Biseda | BE

Miljenko Jergović: Me të vërtetë e druaj hyrjen e shteteve tona në Bashkimin Evropian

Nga - 16.07.2018

Një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të rajonit flet për fashizmin në Evropë, të ardhmen dhe migrimin.

I lindur në Sarajevë, Jugosllavi, Miljenko Jergović është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të gjeneratës së tij. Nisi karrierën e tij si gazetar dhe zhvilloi një veprimtari të pasur letrare, e tani konsiderohet si yll i skenës letrare evropiane.

Jergović fitoi disa çmime dhe njohje për shkrimet e tij. Ai është analist i shkëlqyer i rrymave socio-politike në Kroaci, ku tani banon, si dhe në gjithë ish-Jugosllavinë.

K2.0 e kontaktoi Jergović për të diskutuar për krahun e djathtë Evropian që është gjithnjë në rritje, marrëdhëniet tona me emigrantët dhe refugjatët, ikjet dhe kujtesën dhe të ardhmen e shteteve të rajonit në rast se bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

K2.0: Në kontekstin e rajonit tonë, mendoj se ngritja e mendësisë së krahut të djathtë në Kroaci në vitet e fundit është shumë interesante, nëse jo edhe problematike. Pamë se çfarë ndodhi me Konventën e Stambollit, ku përfshirja e të gjitha identiteteve LGBT+ në direktivat e konventës për mbrojtje të njerëzve që janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje, u kuptua si sulm kundër shtetit. Nuk është vetëm Konventa e Stambollit – por është një mendësi që thotë se vetëm një matricë mund të ekzistojë, krahu i djathtë i vijës së ashpër, ndërsa të gjithë të tjerët që nuk janë pjesë e tij automatikisht bëhen armiq të shtetit. Si mund t’i kuptojmë të gjitha këto? Çfarë mund të presim në të ardhmen?

Miljenko Jergović: Në Evropë, kjo varet nga një formë e neo-fashizmit apo neo-nazizmit me një vizion të ri dhe të adoptuar. Dallon nga versioni tradicional, të paktën në këtë fazë, sepse nuk ka kampe të përqendrimit, por bënë gjithçka që është e mundur për t’i justifikuar dhe argumentuar arsyet e atyre që e bënë pikërisht këtë në vitet e 30-a dhe 40-a.

Për ta, komunizmi është siç ishte fashizmi për Evropën e pasluftës, që do të thotë është e keqja themelore, ndërsa fashizmi është një fjalë e privuar nga kuptimi, për shkak se ata e kanë përfshirë atë kuptim në botëkuptimin e tyre.

Në Kroaci, gjërat janë më ndryshe. Këtu kemi rivendosjen e hapur të fashizmit tradicional. Radio Telivizioni Kroat (HRT), që udhëheqet nga shteti, pretendon se kampi i përqendrimit Jasenovac nuk kishte ekzistuar kurrë dhe se Ustashët nuk kishin kryer krime, se kroatët luftuan në Stalingrad bashkë me Hitlerin për ta shpetuar Evropën… nuk e di çfarë të ardhme mund të kemi nga e gjithë kjo.

Foto: Imrana Kapetanović.

Njëkohësisht jemi dësmitar të migrimit masiv në rajon, veçanërisht nga Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina. Me sa duket ky nuk është një rast i zakonshëm i largimit të personave inteligjentë dhe me kualifikime të larta…

Jo. Është largim pa kthim – kurrë. Ndryshim total i kodit të identitetit. Për herë të parë, njerëzit po largohen për t’u bërë njerëz të tjerë, jo vetëm për ta ndryshuar ekzistencën e tyre, por edhe thelbin personal. Kjo të tregon për vendet prej së cilave po ikin dhe për identitetin prej të cilit po heqin dorë.

Paralel me këtë, kemi një situatë ku po vijnë gjithnjë e më shumë emigrantë e refugjatë të cilët tani po udhëtojnë nëpër Bosnje e Hercegovinë për të ardhur në Kroaci dhe BE. A duhet ta karakterizojmë këtë si krizë?

Lëvizja nuk duhe të karakterizohet si krizë. Paranoikët në mesin tonë pretendojnë se njerëzit nga Siria dhe shtetet e tjera të Lindjes së Mesme, Lindjes së Afërt dhe Afrikës migrojnë për shkak të arsyeve ekonomike, e jo politike, dhe me gjasë kanë të drejtë deri diku.

Megjithatë, na mbetet neve ta kuptojmë se kjo është hera e parë që dëshira njerëzore për punë dhe jetë më të mirë po kriminalizohet – ajo mbi të cilën janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po shpallet si krim, apo sjellje e rrezikshme. Sot emigrantët politikë dhe ekonomikë po e bëjnë pikërisht atë që e bënë paraardhësit tonë të afërt dhe të largët.

Ju vet ishit refugjat dhe në fund qëndruat në Kroaci. Si ndjehesh kur i sheh të tjerët duke u larguar masivisht si dhe kur e sheh reagimin tonë ndaj këtyre njerëzve? Si mund ta kuptojmë ksenofobinë dhe racizmin që po bëhet gjithnjë më i pranishëm në shoqërit të mbushura me njerëz të cilët ishin në të njëjtën situatë para më pak se një qerek shekulli?

Unë nuk isha refugjat. Erdha në Zagreb në verën e vitit 1993 si njeri i punësuar dhe me të ardhura të mira. Punoja si korrespondent i Slobodna Dalmacija [gazetë] e Sarajevës. Thjeshtë vazhdova të punoja nga një qytet tjetër.

Por brenda meje, atëherë dhe tani, e ndjejë një pjesë të asaj turme të refugjatëve të privuar, të pikëlluar dhe të turpëruar – të ekspozuar ndaj të gjitha paragjykimeve të imagjinueshme dhe të paimagjinueshme të vendeve ku e gjetën veten. Refugjatëve u privohet e drejta për ta paragjykuar në çfarëdo mënyre botën në të cilën kanë ikur, ndërsa ajo botë, apo pjesët më të këqija të saj, ushqehet me paragjykime për refugjatët, kulturën e tyre, zakonet higjienike të tyre, mënyrën e tyre të jetesës…

Për shembull, një nga elementet e mendësisë së krahut të djathtë është se refugjatët sjellin kulturë tjetër, avokojnë mënyra të tjera të jetesës dhe kjo rrezikon mënyrën tonë të jetesës. Nuk besoj se mund të vëmë kështu dyshim në “mënyrat e jetesës”. Është absurde të mendosh se masat e njerëzve pa të drejta mund të ndikojnë tek mënyra e jetesës së shumicës civile që ligjërisht i  gëzon të gjitha të drejtat njerëzore dhe civile.

Për shembull, refugjatët sirianë nuk dalluan nga evropianët në mënyrën e jetesës së tyre në të kaluarën. Ata jetuan si ne deri kur lufta i la të privuar nga të gjitha përgjegjësitë për ta ruajtur mënyrën e tyre të jetesës. Kjo do të thotë se ata kanë ardhur në Evropë pikërisht për të vazhduar jetën si evropianët, jo për ta ndryshuar mënyrën e jetesës së evropianëve. Kjo është e tëra që duhet të thuhet për paranojat, fantazitë fashistoide dhe parashikimet fantazmike të krahut të djathtë.

Foto: Imrana Kapetanović.

Në këtë kontekst po e përmendim librin tuaj të ri, “Selibda” (Largimi), i cili deri diku flet për kapitullin e fundit të migrimit, gjegjësisht për zhvendosjen e kujtimeve. A bëhet kjo? A mund të largohemi nga kujtimet tona?

Me gjasë është e pamundur, por letërsia shpeshherë trajton gjëra të pamundura. Megjithatë, kujtimet mund të arkivohen; një botë e re imagjinare mund të krijohet prej tyre. Kujtimet janë të çmuara sepse kujtimet i përbëjnë gjërat më të çmuara që i kemi. Unë jam çfarë kujtoj. Pa to, nuk ekzistoj. Kështu është me çdo person.

Por sigurisht, duhet të kemi kujdes me kujtime. Nuk do të thotë që të gjitha gjërat që i mbajmë mend domosdoshmërisht kanë ndodhur. Ka kujtime fantazmë, siç ka edhe kujtime të një kujtimi. Ka ide të ndryshuara të ndodhive. Ka kujtime që bëhen helmuese…

Kupa Botërore e Futbollit po vazhdon: Kemi qenë dëshmitarë, përsëri, të shfrimeve nacionaliste nga ana e tifozëve dhe lojtarëve të Serbisë dhe Kroacisë. Në anën tjetër, më të dënuarit ishin dy lojëtarët e Zvicrës, Shaqiri dhe Xhaka, të cilët festuan golat e tyre kundër Serbisë duke bërë me duar “shqiponjën shqiptare”. A kanë të drejtë emigrantët dhe refugjatët të reagojnë ndaj atyre që ua shkaktuan atë vuajtje? Apo kjo lidhet me diçka tjetër?

Nuk e ke ndërtuar si duhet pyetjen. Shaqiri dhe Xhaka janë qytetarë zviceran të cilët e përfaqësojnë ekipin kombëtar të Zvicrës. Po të kishin dëshirë, ata do të kishin zgjedhur për ta përfaqësuar ekipin kombëtar të Kosovës. Është e pavend ta veshës fanelën e ekipit kombëtar zviceran dhe të demonstrosh një lloj të nacionalizmit gjysëm të pjekur. Kjo nuk është situatë e emigrantëve në asnjë mënyrë.

Futbollistët janë zotërinj mjaft të pasur dhe në gjendje të mirë, të drejtat e së cilëve nuk rrezikohen në asnjë mënyrë. Ata ndonjëherë e përdorin [statusin e tyre] për ta shitur lirë nacionalizmin. Nuk dua të lë të kuptohet se Shaqiri dhe Xhaka janë të tillë, të cilët duhet të them, se janë lojtarë fenomenalë.

Po i referohem disa futbollistëve të mëdhenj, për shembull lojtari i ekipit kombëtar kroat Domagoj Vida, i cili ja kushtoi fitoren kundër Rusisë popullit të Ukrainës dhe klubit për të cilin ai ka luajtur në Ukrainë, si dhe shtoi “Beogradi po digjet!” Është krejtësisht e paqartë si hyri Beogradi në këtë mes. Vida thjeshtë po mundohet të fitojë pikë në disa anë, duke e etiketuar si veprim politik dhe shumë patriotik. Është e neveritshme dhe e rrezikshme.

Foto: Imrana Kapetanović.

Po flitet gjithnjë e më shumë për anëtarësimin e rajonit të ashtuquajtur të Ballkanit Perëndimor në BE. Çfarë të ardhme kanë Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova…? Si person që jeton në Kroaci dhe BE, dhe je i njohur me situatën në vende të tjera të ish-Jugosllavisë, për çfarë mendoni se mund të shpresojmë?

Nuk e di. Pas anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, jo vetëm që Kroacia nuk u bë më mirë, por u bë shtet shumë, shumë më i keq se që ishte më parë. Bashkimi Evropian posedon mekanizma për kontrollin e situatës së të drejtave civile dhe njerëzore në shtete kandidate, por nuk ka absolutisht çfarëdo mekanizmi të këtij lloji sa i përket shteteve anëtare.

Pra në Bashkimin Evropian aktual, kemi lloje të ndryshme të shteteve anëtare, prej modeleve të demokracive liberale e deri te diktaturat që janë mjaft të ashpra dhe kanë mendësi anti-emigrante, anti-semite, pro-fashiste, si Hungaria e Orban-it. Me të vërtetë e druaj anëtarësimin e Serbisë dhe shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë në Bashkimin Evropian, sepse sinqerisht nuk mendoj se do të ndryshojnë në modele të demokracisë liberale, por do të bëhen diçka e ngjashme si Hungaria, apo edhe Kroacia.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është realizuar në gjuhën boshnjake/kroate/serbe.

Foto kryesore: Imrana Kapetanović.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO