Biseda | Media

Anamari Repiq: Ne i harrojmë njerëzit dhe jetët e tyre për shkak të politikës

Nga - 29.03.2018

Gazetarja e kahmotshme dhe nënkryetarja e dikurshme e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës flet për mediat dhe komunitetet pakicë.

Anamari Repiq u kthye në Kosovë për ta nisur karrierën e saj si gazetare në vitin 2000, kohë në të cilën pjesa më e madhe e serbëve të Kosovës nuk e kishin opsion jetesën në këtë vend. Kur u kthye, ajo i bëri hapat e parë të karrierës së saj në gazetari, karrierë që tanimë i ka zgjatur gati 20 vjet. Në këtë periudhë ajo gjithnjë ka punuar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), transmetuesin publik shtetëror.

E lindur në Prizren, ajo dhe familja e saj e braktisën këtë qytet në qershor 1999, menjëherë pas luftës, bashkë me shumë serbë të tjerë të Kosovës. Ndonëse familja e saj e nisi një jetë të re në Serbi, Repiq erdhi në Prishtinë për ta përmbushur ëndrrën e saj të kahmotshme.

Gjatë viteve të ‘90-a dhe gjatë propagandës së epokës Milosheviqit, ajo i përcillte rregullisht mediat e ndryshme ndërkombëtare dhe refuzonte t’i shikonte vetëm lajmet e shërbyera nga mediatt serbe, në të cilat qeveria e Millosheviqit ushtronte censurë masive.

“Gjithmonë e kam dashur gazetarinë dhe i kam përcjellë intensivisht mediat e pavarura, Radion Europa e Lirë dhe Zërin e Amerikës në veçanti”, thotë Repiq. “Doja të merrja informata të sakta në lidhje me ato që ndodhnin rreth nesh, sepse e shihja me sytë e mi ç’po ndodhte, po i shihja veprimet e regjimit Millosheviqit në Kosovë dhe në Serbi”. Pastaj ajo përjetoi atë që e përshkruan si ‘ndryshim të fatit’. Asaj iu ofrua një punë në një prej mediave të preferuara të saj, në Radion Europa e Lirë, ku punoi për 10 vjet paralelisht me punën e saj në RTK.

Në RTK ajo gjithashtu shërbeu si zëvendësdrejtoreshë deri në vitin 2016. Ajo merrej në veçanti me informimin e komuniteteve dhe zhvillimin e programit për komunitetet pakicë. Në vitin 2009, ajo ishte moderatore e emisionit “Sve je moguće sa Anom.” (“Gjithçka është e mundur me Anën.”). Ky emision fokusohej në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe transmetohej në RTK në Kosovë dhe në B92 në Serbi. Prej vitit 2008 ajo ka shërbyer si zëvendëskryetare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, organ vetërregullues i cili trajton etikën në gazetari, në media të shkruara dhe në ato online.

K2.0 u takua me Anamarinë për të diskutuar për atë se si është të jesh minoritet etnik në Kosovë, për përfaqësimin medial dhe për rolin që e luajnë mediat për afrim të komuniteteve.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0: Jam e vetëdijshme se mediat e ndryshme të cilat i keni përcjellë gjatë viteve të ‘90-a, si Radio Europa e Lirë, kanë ndikuar te ju dhe te karrierën që e keni zhvilluar në gazetari në vitet në vazhdim. Duke pasur parasysh ndikimin e madh të propagandës së madhe të krijuar nga mediat serbe në atë kohë dhe ndikimin që e kishte ajo në popullsinë serbe, duhet pasur shumë vendosmëri për t’i ndjekur mediat e tjera…

Anamari Repiq: Është e rëndësishme sepse unë jam person i vetëdijshëm dhe e kam parë me sytë e mi çfarë po ndodhte rreth nesh. Sigurisht mund t’i dalloja gjërat, sepse po lexoja shumë dhe isha rritur në një familje e cila diskutonte gjëra, shkëmbente mendime dhe zhvillonte debate e diskutime. Dhe sigurisht isha e vetëdijshme për atë se çfarë ishte e çfarë nuk ishte propagandë.

