Në katin e nëntë të Hotelit “Grand”, në një hapësirë gati tërësisht të errët, drita e vetme vjen nga tri ekrane të mëdha të varur ngjitas me njëri-tjetrin. Aty është i ekspozuar video-instalacioni i artistit shkodran, Lek M. Gjeloshi, “In the Visoki Deçani Crucifixion fresco there are no UFOs”. Instalacioni është pjesë e ekspozitës “The Grand Scheme of Things” (në shq. “Skema e Madhe e Gjërave”), të edicionit të 14-të, të Bienales Nomade Evropiane, “Manifesta”, që po mbahet në Prishtinë deri në fund të muajit tetor.
E shoqëruar në prapavijë me tinguj nga kozmosi, videoja rreth dhjetë minutëshe, që duket se shfaq imazhe galaktikash, fton për udhëtim drejt një misteri që mbështjell dy simbole të një afresku të shekullit të XIV-të, të gjendur në Manastirin e Deçanit — kompleksin e Kishës Ortodokse Serbe, i cili prej dy dekadash është i përfshirë në beteja ligjore me institucionet e Kosovës në lidhje me të drejtën e përdorimit të tokës.
Dy simbolet, të njohura nga historianët e artit si “dielli” dhe “hëna”, që janë pjesë e skenës së kryqëzimit të Krishtit të paraqitur në afresk, u bënë subjekt diskutimesh konspirative të shumta sipas të cilave, ato ishin figura që dëshmonin për ekzistencën e jashtëtokësorëve dhe UFO-ve.
Në video-instalacionin e Gjeloshit shfaqet një këto dy simbole –– “hëna”. Teksa duket se në video nuk po ndodh asgjë, në ekranin e tretë hyn figura e “hënës” që lëviz ngadalë, duke lënë përshtypjen e një objekti kozmik, i cili më pas zhduket.
Video-instalacioni i Lek M. Gjeloshit është i ekspozuar në katin e nëntë të Hotelit “Grand”, si pjesë e edicionit të 14-të, të bienales “Manifesta”. Foto: Esad Duraki.
“Më pëlqente momenti gati futurist që evokonte subjekti në vetvete si trup qiellor. Kishte një lloj intrige, që më nxiti të krijoj diçka me të”, tha Gjeloshi, ndërsa shpjegoi preokupimin me simbolin e afreskut.
I diplomuar për Art Pamor në Akademinë e Arteve të Bukura të Firencës, Gjeloshi në vitin 2016 u shpërblye nga Instituti i Tiranës për Art Bashkëkohor me çmimin “Ardhje” për artistët e rinj pamorë në Shqipëri. Puna e tij artistike është paraqitur në disa ekspozita personale në Shqipëri, Kosovë, Itali e Francë, ndër të tjera.
K2.0 u takua me të për të biseduar rreth video-instalacionit të prezantuar në “Manifesta”, ekspozitave të tij personale dhe artin konceptual.
K2.0: Video-instalacioni merr shkas nga dy simbole të një afresku që gjendet në Manastirin e Deçanit, i cili ishte përfunduar nga një autor i panjohur në shekullin XIV. Prej nga nisi ky preokupim me afreskun?
Lek M. Gjeloshi: Isha kurioz për fantazitë që evokonte figura, që duket si një raketë, si një kometë, duket si një kapsulë hapësinore që mban brenda një astronaut. Më pëlqente momenti gati futurist që evokonte subjekti në vetvete si trup qiellor, por edhe fakti që vinte nga një kohë e largët për ne. Po flasim për shekullin XIV. Në përgjithësi, elementet apo subjektet me karakteristika science-fiction [fantashkencë] projektohen në të ardhmen; në rastin tim, kjo prezencë projektohet në të shkuarën. Kishte një lloj intrige, që më nxiti të krijoj diçka me të.
Unë kam punuar vetëm me njërin prej dy simboleve, me të ashtuquajturën “hënë”. Këto dy simbole janë bërë shumë popullore në vitet e ’60-ta. Fillimisht nga një revistë e ish-Jugosllavisë e quajtur “Lumière”, ku janë publikuar për herë të parë disa fotografi të këtyre dy subjekteve të çuditshme të afreskut. Pastaj, pak vite më vonë, nëpërmjet një reviste kulturore të ish-Bashkimit Sovjetik, e quajtur “Sputnik”, ku kanë filluar të vërshojnë teoritë e konspiracionit, sipas së cilave, ato figura janë provë e pamohueshme e ekzistencës së alienëve. I gjithë narracioni rreth tyre filloi ta merrte këtë drejtim: me astronautë dhe alienë, të cilët kanë ardhur nga një galaktikë tjetër për të na vizituar.
Realisht, çdo gjë është duke ndodhur tek skena e vdekjes së Krishtit në kryq. Kjo është e rëndësishme për t’u cekur, sepse në figuracionet e asaj periudhe, këto skena shoqëroheshin përgjithësisht me diellin në njërën anë, e në anën tjetër me hënën. Kështu, për historinë dhe historianët e artit, ato dy figura janë dielli dhe hëna. Ndërsa për shkencëtarët dhe për hulumtuesit e tjerë, ato janë alienë, ose UFO.
Në këtë limbo teorish, përceptimesh, shpjegimesh, fillova të ndërtoj punën time për bienalen “Manifesta”. Megjithëse në Deçan ndihet një frymë disi e tensionuar dhe e izoluar. Ende ke postbllokun e KFOR-it, ndërsa në manastir nuk lejohet të fotografosh. Andaj, më është dashur të sajoj një formë pune pa qenë i pranishëm drejtpërdrejt atje.
Në video paraqitet vetëm njëri nga të dy simbolet e gjendura në afresk. Pse pikërisht “hëna”?
Hëna më duket një prezencë më specifike, me shikim e kthyer pas. Ajo shfaqet në një moment të caktuar për ne. Lëvizja e saj është e ngadaltë. Ne orientohemi shpeshherë prej dritës së saj natën, megjithëse ajo e merr dritën e vet prej diellit. Gjithmonë më është dukur një prani konkrete, megjithëse e largët dhe eterike, që ndërmjetëson nevojën tonë për të kuptuar diçka përtej planetit ku banojmë. Në të gjitha drejtimet, hëna mbetet për mua një prezencë melankolike — ndryshe prej diellit, më prozaik e brutal në madhështinë e tij.
Në video-instalacion shfaqet “hëna”, një nga dy simbolet e një afresku të Manastirit të Deçanit. Foto: pamje nga videoja.
Titulli i veprës ka formën e një fjalie mohuese, që duket se nuk lë vend për spekulim, ndonëse vepra është pjesë e temës, “mbi spekulimin”, të ekspozitës “The Grand Scheme of Things” (në shq. “Skema e Madhe e Gjërave”).
Titulli, në fakt, është një citim i marrë nga një blog, artikulli i të cilit përpiqet të sqarojë “keqkuptimin” rreth ekzistencës së alienëve në afresk. Teksa e shpjegon këtë, artikulli mbyllet me konstatimin se “në kryqëzimin e Manastirit të Deçanit nuk ka UFO”. Forma e prerë e frazës më dukej absurde, por edhe provokuese. Në raport me diçka të mistershme, në fakt, më interesant bëhej mohimi sesa pohimi i saj. Në njëfarë mënyre, pjesa mohuese që në dukje nuk lë vend për spekulim, nuk bën gjë tjetër veç sa e shton spekulimin.
Videoja projektohet në tri ekrane të ndara, që sugjerojnë tri temporalitete të ndryshme, secili prej tyre duke shfaqur momente të ndryshme hapësinore dhe kohore. Pse kjo zgjedhje?
Pamundësia për të punuar direkt në manastir e ka bërë jo pak sfidues realizimin e videos. Megjithatë, gjetja e disa detajeve të afreskut, përmes disa imazheve tepër të vogla, bëri të mundur nxjerrjen e një informacioni të domosdoshëm, si dhe lëvizjen e tyre në kohë. Duke iu afruar shumë afër atyre zonave të plasaritura blu, definicioni binte, ndërsa lëvizja hipnotike e abstragonte natyrshëm afreskun dhe e bënte të dukej si një galaktikë, si një planet… Vizualisht, duket sikur janë pamje nga tre teleskopë të hershëm. Tek njëri shihet një zonë nga afër, tek tjetri një plan më i gjerë, ndërsa i fundit tregon objektin kozmik që hyn, kalon shumë ngadalë dhe zhduket.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, religjioni është pjesë e disa prej punëve tuaja, si ekspozitat personale “N’jerm” dhe “Dramaminë”.
Në ekspozitën e fundit vetjake në Bazament Art Space në Tiranë, titulluar “Dramaminë”, të kuruar nga Zef Paci, kjo marrëdhënie kishte të bënte me disa vitrazhe [xham i ngjyrosur], të cilat u krijuan posaçërisht dhe u instaluan në dritaret e hapësirës së Bazamentit, sipas një dizajni tipikisht kishtar. Aty publiku ndeshej me disa formë-kryqa, të cilët i jepnin atmosferës së ekspozitës një karakter qartësisht religjioz. Të paktën në plan të parë.
Ndërkohë, secili prej tyre ishte thjesht planimetria e një godine. Njëra i përket ndërtesës së ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” (sot Ministria e Kulturës), ndërtuar gjatë regjimit komunist si institucion kryesor i propagandës përmes kinematografisë, ndërsa planimetria tjetër i përket godinës së ish-Spitalit Psikiatrik të Shkodrës. Të dyja këto –– ndërtesa të realizuara gjatë një klime të egër materialiste dhe ateiste, që dënonte haptazi çdo reminishencë të këtij lloj.
Pamje nga ekspozita “Dramaminë”. Foto: Bazament Art Space.
Manastiri i Deçanit është i përfshirë në një vorbull kontestimesh politike dhe ligjore. A ju ka preokupuar ky realitet gjatë punës dhe a manifestohet, në ndonjë formë, në video-instalacion?
Patjetër, por erdhi një pikë ku nevoja ime ishte pikërisht tejkalimi i rrethanave — të kushtëzuara e të pa kushtëzuara — të Manastirit të Deçanit, për të çliruar diçka që kishte potencialisht premisat për të shkuar përtej tij.
Praktikën tuaj artistike e keni cilësuar, ndër të tjera, si “lexim të imazhit”. Çfarë nënkuptoni me këtë?
Nuk e mendoj lexueshmërinë në kuptimin didaskalik të përshkrimit të imazhit, por në mënyrën se si realiteti i një imazhi bëhet rishtas i mundur. Në këtë kuptim, ndihem afër me urgjencën për të cilën shkruante Walter Benjamin dhe që ka të bëjë me “orën e lexueshmërisë”.
Keni punuar një kohë të gjatë në arkivin e Muzeut “Marubi” dhe disa nga ekspozitat që keni kuruar shfaqin materiale arkivore nga ky muze. Si e cilësoni punën me arkiva dhe gjendjen e tyre në Shqipëri?
Realiteti i arkivave është një problematikë konstante. Ta ruash sipas kritereve ka kosto. Nuk mjafton vetëm vullneti i mirë. Nga ana tjetër, një arkiv nuk mund të reduktohet thjesht në depo grumbullimi për disa qoshe të mbetura bosh. Duhen krijuar platforma për hulumtimin dhe përcjellshmërinë e tij. Po aq urgjente janë edhe politikat që duhen hartuar mes arkivave shtetërore me arkivat private, pra me ato ngushtësisht familjare, ku gjenden gjithashtu fonde të çmueshme. Vetëm në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, arkivi i të cilit ka mbi 500,000 negativë, vitet e fundit i janë dhuruar me iniciativë të disa familjeve, koleksione fotografike që jo vetëm ia shtojnë numrin fondit arkivor, por edhe ia pasurojnë shtrirjen gjeografike.
Njohja me artin konceptual bashkëkohor ka qenë një pikë kthese në rrugëtimin tuaj artistik, duke qenë që fillimisht keni studiuar për pikturë. Si e shihni sot artin konceptual?
Nuk e shoh me shumë entuziazëm. I referohem më shumë retorikës hiperkonceptuale, hiperpolitike, hiperrelacionale e kështu me radhë, e cila shfuqizon diçka thelbësore e përmbysëse (subversive) tek vepra. Kam përshtypjen se në shprehitë e ndryshme artistike bashkëkohore duhet të rikthehet thjeshtësia me të cilën ato bëjnë ende të mundur një takim të posaçëm.
Mendoni se arti bashkëkohor duhet të rimagjepset, në njëfarë forme?
Pikërisht. Të rikrijojë edhe një herë mundësinë e magjepsjes.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.
Imazhi i ballinës: Orestia Kapidani
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.