Kjo ngjarje kishte për qëllim që të rikthente kujtesën e një qyteti që ishte njëherë i bashkuar kulturalisht dhe socialisht, dhe është pjesë e projektit “Mitrovica’s Joint Stories”, të organizuar nga GAIA, organizatë joqeveritare e cila është degë e Service Civil International (SCI).

Ngjarja nisi me tregimet e tri grave të këtij qyteti — të etnisë shqiptare, boshnjake dhe serbe — Valbona Prekazit, Jasmina Kurshumlisë dhe Ružica Simić, përkatësisht. Që të trija, në të 50-at dhe 60-at, ndanë kujtime të jetës së tyre ndër vite, nga të dy anët e qytetit.

Në muret e qendrës rinore, po ashtu ishin të ekspozuara fotografi të grave mitrovicase kur jetonin në qytetin ende të pa ndarë, e të siguruara nga Muzeu i Mitrovicës, partner lokal i projektit. Atë natë, u shpalosën prej kujtimeve më të hershme që i lidhë qytetarët me këtë qytet, si vendeve të preferuara, dallimin mes Mitrovicës karshi qyteteve tjera, me traditën dhe jetën kulturore, me referencën si qyteti i bendeve të rock’n‘roll-it, ballove, sportit, zhvillimit ekonomik e industrial e deri tek pjesëmarrja e gruas në shoqëri.

Edhe pse atëherë kishin bashkëjetuar mes një diversiteti të madh kulturor, në kujtimet e tri grave, Mitrovica ishte ndryshe. Rrëfimet e tyre i njoftuan të pranishmit me një Mitrovicë që është thuajse në harresë, me një Mitrovicë të pandarë, një jete dhe një qasjeje krejtësisht ndryshe prej asaj që ishte jo shumë kohë më parë.

Valbona Prekazi, Jasmina Kurshumlija dhe Ružica Simić kanë rrëfyer kujtimet e tyre për qytetin e Mitrovicës. Foto nga Besim Ibrahimi.

Për Valbona Prekazin, profesoreshë në Shkollën e Mesme Teknike në Mitrovicë, prej kujtimeve më të hershme që e lidhin me qytetin, janë përshtypjet e para si fëmijë që i ka pasë, pasi u zhvendosën me familje nga Prizreni në Mitrovicë në fillim të viteve të 60-ta.

“Na mahniti pamja e lumit Ibër, e cila ishte mjaft e shtrirë dhe e thellë, por mbi të një urë glamuroze e thurrur me metal”, tha Prekazi, të cilës përshtypje të thellë atëherë i kishte lënë plani urbanistik i Mitrovicës. “Në mes të qytetit ishte parku. Parku ka qenë jashtëzakonisht i bukur asokohe, me një bazen në mes dhe me shumë lule përreth, me shumë halore përreth, ku nuk depërtonte drita brenda”.

Të dielave, sipas saj, mblidheshin në stadiumin e Trepçës në pjesën veriore të parkut me dhjetëra mijëra spektatorë për të shikuar ndeshjet.

“Ekipi i Trepçës ka qenë çdo herë me nam dhe me za, kështu që ka hy në ligën e parë te Jugosllavisë ndër vite”, tha ajo, duke theksuar edhe ndriçimin që kishte zona industriale në Mitrovicë, që e kujton ende Prekazi kur kishte ardhur për herë të parë në Mitrovicë. “Udhëtonim me tren dhe diku ka mesnata kur mbërritëm në Mitrovicë na fascionoi ai ndriçimi i hyrjes në Mitrovicë me ato dritat, në atë zonën industriale të zhvilluar”.

Po atë ndriçim e kujton edhe drejtoresha e organizatës së të drejtave të grave “Women’s Rights”,  Ružica Simić.

“Ajo që më ka impresionu më së shumti ka qenë ndriçimi i qytetit”, tha ajo. “Duke e pasë parasysh që jam nga një vend i vogël si Stantërg, ka qenë ai ndriçimi publik qysh prej fillimit të qytetit deri në fund te pjesa e Sitnicës”.

Për Simić, qyteti i Mitrovicës i kujton kohën kur shoqëria ka pasë tjetër kuptim dhe njerëzit janë shoqëruar, pa dallime.

“Aspekti kolektiv ka pasë shumë rëndësi në atë kohë, po mendoj kemi dal me familje të ndryshme jemi bo bashkë”, tha ajo. “Edhe nuk e kemi pytë kush çka është. Po interesi ka qenë me dal edhe mu kënaq bashkë”.

“Por gjatë kohës së shkollimit i mbaj mend profesoreshat që me të vërtetë kanë qenë me nam dhe kanë pasur ndikim në komunitet”.

Ružica Simić, drejtoreshë në organizatën "Women's Rights"

Përpos ndriçimit të qytetit, një përshtypje të përbashkët Prekazit dhe Simić-it i kishin lënë dhe profesoreshat që u kanë japë mësim.

“Për drejtor të shkollave apo të Trepçës, burrat kanë dominuar”, tha Simić. “Por gjatë kohës së shkollimit i mbaj mend profesoreshat që me të vërtetë kanë qenë me nam dhe kanë pasur ndikim në komunitet”.

Edhe për Prekazin ishin profesoreshat që i kishin lënë kujtime dhe mbresa të mira, por sipas saj shumë gra të profesioneve të ndryshme kanë qenë të fuqishme. Gjithashtu, jeta e atëhershme kulturore në kujtimet e tyre ishte më e gjallë. Për Prekazin, Mitrovica është cilësuar si vend avangardë, me netë kulturore, sallën e vallëzimit në Zveçan, me diskotekë. Balloja ka qenë për njerëzit më në moshë, kurse Matineja ka qenë për më të rinjë.

“Mitrovica me Zveçanin i ka pasë katër kinema, kemi pasë një teatër, një muze të qytetit ku është sot, kemi pasë ku me dal, me shku me u argëtu, ku me i humb dy orë të bukura”, tha Prekazi.

Ndërsa fëmijërinë e saj me aktivitet sportiv dhe detaje të rinisë në qytetin e Mitrovicës, Jasmina Kurshumlija, mësimdhënëse në shkollën fillore “Bedri Gjina”, e kujtoi me nostalgji.

“Fëmijëria jonë ka qenë ndoshta edhe shumë më aktive; unë në atë kohë, kam lujtë shumë edhe sport, kam qenë basketbolliste — një kohë, për ekipin e Zveçanit, ma vonë edhe për Trepçën. Po mjerisht ditëve të sotit, i shohim rininë që nuk merren shumë me aktivitete sportive”, tregonte Kurshumlija, përderisa përshkruante se si ka qenë jeta në komunitet atëherë. “Kam jetu në një ndërtesë 10 katëshe, jo që i kom njoftë banorët që kanë banu aty po edhe musafirët e tyre kur kanë ardh i kam njoftë”.

Rrëfimet e këtyre grave, ofruan një imazh me shumë nostalgji për Mitrovicën, një pamje përshkruese atyre që nuk e kishin përjetuar qytetin e bashkuar.

Mevlude Skuroshi, koordinatore e projektit “Mitrovica joint stories”, ka treguar rreth rëndësisë së projektit, se si një qytet që dikur ishte shumë i gjallë, tani nuk është më dhe për nevojën që gjeneratat e reja të dinë për të.

“Jemi duke organizuar evente kulturore, me tendencë që ta gjallnojmë [qytetin] dhe të ndijmë për gjërat që kanë ndodhë më herët”, tha ajo.

“Karavani i Tregimeve” është ngjarja e parë e projektit “Mitrovica Joint Stories”, në kuadër të cilit do të zhvillohen një sërë aktivitetesh deri në muajin maj, me fokus në rrëfimet dhe kujtimet rreth një Mitrovice që ekzistonte dikur. K

Foto kryesore nga Besim Ibrahimi.