Në mars të vitit të kaluar erdhi lajmi i ndërprerjes së mësimit në të gjitha nivelet. Në Qendër të Studentëve në Prishtinë, konviktet ku normalisht banojnë rreth 4,000 studentë u zbrazën.
Shumë shpejt, si pjesë e masave qeveritare për të ndaluar përhapjen e virusit COVID-19 që sapo kishte arritur në Kosovë, hapësirat e konvikteve u shndërruan në qendër karantinimi për të gjithë ata që ktheheshin nga jashtë vendit.
Në gjithë këtë gjullurdi, dinamika e jetës së studentëve ndryshoi drastikisht.
Gazmend Qyqalla, një i ri që ndjek studimet në fakultetin e edukimit në Universitetin e Prishtinës, e përshkruan veten si tip ekstrovert që preferon të kalojë mjaft kohë me njerëz. Për të, si për shumë të tjerë, kalimi i përnjëhershëm nga një dinamikë studimi në bashkëveprim me studentë të tjerë te studimi në kushte izolimi, bëri që në njëfarë mënyre ta humb lidhjen me botën e jashtme.
Edhe Shukrije Stolla, studente e edukimit parafillor, gjendjen emocionale gjatë kësaj kohe e e përshkruan si “të rënduar” për shkak të izolimit, problemeve personale dhe keqësimit të situatës ekonomike. Mendimet e errëta që e kanë shoqëruar lidhur me perspektivën e dobësuar për punësim në një të ardhme të afërt e kanë rënduar edhe më shumë.
Shukrija është vetëm një nga shumë të rinj të Kosovës — të cilët përfaqësojnë njëkohësisht grupin më të madh të popullsisë dhe atë me shkallën më të ulët të punësimit — që po i vuajnë mbi vete pasojat e pandemisë. Sipas një vlerësimi të UNDP-së të publikuar në qershor 2020, 12% nga të rinjtë 18-24 vjeçarë kishin humbur punën deri në atë kohë.
Si kundërpërgjigje ndaj dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia, në gusht 2020 qeveria miratoi një pako të rimëkëmbjes ekonomike që kap vlerën prej 365 milionë eurosh. Pakoja u shndërrua në ligj tek në muajin dhjetor, pas disa tentimeve të dështuara për ta votuar në Kuvend.
Në pako parashihet mbështetje financiare kryesisht për bizneset, por edhe për grupe të tjera të cenueshme të popullsisë, ndër ta të rinjtë, gratë dhe pjesëtarët e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë.
Tani janë bërë pothuajse pesë muaj që prej shpalljes së përfituesve nga fondi i rimëkëmbjes ekonomike dhe ende nuk ka informata të bollshme dhe të qarta nga institucionet për shkallën e realizimit të tri masave të parapara për mbështetjen e këtyre grupeve.
Sipas një analize të publikuar së voni nga Instituti GAP, “Përfshirja e grave, të rinjve dhe komuniteteve joshumicë në Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike”, nga masa shtatë janë mbështetur vetëm 400 të rinj deri tash, përmes një mundësie për punë praktike të financuar nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit në vlerë prej 500,000 eurosh.
Nga masa dhjetë, Agjencia për Barazi Gjinore në mars të këtij viti ka shpërndarë shumën e dytë prej 1 milion eurosh për bizneset e vogla dhe organizatat që bëjnë punë në komunitet; pjesa e parë me po të njëjtën shumë ishte ndarë në dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërkaq, lajmi i fundit i publikuar nga Zyra për Komunitete për zbatimin e masës nëntë është bërë në tetor të vitit të kaluar dhe ende nuk ka të dhëna se kush janë përfituesit dhe sa është shkalla e realizimit të kësaj mase.
Për të mësuar për përvojat individuale të personave që u përkasin këtyre grupeve të cenueshme, kemi biseduar me disa prej tyre për mbështetjen institucionale që kanë pranuar ose që u ka munguar.
‘Troshat e mbetura’
Nuhi Berisha, një i ri ashkali i cili ndjek studimet me financim nga familja, thotë se periudha e fundit prej një viti e ka vështirësuar gjendjen e tij materiale dhe të të afërmve të tij. “Familja ime të ardhurat financiare i ka të varura nga bujqësia dhe blegtoria, ku deri vonë kanë qenë masat për ndalimin e lëvizjes dhe mbylljen e tregjeve”, shpjegon ai.
Për të rinjtë që vijnë nga komunitetet joshumicë në vend, diskriminimi dhe mënjanimi nga shoqëria është realitet i hidhur. Vështirësitë e qasjes në shërbime shëndetësore, në arsimim dhe në punë, i gjen ata në pozitë edhe më të cenueshme nga pandemia se pjesën tjetër të shoqërisë, dhe atë në disa dimensione.
Sa i përket mbështetjes financiare përgjatë pandemisë dhe drejt rimëkëmbjes, hulumtimet në terren ia atribuojnë ndihmën kryesore shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare në vend se institucioneve të vendit.
“Ne si familje nuk kemi biznes të regjistruar, qoftë si fermerë apo si blegtorë."
Nuhi Berisha, student
Të njëjtën e thotë edhe Nuhiu, i cili përmend se po ashtu është ndihmuar nga komuna e Fushë Kosovës ku banon. “Kemi arritur disi t’ia dalim, me ndihmën e komunës, organizimit të OJQ-ve të ndryshme në ndihmë të komunitetit, diasporës”, thotë ai.
I pyetur rreth ndihmës së qeverisë për rimëkëmbje, ai shpjegon barrierat e shtresëzuara që ia kanë pamundësuar familjes së tij përfitimin nga pakoja.
“Ne si familje nuk kemi biznes të regjistruar, qoftë si fermerë apo si blegtorë — për këtë arsye nuk kemi mundur të përfitojmë”, thotë ai. “Taksat që duhen paguar për mbajtjen e biznesit janë të papërballueshme — edhe ashtu nuk është se fitojmë shumë me punën që e bëjmë si familje”.
E Gazmendi, po ashtu nga komuniteti ashkali, njëkohësisht me ndjekjen e studimeve punon si edukator në organizatën Ballkan Sunflowers, që ndër tjera fokusohet në arsimim dhe në çështje që lidhen me komunitetet. Ai anon vëmendjen nga dëmi që u është shkaktuar nxënësve me çrregullimin e sistemit arsimor si pasojë e pandemisë.
Sipas tij, ky vit pandemik i ka kthyer fëmijët në arsim gati një vit mbrapa sepse shumë nxënës romë, ashkalinj dhe egjiptianë nuk kanë mundur ta përcjellin mësimin online sepse nuk kanë pasur mjete teknologjike. “Edhe pse janë munduar disa OJQ të shpërndajnë mjete teknologjike, numri ka qenë i vogël sepse nevoja është më e madhe”, thotë ai.
Gazmend Qyqalla, edukator në Balkan Sunflowers, thotë se është vërejtur shumë mospërcjellja e mësimeve online nga nxënësit romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Në të gjitha vendimet dhe masat e qeverisë dhe të ministrive si pjesë e pakos për rimëkëmbje, vetëm masa nëntë parasheh financimin e projekteve për këto komunitete — tjetër masë afirmative nuk ka.
Në përputhje me programin e qeverisë, Zyra për Çështje të Komuniteteve (ZÇK) është institucioni përgjegjës për zbatimin e masës nëntë të pakos që parasheh shpërndarjen e 2 milionë eurove në mbështetje të komuniteteve joshumicë.
Kjo zyrë ka realizuar konkurs për organizatat joqeveritare dhe ndërmarrjet e vogla me tri objektiva: sigurimin e nevojave themelore të jetesës për personat në nevojë nga radhët e komuniteteve joshumicë përmes pakove ushqimore dhe higjienike, zbutjen e pasojave ekonomike nga pandemia përmes mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe punësimit, si dhe ofrimin e ndihmës psikologjike për personat e braktisur dhe të sëmurë.
Se nga janë shpërndarë mjetet e parapara për komunitetet, ZÇK nuk ka ofruar të dhëna.
Ndërkaq Gazmendi thotë që ai personalisht nuk ka pranuar kurrfarë ndihme përmes pakos, ashtu siç edhe e kishte pritur. “Kemi protestuar para qeverisë për të mos e votuar pakon pasi e kemi ditur se nuk do të ishte gjithëpërfshirëse për komunitetet joshumicë sepse çfarë ndodh zakonisht është që komuniteti serb përfiton [më shumë], kurse troshat çka mbesin i marrim ne komunitetet e tjera”.
Si masa përkatëse, ashtu edhe shpallja publike e ZÇK-së u referohen “komuniteteve jo-shumicë” pa bërë dallim mes komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera.
‘Shteti për mu është kjo OJQ’
Të rinjtë dhe komunitetet pakicë nuk janë të vetmet grupe të cenueshme që s’janë përfshirë mjaftueshëm nga qeveria në përpjekjet për t’u bërë ballë dëmeve të pandemisë. Edhe gratë, që edhe para pandemisë në përgjithësi kanë qenë në pozitë të pafavorshme si në rrethin familjar ashtu dhe më gjerë në shoqëri, janë goditur rëndë nga COVID-19 dhe nuk kanë marrë ndihmë të mjaftueshme.
Arta Maliqi Shala, e cila para dy vitesh e filloi biznesin e saj Zanart me aksesorë punëdore me filigran dhe lëkurë, thotë që e vetmja ndihmë që ka pranuar nga shteti janë dy herë nga 170 euro që u janë ndarë punëtorëve për muajt prill dhe maj të vitit 2020 me pakon emergjente fiskale.
Gjatë pandemisë ajo ka punuar nga shtëpia duke qepur maska, ndërkohë që është dashur të kujdeset edhe për tre fëmijët e saj. “Pa marrë parasysh çfarë pozite ke, duhesh me qenë kryefamiljare”, thotë ajo, që tani ka filluar t’i kthehet biznesit të saj fillestar dhe ta zhvillojë gradualisht ndërkohë që shpreson të subvenciohet për ta ngritur në këmbë.
Sipas një sondazhi të kryer nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, nga 166 gra pronare biznesi të regjistruara, 68% prej tyre janë përballur me vështirësi në mirëqenie ekonomike gjatë pandemisë, dhe rreth 65% e bizneseve të tyre kanë qenë të mbyllura plotësisht ose pjesërisht gjatë periudhës së karantinimit në gjysmën e parë të 2020-tës.
Arta Maliqi Shala thotë se pret nga shteti ta ndihmojë me subvencione që ta rimëkëmb biznesin e saj Zanart. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Në pakon për rimëkëmbje ekonomike, përmes masës dhjetë qeveria ka paraparë mbështetje financiare për projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së grave në shoqëri dhe ekonomi, në vlerë prej 2 milionë euro.
Sipas Agjencisë për Barazi Gjinore, masa dhjetë është në zbatim të drejtpërdrejtë me synimet e rritjes gjithëpërfshirëse dhe edukimit parashkollor. Më këtë synohet që të ndihmohet në fuqizimin e pozitës së grave në shoqëri, duke ditur se barra e kujdesit ndaj fëmijëve dhe të moshuarve u bie kryesisht grave andaj rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor mund të ndikojë që gratë të kenë më shumë gjasa për t’u përfshirë në tregun e punës.
Pakoja nuk ndihmon gratë të cilat punojnë në sektorin joformal.
Grupi i parë që ka përfituar nga kjo masë janë institucionet private të arsimit parashkollor privat dhe ato çerdhe e kopshte të regjistruara si OJQ, me një shumë prej 1 milion eurosh. Sipas raportit të Institutit GAP, duke qenë se 1 milion euro janë implementuar për ndihmesë të institucioneve parashkollore, ato janë të destinuara për qiratë dhe shpenzimet operative dhe kësisoji nuk ndikojnë që gratë e prekura nga pandemia të rimëkëmben ekonomikisht.
Sipas raportit të GAP-it, shkalla e ulët e aktivitetit të grave në tregun e punës, shkalla e lartë e papunësisë dhe numri i lartë i grave që punojnë pa kontrata, bëjnë që pjesa më e madhe e tyre të mos mund të përfitojnë nga kjo masë. Ndër problemet kryesore mbetet që pakoja nuk ndihmon gratë të cilat punojnë në sektorin joformal.
Mimoza*, nënë vetushqyese e djalit të saj të vetëm, para pandemisë punonte si enëlarëse. Ajo thotë se shumë herë e kanë pushuar nga puna për arsye të kohës që i duhet t’ia kushtojë djalit të saj i cili vuan nga epilepsia.
Gjatë pandemisë, ajo tregon se e vetmja ndihmë që i është ofruar janë dy pako ushqimore nga komuna e Prishtinës, ndërkaq një vit të tërë pandemie e ka kaluar me ndihmën e njerëzve të vullnetit të mirë që i kanë ofruar ushqim, si dhe e mbështetur nga organizata bamirëse “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur” ku ajo vetë është vullnetare.
“Shteti për mu është kjo organizatë”, thotë ajo.
Në po të njëjtën organizatë është regjistruar Gresa* për të marrë ndihmë në veshmbathje dhe pako ushqimore. Ajo është nënë e vetme e pesë fëmijëve e cila gjatë pandemisë nuk ka mundur ta vazhdojë punën e saj si pastruese dhe e vetmja ndihmë që ka marrë janë pakot ushqimore nga komuna.
Megjithatë, ajo vazhdon të mbahet dhe të mos e humb shpresën, pasi siç thotë: “Fëmijët kanë mbetë në dorën time edhe nuk ua kthej shpinën“.
‘Krizë pothuajse e pakapërcyeshme’
Themeluesja e organizatës “Nëna dhe Fëmijë të lumtur” Edita Dula, e cila e mban atë me ndihmën e dy vullnetareve të angazhuara me gjysmë orari, thotë që gjatë pandemisë kërkesa nga gratë për ushqim, ilaçe e veshmbathje për fëmijët është shtuar.
Nga 750 persona të regjistruar në këtë organizatë, 300 janë nëna të vetme. “Na duhet me i heqë disa sepse s’po kemi vend”, thotë ajo. Gjatë intervistës me të në hapësirën e organizatës, vazhdimisht hynin gra të cilat donin të regjistroheshin, ndërkaq përgjigjia nga vullnetaret e organizatës ishte: “Nuk mundemi kurrsesi — rroba mund t’vish të marrësh çdo të premte por pako ushqimore nuk kemi”.
Në mungesë të mbështetjes nga qeveria, Edita Dula me organizatën “Nëna dhe fëmijë të lumtur” u ofron grave ndihmë sipas mundësive. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
“Këtu e kanë shpresën — i veshin fëmijët me shku n’shkollë, marrin ushqim, marrin ilaçe, i dërgojmë në kurse”, thotë Edita.
Ajo u ka bërë thirrje çerdheve private që të paktën të pranojnë nga dy fëmijë të grave vetushqyese të regjistruara në organizatë, mirëpo thotë se gjithmonë has në rezistencë. “Le ta llogarisin se çka tepron prej tjerëve, ai ose ajo ushqehet — tjetër shpenzim nuk kanë, veç bukën”, bën apel prapë se prapë.
Situata e pandemisë që ka shkaktuar papunësi të papritur dhe ka shtuar punët e shtëpisë që zakonisht i bëjnë gratë, ka krijuar një krizë të rëndë veçanërisht për nënat e vetme që për periudha disamujore i kanë pasur edhe fëmijët në shtëpi duke mësuar online. Për më keq, ato janë të përjashtuara plotësisht nga pakoja për rimëkëmbje ekonomike.
Përfaqësuesja e OJQ-së Single Parents (Prindërit Vetushqyes) Arjeta Gashi, e cila vetë është nënë vetushqyese, shpreh zhgënjimin e thellë që nuk e ka pranuar asnjë lloj ndihme për të dhe fëmijën e saj. “Nënat e vetme këtë e kanë konsideruar si një krizë pothuajse të pakapërcyeshme”, thotë ajo.
Per dallim nga Kosova, shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut në masat qeveritare të miratuara në qershor dhe në dhjetor ka përfshirë edhe ndihmë të njëhershme për prindër të vetëm në shumën prej 100 eurosh. Një ndihmë e tillë, apo çfarëdo lloj ndihme tjetër është e nevojshme sipas Arjetës, dhe do t’i ndihmonte nënat vetushqyese ta kapërcejnë krizën që tash e një vit veçse është thelluar.K
*Shënim i redaksisë: Emrat e dy grave që janë nëna vetushqyese janë ndërruar për ta mbrojtur identitetin e tyre.
Imazhi i ballinës: Agan Kosumi / K2.0.
Ky artikull është publikuar si pjesë e Programit të Mentorimit në kuadër të projektit ”Qytetarë-angazhohuni!” të financuar nga BE dhe që implementohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian.