S`fundmi | Bursa për Gazetari

THIRRJE PËR APLIKIME: BURSA PËR GAZETARI 2023

Nga - 28.03.2023

Hapet cikli i katërt i programit të bursave për gazetari.

Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se po e vazhdojmë programin tonë të bursave për gazetari në kuadër të platformës sonë “Journalism Hub” që synon t’i fuqizojë zërat e rinj në fushën e gazetarisë.

Pas tri cikleve të suksesshme në 2018, 2019 e 2020, me artikuj të formateve të ndryshme e me gati 10 çmime prestigjioze për bursistët/et tanë/tona, po e hapim procesin e aplikimit për ciklin e katërt të programit. 

Gazetare të reja e gazetarë të rinj dhe ju që sapo keni nisur karrierën suaj si gazetarë/e, nëse keni një temë që lidhet me të drejtat e njeriut që keni dashur ta trajtoni kaherë, por s’keni pasur kohë, mbështetje financiare e mentorim, atëherë programi ynë i bursave është mundësia e duhur për ju. 

Bashkë me bursistët/et tonë/a të radhës, duam të trajtojmë çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe të sjellim në pah rrëfimet, historitë e përjetimet që shpesh shpërfillen, zërat që shpesh heshten e sfidat që shpesh nuk trajtohen. Duam që gazetaria e prodhuar përbrenda këtij programi t’u shërbejë atyre që përjashtohen, shtypen e diskriminohen. Duam të sfidojmë normat diskriminuese e narrativat përçarëse, përmes këndvështrimeve e qasjeve të reja –– gjithëpërfshirëse.  

Këtë vit, pesë gazetarë/e do të pranojnë mbështetje financiare prej 2,500 eurosh dhe mentorim të vazhdueshëm nga redaktore/ë me përvojë në fushën e të drejtave të njeriut. Po ashtu, bursistët/et do të marrin pjesë në një trajnim të specializuar për mbulimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e njeriut dhe rreth formateve të ndryshme kreative, për t’i sjellur rrëfimet e tyre te publiku.

Kush mund të aplikojë?

Për t’u bërë pjesë e programit tonë busave duhet të jeni:

  • gazetar/e i/e ri/e, pavarur, i/e punësuar ose jo;
  • qytetar/e i/e Kosovës dhe që jeton në Kosovë;
  • gazetar/e i/e grupmoshës 18-35 vjeç;
  • gazetar/e me të paktën dy vite përvojë të dëshmuar në gazetari.

Çka presim nga ju?

Bursistet/bursistët duhet të përgatisin një artikull të gjatë gazetaresk (deri në 4,000 fjalë) ose një një video/dokumentar/film të shkurtër (10-20 minuta), apo një ese fotografike me një pikëpamje të të drejtave të njeriut –– nëse keni ide për formate tjera gazetareske, i mirëpresim ato. 

Bursistët/et do të punojnë me redaktore/redaktorë të K2.0 për t’i realizuar hulumtimet e tyre. Propozimet që presim t’i pranojmë duhet të trajtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat e njeriut në Kosovë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në barazi gjinore, të drejtat LGBTQ+, të drejtat e minoriteteve, të drejtat qytetare, të drejtat e punëtorëve, çështjet ambientale. Hulumtimet do të botohen në revistën tonë online.

Si të aplikoni?

Për të aplikuar në këtë program duhet të plotësoni formularin e aplikimit (në gjuhën shqipe, angleze a serbe) dhe ta dërgoni të plotësuar deri më 23.04.2023, në mesnatë, në <info@ktwopointzero.com> me titull (subject) “Aplikacioni për programin e bursave për gazetari”.

Për më shumë detaje, shikoni udhëzimet për aplikim më poshtë.

Nëse keni pyetje në lidhje me programin, ato mund t’i dërgoni në <info@ktwopointzero.com> me titull: “Pyetje rreth programit të bursave për gazetari” më së largu deri më 17.04.2023.

Secili/a aplikues/e do të njoftohet për vlerësimin e aplikimit. 

 

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Human Rightivism”, i cili financohet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë, që zbatohet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit përmes Programit të saj Human Rightivism. Pikëpamjet e shprehura në këtë aktivitet nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.

Pse kjo klauzolë?

  • 04 Nov 2023 - 16:10 | AnitaRudari:

    Te marr bursen 1000 euro

  • 28 Mar 2023 - 19:55 | Edon:

    Per te arritur suksesin tim jashte me ambiciet e mia te jem pavaur

KOMENTO