Mentorimi | Të drejtat e punëtorëve

Supermarketet me ‘‘super’’ probleme

Nga - 06.12.2018

Konkurse në baza gjinore, detyrime të jashtëligjshme ndaj punëtorëve e shkelje të tjera.

Kur Blerta* në vitin 2014 u pranua në Universitetin e Prishtinës, e pa të domosdoshme me gjetë një pune për t’i përballuar shpenzimet e studimeve. Në Podujevë, në vendlindjen e saj, një supermarket kishte shpallë konkurs pune me një kërkesë specifike “Arkatare”. Kjo gjuhë, me specifikë gjinore, e shtyu Blertën të aplikojë, e cila pastaj u pranua dhe ende sot vazhdon të punojë aty.          

Kaq ‘‘fatlume’’ nuk është vetëm ajo. Janë të shumta konkurset e supermarketeve e qendrave tregtare që punësojnë me pozita; ‘‘punë për burra e punë për gra’’.

Pozitat si; ‘‘sektoriste, arkatare, pastruese, promotere’’ apo ‘‘asistente’’, në shumë konkurse shkruhen në gjininë femërore. Në atë mashkullore janë pozitat si; ‘‘depoist, kamarier, menaxher, shef salle’’ apo ‘‘menaxher i lartë’’. Në marketin ku është e angazhuar Blerta, punën si arkatare nuk e bën veç ajo. Prej katër arkave që punojnë në dy turne, janë të punësuara vetëm gra.  

Në pozitën e arkatares në një prej supermarketeve në Prishtinë, punon dhe Besa*. Dy vite më parë, 22-vjeçarja aplikoi në një konkurs për ‘‘sektoriste’’ – punë që merret me mirëmbajtjen e sektorëve brenda marketit. Aty punoi për një vit dhe më pas kaloi në pozitën e arkatares – ku ende punon dhe merr një rrogë prej 250 euro.      

Dallimet e tilla të pozitave që reflektohen përmes gjuhës së përdorur të konkurseve, nuk është diçka që i takon vetëm viteve të mëparshme.       

Prej 22 tetor deri me 4 nëntor të këtij viti, ‘‘Viva Fresh Store’’ hapte konkurs punësimi për pozitën ‘‘Asistente Administrative/Përkthyese për zyrën e Drejtorit Ekzekutiv’’. Ndërsa më 10 nëntor, po e njëjta kompani, kërkonte të punësonte ‘‘Asistente të menaxhimit të stoqeve’’, si dhe ‘‘depoist’’. Ndërsa në konkursin e pikës në Pozheran të Vitisë e kishin ndarë mendjen që kushdo që do të mirëmbante higjienën do ishte ‘‘pastruese’’. Po atë datë, ‘‘Albi Market’’ që ka disa pika të marketeve nëpër Prishtinë, shpalli konkurs pune për ‘‘10 shitëse’’.

Konkurset e punës nga disa supermarkete.

Ndërsa për ta përballuar vrrullin e verës, Elkos Grup me rrjetin e qendrave tregtare ETC, kërkoi në prill punëtorë sezonal për degët e saj në 22 qytete. Kompania nën pronësi të Deputetit Ramiz Kelmendi, pozitën për mirëmbajtjen e sektorëve e kishte ndarë për dy gjinitë, ndërsa për pozitën ‘‘arkatare dhe depoist’’ jo.  

As supermarketi ‘‘Interex’’ nuk mbetet keq në këtë aspekt. Pranverën e këtij viti e nisi me konkursin ku bënte dallimin se kush duhet të shesë çka; për të shitur pemë e perime kërkonte ‘‘shitës’’, ndërsa ‘‘shitëse’’ për sektrorin e mishit.

Këto markete kanë pika të tyre në shumë qytete, e “Super Viva” thuajse në 7 qytetet më të mëdha të vendit e ka së paku nga një market. Kjo kompani dy muaj më parë kërkonte të punësonte ‘‘kalkulante’’ për departamentin e financave dhe që i raporton ‘‘menaxherit të financës”. Ndërsa për pikën e saj në Fushë Kosovë kërkonin të punësonin ‘‘specialist të rrjeteve sociale’’.       

Kjo gjuhë, që vazhdimisht është konsideruar diskriminuese, është barrierë në punësimin e grave si dhe ndikuese në pabarazinë gjinore. Edhepse në Kosovë në së paku katër ligje – atë të punës, kundër diskriminimit, për shërbimin civil, si dhe ligji për barazi gjinore – ndalohet çdo diskriminim për qasje në punë.   

Për të diskutuar rreth konkurseve të punës dhe problemeve të tjera, K2.0 përmes email-it dhe telefonit ka kontaktuar me kompanitë e cekura më lartë por ato nuk janë përgjigjur.       

Efektet e konkurseve me diskriminim gjinor

Kosova vazhdon të përballet me gjendje të vështirë ekonomike dhe një prej treguesve të kësaj është 30 përqindëshi i të papunëve. Të rinjtë dhe gratë janë grupet me të kërcënuara prej papunësisë. Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për tre mujorin e dytë të vitit 2018, vetëm 12 përqind e grave në moshë pune janë të punësuara.   

Në maj të 2017-ës, Instituti Gap nxorri raportin ‘‘Diskriminimi në tregun e punës’’. Aty potencohej se përveç numrit të lartë të papunësisë, ‘‘angazhimeve familjare të grave’’, arsye tjetër se pse punësimi i grave është i ulët janë edhe ‘‘konkurset e punës me gjuhë diskriminuese’’.   

Në kuadër të kësaj, realizuan një eksperiment ku përmes rrjetit social Facebook shpallën dy konkurse pune. Në konkursin e parë kërkonin të punësonin ‘‘pesë praktikante’’ ndërsa në të dytin përdorën emërtimin mashkullor, ‘‘praktikant’’.      

69 përqind e atyre që panë postin e parë ishin gra, ndërsa 31 përqind burra. Kjo erdhi kryesisht përmes sugjerimit (tag) në rrjetin social që u bëhej grave. Në atë ‘‘konkurs’’ prej CV-ve të pranuara, vetëm 11 përqind ishin nga burrat. Në postimin e dytë ku përdorej emërtimi praktikant, mbi 79 përqind e personave që e panë atë ishin burra, edhe në këtë rast kryesisht nga sugjerimet në komente të miqve të tyre burra. Nga 42 CV- të e pranuara për aplikim pune, 43 përqind kanë qenë nga burrat, ndërsa 57 përqind nga gratë.

Sipas raportit, një prej arsyeve të kësaj mund të jetë se gratë janë mësuar me konkurse diskriminuese dhe gjuha e tillë nëpër konkurse mund të perceptohet si standard apo diçka normale.   

Konkurset e Inspektoratit të Punës me gjuhë diskriminuese në bazë gjinore

Me logjikë e këtë standard, duket që funskionon edhe Inspektoratit i Punës (IP) që është i thirrur të mbrojë Ligjin e Punës i cili obligon që konkurset të jenë të barabartë për të gjithë.

Më 5 tetor të këtij viti IP-ja shpalli konkurs tё brendshёm pёr pozitёn; ‘‘Inspektor i Punёs’’. Nё pёrshkrimin e detyrave dhe pёrgjegjёsive nё pikёn 1 thuhet; ‘‘Inspektori ka pёr detyrё…’’ duke vazhduar mё tej me pёrshkrimin ku emёrtimi i pozitёs ёshtё nё gjininё mashkullore.   

Tri ditë para fundit të vitit 2016, IP-ja hapi konkurs pune në Ferizaj për pozitën; ‘‘Udhëheqës i Divizionit Rajonal të Koordinimit’’. Për këto është kontaktuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Inspektorati i Punës, por nuk janë përgjigjur.    

Hulumtuesja nga KIPRED, Ariana Qosaj-Mustafa, beson se këto shpallje janë shkelje ‘‘e drejtpërdrejtë’’ e së paku Ligjit për Mbrotje nga Diskriminimi – në të cilin thuhet qartë se konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë dhe pa asnjë lloj diskriminim. Ajo shprehet e çuditur se si institucionet që duhet të mbrojnë ligjet e të luftojnë diskriminimin po e bëjnë të kundërtën. Ky konkurs, ‘‘në procedurat formalo-ligjore mund të dënohet’’, sipas saj.   

Limitimi i 50 përqind të popullësisë në vetëm disa profesione të caktuara, ka efekte në ekonomi.

Por kjo qasje nuk e çuditë edhe aq Drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demollin. Për të, tash e sa kohë shteti po diskriminon gratë në të drejtën fundamentale, siç është punësimi. ‘‘Gratë diskriminohen edhe nga punësimet partiake, zakonisht vendin e punës e merr burri i familjes për votat e familjes’’, tha ajo. Për të diskriminimi në punësim sjellë implikime të shumta shoqërore, qoftë sociale apo ekonomike.

‘‘Kjo mirëmban stereotipet gjinore’’, tha ajo, duke vazhduar më tej të potencojë se punësimi i grave dhe liria e zgjedhjes së profesionit do ishte hap për ndryshimin dhe pavarësimin e grave në vend.  

Qasjen e tillë të institucioneve, si dhe të bizneseve e sheh si ‘‘tendencë për të sjellë në vendin e punës rolin që gruaja ka në shtëpi “si dikush që shërben, përkujdeset e pastron’’.  Si argument përdorë profesionet në të cilat, sipas saj, gratë janë të shtyera t’i kontribuojnë tregut të punës vetëm si pastruese, shitëse apo të jenë pjesë e sektorit bankar, administratës, arsimit apo shëndetësisë.    

Limitimi i 50 përqind të popullësisë në vetëm disa profesione të caktuara, sipas Qosaj-Mustafës ka efekte në ekonomi. Ndryshimi i kësaj jo vetëm do sillte përmirësim të gjendjes së grave në aspektin social por edhe përmirësim të ekonomisë së vendit në përgjithësi. ‘‘Përvojat e disa shteteve të Bashkimit Evropian dhe raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se përfshirja e barabartë [e dy gjinive] në tregun e punës nënkupton edhe rritje ekonomike’’, thotë ajo, duke argumentuar se përfshirja e barabartë e rrit konkurencën dhe kontribuon më shumë në tregun e lirë, duke krijuar më shumë mundësi.

Photo: Atdhe Mulla / K2.0.

Analistja për çështje gjinore nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Iliriana Banjska, thekson se ‘‘ideja se gratë dhe burrat dallojnë në aftësitë profesionale e krijojnë këtë gjendje’’. Për të kjo nuk mbetet vetëm ndikim kulturor i shoqërisë kosovare por edhe nga zhvillimet globale.

Në vitin 2016, RrGK përgatiti raportin “Arritja e Ekuilibrit”, ku kishin kryer anketë me punëdhënës të pyetur se puna që ata ofrojnë a ishte më e përshtatshme ‘‘për gra, burra, ose të dyja’’, ku 47 përqind e tyre ishin përgjigjur se puna ishte më e përshtatshme për burra, ndërsa 35 përqind thanë se ishte e përshtatshme për burrat dhe gratë.  

Në anën tjetër, Demolli beson se institucionet shtetërore kanë të drejtë dhe duhet të ndërmarrin ‘‘masa afirmative që një gjendje e një grupi të caktuar shoqërorë të ndryshojë’’. Sepse kjo po ndikon drejtpërdrejtë në papunësinë e grave. Për të çfarëdo mosveprimi i bie që institucionet po pajtohen me këtë gjendje.

Por ‘‘shteti’’ si ka punët mirë as në oborrin e vet. Afër 95 përqind e pozitave të larta drejtuese në Qeveri, Kuvend dhe Presidencë janë të dominuara prej burrave, statistikë e raportuar nga GAP në maj të 2017-ës.   

Me hile

Janë së paku nëntë kompani të mëdha që kanë shtrirë rrjetet e tyre të supermarketeve në Kosovë. Brenda tyre qarkullojnë miliona euro brenda vitit – kapital të cilit i kontribuojnë mijëra punëtorë. Ndërkohë që hovin e këtyre biznesve e ka mundësuar mbështetja ekonomike e vendit në tregti, siç theksohet çdo tre muaj në raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku tregtia në mënyrë rutinore është sektori më fitimprurës.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për K2.0 shpalos të dhëna që tregojnë se mbi 12 mijë biznese me mbi 17 mijë të punësuar janë aktive dhe janë të orientuara kah ‘‘tregtia me pakicë’’ e që fitimin e nxjerrin nga shitja e ‘‘ushqimit, pijeve dhe duhanit’’. Sektor të cilit i takojnë edhe supermarketet. 

Ani pse MTI-ja nuk ka të dhëna specifike – nisur nga kapacitetet e tyre – numri më i madh i të punësuarve në këtë sektor besohet se vjen nga supermarketet. Sipas fjalëve të deputetit Kelmendi, vetëm në kompaninë e tij janë të punësuar rreth 3 mijë persona.

Mirëpo, besohet se numri i të punësuarve në supermarkete të jetë më i madh se sa shifrat e MTI-së. Kjo për shkak të informalitetit në ekonominë kosovare.  Vitin e kaluar, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura përllogariste se 50 përqind e punëtorëve në sektorin privat janë pakontrata, konstatim i  kundërshtuar nga kryeinspektori i punës që besonte se ky numër sillet diku tek 10 apo 12 përqind. Kurse Aleanca e Kosovare e Biznesit thotë se numri i punëtorëve pakontrata arrinë në 20 përqind.  

‘‘Gratë i punësojnë sepse i paguajnë më pak’’.

Luljeta Demolli, Drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore

Në mesin e kësaj përqindje – cilado qoftë e saktë – është Tesa* nga Prizreni. Përgjatë muajit qershor-gusht të 2018-ës, ajo punoi si sektoriste dhe depoiste në një pikë të supermarketeve në vendlindjen e saj. Deri në fund të qershorit punoi si praktikante pa pagesë dhe pastaj si punëtore e rregullt por prapë nuk iu ofrua kontratë pune.    

Ajo nuk është e vetmja. Në korrik 2017 raporti nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese Prepotr, tregonte për punëtorë pakontrata e të paevidentuar të supermarketeve. Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi është pyetur për inspektimet në supermarkete dhe gjetjet e atyre inspektimeve. Ai nuk ka shpalosur të dhëna sepse siç u shpreh; ‘‘nuk i ndajnë të dhënat në bazë të sektorëve përveç atij të ndërtimtarisë’’. Sidoqoftë, përderisa papunësia mbetet e lartë, me kontratë apo jo, punësimi shihet si një e mirë që supermarketet i sjellin shoqërisë e sidomos punësimit të grave.

Por këtë nuk e beson Demolli. ‘‘Do ishin shumë të kënaqur [supermarketet] nëse do thonim se po punësojnë vetëm pse ato janë gra’’, thotë ajo. Aty sheh hile me qëllim përfitim të pronarëve të supermarketeve.‘‘Gratë i punësojnë sepse i paguajnë më pak’’, thotë ajo.   

Këto të dhëna i mbështetë në bisedat që kanë zhvilluar me gratë që punojnë në supermarkete dhe nga përllogaritja iu ka dalë se pagat e tyre sillen diku rreth 190 euro për muaj. E që prej fjalëve të punëtoreve rrallë herë shpëtojnë pa u dënuar me së paku 20 euro përgjatë muajit.    

