Në thelb | Protesta

Punëtorët nga Ferizaji vazhdojnë me luftën e çeliktë për drejtësi

Nga - 10.06.2016

Ish-punëtorët e fabrikës okupojnë kuvendin komunal.

Në 5 pasdite, çdo ditë të javës, punëtorët e Komunës së Ferizajit dalin nga ndërtesa për të shkuar në shtëpi. Megjithatë, edhe pse ditës së punës i vie fundi, dyert e ndërtesës mbesin të hapura.

Ka gati një muaj, që ndërtesa e Komunës është bërë shtëpi e përhershme e disa mysafirëve të paftuar, ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave kanë ngritur kamp brenda komunës. Protestuesit – që së fundmi kaluan vigjilje 640 ditë para ndërtesës së qeverisë në Sheshin Skendërbeu në Prishtinë – rehatohen duke shikuar një TV të vogël, ose duke luajtur letra e shah, ndërsa tjerë flejnë në karriget komode të sallës së Kuvendit lokal.

ferizaj_001
Protestuesit, të gjithë mbi moshën 50 vjeçare, më i vjetri 84 vjeçar, e kanë “okupuar” sallën prej 11 majit, duke qëndruar me ndërrime, mbi dhjetë persona në një ndërrim, në mënyrë që ta kenë më të lehtë. Synimi i tyre është që ta shfaqin zemërimin e tyre për faktin se një verdikt i Gjykatës Kushtetuese në 2010 nuk është po zbatohet nga qeveria e Kosovës. Vendimi numër KI 08/09 u dha mbi 900 ish-punëtorëve të fabrikës të drejtën për të marrë më shumë se 30 milion euro në vlerë kompenzimi, për periudhën prej 1990 deri në 1999, kur u dëbuan dhunshëm prej pune nga regjimi i Slobodan Miloseviçit.

Fabrika e Tubave u privatizua bashkë sikurse shumë asete tjera publike pas luftës, dhe në 2008 Agjencia Kosovare e Mirëbesimit e shiti atë për më shumë se 3 milion euro. Jo vetëm që i humbën vendet e punës më shumë se 900 punëtorë, por edhe u krijua konfuzitet në procesin e dhënies së kompenzimit për shkarkimet nga puna gjatë viteve të 1990-ave – që veç se u ishin dhënë punëtorëve nga gjykata lokale e Ferizajit në 2002, para se ta afirmonte përsëri Gjykata Kushtetuese vendimin.

ferizaj_002

“Kërkesa jonë është para së gjithash kushtetuese dhe e të drejtave të njeriut”, thotë Fatmir Hasani, anëtar i kryesisë së sindikatës së Fabrikës së Tubave. “Vetëm po kërkojmë që qeveria ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Pasi fillimisht dolën në rrugët e Prishtinës në maj 2014, tenda e tyre e bardhë u çmontua me 26 shkurt 2016, ditën kur u zgjodh Hashim Thaçi president, kur policia nuk përjashtoi as tendën e tyre pasi largoi një kamp protestues që ishte ngritur nga partitë opozitare.

Tani që janë kthyer në qytetin e tyre, logjistika e protestës së tyre të paktën është më e thjeshtë. Kushtet brenda janë më të rehatshme se jashtë (ku ka edhe gaz lotsjellës kohë pas kohe) në qendër të Prishtinës, por edhe janë më afër të dashurve të tyre. “Familjet tona po na sjellin ushqime dhe po kemi mundësi me e ba me ndërrime”, shpjegon Hasani, duke treguar një listë të më shumë se 40 protestuesve që veç se kishin marrë pjesë në protestë atë ditë. “Një ish koleg i yni i fabrikës, që tash jeton në Kanada na ka dërgu të holla për ushqim”.

Kthimi në Ferizaj

Ndryshimi i lokacionit gjithashtu ka motiv simbolik. Protestuesit duan të vënë presion mbi Kryetarin e Komunës së Ferizajit, Muharrem Sfarqa, një prej atyre që është zotuar që të ndihmojë me zgjidhjen e këti problemi të kahmotshëm, gjatë fushatës zgjedhore në 2014. Ata besojnë se duke patur ndikim në Sfarqën, do të arrijnë që ta bindin që ai t’i bëjë presion kolegut të afërt të tij në partinë LDK, Kryeministrit aktual Isa Mustafa, i cili gjithashtu u zotua që do ta zgjidh çështjen e kompenzimit gjatë fushatës së tij zgjedhore. “Tash Z. Mustafa as që po na pranon të na takojë”, thotë Hasani.

ferizaj_003
Prej që është bërë Mustafa Kryeministër, ka ripërsëritur vazhdimisht se mungesa e kompenzimit është për shkak të mungesës së burimeve financiare, dhe ka dhënë mesazh të qartë që çështja e dhënies së kompenzimit nuk është çështje e diskutueshme; Mustafa ka pretenduar se nëse paguhet kjo, hapet “kutia e Pandorës” për punëtorët e ndërmarrjeve tjera, të cilët gjithashtu janë përjashtuar nga vendet e tyre të punës në periudhën 1989-1999.