Pasi që e dija çfarë ishte propagandë, doja t’i dëgjoja informatat e vërteta. E dimë se gjatë viteve të ‘90-a pjesa më e madhe e njerëzve i besuan propagandës, dhe kemi një situatë në të cilën shumëkush vazhdon t’i besojë asaj edhe sot. Megjithatë, mendoj se obligimi im, tani që kam pasur mundësinë të bëhem gazetare, është të vazhdoj të raportoj në mënyrë të sinqertë, objektive dhe profesionale – dhe sigurisht e njëkohësisht, gjithmonë ta kem në mendje se njerëzit me të cilët bisedoj kanë qëndrime të caktuara politike.

Gjëja më e rëndësishme është t’u japësh zë njerëzve të thjeshtë, atyre të cilët jetojnë aty dhe ata të cilët ndikohen nga vendimet politike. Të gjithë janë të interesuar në jetët e njerëzve të thjeshtë, mendimet e tyre për këtë e atë në Kosovë, këtë e atë në Serbi. Unë gjithmonë kam qenë e vetëdijshme për këtë.

Ju u kthyet në Kosovë në vitin 2000, në një kohë kur pjesa më e madhe e serbëve të Kosovës ikën për në Serbi dhe vendet e tjera, kur serbët nuk ishin shumë të mirëpritur nga popullsia shqiptare e Kosovës…

Ishte mjaft vështirë në atë kohë. Megjithatë, kisha miq shqiptarë dhe serbë. Shumë shpejt krijova marrëdhënie profesionale me disa të huaj të cilët po e drejtonin radion Blue Sky. Aty mësova gazetarinë. Ata ishin profesionistë nga Franca, Zvicra dhe shtetet e tjera. Po, ishte e vështirë. Duhej të kujdeseshe për vetën, të kishe kujdes ku po shkoje… Thjesht, ishin kohë me të vërtetë të vështira për serbët, veçanërisht në Prishtinë.

Por arrita ta tejkaloja disi, të jetoja dhe të punoja këtu. Pra besoj se, falë profesionalizmit tim, disi e fitova besimin e një rrethi të brendshëm, dhe më vonë të jashtëm të njerëzve. Sepse nuk isha aty për të shpërndarë propagandë – erdha për të jetuar dhe për të punuar, dhe për mua kjo ishte një mundësi për të bërë diçka ndryshe në jetën time. U larguam nga Prizreni, por këtu erdha për ta ndërtuar karrierën time.

Ju keni punuar në RTK për një kohë të gjatë. RTK2 transmeton në gjuhën serbe, por a mendoni se transmetuesi publik e ka arritur synimin: të dëgjohet nga serbët e Kosovës? Apo ndarja e kanaleve të transmetuesit publik në gjuhë të ndryshme ka luajtur rol në ndarjen e mëtejme të zërave?

RTK2 është kanal që përfaqëson një hapësirë publike në të cilën serbët e krijojnë televizionin e tyre, programe që janë relevante për këtë komunitet, me qëllim të nisjes së debateve të cilat mungojnë në këtë komunitet. Ndërtohet një hapësirë ku ata kanë më shumë mundësi të flasin për çështjet të cilat i shohin si të rëndësishme, për probleme e interesa. Ofron mundësi për të diskutuar për të ardhmen e tyre.

Kjo është ideja. Kanali RTK2 ka edhe programe në gjuhë të tjera, duke përfshirë këtu gjuhën boshnjake, turke dhe malazeze. Dhe ne planifikojmë t’i zhvillojmë më tej programet tona. Megjithatë, sa u përket programeve që janë në gjuhën serbe apo shqipe, ne jemi të obliguar të raportojmë edhe për jetët e komuniteteve të tjera. Unë besoj se programet e RTK2 në të gjitha gjuhët kanë llojllojshmëri, veçanërisht në raportet e gazetarëve në terren.

"T’i shohim ata të cilët kanë arritur sukses, dhe atë se çfarë përbënë suksesi për minoritetet në Kosovë. Si duket suksesi nëse i përket një komunitetit minoritar?"

Për shembull, miqtë e mi shqiptarë ndonjëherë më thonë se më kanë parë në programin e mëngjesit në RTK2, ose në ndonjë lajm timin në lajme të RTK2. Kjo do të thotë se njerëzit e ndjekin këtë program, e shikojnë. Disa [prej audiencës së RTK2] gjithashtu më ndjekin kur raportoj për RTK1.

Sigurisht se është e nevojshme që, jo vetëm RTK2, por të gjitha mediat në Kosovë të raportojnë më shumë për jetët e të gjitha komuniteteve. Mediat që raportojnë në gjuhën shqipe duhet të raportojnë edhe për atë se si jetojnë çdo ditë serbët, romët, boshnjakët.

Kjo nevojitet për të mos krijuar befasi – duke bërë që të mos e kuptojmë se si është zhvilluar një problem apo prej nga ka ardhur. Ura e Mitrovicës nuk duhet të jetë e vetmja gjë për të cilën shkruhet. Duhet të shohim si jetojnë njerëzit çdo ditë, t’i shohim kushtet e jetesës së shqiptarëve dhe të serbëve.

Kjo është ideja e RTK2. Të krijojhet një hapësirë publike e cila do t’u shërbejë kryesisht serbëve të Kosovës, por jo vetëm atyre. Kjo është hapësira në të cilën, në gjuhën serbe, diskutohen problemet e ndryshme, jo vetëm problemet e serbëve… dhe unë besoj se ky është misioni që ne po e përmbushim, ngadalë dhe gradualisht.

A ka statistika të cilat tregojnë nëse serbët e Kosovës e shikojnë me të vërtetë RTK2? Sepse shpeshherë supozohet se pjesa më e madhe informohen nga mediat në Serbi.

A e din qysh… sigurisht ka hulumtime të cilat thonë se serbët i preferojnë kanalet televizive nga Serbia, si RTS [Radio Televizioni i Serbisë] apo kanalet e tjera që janë tërheqëse, veçanërisht Pink, ku ofrohen programe zbavitëse. Është shumë e rëndësishme që programet në gjuhën serbe dhe programet që janë në gjuhët e tjera dhe shfaqen në RTK1, të mos shihen si konkurrencë nga stacionet e tjera televizive. Këtu ka rrëfime të njerëzve që jetojnë këtu, rrëfime që mund të mos ofrohen nga kompanitë e tjera. Në RTS nuk ke raporte 24 orë për jetën e përditshme në Kosovë.

Është e rëndësishme që njerëzit t’i njohin gazetarët të cilët punojnë në terren këtu, për shembull në Prizren apo Shtërpcë. Është mirë kur njerëzit u thonë ‘u, ju jeni ata nga televizioni’. Dhe kjo po ndodh. Njerëzit shikojnë, i njohin ekipet, dhe duan të deklarohen, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kjo do të thotë se ata duan t’i transmetojnë zërat, rrëfimet, problemet e tyre në RTK2, dhe në RTK në përgjithësi.

Ata e dinë se ka storie për jetët e serbëve në Kosovë [në stacione të tjera], por jo në orar 24-orësh. Kjo është vlera e këtij kanali televiziv. Mendoj se duhet të bëhet më shumë për ta afruar programin tonë më shumë tek qytetarët, që qytetarët të marrin pjesë në përmbajtje të ndryshme, sepse ky kanal televiziv është i ri.

E mediat e tjera kosovare të rrymës qendrore? A mendoni se ato raportojnë mirë dhe drejt për minoritetet në Kosovë, qoftë për minoritetin serb apo ndonjë tjetër?

Definitivisht besoj se duhet të ketë më shumë hapësirë për të gjitha komunitetet në të gjitha mediat në Kosovë. Është shumë e rëndësishme të raportohet për jetën e minoriteteve, cilido grup qoftë. Në këtë rast po flasim për grupet etnike. Është shumë e rëndësihsme.

Këto komunitete i ndajnë të njëjtat probleme me shumicën: papunësia, rrugët, shkollat, sistemi i ngrohjes… Prandaj është shumë e rëndësishme të raportojmë për këto dhe të mos i bëjmë të ndihen të përjashtuar. Duhet t’i bëjmë të ndihen si pjesë e shoqërisë. Në këtë mënyrë, ata do të fillojnë të mendojnë për të ardhmen e tyre këtu, për të shkuar në shkollë këtu, për t’u punësuar, për të krijuar familje, për ta planifikuar jetën dhe për t’i dhënë kontribut shoqërisë si serbë, boshnjakë, romë… Kështu ata do të jenë pjesë e nismave, lëvizjeve, pjesë e shoqërisë civile.

Unë besoj se mjafton të raportosh për këto, por… nuk di si ta them… ndoshta mediat që janë në gjuhën shqipe mendojnë se të raportosh për problemet si korrupsioni… që këto çështje ndikojnë edhe tek minoritetet. Mirë, por të shohim sa më shumë raporte për romët dhe për goranët në Kosovë – të shohim çka shpresojnë ata. Ne e dimë çfarë probleme kemi, por unë besoj se është koha të gjejmë shembuj pozitivë për të parë se çfarë na jep shpresë. Kjo është diçka për të cilën duhet të raportohet më shumë.

Ne e dimë shumë mirë se çfarë probleme kanë serbët, se shumë prej tyre janë persona të zhvendosur përbrenda, por të shohim si ndihen ata të cilët janë kthyer në Kosovë, dhe ata të cilët jetojnë këtu. T’i shohim ata të cilët kanë arritur sukses, dhe atë se çfarë përbën suksesi për minoritetet në Kosovë. Mendoj se kjo është diçka që duhet të theksohet tani. Si duket suksesi nëse i përket një komunitetit minoritar?

Sigurisht ngjarjet politike po e largojnë vëmendjen nga këto tema. Disi po i harrojmë njerëzit të cilët janë këtu, jetojnë këtu dhe janë humbur diku në mesin e të gjitha këtyre proceseve. Të raportojmë për ta së bashku dhe ta krijojmë njëfarë rruge. T’i ndihmojmë ata të mendojnë për atë se si mund të bëhen pjesëmarrës aktivë në shoqëri.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

I përmendët personat e zhvendosur përbrenda. Para dy viteve, K2.0 zhvilloi një hulumtim për serbët e Kosovës të cilët u larguan nga vendi pas luftës, me fokus në statusin e personave të zhvendosur përbrenda. Shpeshherë të intervistuarit aludonin se frika për t’u kthyer në Kosovë vinte nga mediat në Serbi, të cilat ende i përfaqësojnë shqiptarët në mënyrë shumë problematike.

Të gjithë e dimë çfarë po bëjnë mediat në Serbi aktualisht. Ndonëse në njërën anë, politikat zyrtare të Beogradit po kërkojnë zgjidhje për t’i rregulluar marrëdhëniet me Kosovën, në anën tjetër janë mediat, mediat sensacionaliste sigurisht, të cilat shpërndajnë urrejtje të pafund, urrejtje etnike. Dhe kur kemi urrejtje etnike, e dimë se kush shënjestrohet më së shpeshti me sulme: shqiptarët, boshnjakët, kroatët, e kështu me radhë.

Tani i kemi këto dy situata: Politikat zyrtare avokojnë për normalizim të marrëdhënieve, siç u tha në Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar me Prishtinën – sistemi i drejtësisë është integruar, institucionet serbe në Kosovë janë shfuqizuar ose po shfuqizohen gradualisht, po zhvillohen bisedime për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – dhe në anën tjetër, prapëseprapë i kemi këto media ekstreme që shpërndajnë urrejtje.

Kë do ta dëgjojnë serbët e zhvendosur? Njerëzit duhet të arsimohen për ta dalluar gënjeshtrën në media – për ta kuptuar se çfarë është propaganda dhe interpretimet e njëanshme. A kanë kohë personat e zhvendosur të mendojnë se cili medium ka të drejtë? Jo, nuk kanë.

Prandaj mendoj se, pa marrë parasysh situatën e mediave në Serbi, Prishtina dhe Beogradi e kanë për obligim t’i ndihmojnë ata njerëz, ose t’i kthejnë në Kosovë, ose t’i integrojnë në vendet në të cilat ata duan të jetojnë, nëse nuk duan ose nuk kanë mundësi të kthehen. Por nëse duan të kthehen, atëherë me të vërtetë është koha për t’i strehuar, për t’u gjetur punë dhe sigurisht për t’u ofruar mundësi fëmijëve të tyre.

"Demokraci është kur minoritetet i kanë të drejtat e njejta si shumica. Kjo është demokracia."

Prandaj po them se është koha që ne të flasim për shpresat dhe mundësitë e atyre të cilët jetojnë këtu, të flasim për ato që i mbajnë këta njerëz këto, për mënyrën e organizimit të jetës së tyre këtu. Duhet të flasim për këto tani. Shërbimi i transmetuesit publik në gjuhën serbe, si dhe mediat e tjera serbe, institucionet dhe komuniteti ndërkombëtar, duhet t’u ndihmojnë këtyre njerëzve për të gjetur vend dhe ardhmëri këtu.

Për të ardhur deri te vendimi për të jetuar këtu, shumica duhet të ndihmojë dhe t’ua bëjë atyre me dije  se edhe ata mund të jenë pjesë e kësaj shoqërie. Në mënyrë që çdo ditë, pas orës katër, kur kryhet orari i punës dhe ata shkojnë në Graçanicë, kontaktet e tyre me kolegët shqiptarë të mos përfundojnë me kaq, por të vazhdojnë të kenë lidhje kulturore dhe shoqërore. Në mënyrë që këto marrëdhënie të mos ndalen kur kryhet orari i punës.

Duhet të vendosin të gjithë që të punojnë më shumë për t’i zhvilluar më tej lidhjet shoqërore, dhe jo vetëm ato politike. Unë e shoh si një kohë për lidhje shoqërore. Por për ta arritur këtë, duhet të ketë vendime politike, vendime të cilat ndikojnë tek njerëzit dhe u ndihmojnë atyre ta vazhdojnë jetën.

Kjo vlen edhe për personat e zhvendosur. Pra, nëse me të vërtetë duam, atëherë të gjithë duhet të përfshihen për t’i kthyer ata. Nëse nuk mund të kthehen në Prishtinë, atëherë le të kthehen në Graçanicë, apo ku duan të kthehen – ku mund të kthehen, të punojnë… ku kanë shkolla. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Mendoj se është proces i madh dhe ndoshta duhet të kërkohet përvoja jashtë vendit, në vende të cilat janë përballur me probleme të ngjashme me persona të zhvendosur.

Në pjesën më të madhe të vendeve të Kosovës, komunitetet jetojnë të ndara. Çfarë politika duhet të miratohen për të kontribuuar më shumë në socializimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës? Si mund ta mundësojmë socializimin pas orës katër, siç thatë edhe vet?

Sinqerisht kjo duhet të lidhet kryesisht me krijimin e mundësive të ndryshme. Anëtarët e minoriteteve duhet të bëhen të barabartë sa i përket shpërndarjes së vendeve të punës, në ngjarje socio-politike, në procese të vendimmarrjes. Thjesht, që kur dikush dëshiron të aplikojë për një vend pune, nuk duhet të jetë shqiptar apo serb, por thjesht i/e aftë ta kryejë punën. Që askush të mos mendojë se është kryer puna kur të përmbushet kuota në vlerën gjashtë, nëntë apo dhjetë për qind.

Serbët shpeshherë thonë: ‘Eh po nuk ka fakultete të gjuhës serbe në Prishtinë. Nuk ka shkolla, nuk ka gjë. Si mund të krijojmë familje atje? Por vetëm 15 minuta më larg e kemi Graçanicën, ku njerëzit jetojnë më mirë sepse kanë shkollë’. Duhet të merren vendime për ta kundërshtuar këtë mënyrë të të menduarit.

Gjithashtu, kur jeton në një ambient, besoj se është e rëndësishme t’i njohësh gjuhët. Gjuhët janë pengesa teknike, në kuptimin e plotë të fjalës.

Çka tjetër? Pajtimi duhet të ndodhë. Kur flasim për pajtim, fokusohemi në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë. Megjithatë, unë besoj se serbët të cilët jetojnë në Kosovë duhet të flasin gjithashtu për pajtim me serbët. Kjo është çështje kyçe – mënyra se si do të diskutohet pajtimi.

Pse është e rëndësishme të diskutojmë për atë që ka ndodhur? Thjesht për t’i pranuar faktet dhe ekzistimin e tyre: Njerëzit janë vrarë dhe janë humbur, familjet po i kërkojnë të dashurit e tyre, shtëpitë janë djegur, njerëzit janë dëbuar. Disa janë kthyer, e disa nuk mund të kthehen. Të flasim për këto fakte dhe thjesht ta pranojmë dhimbjen e palës tjetër. Nëse politikanët nuk mund ta bëjnë këtë, shoqëria civile mund ta bëjë këtë.

Element kyç për këtë është se duhet të niset nga shumica. Sepse ata janë shumica. Shumica duhet t’u mundësojë pakicave një jetë më të mirë dhe më normale. Sepse kjo është demokracia. Demokraci është kur minoritetet i kanë të drejtat e njëjta si shumica. Kjo është demokracia.

Por është sfidë e madhe t’i kundërshtosh pikëpamjet e rrënjosura për ngjarjet e viteve të ‘90-a në Kosovë, gjatë dhe pas luftës. Veçanërisht me librat ekzistues të historisë të cilët përdoren në sistemet e arsimit në Kosovë dhe në Serbi.

Historia është çështje kyçe e cila trajtohet në zona pas konfliktit. Kjo çështje disi ka ngecur dhe është lënë për fund. Unë besoj se Ballkani mund të frymëzohet nga Gjermania apo Franca në këtë aspekt. Ka nisma të caktuara për transferimin e përvojave pas Luftës së Dytë Botërore dhe analizimin e mënyrës së zgjidhjes së çështjes së mësimit të historisë, mënyrë e cila me kalimin e kohës kontribuon në pajtim, në marrëdhënie më të mira dhe në normalizim. Megjithatë, procesi i ndryshimit të planprogramit mësimor me gjasë merr më shumë kohë. Prandaj them se fillimisht duhet të merren vendimet politike. A duam ta realizojmë pajtimin?

Presidenti Vuçiq së fundmi tha se pajtimi historik duhet të ndodhë ndërmjet dy popujve, ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Në Kosovë kemi një situatë në të cilën Thaçi e ka formuar Komisionin e Pajtimit. Kjo do të thotë se diçka po bëhet në fushën e normalizimit të marrëdhënieve. Me gjasë është e domosdoshme të marrim vendime politike të cilat shndërrohen në ligje, në dokumente ligjërisht të obligueshme, dhe pas kësaj do të veprojnë të gjitha institucionet. Duhet të merret dhe të miratohet një vendim më madhor.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Më herët e përmendët mësimin e gjuhës së tjetrit. Gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhë zyrtare në Kosovë, por nuk është obligative të mësohen nga të dy komunitetet.

Mendoj se para shumë kohe ishte obligative. Në shkollë fillore unë mësoja shqip, dhe e dija mirë në atë kohë. Megjithatë, në fillim të viteve të ‘90-a, serbët e shfuqizuan mësimin e gjuhës shqipe.

Gjithmonë kam pasur njohuri pasive. E kisha në kokë, i kuptoja disa gjëra, por nuk mund të flisja apo t’i shfrytëzoja ato njohuri që i kisha. Në vitin 2000, kur fillova të punoja si gazetare, e mësova gjuhën vet, prej librave, prej fjalorëve e gazetave. Duhet të di se çfarë ndodh rreth meje. Dua të di se si të komunikoj me miqtë dhe kolegët e mi në gjuhën shqipe. Nuk mund ta kaloj gjithë jetën time duke folur me ta vetëm në gjuhën serbe.

Dhe sigurisht dua të jem më e informuar dhe të jem e aftë të flas një gjuhë tjetër – vlen më shumë, dhe njerëzit të respektojnë më shumë. E mëson një kulturë tjetër duke folur gjuhën. I kupton disa gjëra në jetë kur mësohesh me këtë. E kupton kush jemi, çfarë jemi. Nuk mendoj se duhet të shihet si obligim, por si mundësi – si diçka që na pasuron më shumë.

"Gjuhët serbe dhe shqipe janë gjuhë zyrtare dhe të gjithë duhet t’i njohin."

Praktikisht, duhet të ekzistojnë mundësitë për të mësuar gjuhën shqipe në shkollat fillore të zonave serbe. Me të vërtetë nuk e besoj se askush s’do të mësonte shqip. Sepse në jetën e përditshme, në çdo nivel, kjo shihet si shumë e domosdoshme – për të biseduar në kafeteri e restorante, për të blerë sende, për të komunikuar me miq, kolegë, fqinj… e për të ofruar mendime në hapësirë publike në gjuhën shqipe apo serbe.

Pra, kjo duhet të shërbejë si mënyrë e përmirësimit të vetes, por edhe për t’i respektuar të tjerët. Për t’u treguar njerëzve, si shqiptarëve ashtu edhe serbëve, se njohuritë për gjuhë janë pasuri, e jo problem. Gjuhët nuk duhet të trajtohen si çështje politike, por si çështje shoqërore. Sepse nuk mund ta kalosh gjithë jetën duke e njohur vetëm një gjuhë. Atëherë mbetesh i varfër, i kufizuar, dhe injorant ndaj kulturave tjera. Nuk mëson asgjë të re. Veçanërisht nëse jeton në një ambient i cili përbëhet prej shumë grupeve etnike, ku flitet gjuha turke, rome etj. Ku jeton dhe punon me njerëz të ndryshëm, me komunitete që flasin gjuhë të ndryshme. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme të marrim vendime për t’u ofruar mundësi shkollave, qyteteve, fshatrave për të mësuar gjuhë të tjera. Kjo është e rëndësishme.

Nxënësit në Shkollën Fetare në Prizren, ata të cilët mësojnë për t’u bërë priftërinj, tani mësojnë edhe gjuhën shqipe. Kjo do të thotë se ata e kanë kuptuar sa e rëndësishme është kjo. E kam fjalën për Shkollën Fetare Ortodokse në Prizren, qytet ku nuk ka serbë dhe ku priftërinjtë jetojnë me shqiptarë. Për ta është shumë me rëndësi ta njohin gjuhën, t’u thonë njerëzve ‘Mirëdita’, ‘Mirëmëngjes’ dhe ‘Ditën e Mirë’. Fillimisht duan ta mësojnë këtë, dhe pastaj sigurisht të tjerat. Të jenë të aftë ta shprehin veten në debate fetare, të shkëmbejnë mendime, dhe të mos bllokohen si pasojë e mungesës së gjuhës.

Gjithashtu po dëgjoj se shumë zyrtarë komunalë po mësojnë gjuhë të ndryshme. Kjo është shumë me rëndësi, kontakti i parë me qytetarët. Gjuha serbe dhe shqipe janë gjuhë zyrtare dhe të gjithë duhet t’i njohin ato.

Ju flisni rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe e di se kjo bën që shumëkush t’ju shohë si grua e cila është integruar shumë mirë në shoqërinë kosovare. Si e perceptoni këtë?

Fillimisht, nuk mendoj se jam ndonjë person jashtëzakonisht specifik. Jam një person normal i cili e di se ku është duke jetuar, pavarësisht rrethana politike apo njerëzve me qëndrime të ndryshme politike. Dua të jem pjesë e shoqërisë në të cilën jetoj. Kam miq rreth meje, pa marrë parasysh kush janë ata, dhe dua që kolegët e mi të më shohin si kolege, e jo si grua serbe. Dhe gjithashtu që unë të mos i shoh njerëzit vetëm si shqiptarë. Dua ta shohim njëri-tjetrin si profesionistë, kolegë, dhe sigurisht, si miq.

Kam shumë miq të cilët nuk janë serbë, dhe kjo është normale për mua. Nuk e shoh si diçka fantastike apo të jashtëzakonshme, por si situatë normale. Ndoshta kjo është për shkak se jam rritur në Prizren, në një qytet multietnik. Kjo përzierje kulturore ndodhi në momentin e duhur në jetën time, në fëmijëri, dhe vazhdoi gjatë rinisë sime. Por lidhet gjithashtu fakti se kisha mendje të hapur, isha kundër shtypjes së çdo lloji, dhe e pashë dhe kuptova çfarë po ndodhte gjatë viteve të ‘90-a. Kjo ndikoi tek unë.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është realizuar në gjuhën serbe.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.