Në thelb | Kodi Civil

‘Nuk e dimë qysh është me qenë të lirë’

Nga - 30.03.2022

Homofobia në Kuvendin e Kosovës.

Avdyli dhe Rrustemi janë ulur përballë njëri-tjetrit, të ndarë nga një tavolinë, duke mbajtur distancë, ndonëse lidhja e tyre kurrë s’ka qenë më  mirë. Kur të tjerët janë përreth, instinktivisht sillen sikur janë thjesht shokë dhe shmangin çfarëdo sjelljeje që mund ta zbulojnë se çfarë janë ata dy janë njëmend –– një çift i dashuruar.

Këta dy burra shpesh detyrohen t’i fshehin identitetin dhe dashurinë e tyre nga të tjerët. (Avdyl dhe Rrustem janë pseudonime që u janë vendosur për t’ua ruajtur privatësinë). Megjithatë, gjatë bisedës, nuk mund t’i fshehin dot zemërimin dhe zhgënjimin që e ndiejnë për urrejtjen që ata dhe njerëzit si ta e marrin përditë. Urrehen për shkak të dashurisë ndaj njëri-tjetrit.

E ardhmja e tyre si një çift gej dhe përfundimisht, si qytetarë të Kosovës, ishte temë e debatit në Kuvendin e Kosovës më 16 mars, kur u nxor për votim projekt-kodi i ri civil.

Ndonëse projekt-ligji i pati 1,630 nene që do të rregullonin aspekte të ndryshme të jetës private dhe publike në Kosovë, neni 1,138, paragrafi 2 u bë mollë sherri dhe praktikisht e vetmja pjesë e tërë diskutimit. Paragrafi në fjalë thotë: “Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”.

Ligji u refuzua.

Avdyli i priti këto rezultate dhe gjuhën diskriminuese që u përdor në diskutimet parlamentare. “Veç ka qenë e pritshme”, tha ai, “veç është e pritshme mos me ndodh kurgjo në favor të personave LGBT”.

Një nga arsyetimet kryesore që u ngrit nga deputetët për ta kundërshtuar kodin e propozuar civil ishte se bashkësitë civile midis personave të të njëjtit seks paraqesin kërcënim ekzistencial për ruajtjen e institucionit të familjes.

Avdyli dhe Rrustemi gjërat i shohin ndryshe. “Ta shtysh një burrë gej të martohet me një grua, ta ndërtojë një martesë të bazuar në rrena, ku i rrejmë edhe fëmijët dhe një grua, e cila është e pafajshme”, tha Rrustemi, “kjo është shkatërruese për familjen”.

Me apo pa kod civil, Avdyli dhe Rrustemi jetojnë në fshehtësi dhe nuk ndihen të lirë të dalin haptas për lidhjen e tyre as në publik dhe as në shtëpi. “Seni i parë që e bëj kur hi në banesë, shkoj i uli roletat. Sa herë të më afrohet Rrustemi, kur jemi në banesë nuk guxoj me ia prekë as dorën pa e kthy një herë krytë kah dritaret”, tha Avdyli.

Kur i shohin çiftet tjera duke u puthur e përqafuar në rrugë, u kujtohet ajo që nuk mund ta kenë. Ëndrra e tyre është t’i përjetojnë të njëjtat kënaqësi të thjeshta si çiftet heteroseksuale, si kapja e duarve në publik. Rrustemi, me buzëqeshje të dhimbshme, tregon për një rast kur preku lehtësisht dorën e Avdylit në shesh, vetëm për ta përjetuar se si është t’ia kapësh dorën të dashurit në publik.

Edhe jashtë vendit, frika që e kanë krijuar në Kosovë shfaqet në mënyra të papritura. “Një herë kur kemi qenë jashtë vendit, Rrustemi deshti me ma kapë dorën. Ja hjeka menjëherë. Fizikisht, ia nisi me më dhimtë dora”, kujton Avdyli.

“Nuk e di a kisha ditë me vepru në liri”, tha Rrustemi.

Të dashurohen haptazi nuk është opsion për ta. Dhe pasi që e panë urrejtjen kundrejt tyre në Kuvendin e Kosovës, për shkak i një fjalie të vetme në një ligj prej 1630 nenesh, Avdyli dhe Rrustemi do të vazhdojnë t’i mbajnë roletat poshtë.

“Shkoj i uli roletat. Po duhet me i ulë krejt poshtë e tani me nejtë shlirë”, tha Rrustemi. “Me nejtë shlirë, ku? Në shtëpinë tënde. Qajo t’han ma s’shumti”.

Draft i ri, retorikë e vjetër

Më 16 mars, pas seancës së paradites, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kërkoi nga deputetët që të shkojnë në pauzë të shkurtër që “të marrin frymë thellë dhe të reflektojnë” për pikën e ardhshme të diskutimit: kodin civil.

Në ora 14:00, deputetët u mblodhën për atë që të gjithë e dinin se do të ishte një seancë shumë kundërthënëse. 

Drafti i kodit civil nuk është krejt i panjohur për kosovarët, pasi që në të është duke u punuar që nga viti 2014. Hera e fundit kur u bë pjesë e diskutimit publik ishte para gati dy vitesh. Në gusht të vitit 2020, pasi u miratua nga qeveria, u dërgua te komisioni për legjislacion.

Më vonë atë vit, në mungesë të kuorumit, kodi civil nuk u votua. Kur erdhi qeveria Kurti në pushtet, në mars të vitit 2021, drafti u kthye sërish te Ministria e Drejtësisë për shqyrtim. Projekt-kodi civil i fundit u miratua më 29 dhjetor të vitit 2021 dhe përfundimisht u dërgua për diskutim në Kuvend më 16 mars.

Kodi civil mori vëmendje më të madhe në internet pasi Duda Balje, një deputete që mban një nga tri ulëset e garantuara në Kuvend për boshnjakët, si dhe kryetare e komisionit legjislativ përgjegjës për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, doli kundër projekt-ligjit në një postim në Facebook në 23 shkurt.

Deklaratat e urrejtjes dhe jotolerancës ndaj personave LGBTQ + vazhduan në Kuvendin e Kosovës.

Ajo shkroi: “Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR. Kundër, sepse nuk përket me kulturën, traditën në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”.

Komentet poshtë postimit të saj ishin të mbushura me gjuhë të urrejtjes. Në mesin e më shumë se 1300 komenteve deri më sot, ka deklarata që thonë se njerëzit e komunitetit LGBTQ + janë “njerëz të sëmurë” dhe “turpi i këtij vendi”. Një komentues shkroi: “Une për veti i kisha varur midis sheshit”.

Më 16 mars, deklaratat e urrejtjes dhe jotolerancës ndaj personave LGBTQ+ vazhduan, por këtë herë në Kuvendin e Kosovës, nga deputetët.

Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit parasheh që deputetët duhet t’i kryejnë detyrat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, që të dyja e ndalojnë diskriminimin në bazë të orientimit seksual. Më 16 mars, deputetët e shumicës dhe opozitës u bashkuan për të kundërshtuar garantimin e të drejtave për çiftet LGBTQ+.

Burim Karameta i Vetëvendosjes tha se “Në vendin tonë nuk e kemi luksin që të flasim për tema të tilla, varfëria dhe shumë dukuri të tjera negative janë shqetësim për çdo qytetar të këtij vendi”.

Këto çështje nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën ashtu siç sugjeron Karameta. Hulumtimet tregojnë se personat LGBTQ+ kanë më shumë gjasa të jenë të varfër për shkak të diskriminimit në vendin e punës, ku detyrohen ta fshehin orientimin e tyre seksual.

Karameta po ashtu e përshkroi veten në favor të “familjes së natyrshme”, sugjeroi se njerëzimi do të pushonte së ekzistuari nëse çifteve LGBTQ+ do t’u jepej e drejta për t’u martuar dhe pretendoi pa prova dhe në kundërshtim me hulumtimet ekzistuese se fëmijët që rriteshin me prindër të të njëjtit seks “do të jenë më agresivë apo edhe të dhunshëm pikërisht ndaj asaj gjinie  që mungon modeli i tyre”.

Gramoz Agusholli i VV-së gjithashtu tha se kodi civil do ta “shkatërronte familjen”, duke e theksuar veçanërisht frikën e tij ndaj çifteve të të njëjtit seks dhe birësimin. “Çka ndodh me ata fëmijë që rriten pa tjetrin prind? Pse duhet të shkatërrojmë diçka e natyrshme për t’u ndërtuar diçka të re dhe problematike?” pyeti ai.

Hulumtimet kanë treguar se fëmijët e rritur nga prindërit e të njëjtit seks, në thelb nuk ndryshojnë nga ata të rritur nga prindër heteroseksualë.

Edhe Mërgim Lushtaku i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) foli për mbrojtjen e familjes, të cilën e quajti “qeliza kryesore e shtetit”, nga bashkësitë e personave të të njëjtit seks. Lushtaku, i cili edhe në vitin 2020 ishte kundër kodit civil, shtoi se qëndrimi i tij është ai i shumicës së kosovarëve.

Nuk janë realizuar mjaftueshëm anketa të besueshme apo gjithëpërfshirëse të opinionit mbi qëndrimin e kosovarëve për çështjen e martesave të të njëjtit seks për bashkësitë civile. Gjersa disa tregojnë nivel të ulët të mbështetjes për të drejtat e personave LGBTQ+, anketat më të reja sugjerojnë se një shumicë e kosovarëve mund të miratojnë garantimin e të drejtave më të gjera ligjore për çiftet LGBTQ+.

Labinotë Demi Murtezi e VV-së, doli kundër nenit 1,138, paragrafit 2, për shkak të dëshirës së saj për ta “mbrojtjur moralin publik”, teksa e përshkroi çdo lidhje jashtë “martesës mes gjinive të kundërta” si “shthurje dhe degjenerim moral“. Gjithashtu, ajo pohoi se martesa mes personave të të njëjtit seks është “e dëmshme për shëndetin e njeriut” dhe tha se “plotësimi i nevojave seksuale në forma të shthurura është në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut […] është shkaktar i sëmundjeve të rënda, të pashërueshme si HIV/Aids”.

Në përgjithësi, HIV transmetohet nëpërmjet seksit të pambrojtur anal ose vaginal apo shkëmbimit të gjilpërave të shfrytëzuara me personat e infektuar. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, shpërndarja e HIV-it përkeqësohet si shkak i stigmës dhe panjohurive rreth virusit, homofobisë dhe diskriminimit kur është fjala për qasjen e kufizuar në kujdes shëndetësor cilësor. Në Kosovë po ashtu, kohëve të fundit, rritja e infektimeve me HIV tek burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra është ndërlidhur me homofobinë.

Gjatë protestës kundër homofobisë të shfaqur në Kuvend, më 17 mars, aktivistja Mirishahe Syla e cilësoi gjuhën e përdorur në Kuvend si thirrje për dhunë kolektive ndaj personave LGBTQ +, duke shtuar se “në këtë Kuvend është folur në emër të ‘mbrojtjes së vlerave familjare’, por mos ta harrojmë se po flasim për vlera familjare në Kosovë, ku familja vazhdon të jetë institucion i dhunës, ku dhuna normalizohet dhe mbetet traditë”.

Protestuesit brohorasin “Dashnia nuk është sëmundje”! para Kuvendit të Kosovës.
Video: Dina Hajrullahu / K2.0.

Si përgjigje ndaj debatit në Kuvend, Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se homoseksualiteti nuk është çrregullim mendor, teksa inkurajon ligjbërësit dhe politikanët të veprojnë në harmoni me parimet e të drejtave të njeriut. Ata gjithashtu deklarojnë se sipas ekspertizës dhe përvojës së tyre shkencore, diskriminimi dhe stigma sociale dëmtojnë mirëqenien psikologjike, fizike, sociale dhe ekonomike të personave LGBTQ+.

Nga 77 deputetë të pranishëm, 28 votuan pro kodit civil, 29 votuan kundër, katër abstenuan dhe 16 nuk votuan fare. Mimoza Kusari Lila, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së ishte në mbështetje të kodit, ndonëse një numër i deputetëve të saj votuan kundër. Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) deklaroi se partia e tij është kundër, kurse Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Abelard Tahiri nga PDK-ja nuk dhanë qëndrimet e tyre për bashkësitë civile në mes personave të seksit të njëjtë dhe nuk votuan fare për kodin.

Në një moment kur politikanët e Kosovës po kërkojnë ta paraqesin vendin si aleat besnik dhe të përkushtuar të NATO-s, Bashkimit Evropian (BE) dhe komunitetit të gjerë ndërkombëtar transatlantik, Kuvendi i Kosovës, për shkak të rezistencës homofobike ndaj një paragrafi të vetëm, hodhi poshtë një kod civil të mbështetur nga BE. BE-ja ka pohuar se dështimi në miratimin e kodit civil do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve të Kosovës.