Hasani argumenton se ky është “pretendim absurd” nga Kryeministri. “Ai premtoi gjatë zgjedhjeve se burimi për financim ekziston, dhe tani Mustafa e ka ndërruar mendjen”, thotë Hasani me nervozizëm.

Pasi që ndërtesa e Komunës është plot me punëtorë, qytetarë që kanë ardhur të kryejnë shërbime dhe protestues, dy kate sipër kryetari i Ferizajit tha për K2.0 se “I kupton” kërkesat e protestuesve, por “uzurpimi” i Kuvendit të Ferizajit nuk është zgjidhje. “Punëtorët e dijnë se as unë si kryetar komune e as komuna nuk është institucioni përgjegjës për realizimin e kërkesave të tyre”, thotë Sfarqa.

Sfarqa aludoi se është në kontakt të afërt edhe me sindikatën, edhe me Kryeministrin; këtij të fundit ia ka shprehur shqetësimet e protestuesve. Ai gjithashtu tha se është mbështetës i kauzës së tyre, dhe se do të kishte dëshirë që paratë t’u ipen ish-punëtorëve. “Kush nuk do të donte që 30 milionë Euro të vijnë në qytetin tonë?”, thotë ai. “Kjo do të rriste investimet, forconte ekonominë e qytetit. Por adresa për këtë kërkesë nuk është këtu por në Prishtinë”.

Nuk po i shihet fundi

Nuk është e qartë se çfarë do të ndodh tani. Protestuesit veç se kanë demonstruar vendosmërinë e tyre duke ngritur kamp në kryeqytet gati dy vjet, e duke ikur vetëm kur u detyruan nga policia. Kryetari i Ferizajit insiston që, pasi Kuvendi lokal ende ka mundësi të punojë në dhoma alternative, ai nuk do ta zgjedh këtë mënyrë. “Absolutisht e përjashtoj mundësinë e përdorimit të forcës për t’i larguar ata nga ndërtesa e komunës”, thotë ai.

Dje (e enjte, 9 qershor) sindikata dërgoi një letër për të gjithë deputetët në parlamentin e Kosovës nga Ferizaji, duke u bërë thirrje që ta bojkotojnë Kuvendin e Kosovës, deri kur Kryeministri pajtohet që të takohet me ta e të mundohet të gjejë zgjidhje për problemin e tyre. Protestuesit janë të pakënaqur me atë që ata e shohin si mungesë të mbështetjes nga deputetët nga Ferizaji, për të cilët ata thonë se kanë dështuar në ngritje të zërit për kauzën e tyre. Këtë e thotë edhe Sfarqa, që insiston se deputetët duhet t’i kapërcejnë besimet e tyre politike dhe të jenë më të unifikuar kur përfaqësojnë popullin e Ferizajit në Kuvendin e Kosovës.

ferizaj_004

Hasani thotë se ish-punëtorët do të vazhdojnë me protestat e tyre dhe mund t’i radikalizojnë metodat e tyre, nëse kjo nevojitet për të arritur deri te kompenzimi, për të cilin kanë të drejtë kushtetuese. “Unioni i studentëve nga Ferizaji dhe shoqëria civile kanë kërkuar nga ne që të thërrasim protesta popullore dhe ne jemi duke shqyrtuar mundësinë që të dalim edhe në rrugë, e të përdorim forma tjera të presionit”, thotë ai.

Megjithatë, edhe nëse protestuesit në fund e fitojnë kompenzimin e tyre, për shumë prej ish-kolegëve të Hasanit, veç se është shumë vonë. Prej kur ka nisur kjo sagë e gjatë, ai thotë se qindra ish-punëtorë të fabrikës kanë ndërruar jetë. “Mbi 350 nga 912 punëtorë veç se kanë vdekur”, thotë ai. “Ne gjithë po vdesim e s’ka drejtësi aspak për ne”.K

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO