S`fundmi | Kodi Civil

Hajde Folim: Shumë homofobi për një fjali

Nga - 08.04.2022

Data: 14 prill

Koha: 17:30

Vendi: Hub 2.0

Draft kodi civil i Kosovës, puna në të cilin nisi që prej vitit 2014, u votua së fundmi në Kuvend. Tonin e debatit në Kuvend e vendosi fillimisht deputetja Duda Balja, kryetare e Komisionit për të drejta të njeriut në Kuvend, në një postim në Facebook ku doli kundër kodit për shkak të një fjalie të vetme për bashkësitë civile midis personave të sekseve të njëjta. Postimi shpejt u bë qendër e gjuhës së urrejtjes kundër njerëzve të komunitetit LGBTQ+.

Gjatë debatit rreth draft kodit, disa deputetë keqprezantuan kodin, duke thënë që i njeh martesat midis personave të sekseve të njëjta. Në fakt, ky kod jo që s’i njeh martesat midis personave të sekseve të njëjta fare, por nuk i njeh as bashkësitë civile midis tyre, duke shtuar një fjali të mjegullt që një ligj i ardhshëm do t’i rregullojë ato. 

E përkundër saj, deputetët folën në mbrojtje të asaj që ata e quajtën familje dhe vlera familjare. Këtë e bënë duke u bazuar në qëndrime të zakonshme homofobike dhe koncepte të gabuara që ndjellin frikë. Bashkësitë civile midis sekseve të njëjta, sipas shumicës së deputetëve që votuan kundër kodit, do ta shkatërronin familjen, do ta rrezikonin ekzistencën e njerëzimit dhe do ta rrezikonin moralin e shëndetin publik. As kryeministri e as presidentja nuk e kanë dënuar gjuhën që u përdor në parlament. 

Një fjali, në këtë kod me plot 1630 nene u bë shkak që kodi përfundimisht të refuzohet. Anipse seanca mbaroi, jehona e asaj që u tha në parlament më 16 mars mbetet e më së shumti i rëndon qytetarët LGBTQ+, të cilët edhe përpara këtij diskutimi shtypeshin sistematikisht. 

Tash që s’u votua drafti i Kodit Civil, një draft i ri pritet t’u shkojë në duar deputetëve për votim. Çka flet ajo që u tha në parlament për respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë? Çka mund të presim prej draftit të ri të kodit civil? Si erdhën punët deri këtu? Janë vetëm disa prej pyetjeve që do t’i shtjellojmë në diskutimin tonë të radhës më 14 prill me:

  • Blert Morina – drejtor ekzekutiv në Qendra për Barazi dhe Liri (CEL);
  • Naim Qelaj – Avokat i popullit;
  • Nazlie Balaj – Këshilltare politike e ministres së drejtësisë në Kosovë.

 

Biseda do të moderohet nga Aulonë Kadriu, redaktore në K2.0.

Do të ketë përkthim në gjuhët angleze dhe serbe.

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0.

 

 

 

Kjo bisedë është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP. Përmbajtja e kësaj bisede është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

Pse kjo klauzolë?