Banjska, pajtohet se gratë paguhen më pak në ekonominë e Kosovës, por tregon se nuk ka statistika të veçanta për këtë. Por që insiston se kjo është e vërtet dhe si argument ka sektorët ku ato punojnë. ‘‘Çka dijmë është se gratë janë të punësuara në numër më të madh në sektorët ku pagat janë më të ulëta sesa në sektoret ku burrat mbizotërojnë’’.    

Në vitin 2017, Instituti Riinvest publikoi raportin ‘Gratë në tregun e punës’’. Në anketën që për mostër kishte 600 gra të punësuara, vështirësia kryesore në vendin e punës (36 për qind) deklarohej ‘‘niveli i ulët i pagës’’.    

Në anën tjetër, Demolli insiston se supermarketet avantazh tjetër kanë gjendjen e rëndë ekonomike të grave dhe stereotipet gjinore në shoqërinë kosovare. E këto krijojnë ambient ku presioni e shfrytëzimi ndaj tyre është më i madh dhe u shkelen të drejtat tjera që u garantohen me ligjet e punës. ‘‘Thirrjet se po punësojmë gra’’ për Demollin janë ‘‘një maskim’’.

Se gratë që punojnë në supermarkete trajtohen ndryshe dhe kanë presione të vazhdueshme e thotë edhe Besarta*. Ajo për tre vite ka punuar në një supermarket në Prishtinë por së fundmi  hoqi dorë nga puna aty.

"Kriter" tjetër i maskuar për punësim që po përdorin bizneset private është statusi martesor i grave.

Për 25-vjeçaren edhe gabimi më i vogël në punë të përballë me fjalët ‘‘ahh ju femrat’’. Qasje të tillë, sipas saj, e shfaqin edhe myshterinjtë. Për të sqaruar se sa e vështirë është të punosh në këto ambiente, krahason gratë që punojnë në pozita të larta edhe të sektorit publik. ‘‘Edhe për t’o thonë hajt se s’din. Mos të flasim për punë më të ulëta ku nuk ka kurfarë rrespekti’’.  

Besarta*, e cila tash po kërkon punë, kujton momente të ngacmimeve ‘‘direkt apo tërthorazi’’, që ka parë qoftë nga punëdhënësit apo konsumatorët me të cilat janë përballur.     

‘‘Gratë nuk kursehen në asnjë çast’’, tha ajo.  

Gratë nuk kursehen as për nga mosha. Janë të njohura konkurset për vende pune në të cilat kriter punësimi është edhe mosha; kryesisht mes 18 dhe 35 vjet.  

Demolli thekson se këtu bëjnë pjesë edhe supermarketet. ‘‘Është e dhimbshme sepse sheh rrallë gra më në moshë që punojnë aty’’, thotë ajo. Por tash së fundmi, sipas saj, kjo ka filluar të ndryshojë por prapë me hile në mes. Për të ‘‘kriter’’ tjetër i maskuar për punësim që po përdorin bizneset private është statusi martesor i grave.

‘‘Ndoshta nuk e shfaqin në konkurs por me pyetje shikojnë sa anëtarë të familjes ka apo a është e martuar’’, duke thënë se kjo po bëhet me qëllim që të mos paguhet pushimi i lehonisë.  

Ndërkohë që supermarketet mund të kenë rritur mundësitë e punësimit për gratë në Kosovë, qasja ndaj punëtorëve, kushtet e punës dhe gjuha e përdorur në konkurse duket se nuk po i kontribuon aspak barazisë në vendin e punës.K

*Me kërkesë të personave të intervistuar, emrat e punëtoreve të supermarketeve janë ndryshuar, për shkak të frikës së tyre për humbjen e vendit aktual të punës si dhe pasigurisë për të gjetur një punë tjetër.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky artikull është prodhuar nga Kosovo 2.0 si pjesë e të Drejtave të Barabarta për të Gjithë, një projekt i financuar nga BE dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.