Në fund të gushtit, Prokuroria Shtetërore e Bosnjes dhe Hercegovinës (BeH) kërkoi nga Gjykata Shtetërore ta shpallë të fajshëm Vuk Ratkovići-n; Ratković është ish-anëtar i Ushtrisë së Republikës Serbe nga Višegrad, i akuzuar, mes tjerash, për përdhunim gjatë kohës së luftës. Prokuroria kërkoi që i pandehuri t’i paguajë 45,000 marka të konvertueshme (rreth 23,000 euro) për ta dëmshpërblyer të mbijetuarën. Ai u dënua me tetë vjet burg për përdhunimin e një gruaje në Višegrad dhe u urdhërua të paguajë dëmshpërblim në vlerë 35,000 marka të konvertueshme (rreth 17,000 euro).
Vetëm në Bosnje e Hercegovinë, prej fundit të luftës më shumë se 130 persona janë dënuar për kryerje të krimit të dhunës seksuale gjatë luftës. Bosnja kishte më shumë gjykime për dhunë seksuale gjatë luftës se çdo shtet tjetër në botë.
Viktimat ishin vajza, adoleshentë, gra, burra… Dhuna seksuale u krye në shkallë masive, në shtëpi private, apartamente, hotele dhe lokacione të tjera që u shndërruan në kampe të përdhunimeve masive. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (TPNJ) e definoi përdhunimin gjatë kohës së luftës si veprim të torturës dhe skllavërisë seksuale, si krim ndaj njerëzimit, që konsiderohet arritje e jashtëzakonshme në luftën kundër mosndëshkimit të kriminelëve të luftës.
“Janë në të njejtin vend ku ishin para se t’i investonte milionat komuniteti ndërkombëtar.”
Nela Porobić Isaković, WLPF
Të mbijetuarit e dhunës seksuale në BeH, filluan të flasin për përvojat e tmerrshme të tyre menjëherë pas kryerjes së krimeve dhe në plot raste pasi ishin liruar nga robëria. Vite më vonë, ky krim u bë temë e filmave dhe librave, si dhe janë lansuar nisma dhe projekte ndërkombëtare që kanë dhënë fonde për sektorët qeveritarë dhe joqeveritarë përgjatë rajonit.
Megjithatë, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftërave në shtetet e dala nga Jugosllavia, gratë dhe burrat që e përjetuan këtë lloj torture nuk janë duke luftuar ende vetëm për të drejtat themelore të tyre, por edhe kundër stigmës që e karakterizon këtë krim. Aktivistët e kësaj fushe thonë se, pavarësisht të gjitha arritjeve të deritanishme, ende nuk janë të kënaqur.
Nela Porobić Isaković, koordinatore e selisë në BeH të organizatës ndërkombëtare për fuqizim të grave Lidhja Ndërkombëtare e Grave për Paqe dhe Liri (Women’s International League for Peace and Freedom – WLPF), beson se duke marrë parasysh fondet e investuara në projekte të ndryshme, fushatat dhe vendimet gjyqësore, të mbijetuarit mund ta gjejnë veten në një situatë më të vështirë se më parë. “Ose, mbase jo më keq, por janë në të njejtin vend ku ishin para se t’i investonte milionat komuniteti ndërkombëtar”, thotë ajo.
Beteja e aktivistëve
Vështirë është të gjinden të dhëna të sakta për numrin e njerëzve të dënuar për dhunë seksuale gjatë luftërave që rrjedhën nga shpërbërja e Jugosllavisë, për shkak se gjykimet janë mbajtur në gjykata të ndryshme vendore, të huaja dhe ndërkombëtare. Megjithatë, cilido qotë ky numër, sigurisht është më i vogël se numri real i autorëve të këtij krimi. Njëkohësisht, vështirë është të dihet numri i atyre që iu nënshtruan këtij lloji të torturës dhe vështirë se do ta dimë në të ardhmen.
OKB vlerëson se rreth 60,000 njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftërave në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë. Numri më i madh i viktimave ishin nga Bosnja, ku nga 20,000 deri në 40,000 njerëz iu nënshtruan këtij krimit të luftës gjatë luftës katër vjeçare, përfshirë këtu rastet që ndodhën në kampet e përdhunimit. Një kamp i tillë ishte Vilina Vlas, afër Višegradit, ku më shumë se 200 gra u torturuan, përdhunuan dhe u vranë. Vetëm pesë gra i mbijetuan kësaj mizorie dhe kanë dalë si dëshmitare në gjykime të ndryshme.
Në BeH, angazhimi i aktivistëve për të drejtat e grave, përfshirë këtu të mbijetuarit, ka çuar deri te procedimi i më shumë se 120 rasteve si dhe te zbatimi i duhur i praktikës gjyqësore me anë të cilit tani gjykatat marrin vendime në lidhje me dëmshpërblimet për të mbijetuarit gjatë gjykimeve penale, në vend se të mbahen raste pasuese civile.
Megjithatë, gjykimet nuk mjaftojnë, thonë aktivistët. Gorana Mlinarević, eksperte e ligjit ndërkombëtar nga Sarajeva, thotë se një nga problemet në tërë rajonin është se krimet, lëndimet dhe traumat e luftës “janë diçka që regjimi patriarkal nuk dëshiron t’i pranojë”.
Ekspertja e ligjit ndërkombëtar Gorana Mlinarević thotë se, ndonëse ka njohje ligjore për të mbijetuarit në Bosnje dhe Hercegovinë, kemi parë pak progres shoqëror sa i përket thyerjes së stigmatizimit. Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.
“Njohja do të thotë që duhet të merren vendime që e ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme statusin e grave”, thotë Mlinarević. “Fatkeqësisht, kemi arritur në pikën e njohjes [ligjore] të një grupit që ka përjetuar krime, por nuk kemi arritur ta rrisim nivelin e ndjeshmërisë në shoqëri apo t’i kundërshtojmë qëndrimet kokëforte të regjimit patriarkal”.
Lufta e grave boshnjake ka kontribuar që OKB të miratojë disa rezoluta dhe vendime që dënojnë dhunën seksuale të kohës së luftës dhe bëjnë thirrje për luftën kundër mosndëshkimit dhe stigmatizimit. Në vitin 2012, Mbretëria e Bashkuar e ktheu këtë temë në fokusin ndërkombëtar kur e kryesoi Nismën për Parandalim të Dhunës Sekuale lidhur me Konflikte, që kishte për synim kundërshtimin e qëndrimeve dëmtuese ndaj të mbijetuarve dhe përmirësimin e mekanizmave të mbështetjes. Kjo çoi deri te zbatimi i disa projekteve të ndryshme nëpër botë, megjithatë, Mlinarević thotë se “gratë që i kanë mbijetuar dhunës seksuale kanë përfituar shumë pak prej tyre”.
Kur dhuna seksuale gjatë luftës u përfshi fillimisht në një padi dhe u ndoq penalisht me sukses në një gjykim ndërkombëtar të krimeve të luftës – në vendimin që e mori TPNJ në vitin 1998 (që u konfirmua në 2002) në rastin Kunarac et al për krimet e luftës që u kryen në zonën Foča, në Bosnjen juglindore – u hap dera për ndjekje të tjera penale. Hapi i ardhshëm për aktivistët ishte përpjekja për njohjen e statusit të të mbijetuarve.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, kjo përpjekje u drejtua nga shoqatat që i bashkuan të mbijetuarit dhe OJQ-të, por edhe artistët e aktivistët. Njëkohësisht me fushatën, regjisorja e filmit Jasmina Žbanić e mbajti premierën e filmit të saj “Grbavica”, që ndjek jetën e një të mbijetuares së dhunës seksuale gjatë kohës së luftës dhe fitoi çmimin Golden Bear në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në vitin 2006.
Rezultati ishte se në vitin 2006, statusi i viktimës civile të luftës u zgjerua për ta përfshirë një kategori speciale për ata që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë kohës së luftës. Megjithatë, ky status ishte vetëm për personat që jetojnë në njërën nga dy entitetet që e përbëjnë BeH – në Federatën e Bosnjes dhe Hercegovinës. Në Distriktin e Brçkos – njësinë e pavarur administrative brenda BeH – ky ndryshim u miratua në ligj në vitin 2012, ndërsa në Republikën Serbe – entitetin e dytë – ligji i ri u miratua tek në qershor të këtij viti.
Në Republikën Serbe, ky ligj, që ende po pritet të zbatohet, ofron njohje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe dëmshpërblim mujor në vlerë 300 marka të konvertueshme (rreth 150 euro). Aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile, paralajmërojnë se problemi është që statusi do t’i ipet vetëm atyre që regjistrohen me shoqatat lokale të veteranëve apo viktimave në Republikën Serbe, që do të thotë se, nëse dikush është i regjistruar në Federatë dhe jeton në Republikën Serbe, nuk do të kenë mundësi të aplikojnë.
Pavarësisht legjislacionit të ndryshëm, deri më sot statusi i është njohur vetëm një pjesës të vogël të të mbijetuarve në BeH. Selma Korjenić, udhëheqëse e zyrës në Sarajevë të organizatës TRIAL International, organizatë që lufton kundër mosndëshkimit për krimet e luftës nëpër botë, thotë se deri sot rreth 900 gra i janë nënshtruar procedurës për njohje të statusit të tyre.
“Ata i fusin në një grup dhe kështu detyrohen të identifikohen për gjithë jetën me krimet e luftës që i kanë përjetuar për t’i ushtruar të drejtat e tyre.”
Gorana Mlinarević, eksperte e ligjit ndërkombëtar
Mospërputhja e madhe ndërmjet numrit të vlerësuar të të mbijetuarve dhe numrit të atyre që u është njohur statusi, vjen kryesisht për shkak të shkurajimit të të mbijetuarve për të aplikuar për shkak të stigmatizimit dhe faktit se krimet vazhdojnë të mohohen në mënyrë rutinore, pavarësisht vendimeve gjyqësore dhe fakteve të vërtetuara. Kjo vlen në veçanti për disa qindra të mbijetuar meshkuj në BeH, të cilët mbesin të padukshëm.
Shumë prej këtyre të mbijetuarve në Federatë dhe në Distriktin e Brçkos tani marrin pagesë mujore në vlerë 500 marka të konvertueshme (rreth 250 euro). Megjithatë, Korjenić thotë se ky nuk është një dëmshpërblim i plotë, që shteti obligohet ta ofrojë sipas ligjit ndërkombëtar, për shkak se dëmshpërblimet kërkojnë mbështetje shtesë dhe njohje, jo vetëm pagesa mujore.
Mlinarević shpjegon se me qasjen aktuale, si pjesë e së cilës të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës trajtohen si kategori e veçantë që ka të drejtë për ndihmë monetare, në vend se shteti të ofrojë dëmshpërblime gjithëpërfshirëse për lëndimet e pësuara në luftë për t’i mundësuar të gjithë të mbijetuarve të integrohen në shoqërinë e pasluftës, “ata i fusin në një grup dhe kështu detyrohen të identifikohen për gjithë jetën me krimet e luftës që i kanë përjetuar në mënyrë që t’i ushtrojnë të drejtat e tyre”.
Porobić Isaković nga WILPF pajtohet se e vetmja mënyrë për t’iu shmangur thellimit të hierarkisë ekzistuese brenda kategorisë së viktimave të luftës, është sigurimi i një game të plotë të dëmshpërblimeve për të gjithë të mbijetuarit në mënyrë të barabartë. “Vetëm me një zgjidhje të barabartë mund ta analizojmë kompleksitetin e shoqërisë së pasluftës dhe jo ta reduktojmë këtë vetëm në dëmshpërblime; pra ta shohim si tërësi, duke përfshirë shëndetin mendor”, thotë ajo.
Koordinatorja e Lidhjes Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Liri, Nela Porobić Isaković, thotë se dëmshpërblimet monetare nuk mjaftojnë për t’i përmbushur nevojat komplekse të të mbijetuarve. Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.
Megjithatë, ende ka shumë punë për të bërë në BeH në mënyrë që të mbijetuarit të fitojnë madje edhe një nivel të vogël të mbështetjes në jetët e tyre. Deri tani, shteti nuk ka investuar në përpjekjet e tij për t’i ndërtuar kapacitetet që do të ofronin shëndetësi adekuate apo mbështetje sociale dhe psikologjike për personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.
Porobić Isaković thotë se më shumë bëhej në periudhën kur nuk kishte fonde të donatorëve – para Nismës për Parandalimin e Dhunës Seksuale të lidhur me Konflikte që u themelua në vitin 2012 – kur aktivistët i investuan përpjekjet e tyre sepse e panë se kishte nevojë për t’i zgjidhur disa çështje të caktuara. Me ardhjen e shumave të mëdha të parave, numri i projekteve u rrit.
“Dhe çfarë ndodhi pastaj?, pyet Porobić Isaković. “Kishim plot punëtori, folëm me gra për çështje të ndryshme, ua shpjeguam ligjet, sollëm përfaqësues institucional në punëtoritë tona, dhe folëm me ta për të drejtat që i garanton ligji, por prapëseprapë, kur flet me gratë ato thonë se nuk mund t’i ushtrojnë disa prej të drejtave të tyre themelore”.
Kritika në Kosovë
Një model i ngjashëm me Bosnjen dhe Hercegovinën është zbatuar në shtetet tjera në rajon. Procesi i regjistrimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë (1998-99) u hap në shkurt të këtij viti. Të gjithë që e morrën këtë status, kanë të drejtë të marrin ndihmë sociale në formë të pagesës mujore në vlerë 230 euro, si dhe përfitime të tjera.
Ligji në Kosovë u miratua në mars 2014 pas një fushate të shoqërisë civile, por u deshën katër vite që Komisioni Verifikues të fillonte të shqyrtonte aplikimet.
Ndërkohë, si në BeH, OJQ-të dhe aktivistët ishin kryesisht ata që e mbajtën këtë çështje në sy të publikut, bashkë me ish-Presidenten e Kosovës Atifete Jahjagën, një avokuese e të drejtave të të mbijetuarve. Në vitin 2015, artistja Alketa Xhafa-Mripa e themeloi instalacionin e profilit të lartë ‘Thinking of You’ në stadiumin e futbollit në Prishtinë, ku qindra fustane të grave u varën në tela të teshave për ta ngritur nivelin e ndërgjegjësimit për luftën kundër stigmatizimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës.
“Duhet t’u japim më shumë kohë për ta mbledhur fuqinë e nevojshme për hapin e aplikimit, jo t’i kufizojmë me një periudhë simbolike, sa për të thënë se kemi bërë diçka.”
Ardiana Shala, aktiviste
Deri në qershor, 560 persona kishin aplikuar për këtë status; rreth 120 ishin miratuar, edhe pse vetëm gjysma e tyre po merrnin pagesat e ndihmës sociale, të paguara nga buxheti i shtetit. Dhjetëra grave u është refuzuar aplikimi, ku shumë prej këtyre rasteve janë apeluar nga OJQ-të në emër të të mbijetuarve.
Prej miratimit të ligjit, disa elemente të tij janë kritikuar nga sektori civil. Kritikët veçanërisht theksuan se procesi i aplikimit është i stërkomplikuar. Kundërshtime janë shprehur në lidhje me kërkesën për të dhënë informata të hollësishme në procesin e aplikimit, përfshirë këtu një përshkrim të përdhunimit, kohën dhe vendin ku ka ndodhur dhe informata për ndonjë formë të ndihmës që mund ta kenë marrë të mbijetuarit. Gjithashtu, të mbijetuarve u kërkohet ta dorëzojnë një letër të konfirmimit të shkruar nga një doktor apo një deklaratë të një dëshmitari, si dhe fotografi të lëndimeve, nëse është e mundshme.
Polemika ka shkaktuar edhe periudha e kufizuar – pesë vjet – në të cilën mund të aplikohet për statusin e të mbijetuarit/es të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës. Aktivistja Ardiana Shala paralajmëron se vendosja e një afati të tillë do t’i parandalojë të mbijetuarit të mos aplikojnë.
“Duke marrë parasysh se viktimat janë stigmatizuar dhe kanë pritur në heshtje për 20 vjet dhe se kjo mbështetje tani u jep shpresë të re për njohje të dhimbjes, mendoj se duhet t’u japim më shumë kohë për ta mbledhur fuqinë e nevojshme për hapin e aplikimit, jo t’i kufizojmë me një periudhë simbolike, sa për të thënë se kemi bërë diçka”, shkroi Shala më herët gjatë vitit.
Shpërfillja e krimeve dhe viktimave
Sa i përket ndjekjes penale të rasteve të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, tri gjykime janë kryer deri sot në Kosovë dhe secila prej tyre përfundoi me shfajësim, ndërsa TPNJ i ka ndjekur penalisht me sukses katër individë për sulme seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ndërkohë, në Serbinë fqinje deri më tani janë dorëzuar vetëm shtatë padi për krimin e përdhunimit gjatë kohës së luftës; katër prej tyre rezultuan në ndjekje të suksesshme penale.
Fondi për të Drejtën Humanitare (Humanitarian Law Center – HLC), që monitoron gjykime të krimeve të luftës, paralajmëron se në plot raste dëshmitarët në gjykime kundër të pandehurve që akuzohen për përdhunim, janë fyer dhe i janë ekspozuar sjelljeve degraduese nëpër gjykime. Gjithashtu, dëshmitarët nuk marrin mbështetje psikologjike, që është jetike.
Ivana Žanić, koordinatore e ekipit ligjor të HLC Serbia, thotë se kanë informata për vetëm 10 të mbijetuar – të gjithë nga shtetet fqinje – që mbulohen nga procedimet aktuale ligjore, ndërsa rastet e tjera janë në duart e Prokurorisë. “Me synimin për t’i ndjekur penalisht më shumë krime të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, në janar 2018, HLC i dorëzoi gjashtë akuza penale në prokurori për përdhunimin e gjashtë grave rome në Manastirin Beli në verën e vitit 1993”, thotë Žanić. “Megjithatë, deri tani nuk kemi marrë informata se a është duke punuar Prokuroria me këto akuza penale”.
Žanić thotë se Dhoma Speciale e Krimeve të Lufës në Serbi ende nuk i ka dhënë kompensim grave që u përdhunuan në luftë, duke shtuar se një person që aktualisht po mbështetet nga HLC në një rast të përdhunimit gjatë kohës së luftës, ende është duke e pritur vendimin e gjykatës për një kërkesë për kompensim që e bëri në vitin 2017.
“Dhënia e dëmshpërblimeve për personat që i mbijetuan dhunës seksuale duhet të shoqërohet me përpjekje nga e gjithë shoqëria për ta njohur problemin dhe për të luftuar kundër stigmatizimit dhe viktimizimit dytësor.”
Rosa Center for Women Victims of War
Ndërkohë në Kroaci, Ligji për të Drejtat e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Agresionit të Armatosur kundër Republikës së Kroacisë në Luftën për Atdhe u miratua në qershor 2015, duke themeluar statusin ligjor të viktimës së dhunës seksuale. Ky ligj i ofron atyre që e marrin këtë status një pagesë mujore në vlerë 2,500 kuna (rreth 330 euro), si dhe të drejtën për kujdes shëndetësor, rehabilitim mjekësor dhe ndihmë psikologjike. Ndryshe nga Kosova, atje nuk ka afat të fundit për dorëzim të kërkesave.
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP – United Nations Development Programme) vlerëson se në Kroaci janë rreth 2,000 të mbijetuar. Megjithatë, sipas Rosa Center for Women Victims of War, një OJQ e bazuar në Zagreb që ofron mbështetje për viktimat e luftës dhe formave të tjera të dhunës, vetëm 215 persona kanë aplikuar për statusin formal deri në mes të këtij viti dhe vetëm 132 prej tyre ishin të suksesshëm.
Rosa Center e kritikon shumë këtë ligj, si dhe zbatimin e tij. Veçanërisht thotë se numri i kërkesave të raportuara dhe aprovuara është i vogël dhe i papërfillshëm, dhe se një prej arsyeve për këtë, është mungesa e diskutimit publik për ligjin si dhe për statusin e të mbijetuarve.
“Dhënia e dëmshpërblimeve për personat që i mbijetuan dhunës seksuale, duhet të shoqërohet me përpjekje nga e gjithë shoqëria për ta njohur problemin dhe për të luftuar kundër stigmatizimit dhe viktimizimit dytësor të personave që i mbijetuan dhunës dhe familjarëve të tyre”, shkroi në një deklaratë të dhënë nga Rosa Center në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, në qershor të këtij viti.
Vendimet e gjykatave penale për kompensim
Sa i përket përmbushjes së të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale, Bosnja dhe Hercegovina është ajo që ende përdoret si shembull, pavarësisht të gjitha problemeve.
Aktivistët besojnë se një nga zhvillimet më të mëdha në BeH është se që nga viti 2016 gjykatat kanë filluar të marrin vendime për kompensimin që duhet ta japin të pandehurit gjatë procedimeve penale. Me vite të tëra, të mbijetuarit që donin kompensim duhej të ngritnin padi civile pas përmbylljes të rasteve penale.
Për të nisur raste të tilla, të mbijetuarit duhej të punësonin avokatë, e kjo në shumicën e rasteve ishte financiarisht e papërballueshme për ta. Megjithatë, problemi më i madh është se në padi civile nuk ka mundësi anonimiteti dhe pjesa më e madhe e personave që dhanë dëshmi para gjykatave penale për krime të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës e bënë me identitet të mbrojtur.
Korjenić nga TRIAL International thotë se ishte e gjatë rruga për t’i shtyrë gjykatat që ta zbatonin procesin e duhur dhe përfshiu plot aktivitete të shoqërisë civile, dhe shumë punë me të mbijetuar dhe me institucionet gjyqësore.
Në BeH, deri sot sistemi i ri është përdorur në nëntë gjykime, shtatë para gjykatave të nivelit shtetëror dhe dy në gjykata kantonale. Vendimet për pagesa të dëmshpërblimit arritën një total prej 10,000 deri në 30,000 marka të konvertueshme (5,000 deri në 15,000 euro).
Në vetëm dy prej këtyre rasteve arritën deri tek një vendim final, por në një rast i pandehuri nuk kishte para për ta paguar palën e dëmtuar.
“Tani jemi duke kërkuar mënyra për të ja mbushur mendjen shtetit që ta paguajë palën e dëmtuar, dhe më vonë ta mbledhë shumën nga individët e dënuar”, thotë Korjenić, duke e cekur hapin e ardhshëm të këtyre përpjekjeve. “Ekzistojnë standarde ndërkombëtare që tregojnë se në këto raste shtetet duhet të jenë përgjegjëse për pagimin e palës së dëmtuar dhe më pas të gjejnë një mënyrë për t’u rimbursuar nga individët e dënuar.”
Selma Korjenić, udhëheqëse e zyrës në Sarajevë të organizatës TRIAL International, thotë se duhet bërë më shumë për të siguruar se të mbijetuarit e luftës do ta marrin kompensimin që u jepet në raste gjyqësore. Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.
Në mënyrë që kjo të bëhet praktikë, TRIAL International avokon që Prokuroria të informohet për pronat e të akuzuarve, dhe që gjykata t’i bllokojë pronat e të pandehurve deri në fund të procesit, duke mundësuar pagimin e dëmeve nëse gjejnë se krimi është kryer. “Tanimë e kemi ngritur këtë rast në nivelin ndërkombëtar, para Komitetit të OKB-së Kundër Torturës, që mund t’i jepë rekomandime shtetit për atë se si zgjidhen këto çështje”, thotë Korjenić.
Përfaqësuesit e TRIAL International ngulin këmbë se mundësia për të kërkuar kompensim është thelbësisht e rëndësishme sepse ndihmon me fuqizimin e të mbijetuarve. “Në asnjë rast nuk është çështja te paratë, që ashtu kështu nuk janë shuma aq të mëdha; por është plotësim dhe mirënjohje për të mbijetuarit”, thotë Korjenić.
Porobić Isaković thotë se sukseset dhe dështimet në BeH mund të shërbejnë si mësim për shtete të tjera, veçanërisht Kosovën. “Bosnja dhe Hercegovina është si një projekt eksperimental që tregon shumë për procesin e marrjes së statusit [të të mbijetuarit/es], dhe për përmbushjen e ushtrimin e të drejtave”, thotë ajo.
Një nga mësimet më të rëndësishme të mësuara nga përvoja boshnjake, është se heshtja në lidhje me krimin nuk çon deri te shërimi i atyre që i janë nënshtruar torturës, e as te shërimi i shoqërisë.
“Shpeshherë dëgjojmë prej grave se nuk po luftojnë vetëm për të drejtat e tyre, pasi që janë të vetëdijshme se është tepër vonë për shumë prej të drejtave të tyre, ose që nuk do t’i ushtrojnë kurrë ato”, thotë Mlinarević. Por, sipas saj, gratë po e ngrisin zërin për hir të grave të tjera në botë, duke shpresuar se ajo që ndodhi në Ballkan nuk ndodh më në shkallë kaq të madhe, “ose të paktën në mënyrë që të sigurojnë mbrojtje adekuate për gratë për të cilat përmbushja e disa të drejtave të caktuara është e mundshme dhe për të cilat nuk është shumë vonë”.
Ajo shton se përvoja boshnjake është mësim që tregon se çështja e krimeve të luftës nuk mund të zgjidhet ekskluzivisht nëpërmjet gjykatave, por se duhet të kryhet “rehabilitimi i shoqërisë së pasluftës, e kjo fatkeqësisht është e pamundur nëse mbesin në pushtet politikanët luftënxitës që përfitojnë nga lufta”.
Korjenić pajtohet se mungesa e vullnetit politik për këtë proces të rehabilitimit të pasluftës mbetet problem për gjithë rajonin. “Me sa duket sistemi jonë nuk do ta lejojë procesin e ballafaqimit me të kaluarën të rrjedhë vetë”, thotë ajo.
Porobić Isaković beson se ende ka shpresë dhe se janë bërë disa hapa të rëndësishëm, përfshirë këtu gjykimet penale, por thekson se “plot autorë të këtyre krimeve ende po ecin të lirë rreth nesh”.
E vetmja mënyrë për t’i ofruar pak qetësi të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, është futja në burg e autorëve të këtyre krimeve. Dhe ky është një proces që nuk do të kryhet në të ardhmen e afërt.K
Redaktuar nga Jack Butcher.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia