Pikëpamje | BiH

Asgjë e re nga zgjedhjet në Bosnje

Nga - 09.10.2018

Zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë përsëri të bazuara në premtime boshe.

Më 7 tetor, qytetarët në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) votuan në zgjedhjet e teta të përgjithshme pas luftës. U përshkruan si zgjedhjet më të diskutueshme dhe përçarëse prej fundit të luftës së 90-ve. Votimi u parapri nga një fushatë e dëmshme që u prish nga akuzat për mashtrim, nga gjuha e urrejtjes, korrupsioni dhe dhuna.

Ndonëse taktikat tinëzare kanë qenë veçori e përhershme e zgjedhjeve në Bosnje, retorika jashtëzakonisht dramatike dhe mungesa e një vizionit të qartë për adresimin e sfidave të shumta me të cilat ballafaqohet shoqëria boshnjake, i la plot votues të shokuar dhe të pasigurtë për të ardhmen e vendit.

Në një reflektim të kompleksitetit të strukturës së qeverisë boshnjake, afro 3.3 milion njerëz me të drejtë vote mund të zgjedhnin nga afro 7,500 kandidatë që garuan për 518 poste; 53 parti, 36 koalicione si dhe një numër i kandidatëve të pavarur.

Të gjitha postet publike ishin në dispozicion: Presidenca shtetërore tripartiake, Parlamenti shtetëror dhe asambletë në dy entitetet (Federata Kroato-Boshnjake dhe Republika Serbe që dominohet nga serbët), Rajoni i Brčko dhe Presidenca e Republikës Serbe.

Ulëset e presidencës shtetërore tre-anëtarëshe u fituan nga Milorad Dodik, serb i Bosnjes, nacionalist dhe lider i Aleancës së Demokratëve Social të Pavarur (SNSD), Šefik Džaferović, kandidati për Partinë e Veprimit Demokratik (SDA), partinë dominuese boshnjake dhe Željko Komšić, kandidat i Frontit Demokratik multietnik i cili e fitoi ulësen e rezervuar për anëtarin kroat të Presidencës. Komšić ishte anëtar i Presidencës nga 2006 deri në 2014, pra ky është mandati i tretë i tij në këtë post.

Sipas rezultateve fillestare, SDA dhe SNSD janë në krye të garës për Asamblenë Parlamentare të Bosnjes. Në Federatë, SDA doli e para dhe u përcjell nga Partia Demokratike Kroate (HDZ BeH). Në Republikën Serbe, SNSD ka fituar më së shumti vota.

Sivjet këto ndarje u shfrytëzuan nga politikanët e tri grupeve kryesore etnike gjatë votimit. Ata ishin të vendosur për ta ushqyer frikën e armiqësive të ringjallura, duke kultivuar një ndjesi të të qenit viktimë dhe duke e shfrytëzuar mendësinë nacionaliste.

BeH ka një strukturë të ndërlikuar politike që shpeshherë fajësohet për pengim të progresit ekonomik të vendit, e asaj i shtohen edhe përçarjet e thella shoqërore përgjatë linjave etnike – të kujtojnë rivalitetet nacionaliste të epokës së luftës.

Si gjatë fushatave të kaluara, edhe sivjet këto ndarje u shfrytëzuan nga politikanët e tri grupeve kryesore etnike gjatë votimit. Ata ishin të vendosur për ta ushqyer frikën e armiqësive të ringjallura, duke kultivuar një ndjesi të të qenit viktimë dhe duke e shfrytëzuar mendësinë nacionaliste për ta tërhequr vëmendjen larg paaftësisë së tyre për t’i mbajtur edhe premtimet më bazike.

“Mundeni më mirë?!”

Sipas Pod Lupom, një organizatë për monitorimin e zgjedhjeve, kishte “qindra raste të parregullsive zgjedhore, si presioni i jashtëligjshëm që u ushtrua ndaj votuesve, blerja e votave, kërcënimet me shkarkim nga puna dhe ofertat për punësim në shkëmbim për vota, keqpërdorimi i burimeve publike për qëllime të fushatës”.

Organizata ceku se “thellimi i ndarjeve ndëretnike dhe brenda etnive, dhe rrënjosja e frikës ndaj tjetrit dhe atyre që janë ndryshe, mbeten si karakteristika kryesore të fushatave dhe programeve zgjedhore në BeH”.

Ngjarje e shquar ishte ngritja e padisë nga Transparency International Bosnia kundër Milorad Dodik, presidentit të Republikës Serbe, për kërcënim të pjesëmarrëve në takimet e fushatës së tij, të cilëve u tha se do t’i shkarkonte po të votonin për kundërshtarët e tij.

Një billboard që paraqiste Ratko Mladić, komandantin e Ushtrisë së Republikës Serbe gjatë kohës së luftës që u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës, u instalua në Vlasenica në Republikën Serbe, duke nxitur kreun e Misionit të OSBE-së në BeH, Bruce Berton, të shkruante në Twitter: “Lavdimi i kriminelëve të luftës? Promovim të hakmarrjes në vend të drejtësisë? Si do ta ndihmojë kjo ekonominë, shëndetësinë apo arsimin? Hajdeni kandidatë, mundeni më mirë! Të flasim për probleme reale!”

Megjithatë, nuk kemi parë apo dëgjuar shumë zgjidhje konkrete, të realizueshme dhe të kuptimshme për sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet vendi. Edhe me një analizë të nxituar të manifestimeve të partive kryesore e zbulon mungesën e planit solid për ballafaqimin me problemet bazike që ndikojnë tek i gjithë populli, si papunësia masive, kualiteti alarmues i ajrit, shkatërrimi i mjedisit dhe sistemi i shëndetësisë që është në prag të kolapsit.

Premtime të paqarta

Sipas Trading Economics, në korrik të këtij viti, niveli i papunësisë në BeH ishte mbi 35 përqind, ndërsa shifrat e Bankës Botërore treguan se papunësia në mesin e të rinjve në këtë vend ishte nën 55 përqind vitin e kaluar, duke shënuar një rritje në vlerë 20 përqind prej vitit 1991. Sipas OJQ-së Union for Sustainable Return, prej vitit 2013, rreth 170,000 boshnjakë e kanë lënë vendin, gati pesë përqind e popullsisë që përbëhet prej 3.5 milion njerëzve.

SDA, partia më e votuar boshnjake, kishte premtuar “rritje të madhe në paga, pensione dhe standard të jetesës, 850,000 vende të reja të punës deri në 2022 dhe 1 milion vende të reja pune deri në 2026”, si dhe për ta ndalur “trendin e shpopullimit” dhe “eliminuar zonën e hirtë të punësimit”. Megjithatë, në këtë manifest 36-faqësh mungojnë kalkulimet konkrete që do t’i mbështesnin premtimet ambicioze.

Manifesti zgjedhor i HDZ BeH len edhe më pak për të imagjinuar. Një paragraf i shkurtër për “rritjen dhe zhvillimin ekonomik”, nuk ofron përgjigje për pyetjet rudimentare për planin e veprimit të partisë.

Historikisht edhe premtimet e paqarta nuk janë përmbushur. Sipas analizës së kryer nga Zašto ne, prej 2014 deri në 2018, vetëm 3.3 përqind e premtimeve zgjedhore të vitit 2014 janë përmbushur nga institucionet në nivel të shtetit dhe të entiteteve.

Në lidhje me ambientin, partitë janë poaq të mistershme. Për shembull, SDA pretendon se partia do të “përpiqet për një jetë ekonomike të bazuar në paradigmën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në vizionin zhvillimor dhe mjedisor për rritjen ekonomike dhe balancin ekologjik, me orientime evropiane politike dhe ekonomike, me afatgjatësi dhe efikasitet”.

Kur kemi parasysh faktin se Bosnja me vite ka qenë në prag të një krizës mjedisore – me disa nga nivelet më të larta botërore të ndotjes së ajrit, hedhjet e pakontrolluara dhe paligjshme të mbeturinave në 10,000 deponi jozyrtare të mbeturinave, dhe shkatërrimin e përhapur të lumenjve që dikur ishin të paprishur, si rrjedhojë e ndërtimit të tepërt të hidrocentraleve elektrike – një zotim i tillë vështirë se e adreson shkallën e sfidave që e presin Bosnjen.

Megjithatë, historikisht edhe premtimet e paqarta nuk janë përmbushur. Sipas analizës së kryer nga Zašto ne, një OJQ e bazuar në Sarajevë që monitoron llogaridhënien e qeverisë, nga 2014 deri në 2018, vetëm 3.3 përqind e premtimeve zgjedhore të vitit 2014 janë përmbushur nga institucionet në nivel të shtetit dhe të entiteteve (4 përqind në Republikën Serbe, dhe 3 përqind në Federatë), apo 32 zotime nga 966 në tërësi.

Mungesa e llogaridhënies ka krijuar një mosbesim të përhapur ndaj institucioneve dhe procesit politik në përgjithësi. Sipas një studimit të kryer nga Shoqata Boshnjake e Gazetarëve në maj 2018, vetëm 15 përqind e popullsisë kanë besim në politikanët dhe vetëm 19.4 përqind kanë besim në partitë politike.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.