Gati të gjitha njësitë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ishin vënë në dispozicion të luftimit të COVID-19. Ama, me ta kapluar virusi Kosovën, halli kryesor ishte se a ka aparati shëndetësor kapacitete të mjaftueshme për ta përballuar ngarkesën me pacientë në rast të përshkallëzimit të rasteve.
Në rast nevoje, të gjithë 125 shtretërit e Klinikës Infektive do të ishin të qasshëm vetëm për pacientë me COVID-19. Po ashtu, u vunë në dispozicion edhe shtretërit e Klinikës së Pulmologjisë, asaj të Dermatovenerologjisë, si dhe objekti i Mjekësisë Sportive.
Diku mbi 500 shtretër do të mund t’i “aktivizonte” QKUK-ja në rast nevoje — 40 prej tyre për trajtim intensiv. Por, secili shtrat s’do të kishte respirator, pasi në Kosovë janë 142 respiratorë dhe vetëm 95 prej tyre janë në pronësi të sektorit publik. Ministria e Shëndetësisë në prill kishte shpallur konkurs për të sjellë edhe 50 respiratorë të tjerë që do ë viheshin në punë diku kah fundi i majit.
Por, para se të arrinin respiratorët, institucionet kosovare nisën të mendojnë se po mposhtet pandemia. Përgjatë muajit maj numri i të prekurve të rinj sa vinte e zvogëlohej, ndërsa i të shëruarve rritej.
Masat me të cilat po luftohej pandemia COVID-19 përgjatë majit u zbutën gradualisht nga ish-qeveria Kurti. Sektorë të caktuar të bizneseve u rihapën, u zgjat orari i lëvizjes për qytetarët, u rihapën objeket fetare dhe u mbyllën qendrat e karantinimit. Prej 1 qershorit u hapën edhe kufijtë, ndërsa zyrtarët qeveritarë vazhdonin të bënin thirrje që të respektoheshin rekomandimet për masa mbrojtëse, si ruajtja e distancës, mbajtja e maskës dhe kujdesi i shtuar ndaj higjienës.
Përgjatë asaj jave edhe Qeveria e Kosovës u ndërrua dhe më 3 qershor në krye të saj erdhi Avdullah Hoti. Qeveria e re do të zgjedhte që pandeminë ta përballonte pa ndërmarrë asnjë masë shtesë kundrejt saj. Ajo mbajti shkollat mbyllur, por largoi tërësisht disa masa tjera që ishin në fuqi, përderisa Organizata Botërore e Shëndetësisë u sugjeronte shteteve që nga izolimi të dilet në mënyrë graduale.
Në mbledhjen e qeverisë më 7 qershor u vendos të hiqej tërësisht ndalimi i lëvizjes për qytetarët. Personat që do të futeshin në Kosovë s’do të kishin nevojë të vetizolohen, si dhe u larguan ekipet e qendrave të mjekësisë familjare nga pikat kufitare. Po ashtu u lejua që mallrat të qarkullonin pa asnjë pengesë.
U hap edhe aeroporti i Prishtinës, ku më 28 qershor ateroi aeroplani i parë pas më se tre muajsh. Aty do të pranohen të gjithë udhëtarët, si shtetasit kosovarë ashtu edhe ndërkombëtarët; të gjithëve u rekomandohet ta kenë me vete testin negativ për COVID-19, por nuk është obligativ. Ndërsa BE-ja pritet t’i hapë kufijtë për shtetasit e 15 vendeve “të sigurta” më 1 korrik — Kosova nuk është ndër to.
E me t’u liruar masat në Kosovë u mbajtën edhe disa protesta. Lëvizja Vetëvendosje më 12 qershor mbajti tubim në sheshet e Prishtinës, ku morën pjesë mijëra persona. Po ashtu, u mbajt protesta kundër vendimit të qeverisë për të mos lejuar mbajtjen e dasmave këtë, ku morën pjesë qindra persona. Këto tubime u panë si të rrezikshme nga shumëkush, pasi nuk respektohej distanca fizike dhe shumë protestues nuk mbanin maska.
“Çdo shkelje e rregullave do të jetë rrezikim i vetes dhe i të tjerëve. Lehtësimi i masave duhet të shoqërohet me rritje të disiplinës”, thoshte ministri i sapozgjedhur i shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërsa theksonte se do të rritej numri i inspektorëve që do të kontrollonin se a po respektohen rekomandimet.
Por me t’u lehtësuar masat, pandemia nisi të shtrëngohet.
Fluksi i pacientëve rritet
Kah mesi i qershorit, testet tregonin se numri i të infektuarve me COVID-19 po rritej. Bile, më 16 qershor u shënua numër rekord i të prekurve brenda një dite — 141 persona — që prej se ishin regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë më 13 mars. Numri i të prekurve në fund të muajit qershor ka arritur në më se 2600, ndonëse në voni numri i testimeve ditore është zvogëluar mesatarisht përgjysmë. Nga të prekurit, 49 persona kanë vdekur.
Në dritë të këtyre zhvillimeve, Ministria e Shëndetësisë ka riorganizuar agjendën e testimeve ashtu që të testohen vetëm kontaktet simptomatike të personave të infektuar, jo siç ishte praktikë që të testohen të gjitha kontaktet e personave të infektuar.
Shifrat tregojnë se rekomandimet për mbrojtje të shtuar nuk janë zbatuar dhe ka rritje të numrit të të infektuarve, anipse ministri Zemaj parashihte se përmes inspektorëve mund të sigurohet përfillja e rekomandimeve të Manualit për luftimin dhe parandalimin e COVID-19, i cili u publikua nga Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo është raportuar se Manuali nuk po zbatohet gjerësisht, si dhe është kritikuar se me mbi 150 faqe, është shumë i vëllimshëm për të qenë praktik.
Në anën tjetër, Kryeministri Hoti është i brengosur për kapacitetet shëndetësore të Kosovës në situatën aktuale me COVID-19.
Kryeministri Avdullah Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i vënë maskat, ta mbajnë distancën fizike dhe t’i lajnë duart. Foto nga Zyra e Kryeministrit.
“Nuk mund të lejojmë që gjendja të dalë jashtë kontrollit, jeta e qytetarëve është mbi të gjitha, është prioriteti ynë i parë”, tha i pari i qeverisë në një konferencë për media më 29 qershor. “Klinika Infektive është e stërmbushur. Tash ministri, drejtori i Institutit, drejtori i QKUK-së janë duke krijuar hapësira shtesë nëpër klinika tjera, edhe nëpër spitale regjionale.”
Se Klinika Infektive tashmë është ngushtë e thotë edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).
“Me rritjen e fluksit të pacientëve që kanë ardhur nga spitalet regjionale, na ka detyruar që të urdhërojmë drejtorët e këtyre spitaleve të krijojnë reparte infektive të zgjeruara, në mënyrë që pacientët e dyshuar për COVID-19 dhe me simptomatologji të lehtë, të nevojshëm për hospitalizim, të pranohen në spitale regjionale’’, ka thënë drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu për Koha.net.
Kjo shënon herën e parë që pacientët me Covid-19 trajtohen nëpër spitale regjionale. Tashmë janë mbi 100 pacientë që po trajtohen në Klinikën Infektive në QKUK, dhe sipas Sejdiut, në rast se pacientëve që trajtohen në spitalet regjionale u përkeqësohet gjendja, ata do të barten për trajtim në Klinikën Infektive, gjë që do të mund ta mbipopullonte edhe më tej klinikën.
E kjo duket se e ka nervozuar Kryeministrin Hoti. “Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka thënë ai në një postim në Facebook.
Sipas tij, zgjidhja mbetet që të respektohet Manuali i Ministrisë së Shëndetësisë për masa mbrojtëse nga COVID-19, i cili është “i obligueshëm” për çdo institucion publik e privat.
“Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla”, ka thënë ai. “Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate”.
E treta prej fundit
Kosova tashmë ka hyrë në listën e 11 vendeve ku transmetimi i përshpejtuar ka çuar në “ringjallje shumë domethënëse [të virusit] që nëse nuk kontrollohet do t’i shtyjë sistemet shëndetësore në zgrip”, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për rajonin e Evropës. Kjo ka bërë që shumëkush t’i kthejë sytë kah qeveria Hoti duke kërkuar ta menaxhojë si duhet situatën që po shkon duke u përshkallëzuar.
Më 28 qershor, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e shpërndau në Twitter një tabelë ku Kosova shfaqej në vendin e tretë në Evropë — pas Suedisë dhe Maqedonisë së Veriut — për nga numri i rasteve me COVID-19 për 100,000 banorë në periudhën 12-26 qershor. Tabela buronte nga Harta e COVID-19 e Universitetit Johns Hopkins dhe statistikat e popullsisë nga agjencia Eurostat.
“Kosova duket se e ka ndërruar vendin në tabelë nga njëra prej tregimeve të suksesit në mposhtjen e COVID-19, në vendin e tretë për raste të reja”, shkruajti ajo, duke i bërë thirrje qeverisë për vëmendje urgjente ndaj situatës dhe duke kërkuar nga të gjithë qytetarët që t’i respektojnë masat e parapara në Manual.
Rritjen e numrit të të prekurve me COVID-19 e ka komentuar edhe Sergy Koryak, shefi i Zyrës së OBSh-së në Kosovë.
“Kjo sigurisht që është rezultat i lehtësimit të kufizimeve që kanë ndodhur shumë shpejt”, ka thënë ai për K2.0. “Fatkeqësisht njerëzit nuk i ndjekin të gjitha masat paraprake të nevojshme në këto situata (vendosja e maskës dhe respektimi i distancës fizike) dhe niveli i pajtueshmërisë është shumë i ulët. Le të shohim se sa larg do të shkojë kjo”.K
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.