K2.0 ka kontaktuar grupet parlamentare të VV-së, PDK-së, AAK-së, LDK-së dhe Listës Serbe për qëndrimin e tyre, por asnjëri nuk është përgjigjur.

A do ta njohë kodi civil martesën mes personave të seksit të njëjtë?

Në seancën e 16 marsit, kryeministri Kurti tha se kodi civil nuk i njeh martesat mes personave të të njëjtit seks dhe as nuk i rregullon bashkësitë civile midis tyre.

Ndonëse kodi thotë se bashkësitë civile mes personave të të njëjtit seks (e jo martesat) lejohen, gjithashtu përcakton se kjo do të hyjë në fuqi vetëm pasi të miratohet një ligj shtesë i veçantë që i përcakton detajet. Pavarësisht kësaj, deputetët vazhdimisht pohuan se kodi i njeh martesat mes personave të të njëjtit seks.

Përderisa kodi shkon shumë larg për shumicën në Kuvend, për avokaten e të drejtave të njeriut nga Prishtina, Rina Kika, nuk shkon aq larg sa do të duhej. Fakti që projektkodi civil flet për bashkësitë civile mes personave të të njëjtit seks dhe jo për martesën, sipas Kikës, veç është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila thotë: “Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

"Nuk mund ta miratojnë një ligj antikushtetues dhe të presin që ne vetëm të shikojmë dhe ta lejojmë atë"
Rina Kika, Avokate për të Drejtat e Njeriut.

Kika shtoi se mungesa e një afati se kur do të rregullohen ligjërisht bashkësitë mes personave të të njëjtit seks do të thotë se neni është një gjysmë mase e pakënaqshme që më vonë çon vetëm në më shumë pikëpyetje. Pavarësisht nëse legjislacioni i ardhshëm do të përpiqet t’i trajtojë martesat mes personave të të njëjtit seks apo bashkësitë civile, Kika u zotua se avokuesit e komunitetit LGBTQ + do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj qeverisë. “Nuk mund ta miratojnë një ligj antikushtetues dhe të presin që ne vetëm të shikojmë dhe ta lejojmë atë”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të K2.0 lidhur me këtë temë, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se “Ministria e Drejtësisë nuk procedon asnjëherë për miratim dokumente ligjore, të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konventat dhe instrumentet ndërkombëtare. Tutje Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë ta trajtojë edhe këtë çështje në pajtim me Kushtetutën dhe instrumentet ndërkombëtare në përputhje me frymën e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare të drejtave të njeriut”.

Blert Morina është drejtor ekzekutiv në Qendrën për Barazi dhe Liri (CEL), një organizatë në Kosovë që punon për mbrojtjen e personave LGBTQ+ dhe është pjesë e Rrjetit të të Drejtave të Njeriut, një rrjet i grupeve që punojnë drejt ndryshimeve në kodin civil. Morina thotë se rrjeti i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë një listë rekomandimesh në lidhje me kodin civil, duke përfshirë kërkesën që kodi ta njohë dhe rregullojë të drejtën e martesës së personave të të njëjtit seks dhe që të largohet gjuha përjashtuese bazuar në seks, për shembull,  shprehja “një burrë dhe një grua” të zëvendësohet me “dy persona” ose “bashkëshortë”.

Ngjashëm me qëndrimin e Kikës, Morina tha se kodi civil është i pamjaftueshëm pasi nuk shpjegon se çka është bashkësia civile, çfarë të drejtash përfshin apo sa kohë do të duhet që ligji që garanton bashkësitë civile mes personave të të njëjtit seks të hyjë në fuqi.

“Ka pasur një propagandë të madhe se ky kod civil do t’i lejojë martesat apo bashkësitë mes të njëjtit seks”, tha Morina. “Për momentin ky draft jo vetëm që nuk rregullon asgjë, por e nxjerrë në pah faktin se kur bëhet fjalë për promovim, respektim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut, gjërat bëhen vetëm shkel e shko”.

Morina shtoi se Ministria e Drejtësisë i ka premtuar CEL-it dhe Rrjetit për të Drejtat e Njeriut se rekomandimet e tyre do të merren parasysh. Po ashtu, ai tha se ministria premtoi se do t’ia dërgonte grupit projekt-kodin civil përpara se ky i fundit të dërgohej në qeveri për miratim, por kjo gjë nuk ndodhi.

Nga Ministria e Drejtësisë për K2.0 thanë se kanë reflektuar ndaj rekomandimeve të organizatave të shoqërisë civile dhe kanë krijuar bazën që bashkësitë civile të njihen me kodin civil dhe më vonë të rregullohen me ligj të veçantë. Ministria e Drejtësisë shtoi se po planifikojnë të përgatisin një koncept dokument për bashkësitë e regjistruara civile dhe kanë krijuar një grup punues për këtë çështje.

Grupi punues, sipas ministrisë, përbëhet nga përfaqësues institucionalë dhe anëtarë të shoqërisë civile. Gjithashtu, planifikojnë të ftojnë ekspertë akademikë.

Morina tha se nuk janë kontaktuar për këtë koncept dokument dhe se që nga mos-kalimi i kodit civil, askush nga rrjeti nuk është kontaktuar nga ndokush i ministrisë.

Jashtë Kuvendit, protestuesit shprehën zemërimin e tyre për homofobinë e shfaqur nga legjislatura. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0.

Për më tepër, Morina e dënon gjuhën e urrejtjes që debati për kodin civil ngjalli. Ai beson se ky lloj i gjuhës së urrejtjes është përgjegjëse për rritjen e nivelit të depresionit dhe shkallën alarmante të vetëvrasjeve të personave LGBTQ + në Kosovë. Kritikën e tij më të madhe e rezervon për figurat si kryeministrin Kurti dhe residenten Osmani, të cilët heshtën për këtë çështje dhe nuk e dënuan gjuhën e urrejtjes qartazi dhe publikisht.

“Mesazhi që u përcoll përmes kësaj heshtjeje është i rëndë. Sepse heshtja është një mesazh. Në momentin që nuk e dënon publikisht këtë gjuhë të tillë të urrejtjes, ku mbetet siguria? Si mund të drejtohen personat e LGBTI te këto institucione kur të përjetojnë dhunë?”, pyeti Morina.

K2.0 ka kontaktuar disa herë zyrat e kryeministrit dhe presidentes për koment, por nuk ka marrë përgjigje.

Si përgjigje ndaj gjuhës së përdorur në seancën e 16 marsit, para Kuvendit u organizua një protestë me moton “Homofob, s’ki vend n’Kuvend”.

Shoqata për të Drejtat të Barabarta për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë dhe Human Rights Watch dërguan letra duke iu bërë thirrje deputetëve dhe palëve të tjera të interesit që të veprojnë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe t’i japin fund përjashtimit të çifteve të personave të të njëjtit seks nga martesa.

Marigona Shabiu, drejtore ekzekutive e Nismës së Rinisë për të Drejtat e Njeriut, tha për K2.0 pas protestës së 17 marsit se ajo mendon se paragrafi për bashkësitë civile është vendosur aty thjesht për të tentuar t’i “neutralizojnë apo t’i heshtin aktivistët”.

Morina tha se nuk do të mbeten të heshtur dhe se po e shfrytëzojnë çdo mundësi të mundshme që kanë si organizata të shoqërisë civile. Nëse nuk ka alternativë tjetër, tha ai, luftën e tyre do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Prapa roletëve të mbyllura

Teksa biseda me Avdylin dhe Rrustemin merr fund, ata i ndajnë bashkë ëndrrat e tyre për një të ardhme si çift. Avdyli tregon një rast kur ai dhe Rrustemi shkuan në një festë ku dikush luajti këngë dasmash. “Ishim shumë të ngazëllyer nga gjithçka dhe filluam t’i tregonim shoqërisë sonë se po fejohemi”, tha ai. “Brenda natës i caktum vendin, datën dhe gjithçka, teksa të gjithë ishin duke festuar. Nuk e kisha ditë që isha ngazëlly qaq shumë për fejesën”.

Në fund Avdyli tha: “E pamë që thjesht e kishim qitë në pah një ëndërr të shtypun”.

“Nuk e kisha ditë që isha ngazëlly aq shumë veç nga mendimi për t’u fejuar me të. Tash këtë verë mbetet me e pa a do të kemi fejesë apo jo”.

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.