majlinda-hoxha-venera-mustafa1-2015
Biseda | Kulturë

Venera Mustafa: E shpreh vetën me atë që vesh

Nga - 13.10.2016

Dizajnerja e modës diskuton artin dhe modën në Prishtinë.

Venera Mustafa është pak më ndryshe prej dizajnereve klasike të modës që i shohim zakonisht. Mos prisni t’i shihni koleksionet e saj të reja në ndonjë hotel me pesë yje. Ajo thotë se nuk është pretenduese, por thjesht, linjën e veshjeve “ready to wear” që i dizajnon, i prezanton nëpër lokacione më ndryshe të Prishtinës sepse edhe vet qyteti nuk i ka pesë yje.

Pasi i përfundoi studimet e modës në Ecole Superieure des Arts et Techniques de la Mode (ESMOD), shkollë private e modës në Paris, ajo u kthye në Prishtinë për të nisur linjën e saj të veshjeve. Ajo e themeloi markën veneramustafa në 2010, dhe prej fillimit është munduar që t’a bëjë linjën dhe atelienë e saj më të ngrohtë dhe më të afërt në mënyrë që vizituesit të ndjehen më rehat dhe më familjar, ndryshe nga ndjenja e distancës dhe superioritetit që të japin dyqanet luksoze të modës.

Të gjitha koleksionet e Venera Mustafës, mbajnë frymën apo ‘trademark’-un e saj, qoftë në lansime – ekspozimet e koleksioneve “ë” dhe “Sonder” ishin më shumë performanca artistike sesa sfilata të modës – qoftë në krijime e dizajne – ajo shpesh bashkëpunon me artistë të tjerë, duke i kombinuar punët e tyre me të sajat;  si psh me artistin vizual Bujar Sylejmanin, i cili pikturoi direkt në material.

Koleksioni i saj i ri “Broka”, për vjeshtë/dimër 2016-17, u lansua fundjavën e kaluar në një parking të brendshëm ende i  papërfunduar, dhe për herë të parë mund të thuhej se ishte një sfilatë e modës, por megjithatë ishte më i ndryshëm; jo vetëm veshjet, por edhe forma e sfilatës dhe vendi i përzgjedhur, qartazi mbanin vulën dhe frymën e veçantë të stilit dhe markës veneramustafa.

“Më pëlqen të luaj me pjesë grafike, dhe më pëlqen dizajni grafik në përgjithësi”, thotë Mustafa, e cila para se të merrej me modë e studioi skulpturën në Universitetin e Prishtinës. “Strukturat, vijat dhe arkitektura, ose minimalizmi më duken shumë tërheqëse, kështu që i përfshijë kohë pas kohe”.

Në koleksionin e saj “Broka”, asaj iu duk dallimi mes të bardhës dhe të zezës,”ashpërsia e tyre”, mjaft intrigues. Rezultati përfundimtar është një dizajn sharmant i rreth 90 punimeve të veshjeve në një kombinim të bukur të së bardhës, së zezës dhe “Pesëdhjetë Hije të së Hirtës”, me vizatime të Bujar Sylejmanit dhe foto printime të Majlinda Hoxhës.

Mustafa specialioi për modë të meshkujve në Paris, kështu që mund të dizejnojë veshje të meshkujve si dhe të femrave. Megjithatë, pse që të gjitha koleksionet e saj janë për vajza?  Ajo thotë se nuk ka edhe aq interesim për modë tek meshkujt. Femrat i kushtojnë më shumë rëndësi dukjes se sa meshkujt – megjithëse, shprehet ajo, kjo “dukuri” ka filluar të ndryshojë kohëve të fundit.

Mustafa mendon që njerëzit në Prishtinë kanë shije të mirë të veshjes, por sidoqoftë, vishen në mënyrë uniforme; nuk kemi një stil individual, por vishemi pak a shumë ngjashëm. Në një qytet të vogël si Prishtina, të jesh ndryshe dhe individualiti i theksuar në të veshur,  të vë në qendër të vëmendjes, dhe shumë njerëz nuk janë të gatshëm që të përballen me presionin që sjell kjo gjë. Andaj, pse sipas saj është e rëndësishme që të kemi stil individual?

“Ti shprehesh me atë që e vesh“, thotë Mustafa, duke i dhënë rëndësi edhe hollësive e edhe stilit të përgjithshëm të veshjes. “E tregon njëfar karakteri se kush je; mënyra se si e lidh një shall e tregon brendësinë tënde, ose se çka dëshiron të thuash me të“.

Është lehtë të jesh VIP në Kosovë; kemi shumë kanale televizive dhe pak përmbajtje, që do të thotë se nuk ndodhin shumë gjëra. Por të jesh artist i vërtetë dhe të bësh atë që do – në këtë rast, dizajn të modës – kërkon më shumë sesa paraqitja në TV, sipas Mustafës: duhet shumë punë dhe pasion. Për të gjithë ata që po i bëjnë hapat e parë në botën e modës, Mustafa rekomandon më mirë të synojnë për këto vlera, sesa të përpiqen t’i prezantojnë pesë punime në TV dhe të deklarojnë se janë dizajnerë të modës.

K2.0 intervistoi Venera Mustafën për një vrojtim më të hollësishëm mbi punimet e saj të fundit, si dhe pikëpamjeve të saj rreth çështjeve të ndryshme mbi botën e modës.

K2.0 Së pari të shikojmë koleksionin tënd më të ri, “Broka.” Çfarë është ajo që e bënë më të ndryshëm nga koleksionet e mëparshme?

Venera Mustafa: Po mundohem në secilin koleksion me sjell diçka të re;  lloje të bashkëpunimeve me kolegët e mi ose me shoqërinë time faktikisht. Eksperimentimet në tekstil, sepse me dizenju veshje si ‘fashion designer’ për një kohë, ka ato sfidat e veta por edhe monotoninë, kështu që të duhet edhe diçka pak më freskuese.

Për shembull në këtë koleksion do të jenë printimet dhe vizatimet direkt në tekstil, që është një proces pak më i komplikuar sepse materiali duhet të përshtatet. Vizatimet janë bërë nga Bujar Sylejmani edhe janë të të vizatuara me dorë direkt në material, ndërsa për fotografi është Majlinda Hoxha, me të cilën kam bashkëpunuar edhe më herët, jo vetëm për veshje por edhe për shumë gjëra të tjëra.

majlinda-hoxha-veneramustafaqa

Zakonisht kam dëshirë të dal jashtë kutisë së të qenit vetëm dizajnues mode, ose kutisë si industri vetëm e veshjeve, dhe kam qejf të përfshij edhe bashkëpunime me artist, edhe me shtu ndoshta ndonjë element tjetër prej veshjeve tona tradicionale – edhe pse vizuelisht nuk është qaq e dukshme por megjithate në secilin ka pas diçka [tradicionale].

Psh vijat e tirqeve më pëlqejnë shumë, diferenca mes ngjyrës së bardhë dhe të zezë, qartësinë e tyre. Me ato kam pas qejf gjithmonë të luaj, dhe ky koleksion do të jetë ashtu – monokromatik. Ngjyrat që dominojnë janë e bardha e zeza dhe e hirit. Kështu që ndoshta kjo është më interesante se bashkëpunimet që kanë qenë më herët.

Na trego edhe për bashkëpunimet tjera me artistë, ndoshta ato që i ke më afër zemrës?

Une kam qenë në fakultet me gjithë këta, me Jakupin [Ferri], me Bujarin [Sylejmani] e me shumë të tjerë. Me Majlindën [Hoxha] jo por jemi shumë të afërta. Këtu [në Prishtinë] e kam përfunduar skulpturën edhe ashtu na ka mbet një shoqëri. Pastaj  kur jam kthyer nga Parisi mbasi e kam përfundu atje për modë, kam filluar të punoj. Më vonë kam thënë ‘Pse jo me pas një bashkpunim me i bashkdyzu këto dy fusha [modën dhe skulpturën]? Kjo më është dukur më interesante, ndoshta me sjell pse jo edhe përmes modës diçka artistike. Jo veq me qenë koleksion sezonal mode, se e dijmë që pak a shumë janë veshje të përditshme, kështu që me e gjet njëfar elementi që i dallon prej veshjeve tjera përpos prejreve, ngjyrave, volumeve.  

Kështu që bashkpunimet kanë ardhë shumë organikisht, mes shoqërisë i kemi provuar disa herë a po bëjnë a po funksionojnë, qysh po del, qysh s’po del. Kështu që edhe është një farë procesi që mua më pëlqen shumë, pjesa realizuese; se më kot i bën planet e thua ‘Këtë e dua kështu’, ‘kjo do të bëhet kështu’ e ‘kjo do të duket kështu’, por gjatë procesit shumica e sendeve ndrrojnë, dhe përfundimisht ndoshta e ke një produkt ose një vepër shumë më të bukur sesa që e ke paramendu.

Në koleksionin tuaj të fundit keni bashkëpunuar edhe me dy artistë si dhe shokët tuaj, Bujar Sylejmani dhe Majlinda Hoxha. Çka prezantojnë ata me punën e tyre?

Ajo është pak a shumë bota e tyre. Me Majlindën gogja e kemi konceptin vizual të njejtë. Kështu që nuk e kemi shumë problem, nuk kemi shumë diskrepanca në stil ose çkadoqoftë. Jemi shumë me njëfar vije të njejtë. Me Bujarin është më ndryshe. Ai është më grafik. Në fakt edhe ai thotë se une s’kam stil timin, kështu që nuk i kam ndërhyer asgjë. Nuk ka tematikë të posaçme, është krejt bota e Bujarit, ai qysh është ndje në ato momente. Për mua është tepër speciale, sepse nuk ka pas limitime në shprehje. Ka mundur të jep qysh ai do. Ka qenë një shprehje shumë e lirë.

majlinda-hoxha-venera-mustafa-qa-2

Keni pasur një koleksion mjaft interesant në të cilin shkronja ë paraqitet në të gjitha punimet tuaja. Edhe punët tua tjera kanë nga një tregim interesant mbrapa. Na thuaj për disa nga punimet tuaja më të vona, dhe se çfarë keni dashur të paraqisni me to?

Kjo ka qenë pjesë e koleksionit tim, dmth komplet koleksioni është thirrë ë.  Sa herë që kam lexuar [në media sociale] ose kam dëgjuar diçka në televizion, e kam parë që e anashkolojnë komplet shkronjën ë. Ndoshta nuk është gjithmonë [e domosdoshme] të shkruajmë shkronjën ë se ne gegnishten e flasim, mirëpo megjithatë nuk kemi nevojë të themi bejm kur mund të themi bëjmë.

Ka qenë tepër spontane. Kanë fillu lajmet … dhe kam vërejtur një mangesi në të shprehurit tonë, se gjithmone jemi në njëfar mesi, ose flasim toskërisht ose flasim gegnisht. Përderisa ë-në e theksojme ë, nuk ka rëndësi se qysh flet ose shkruan. Mendoj që është një shkronjë shumë e bukur, që mos ta theksojmë.
Kam menduar se do të kishte qenë interesant po ta bëja një koleksion me ë-ja. Edhe pse kam qenë skeptike në do të funksionojë, sepse është tepër grafike.Ë-jat kanë qenë shumë të shpërndara, dhe është e pamundur t’i anashkalosh nëse i’a sheh dikujt [veshur], është shumë evidente, dhe shihet shumë qartë.

Përndryshe kam qejf të luaj me këto pjesët grafike. Më pëlqen dizajni grafik në përgjithësi, strukturat, linjat dhe arkitektura, ose minimalizmi më tërheqin shumë edhe i përfshijë kohë mbas kohe.
Këtë herë janë printuar fotot e Majlindës që përsëri është njëfar sistemi grafik, sepse janë të printuara si katrorë.  

Ka qenë edhe [koleksioni] numrat. Me numra s’kam qenë kurrë e mirë, por vizuelisht më pëlqejnë shumë. Koleksioni është quajtur Sonder. Që i bie një fjal e shpikur që faktikisht i ilustron jetët e njerëzve në njëfarë mënyre, për disa njerëz që ti nuk i njeh por kalimthi i sheh dhe fillon të mendosh se çfarë jete ka ky person. Ajo fjalë quhet Sonder.

Është një fjalor [“Fjalori i pikëllimeve të paqarta” shkruar nga John Koenig] për situatat që është vështirë të  spjegohen. Ai ka ardhë me emërime për këso situata që na s’kemi spjegim me një fjalë. Dhe më është dukur interesant si koncept, edhe numrat ia kam përshtatur secilës jetë të personave që ne i mendojmë, që nuk i njohim por që na nxisin imagjinatën për të menduar ‘a thua a ka ky gjysh, a gjyshe, a teze?’ është aso situate absurde që mua më ndodh shumë shpesh.

Koleksioni me Broka …  bashkëpunimi ka qenë tepër organik, nuk jemi limituar e të themi ‘Shiqo, se unë dua të shkoj në këtë drejtim, kështu që ju të dy duhet të më përshtateni. Ka qenë organike ‘Ti e bënë atë pjesën tënde, unë pjesën time, edhe e shohim pastaj e aranzhojmë që të jetë në njëfarë vije të kontinuitetit, njëfar vibe i veshjeve’.

Foto: Ardit Hoxha.

Edhe ka qenë pak vështirë ta përshkruaj me një emër, por kam filluar me ngjyrat që e karakterizojnë këtë koleksion. E kam kërkuar fjalën monokrom, se a ka fjalë që e pershkruan një dy-ngjyrësh ose një monokrom, një ngjyrë me disa nuanca. Edhe e kam gjetur në një fjalor shqip-shqip.

Broka – broka përdoret kur dëshiron të spjegosh diçka të larmishme, broka-broka, bardh e zi, me lara. Më është dukur shumë e bukur dhe e kam perdorë vetëm një [pjesë të fjalës] broka.

Duke shiquar disa nga lansimet e koleksioneve tuaja, mund të thuhet se janë më shumë performanca artistike sesa sfilata klasike të modës. Cila është arsyeja që ke zgjedhur t’i realizosh kështu?

Jam munduar të bëj diçka më interesante. Ta kem frymën e ekspozites, ku shkon dhe je më afër me veshjet, më afër me komplet frymën që është duke mbretëruar, nuk është vetëm ti si shikues dhe diçka më e lartësuar se ti në këtë aspekt.

Kështu që kam dashur që qasja të jetë më e afërt, se edhe mua më ka ndodhur, jo këtu sepse këtu nuk kemi industri të modës, por në dyqane shumë të shtrenjta, edhe tepër bukur të rregulluara, gjithmonë e ndjen vehten pak si [në ankth] mos t’a prek sepse do ta thyej.

Ajo ma ka dhënë njëfar barriere, sepse kur hyn te dizajnerët, ose te dikush që ka një vend të bukur e të rregullar, jo që ndjehesh inferior, por frikësohesh t’i qasesh ashtu si klient në mënyre pak ma të afërt. Se tek e fundit nuk është diçka që duhet të idealizohet, por është diçka që përdoret dhe shkon e sheh, e prek, të pëlqen ose nuk të pëlqen.

Diçka tjetër që gjithashtu po bëhet një veçanti dalluese e juaja, apo trademark, është edhe përzgjedhja e lokacioneve. Nuk janë vende ku zakonisht mbahen ngjarje apo sfilata mode. Çfarë kërkoni kur dëshironi të zgjedhni lokacionin e ardhshëm?

Më pëlqen shumë gjetja e lokacioneve, sepse më jep njëfar perspektive, njëfar imagjinate krijuese. I përzgjedhi derisa jam duke u endur me veturë nëpër Prishtinë dhe jashtë saj, sepse më pëlqen vozitja.

Por shumica e ideve, më vijnë derisa jam duke vozitur veturën; edhe kur jam në tollovi dhe e shoh një hapësirë, gjithmonë e lidhi me atë se do ta shfrytëzoja për një ‘shoot’, apo për një ngjarje. Gjithçka është e ndërlidhur me punën që bëj. Ndonjëherë del dardhë me bisht, sepse duhet tepër punë për ta funksionalizuar një hapësirë, por shumicën e rasteve d.m.th deri më tash kanë dalë interesante.  Broka është mbajtë këtu afër te Spitali. Në këto garazhat ngjitur është një rrumbullak, hapësirë që nuk është përdorë kurrë, është inicuar për garazhë, mirëpo që 7-8 vjet ka mbetur e zbrazët.

majlinda-hoxha-venera-mustafa-qa

Është shumë vështirë të gjesh në Prishtinë hapësira për këso lloj ngjarjesh. Nuk është se jemi qytet i madh. Edhe nuk ka ndonjë hapësirë që është e posaçme, as galeri të qytetit nuk kemi.

Kështu që jemi të kushtëzuar. Disa prej dizajnerëve i bëjnë edhe nëpër hotele, Swiss [Diamond] e ku ta di unë. Por mua nuk më tërheqin ato vende, kërkoj diçka që ndoshta pak a shumë e ofron të njejtin komoditet ose frymë që ta ofron edhe Pristhina, se nuk është që Prishtina është five star city (qytet me pesë yje).

Çka do të thotë të jesh dizejnues mode sot, dhe çka do të thotë të jesh dizejnues mode në Kosovë? A është qëllimi i saj i vetëm vetëm lansimi i veshjeve, apo diçka më shumë, ndoshta një deklaratë, apo shprehja e një ideje?

Të kesh një sfilatë të madhe të duhet një industri e modës, të cilën nuk e kemi. Prandaj gjithmonë mundohem të qëndroj brenda kontureve të qytetit tonë, të asaj se çka mund të bëhet në Prishtinë. Diçka që i përshtatet Prishtinës, jo Londrës a Parisit … ta përmbledh shoqërinë tonë dhe në njëfar formë mentalitetin tonë.

Secili i’a krijon vetës se çka do të përfaqësoj me ‘brendin’ që e bën. Që nga fillimi ia jep disa tregues ose disa qëllime vetës. Zakonisht e caktoj njëfar linje që e përcjell, që më pas edhe më lehtë punohet në kontinuitet, d.m.th që ti veçse e ke një mesazh.

Unë i përdori gjithmone këto grafika dhe bashkpunime, vijat e mia, pjesën arkitekturale, prerjet; Unë veçse e kam një estetikë, një mesazh. Kështu që mund të ketë edhe qasje shoqërore-politike nëse i’a jep një të tillë. Para një kohe, kisha disa produkte të cilat i kam krijuar spontanisht, disa çanta “visa isa sa a” (Një pyetje për kryeministrin Isa Mustafa se edhe sa kohë duhet që Kosovarët të bëhen me liberalizim vizash për zonën Shengen).

Përndryshe nuk është e domosdoshme. Tash edhe pse nuk është industri, deshëm s’deshëm është biznis kështu që shumica e kompanive të mëdha jashtë, normalisht që përçojnë trend e njëfar fryme, por jo mesazh per se direkt, si ‘Make love not war’. Por ato munden të jenë në mënyra të ndryshme, të përçuara përmes veshjeve, edhe pse ka dizajnerë që e kanë këtë qasje, por jo vazhdimisht.

Çfarë thua për skenën e modës në Kosovë? A kanë të rinjët, apo njerëzit në përgjithësi, interesim në ndjekjen e trendeve të reja të modës? E në veçanti meshkujt?

Unë kam përfunduar për femra, mirëpo specializimin e kam bërë për meshkuj. E kam marrë sepse kam dashur që tek e fundit t’i mbuloj të dy gjinitë nëse vjen rasti.  E kam filluar edhe me veshje të meshkujve por nuk është që ka pasur ndonjë lloj interesimi. Nejse, po flas për para 5 viteve, sepse kur kam arritur në Prishtinë nuk kishte as edhe ‘ready-to-wear’(të gatshme për t’u veshur), e mos të flas vetëm për meshkuj.

Kështu që ka qenë njëfar risie në treg [puna dhe arritja ime]. Pikë së pari, edhe si dizajner që nuk bën [veshje] me porosi. Te ne është [perceptimi] se dizajneri është rrobaqepës…. Dizajnerët nuk janë vetëm aq. Është ofendim të vish me një revistë të Vogue dhe të thuash ‘Ma bëjë këtë Valentino apo këtë Versaçi’.  Sepse i bie [sikur të thuash se] ‘Unë nuk jam duke i shikuar sendet tua, nuk më intereson se çka ke bërë, vetëm bëje [porosinë] të duket si në këtë revistë’.

"Veshje kemi sa të duash, por duhet ta zbuloni origjinalitetin tuaj".

Sa i përket interesimit, natyralisht që femrat janë ato që i kushtojnë më shumë rëndësi vetes, dhe bëjnë më shumë. Meshkujt jo edhe aq, edhe pse kanë filluar të ndryshojnë ngadalë.

Nuk është që vishemi keq, unë mendoj se vishemi mirë, por megjithatë e kemi njëfar uniforme. Nuk është që kemi stil individual, veshemi goxha njësoj. Tek e fundit, ti shprehesh me atë që e vesh, e tregon njëfar karakteri se kush je. Mënyra se si e lidh një shall, e tregon njëfar brendësie, ose se çka dëshiron të thuash me të.

Si një dizajnere e modës mjaftë e njohur, cila është këshilla juaj për ata që sapo kanë filluar të ndjekin një karrierë në këtë fushë?

Unë kur kam përfunduar fakultetin, kam punuar një vit e ca në këtë industri para se ta hap një vend timin. E kam vërejtur që ka njëfar euforie menjëherë pasi që e përfundon fakultetin, që të bësh diçka, të lansosh një koleksion.

Por është tepër vështirë të qëndrosh vetëm me një koleksion, apo të kesh një vazhdimësi në koleksione. Nuk mund të thuash ‘I bëra 5 fustane dhe tash jam dizajnere’. Unë kam fituar shumë përvojë edhe përmes internshipeve; me aq sa kam mësuar në shkollë, ndoshta 80 përqind e kam mësuar përmes këtyre praktikave, internshipeve.

E di që në Kosovë është tepër lehtë të bëhesh VIP, sepse secili ka qasje në TV, secili e njeh dikënd aty, gati se jemi një familje e gjërë.  Kështu që nuk është ‘Eja të shfaqemi në televizion’, por duhet të punosh me atë që ke pasion, me të cilën do që të thuash e të japësh diçka. Ajo nuk vjen brenda ditës po vjen me kohë, aq sa punon.  

Mos të ngutemi të deklarojmë ‘u shfaqa në televizor, e tash ka përfundu, jam dizajner. Por të punoni, edhe jo vetëm në kuptimin të qepësh, por të punosh me veten, të krijosh një botë, një imazh, dhe si karakter të fokusohesh më shumë në gjetjen se çka është ajo që ke brenda, sepse veshje kemi sa të duash, por duhet ta zbuloni origjinalitetin tuaj.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

1
SHIKO KOMENTET
  • 02 Dec 2016 - 12:27 Annie: She is very creative girl.
KOMENTO

KOMENTO