Në thelb | Edukim

Problemet kryesore që i dëmtojnë reformat arsimore

Nga - 31.10.2019

Kërkohet më shumë për ta vendosur në binar arsimin e fëmijëve.

Çdo ditë, nxënësit e shkollës fillore “Meto Bajraktari” kalojnë skaj citateve të ngjyrosura për rëndësinë e dijes dhe të arsimit, kur ngjiten shkallëve në hyrjen kryesore për në klasë.

Fjalë të tilla si “Leximi e ushqen mendjen” dhe “Mendja kërkon dije” synojnë t’ua rikujtojnë se me çdo hap që e bëjnë, ata po e hedhin themelin për sukseset dhe arritjet për të ardhmen e tyre.

Në shkollën “kampione” aty afër, “Pjetër Bogdani*”, fëmijët ulen në banka me libra të hapur, përballë dërrasës së zezë. Në murin e bardhë, shenjat e pikësimit të ngjyrosura përçojnë mesazhe rikujtuese për se përdoret secila; presja, duke pushuar, thotë: “Mendoj se të gjithë duhet të pushoni për pak sekonda,” ndërsa një pikë e zemëruar thotë: “Të gjithë duhet të ndaloni.” Llogaritjet themelore aritmetike gjithashtu shpjegohen me numra me ngjyra duke u zbritur nga një peshk i gjelbër.

Klasat janë të ndritshme dhe të mirëndriçuara, me dritën e diellit që rrezon nga dritaret e mëdha të hapura, ku me vetëm 20-25 nxënës në klasë, ka mjaft hapësirë për secilin.

Duke ua hedhur një sy sipërfaqësisht ngjyrave të ndritshme, mesazheve “frymëzuese” dhe fasadave pozitive të disa prej shkollave të kryeqytetit, mund të duket e vështirë për ta besuar se sistemi i arsimit në Kosovë në të vërtetë po dështon. E megjithatë eksterieri rozë i disa prej shkollave të Prishtinës mërtis një pamje më problematike të arsimit fillor të vendit në përgjithësi, sidomos në qytetet e tjera dhe në zonat rurale.

Si funksionojnë shkollat në Kosovë?

Sistemi i arsimit në Kosovë e ka një numër të niveleve, duke filluar nga parashkollori.

Niveli i parë i obligueshëm është arsimi fillor, i cili zakonisht zhvillohet mes moshës 6 dhe 11 vjeçare (klasat 1-5), gjatë të cilave vetëm një mësimdhënës i klasës ofron arsim të përgjithshëm.

Niveli i radhës është katër vjet arsimi të shkollës së mesme të ulët (klasat 6-9), ku mësimdhënësit janë të specializuar nëpër lëndë të ndryshme. Arsimi fillor dhe i mesëm i ulët zakonisht zhvillohen brenda ndërtesës së njëjtë të shkollës dhe shpesh kolektivisht njihet si “shkolla fillore.”

Në moshën 15-vjeçare, nxënësit e zgjedhin një drejtim arsimor si shkencat shoqërore dhe natyrore, artet ose opsionet profesionale. Kjo zgjedhje përcakton “gjimnazin” ose shkollat e mesme profesionale ku ata i kryejnë edhe tre vjet (klasët 10-12) të arsimit të mesëm.

Në shumë shkolla fillore të Kosovës, madhësia e klasave është pothuajse e dyfishuar, me rreth 40 nxënës në klasë, e mjetet themelore si librat shkollorë cilësorë e të përditësuar dhe kompjuterët shpesh mungojnë, kurse shërbimet profesionale janë jofunksionale ose mungojnë. Dhe në tërësi, është tashmë fakt i ditur se nxënësit në Kosovë dalin më dobët në teste të standardizuara jo vetëm në rajon, por edhe kur krahasohen me fëmijët nëpër botë.

Në shumë mënyra, situata e tanishme e sistemit të arsimit në Kosovë nuk mund të kuptohet pa e parë përmes prizmit të shkatërrimit – fizik dhe strukturor – i krijuar ky prej regjimit shtypës të Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve 1990-të.

Gjatë shumicës së kësaj dekade, sistemi i arsimit për shqiptarët e Kosovës u mbështet në shkollimin nëpër shtëpi dhe në sistem të arsimit paralel, pasi nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë u larguan me forcë nga shkollat dhe universitetet. Nga vera e vitit 1992 e deri në përfundimin e rezistencës paqësore kah fundi i dekadës, shkollat e improvizuara, të ndërtuara prej rreth 3,200 shtëpive, garazhave dhe bodrumeve, kishin më shumë se 100,000 nxënës.

Uzurpimi shkaktoi dëme të mëdha në strukturën e sistemit të arsimit. Nga viti 1995-96, numri i atyre që vijuan institucionet e arsimit në të gjitha nivelet ishte dukshëm i ulët se i atyre që u regjistruan më 1989-90; numri i fëmijëve që e ndoqën shkollën fillore kishte rënë në 12%, numri i nxënësve të shkollës së mesme kishte rënë në 21%, kurse ai i studentëve në universitet ishte përgjysmuar.

Shumica e fuqisë punëtore sot është ajo që e kishte shkollimin keq të ndërprerë në një kohë të rëndësishme të arsimimit vetjak.

Por zhvillimet pasuese gjithashtu ndihmuan në krijimin e gjendjes së tanishme të asimit në Kosovën e sotme.

Gjatë administrimit të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) mes viteve 1999 dhe 2008, sistemi i arsimit u centralizua, duke e zhvendosur autoritetin administrativ nga niveli vendor në institucionet qendrore. Gjatë kësaj kohe, stafi i përhershëm pedagogjik dhe njësitë pedagogjike vendore që e kishin mbështetur stafin e mësimdhënësve në shkolla, u zëvendësuan me organizata ndërkombëtare me shërbime të kontraktuara, që mbajtën trajnime, punëtori dhe seminare.

Planet e arsimit, strategjitë dhe kurrikula gjithashtu filluan të shkruhen dhe të rishkruhen në vitet e hershme të pasluftës mbi cilësinë, përfshirjen dhe llojshmërinë e shkollave në Kosovë – të gjitha të aprovuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe kishin për synim të përputheshin me standardet ndërkombëtare.

Në vitet e fundit pati Strategji të Arsimit Parauniversitar, Plane Strategjike të Arsimit, një Strategji të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin Parauniversitar dhe instrumente të tjera të ndryshme administrative me synim rritjen e standardeve arsimore.

Por përkundër të gjitha kornizave të punës dhe qëllimeve të mira, cilësia e arsimit fillor në Kosovë mbeti – në tërësi – dëshpërimisht e ulët.

Kurrikula e re

Një nga reformat më të mëdha në sistemin e arsimit fillor ka qenë Korniza e Kurrikulës e Arsimit Parauniversitar, e përditësuar, që përfshin një kurrikulë të detajizuar për secilën fazë të studimit.

E miratuar së pari më 2011, korniza e punës synon ndryshimin e qëllimeve të arsimit prej të qenit i bazuar në lëndë duke e rritur njohurinë në lëndë si matematika, fizika dhe kimia – në mbështetjen tek kompetencat dhe shkathtësitë. Prandaj, kurrikula përqendrohet në gjëra si komunikimi dhe të shprehurit efektiv, mendimi kritik, mësimi i suksesshëm, kontributi produktiv në jetë, punë dhe mjedis, kompetenca personale në kuptimin e menaxhimit të stresit dhe të jetesës së shëndetshme, kompetencat qytetare si qytetaria e përgjegjshme.  

Secili element ka përfundime të përshkruara, duke përcaktuar çka pritet të arrijnë nxënësit me mbarimin e arsimit fillor dhe të mesëm, dhe me pritshmëritë që mësuesit të raportojnë rregullisht mbi progresin e secilit nxënës.

Zbatimi i kurrikulës së re nëpër shkollat e Kosovës nuk ka filluar deri para dy vjetëve, gjashtë vjet pas miratimit të kornizës së punës për herë të parë.

Megjithatë, përveç qëllimeve, zbatimi i kurrikulës i ka të metat e veta dhe ballafaqohet me kritika nga mësimdhënësit dhe ekspertët e arsimit.

Njëra nga kritikat e procesit është se zbatimi i kurrikulës së re nëpër të gjitha shkollat në Kosovë nuk ka filluar deri para dy vjetëve, gjashtë vjet pas miratimit të kornizës së punës për herë të parë nga MAShT-i.

Ndërkohë, ka pasur dy faza testuese, e para me 10 shkolla më 2012-13 dhe e dyta me 95 shkolla më 2015-16, që e ka zëvendësuar një fazë të planifikuar testuese edhe më të madhe  që pritej në vitin akademik 2014-15. Edhe pas programit të gjerë testues, u desh edhe një vit për ta ripërpiluar dhe për ta miratuar kurrikulën, para se të fillonte të përdorej nëpër shkollat e Kosovës më 2017.

Edhe pse kurrikula e re mori shumë kohë për t’u testuar dhe për t’u zbatuar, lindën probleme të tjera.

Njëri nga problemet është se librat e rinj shkollor, siç kërkohet për kurrikulën e re, nuk ishin publikuar dhe nuk u ishin dhënë mësuesve e nxënësve deri në këtë shtator, katër vjet pas fazës së parë testuese. Edhe atëherë kishte raporte në fillimin e këtij viti shkollor se librat e rinj shkollorë për disa klasa nuk ishin në dispozicion dhe se mund të kishte vonesë edhe një vit tjetër para se të mund të përdoreshin.

Fjolla Jashari, mësuese e re në shkollën fillore “Pjetër Bogdani” që i mëson moshat 6-11 vjeçare, thotë se librat e shkollave që nxënësit po i përdorin – duke përfshirë librat e rinj – i lënë ata të papërgatitur për pyetjet që u bëhen në testet e standardizuara. Ajo thotë se librat e përdorur nuk i përmirësojnë aftësitë e zgjidhjes së problemeve dhe të të menduarit kritik, sidomos në lëndët teknike si matematika dhe se ky element është lënë në zgjedhjen individuale të mësimdhënësve, duke i lejuar disa prej tyre të mos i mësojnë këto aftësi.

Ka pasur njëfarë monitorimi të librave shkollorë, por para se vlerësim i tërësishëm i cilësisë dhe i qëndrueshmërisë së burimeve, duket se është kufizuar vetëm në analiza tematike.

Një vlerësim i tillë, një analizë gjinore e librave shkollorë, e bërë nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), gjeti se librat shkollorë në përgjithësi nuk promovojnë barazinë gjinore siç do të duhej. Sipas Dukagjin Pupovcit, drejtor ekzekutiv i KEC-it, sistemi i arsimit përjetëson dhe përforcon rolet gjinore tek nxënësit.

“Kemi bërë një analizë pak vite më parë, me një mostër prej rreth 1,700 studentëve, mbi perceptimet që i kanë për të drejtat e tyre, ku edhe perceptimet gjinore ishin të përfshira”, thotë ai. “Ishte interesante ta kuptonim se më se 50% e vajzave në klasën e 7-të dhe 8-të konsideronin se ato nuk duhet të ishin të barabarta me djemtë.”

Ka frustrim edhe mes mësimdhënësve për mungesë të mbështetjes prej MAShT-it kur bëhet fjalë për zbatimin e kurrikulës, duke përfshirë premtimet e papërmbushura për ta përmirësuar infrastrukturën joadekuate.

Trendafile Zabërgja, mësuese e muzikës e shkollës së mesme të ulët “Meto Bajraktari,” thotë se ajo nuk ka mjete adekuate për t’i përmbushur objektivat e vendosur. Ajo nuk e ka një klasë të muzikës, prandaj i përdor klasët e rregullta – një klasë që gjithashtu përdoret për takime dhe qëllime të tjera – për ta vendosur një piano, një trekëndësh, dhe një kitarë.

Trendafile Zabërgja thotë së mësimdhënësit nuk kanë marrë gjithmonë mbështetje të mjaftueshme prej MAShT-it kur e kanë prezantuar kurrikulën e re. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Zabërgja më tutje e përmend punën e shtuar administrative që u është shtuar obligimeve të mësimdhënësve me prezantimin e kurrikulës së re, dhe thotë se kombinimi i kësaj dhe mungesa e burimeve janë bërë problem për t’i përmbushur rezultatet e kërkuara në klasë.

“Mendoj se këto kërkesa duhet të thjeshtësohen,” thotë ajo. “Mësimdhënësi duhet të jetë në gjendje ta zhvillojë lëndën dhe ta transmetojë atë te nxënësit dhe nuk duhet të merret me punën e shtuar administrative në shtëpi.”

Është një çështje që përsëritet edhe nga Jashari. “Kërkon shumë punë administrative, dhe si mësimdhënës digjesh kur bëhet fjalë për punën e përditshme në klasë,” thotë ajo.

Fjolla Jashari shqetësohet për nivelin e shtuar të punës administrative që i shpërqendron përditë prej mësimdhënies në klasë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Mësimdhënësit i kanë shprehur shqetësimet në trajnimin që e kanë ndjekur për zbatimin e kurrikulës së re, sidomos kur është prezantuar për herë të parë.  

“Trajnimi, i organizuar nga Ministria e Arsimit, është gjashtëditor dhe kjo nuk është e mjaftueshme që mësimdhënësit ta marrin informacionin e duhur, ose së paku trajnerët që e japin informacionin për kurrikulën duhet të jenë pak më korrektë”, thotë Jashari. “Nuk kam marrë mjaft prej këtyre gjashtë ditëve të trajnimit dhe m’u desh ta studioja kurrikulën vetë e të mësoja si ta zbatoja në klasë, si ta bëja planin vjetor, dyvjetor, dymujor, ditor, e kështu me radhë”.

Zabërgja thotë se trajnimi ishte veçanërisht i vështirë për ta ndjekur sepse së pari nuk kishin marrë asnjë material a mjet. “Ishte shumë e vështirë dhe mjaft stresuese, sepse ishte diçka që kërkohej nga ne, dhe ne nuk ishim në gjendje të marrim aq shumë informacion [sa kishim nevojë].”

Megjithatë, ajo thotë se trajnimet së fundmi kanë filluar të tregojnë përmirësime dhe tregon se mësimdhënësit kanë marrë manuale për t’i ndihmuar që t’i qartësojnë obligimet e tyre.

“Trajnimet për kurrikulën e re ishin reduktuar deri në minimum sa u përket ditëve të ofruara.”

Rrezearta Zhinipotoku-Behluli, GIZ

Njëra prej organizatave që ka punuar së bashku me MAShT-in me vite në shumë aspekte të zhvillimit arsimor, duke përfshirë zhvillimin profesional të mësimdhënësve, është Agjencia Gjermane e Zhvillimit (GIZ).

Rrezearta Zhinipotoku-Behluli, eksperte e arsimit në GIZ, thotë se agjencia ka ndihmuar në trajnimin e 4,300 mësimdhënësve në 140 shkolla që nga viti 2008, duke përfshirë disa elemente  për lëndë të veçanta të kurrikulës së re në vitet e fundit. Ajo beson se trajnimet e mësimdhënësve janë bërë më të shkurtra sesa do të ishte ideale dhe se janë shpërndarë në një numër relativisht të vogël të shkollave.

“Në vitet e fundit, trajnimet kanë qenë bazike,” thotë ajo. “Trajnimet për kurrikulën e re ishin reduktuar deri në minimum sa u përket ditëve të ofruara.”

Pupovci, organizata e të cilit ka qenë e përfshirë në trajnimin e mësimdhënësve, pohon se trajnimet e dëshmuara si më efektivet janë ato të shpërndara në një periudhë më të gjatë kohe. “Prej përvojës sonë 20-vjeçare e deri tani, rezultatet më të mira janë arritur nga trajnimet tona afatgjata dhe janë të bazuara nëpër shkolla,” thotë ai.

Ai shton se disa mësimdhënës janë ankuar se sa të shkurtra dhe të përgjithshme kanë qenë trajnimet për kurrikulën e re dhe se shumica shqetësohen për aftësinë e tyre për t’i zbatuar kërkesat, sidomos kur bëhet fjalë për kërkesat e reja të vlerësimit për nxënësit.

K2.0 ka kontaktuar me zyrtarë të ndryshëm brenda MAShT-it për intervistë, por nuk janë përgjigjur as Zyra e Komunikimit, as Fatmir Elezi prej Divizionit për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim. Feime Llapashtica, shefe e Divizionit për Kurrikulat dhe Librat Shkollorë, tha se do t’u përgjigjej pyetjeve me shkrim, por nuk u përgjigj ndonjëherë.

Sistemi i politizuar i arsimit

Në një nivel makro, Pupovci thotë se njëra nga arsyet që kanë çuar te cilësia përgjithësisht e dobët e arsimit fillor në Kosovë është politizimi i sistemit të arsimit, i cili është i mbushur me militantë nga partitë qeverisëse.

Ai thotë se për shkak të decentralizimit të sistemit të arsimit nën UNMIK-un, Ministria e Arsimit ka emëruar drejtorë të shkollave dhe staf menaxhues të bazuar në preferenca politike dhe jo domosdo në kualifikimet e tyre.

Kjo ka krijuar një mjedis ku prioriteti i qeverisjes nuk është përmirësimi i cilësisë së arsimit, thotë ai, por përdorimi i sistemit të arsimit si mjet për përfitim të elektoratit.

“Kjo në një mënyrë e dëmton atë që quhet përgjegjësi dhe llogaridhënie në shkolla, sepse kur e emëron një drejtor që është aty vetëm për shkak të përkatësive politike, llogaridhënia nuk kërkohet nga ai drejtor në lidhje me rezultatet në shkollën e vet, por ky person kërkon të drejtojë disa procese politike në komunitet, për shembull, gjatë zgjedhjeve”, thotë Pupovci. “Drejtori është fajtor nëse i humb votat në atë komunitet, por nuk është fajtor nëse nuk ka cilësi në proceset e shkollës së tij.”

Dukagjin Pupovci, drejtor i Qendrës për Arsim të Kosovës, thotë se politizimi i shkollave e ka dëmtuar rëndë llogaridhënien në sektorin e arsimit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Pupovci tregon se politizimi nuk është problem që ndikon vetëm në nivelet e arsimit të ulët, por në sistemin e arsimit në përgjithësi, duke përmendur si shembull themelimin e shpejtë të gjashtë universiteteve rajonale në vitet e fundit. Në pararendjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 2010, kryeministri i atëhershëm dhe shefi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hashim Thaçi, u premtoi studentëve në qytetet më të mëdha të vendit se do t’i transformonte fakultetet nëpër qytete në universitete më vete.

Por akreditimi i universiteteve në Prizren, Pejë dhe Mitrovicë u pezullua per nje vit në korrik sepse kishin dështuar t’i përmbushnin standardet minimale, ndërsa Agjencia e Akreditimit e Kosovës së fundmi u largua nga Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për shkak të nderhyrjeve politike dhe sjelljeve joprofesionale.

“Një ministër vjen duke thënë: ‘Le ta bëjmë këtë tani kështu’ – ai nuk punon në bazë të të dhënave.”

Dukagjin Pupovci, Qendra Për Arsim në Kosovë

Pupovci pohon se natyra e politizuar e sistemit të arsimit rezulton në reforma dhe politika që po prezantohen në arsim me pak largpamësi dhe planifikim.

“Nuk ka koherencë në politikëbërje… kjo është mënyra se si funksionon politikëbërja në Kosovë, jo vetëm sistemi i arsimit,” thotë ai. “Një ministër vjen duke thënë: ‘Le ta bëjmë këtë tani kështu’ – ai nuk punon në bazë të të dhënave.”

Pupovci shton se me secilën qeveri të re që provon të vijë me reforma dhe strategji të reja, pak vëmendje u kushtohet problemeve që mund të dalin gjatë zbatimit, dhe mësimdhënësit e shkollat rrallëherë konsultohen, megjithëse janë espertë të kësaj pune.

“Në vendet e tjera, shkollat e hartojnë përmbajtjen, përmbajtja nuk vjen nga ministria – ministria ofron rezultatet e synuara dhe shkolla vendos mënyrat [si t’i kontekstualizojë ato]”, thotë ai.

Prezantimi i një kurrikule të re ishte paraparë me këtë qasje në mendje, por Pupovci thotë se realiteti ishte ndryshe për shkak të “një faze testuese plotësisht të papërgatitur” dhe se ministria vazhdoi të zhvillonte përmbajtjen pa pyetur për komente nga mësimdhënësit ose pa i marrë parasysh shqetësimet e tyre në procesin e rihartimit.

Ai tregon edhe drejt shkallës së madhe të fazës së dytë testuese – me gati njëqind shkolla të përfshira – si tregues i planifikimit të dobët nga ana e ministrisë, sepse nuk kishte inspektorë të mjaftueshëm për të kontrolluar se testimi po zbatohej siç ishte paraparë.

Zhinipotoku-Behluli gjithashtu përmend si shqetësim qasjen ad hoc të qeverisë në politikëbërje.

“Disa nga ligjet që nuk janë harmonizuar, duhet të harmonizohen,” thotë ajo, duke iu referuar  analizave të GIZ-it për koherencën e legjislacionit të arsimit parauniversitar. “I kemi vërejtjet tona për të gjitha politikat, të gjitha reformat e bazuara në këto politika, nëse janë në harmoni me njëra-tjetrën”.

Rrezearta Zhinipotoku-Behluli, eksperte e arsimit në GIZ, thotë se reformat në sektorin e arsimit nuk janë të bashkuara dhe se këtu ka tendencë ndaj eksperimentit të vazhdueshëm. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Zhinipotoku-Behluli thotë se do të ishte më mirë për ministrinë që ta vazhdojë financimin e praktikave të dëshmuara si efiçente dhe të suksesshme në fazat e tyre testuese, sesa atë që ajo e identifikon si tendencën e tanishme për të financuar dhe për të ndjekur qasje inovative dhe eksperimentuese pafundësisht. Ajo thotë se ka qasje dhe praktika të mira që kanë dëshmuar të jenë efektive, prej të cilave mund të përfitojë sistemi i arsimit, vetëm nëse ministria do ta mbështeste zbatimin e tyre përtej fazës testuese.

Disa prej rezultateve të qasjeve të politizuara pasuese të qeverisë për sistemin e arsimit dhe planifikimin e tyre të pasuksesshëm mund të shihen në klasifikimin e shkollave nëpër vend; disa zona kanë “shkolla fantazmë” të reja që nuk janë përdorur asnjëherë, ndërsa shkollat në disa qytete veprojnë në një sistem me tri ndërrime, duke provuar t’i akomodojnë të gjithë nxënësit.

Sipas të dhënave zyrtare prej Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë mbi 500 pjesëtarë të rinj stafi të punësuar në shkollat e vendit, krahasuar me kohën kur Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, ndonëse numri i nxënësve ka rënë për gati 20% në periudhën e njëjtë.

Kur bëhet fjalë për trajtimin e mungesave të arsimit të Kosovës, detyra që pret qeverinë që po vjen duket të jetë monumentale, pas viteve të reformave gjysmake e të pandërlidhura, politizimeve dhe mungesave të llogaridhënies, që i kanë lënë mësimdhënësit të frustruar dhe një sistem që ende i sheh fëmijët duke mësuar mekanikisht, e jo në mënyrë kritike.

“Për ne, ky është problemi,” thotë Pupovci. “Sistemi i arsimit tonë nuk të mëson si të nxësh, çka është njëri nga qëllimet e arsimit: Të nxësh se si të nxësh. Nuk e kultivon shprehinë e të nxënit gjatë gjithë jetës”. K

Foto kryesore: Atdhe Mulla /K2.0. 

*Korrigjimi: Emri i shkollës “Pjetër Bodgani” u publikua fillimisht si shkolla “Pjetër Budi”.

Kthehu prapa tek Monografia

  • 18 Jan 2023 - 22:49 | Rejhana Isufi:

    Shumë mirë! Faleminderit për informacionet! Të bënit disa kritika, të tregonit se cfarë duhet të ndryshohet vecanërisht për këtë pjesë “problemet në arsim” , mendoj se do të kishte qenë edhe më mirë!

KOMENTO