Në thelb | Protesta

Ballkani Perëndimor në rrugë

Nga - 23.03.2019

Muajve të fundit në rajon janë intensifikuar protestat.

Anembanë Ballkanit Perëndimor, muajve të fundit qytetarët gjithnjë e më shumë po dalin në rrugë për të marrë pjesë në protesta të gjithnduershme.

Pasi që janë ftohur perspektivat për integrim evropian, korrupsioni e papunësia e lartë vazhdojnë të jenë pjesë e normalitetit dhe pak shenja të progresit social ose ekonomik po shihen, me sa duket është shtuar niveli i frustrimit në politikën “e zakonshme” në rajon.

Nga protestat e përjavshme kundër qeverisë në Serbi dhe Maqedoni, te protestat e studentëve që i okupuan fakultetet e tyre në Shqipëri dhe zemërimi me institucionet gjyqësore në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, qytetarët kanë vazhduar të votojnë me këmbë që nga muajt e fundit të vitit 2018.

Në disa raste, mesazhet dukeshin të qarta: barazi gjinore, liri për mediat ose drejtësi transparente. Por, në shumë raste të tjera ato ishin fluide, gjithnjë të ndryshueshme dhe ndonjëherë përbënin një koalicion problematik të frustrimeve dhe interesave të ndryshme.

Vladimir Unkosvski-Korica, ligjërues i Studimeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Universitetin e Glasgow-it në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se protestat në rajon janë pjesë e një trendi më të gjërë dhe lidhen me dështimin global të transformimit neoliberal që nisi gjatë Luftës së Ftohtë dhe u intensifikua paskëtaj.

“Kapitalizmi i tregut të lirë dhe institucionet e tij janë vënë në dyshim që nga fillimi i ‘recesionit të madh’ që nisi më 2008”, thotë ai. “Së fundmi dhe në mënyrë dramatike, kemi parë lëvizje protestuese si Gilets Jaunes [“jelekverdhët”] në Francë. Ato shpeshherë janë shumë të çrregullta dhe nuk kanë vizion të qartë për të ardhmen, gjë që e reflekton problemin më të gjërë të dobësisë së alternativave politike”.

“Por, në thelb, vras mendjen nëse në të gjitha këto lëvizje përfshihet ose jo kërkesa për demokraci, kërkesa për vetëvendosje, dëshira për t’i kontrolluar kushtet e tyre”.

Vladimir Unkovski-Korica, Universiteti i Glasgow-it

Sipas Unkovski-Korica-s, duhet të kemi kujdes që të mos i karakterizojmë shumicën e këtyre protestave si të motivuara nga një çështje e vetme. Ai thekson se në shumë vende mund të shohim forca liberale, të krahut të djathtë ekstrem dhe të krahut të majtë radikal në të njëjtat protesta. Ai gjithashtu thekson se nacionalizma të ndryshëm dallohen në shumë prej protestave dhe thotë se nuk mund të themi që të gjithë nacionalizmat janë të njëjtë: disa syresh janë thirrje të popujve të shtypur e disa ulërima të shtypësve.

“Fuqitë e jashtme i kanë shfrytëzuar ndarjet e tilla me dekada e shekuj dhe pozitat e shtypësit dhe të shtypurit ndonjëherë ndërrohen mes vete”, tha ai.

Unkovski-Korica shton se sidoqoftë kjo valë e protestave na tregon se diçka po ndryshon në një mënyrë a tjetër.

“Por, në thelb, vras mendjen nëse në të gjitha këto lëvizje përfshihet ose jo kërkesa për demokraci, kërkesa për vetëvendosje, dëshira për t’i kontrolluar kushtet e tyre”, thotë ai, dhe shton se kjo nuk duhet të shpie në ndarje, por mund ta shtojë në mënyrë implicite mundësinë për unitet në diversitet, përderisa ky unitet përfshinë respektin dhe solidaritetin.

“Rajoni jonë ka histori të ndarjes, por edhe të bashkëpunimit”, thotë ai. “Kjo e fundit shumë shpesh harrohet”.

K2.0 i ka analizuar disa nga protestat që janë mbajtur në rajon gjatë muajve të fundit dhe çështjet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.

Serbi

Më 8 dhjetor 2018, qytetarët në Beograd filluan të protestojnë kundër qeverisë së Presidentit Aleksandar Vučić.

Gjithçka filloi në fund të nëntorit kur Borko Stefanović, kreu i partisë opozitare Levica Srbije dhe ish-zyrtari i lartë në partinë tjetër opozitare, Partia Demokratike, u sulmua fizikisht në qytetin e Kruševac-it.

Pasi u organizuan disa protesta individuale nga partitë opozitare në Kruševac, në javën pasuese mijëra qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit serb, duke shprehur akuza kundër presidentit dhe partisë së tij në lidhje me qeverisjen autoritare, kërcënimet ndaj shoqërisë civile e përpjekjet për ta heshtur zërin e qytetarëve, si dhe kundër sulmeve fizike ndaj eksponentëve të partive opozitare.

Presidenti Vučić reagoi duke u tallur me protestat e para. Ai tha se “edhe po të bëhen 5 milionë protestues” nuk do të ndryshonte asgjë, si dhe u sugjeroi protestuesve të bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme për ta konfirmuar atë se kush e ka mbështetjen e popullit; pavarësisht valës së protestave masive pas fitores bindëse të tij në zgjedhjet që u mbajtën në fillim të vitit 2017, nëpërmjet të cilës u bë president, sondazhet e opinionit vazhdimisht tregojnë se Vučić-i e ka ruajtur një nivel të lartë të mbështetjes.

Të patrazuar, protestuesit u mbodhën përsëri në javën e ardhshme, e këtë herë e përdorën slloganin dhe thurrjen #1od5miliona (#1nga5milionë), sipas fjalëve të Vučić-it. Që atëherë, çdo të shtunë janë mbajtur protesta në Beograd dhe në dhjetëra qyteza e qytete të tjera të Serbisë. Nëpërmjet tyre po kërkohet t’i jepet fund kontrollit shtypës nga shteti, përfshirë këtu kontrollin e tij mbi mediat.

Protestuesit kanë dalur në rrugët e Beogradit dhe qyteteve e qytezave të tjera serbe që nga fillimi i dhjetorit. Foto: Marion Dautry / K2.0.

Më 16 mars, protestuesit anti-qeveritarë marshuan në rrugët e Beogradit për të dielën e 15-të me radhë.

Sofija Todorović është aktiviste nga Beogradi e cila mori pjesë në protestat e para. Ajo beson se protestat si mjet demokratik janë gjithmonë të dobishme për shtetin e shoqërinë dhe se është mirë kur njerëzit që janë të pakënaqur përdorin mënyra dhe mjete demokratike për ta dërguar mesazhin e tyre tek qeveria ose institucionet shtetërore.

Si shumë nga protestuesit dhe mbështetësit e tyre, Todorović ka shumë kritika për mënyrën si i mbuluan mediat protestat. “Me të vërtetë kemi probleme serioze me lirinë e mediave”, thotë ajo. “Në televizionin kombëtar mund të shohim vetëm lajme dhe raporte të njëanshme për protestat”.

Ajo thotë se mediat ndërkombëtare dhe mediat që janë OJQ, si BIRN-i, po i mbulojnë protestat dhe janë të vetmet që po japin informata të përpikta dhe të sakta rreth asaj që po ndodhë.

“Në fillim, në kanalet e televizionit kombëtar, nuk kishte lajme për protestat [ishte] sikur të mos ndodhte gjë”, thotë ajo. “Numri i njerëzve që marrin pjesë në protesta gjithmonë paraqitet si shumë më i ulët [se sa që është në realitet]”.

Frustrimi i protestuesve në lidhje me mungesën e mbulimit medial të protestave nga transmetuesi shtetëror, Radio Televizioni i Serbisë (RTS), reflektohet gjithashtu në deklaratat e organeve të pavarura monitoruese ndërkombëtare.

Më 19 mars, Reporters Without Borders shkroi në Twitter: “Një transmetues publik nuk është vegël e propagandës dhe duhet të jap lajme të paanshme, pa marrë parasysh a i pëlqen apo jo qeverisë. RTS-ja duhet të mos i shpërfillë më ata që kanë demonstruar për 3 muaj dhe duhet ta mbulojë plotësisht këtë valë protestash”.

Më 18 mars, protestuesit marshuan drejt RTS-së dhe e akuzuan këtë kanal duke thënë se është në shërbim të Presidentit Vučić, si dhe kërkuan hapësirë për ta ngritur zërin për qëndrimin e tyre. Në fund, ata u larguan me forcë nga policia speciale. Ministri i Brendshëm, Nebojša Stefanović, i akuzoi protestuesit duke thënë se ata u munduan t’i imponojnë me forcë agjendat e tyre politike dhe se u munduan ta përsëritin, siç e tha ai, “skenarin maqedon”, duke iu referuar hyrjes së protestuesve në parlamentin e Maqedonisë në prill 2017.

Në ballë të okupimit të RTS-së që ndodhi të shtunën ishte lëvizja e krahut të djathtë ekstrem, Dveri, dhe lideri i saj, Boško Obradović-i, gjë që tregon se si ka ndryshuar natyra e protestave, qëllimet dhe kërkesat e të cilave me sa duket janë bërë gjithnjë më të shpërndara, për shkak se disa grupe kanë bërë përpjekje ta përdorin këtë vrull për t’i shtyer para agjendat e tyre. Kritikat për atë që disa nacionalistë e shohin si qëndrim të dobët të Vučić-it në lidhje me Kosovën janë parë gjithashtu në pankarta në javët e fundit.

Një ditë pas okupimit të RTS-së, Presidenti Vučić e mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën ai pretendoi se elementet nacionaliste e fashiste i drejtuan protestat kundër tij dhe aludoi se ata ishin nxitur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Deri sa ishte duke e mbajtur konferencën për shtyp, mijëra protestues e rrethuan ndërtesën e presidencës për ta parandaluar Vučić-in që të dilte nga zyra e tij; Vučić-i u përgjigj duke postuar një fotografi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter në të cilën ai shihej duke luajtur shah me Ministrin e Brendshëm.

"Lëvizjet populiste dhe ideologjitë e krahut të djathtë nuk janë zgjidhje që çojnë te një e ardhme e sigurtë dhe e begatë".

Sofia Todorović, aktiviste

Todorović-i thotë se ajo është bërë “shumë skeptike” për drejtimin politik të protestave dhe prandaj nuk është duke marrë pjesë më në to, veçanërisht pas disa incidenteve, për të cilat ajo mendon se liria e fjalës dhe toleranca nuk përfaqësohej më nga organizatorët e protestave. “Njerëzit do të tradhëtohen përsëri. Ka shumë zemërim e mjerim asnjeri nuk duhet ta përdorë këtë për promovim të ideve politike që vetëm do të na kthejnë prapa”, tha ajo.

“Nuk jam e sigurt se si do ta drejtojnë ndryshimin në çfarë drejtimi figurat politike që janë mbledhur në këtë protestë. A është Boško Obradović-i nga Dveri zgjedhje më e mirë se Vučić-i ose se [ish-ministri i jashtëm dhe lideri i partisë së qendrës së djathtë, Partia e Popullit] Vuk Jeremić-i? A duhet të zgjedhim njërin prej tyre? Nuk mendoj se duhet”.

Aktivistja thekson se ka kritika shumë serioze për qeverinë aktuale dhe presidentin në lidhje me sundimin e ligjit, drejtësinë, trajtimin e kriminelëve të luftës, zbatimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, por ajo nuk beson që moto e vetme duhet të jetë “Ta rrëzojmë Vučić-in e ta bojkotojmë punën e parlamentit!“

“Kemi nevojë për gatishmëri të madhe politike dhe një drejtim të shprehur qartë për t’u ballafaquar me situatën tonë aktuale”, thotë ajo. “Lëvizjet populiste dhe ideologjitë e krahut të djathtë nuk janë zgjidhje që çojnë te një e ardhme e sigurt dhe e begatë”.

Mali i Zi

Edhe në Mal të Zi kemi parë protesta kundër liderëve të tij që prej fillimit të vitit. Nga fillimi i shkurtit, qindra protestues kanë marshuar rregullisht në rrugët e kryeqytetit, në Podgoricë, të mbledhur kundër korrupsionit të përhapur dhe lidhjeve të supozuara ndërmjet zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe krimit të organizuar.

Qytetarët, me mbështetje të shumicës së partive opozitare, kanë kërkuar dorëheqjen e President Milo Đukanović i cili ka qenë në pushtet pothuajse vazhdimisht për tri dekada qeverisë dhe figurave kyçe në sistemin gjyqësor.

Protestat u nxitën nga afera koverta (“zarfi”), e cila përfshinte zbulimin publik të xhirimeve që paraqesin dëshmi të dukshme të korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë, përfshirë këtu figura të afërta me Đukanović-in.

“Sekretari i përgjithshëm i presidentit u incizua duke e pranuar një zarf nga biznesmeni malazias, Duško Knežević”, thotë Denis Mekić, njëri nga organizatorët e protestave. “Siç pretendon Knežević-i, zarfi përbante 97,500 euro, siç dëgjohet qartë, dhe e kishte për qëllim blerjen e votave para zgjedhjeve [të vitit 2016]”.

Knežević-i pretendoi se për disa dekada ai e ka ndihmuar në mënyrë të fshehtë financimin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Đukanović-it.

Mijëra protestues kanë dalur në rrugët e Podgoricës çdo javë prej fillimit të shkurtit duke bërë thirrje për dorëheqjen e figurave kyçe politike dhe institucionale pas publikimit të xhirimeve që treguan korrupsion të nivelit të lartë. Foto: Boris Pejović / K2.0.

Mekić-i shton se kjo është vetëm një nga disa afera në të cilat është implikuar qeveria aktuale dhe shpjegon se protestat e tyre përfshijnë marshimin para institucioneve të ndryshme shtetërore, përfshirë këtu transmetuesin publik, për të cilin thotë se thjesht i shërben DPS-së, në vend se t’i shërbejë shtetit në tërësi.

“Gjatë këtyre marsheve, ne kemi dorëzuar kërkesa për dorëheqjen e presidentit, kryeministrit, prokurorit suprem shtetëror, prokurorit special shtetëror [për krim të organizuar], drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe drejtorit e tërë këshillit të Radio Televizionit të Malit të Zi”, thotë Mekić, si dhe shton se shpresojnë që së shpejti do të mbledhin një masë kritike që do t’i detyrojë institucionet t’i përmbushin kërkesat e tyre fillestare.

Organizatorët e protestave së fundmi kanë kërkuar nga partitë opozitare, të cilat i mbështesin protestat por nuk kanë luajtur rol formal në organizimin e tyre, ta formojnë një “qeveri të unitetit” në mënyrë që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve të reja në Mal të Zi. Plot parti opozitare e kanë bojkotuar Kuvendin e Malit të Zi prej zgjedhjeve të vitit 2016, për të cilat pretendojnë se ishin përplot me parregullsi, ndonëse partia më e madhe opozitare, Fronti Demokratik, u pajtua të kthehet në Kuvend vitin e kaluar.

Shqipëri

Edhe Shqipëria është duke përjetuar aktualisht protesta kundër qeverisë, ndonëse këtu ato po udhëheqen drejtpërdrejt nga partitë opozitare.

Protesta e parë e tillë ishte më 16 shkurt, kur Partia Demokratike dhe partitë tjera opozitare e drejtuan një protestë kundër qeverisë, e cila përfundoi me skena të dhunshme kur protestuesit i sulmuan zyret e kryeministrit Edi Rama dhe kishte përleshje ndërmjet protestuesve që hodhën gurë e policia që përdori gaz lotsjellës. Pas protestave, shumë deputetë të opozitës dhanë dorëheqje nga mandatet e tyre në përpjekje për ta rrëzuar qeverinë, por deputetë të rinj nga të njëjtat parti opozitare i shpërfillën urdhërat e partive dhe e dhanë betimin.

Dorëheqjet u dënuan gjerësisht si “jodemokratike” nga ambasadat e huaja, të cilat gjithashtu e kritikuan dhunën në protesta.

Protestat e opozitës erdhën menjëherë pas protestave të drejtuara nga studentët, të cilat nisën në dhjetor 2018.

Një muaj më vonë, më 16 mars, partitë e opozitës përsëri organizuan një protestë nëpërmjet të cilës kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës dhe zgjedhje të parakohshme. Përsëri, protestat përfunduan me dhunë kur protestuesit u munduan të futeshin në Parlament.

Lideri i Partisë Demokratike dhe ish-ministri i qeverisë e kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, lajmëroi se protestat e opozitës do të vazhdojnë. Këto protesta, në të cilat po marrin pjesë kryesisht aktivistët e opozitës, kanë vazhduar në rrugë në ditët e fundit.

Protestat e opozitës erdhën menjëherë pas protestave të drejtuara nga studentët, të cilat nisën në dhjetor 2018.

Zanafilla e protestave të studentëve daton që në vitin 2015, kur Shqipëria e miratoi një Ligj të ri për Arsimin e Lartë në përpjekje për ta reformuar këtë sektor; i dha universiteteve publike më shumë autonomi sa i përket financave, autonomisë akademike, organizimit dhe përzgjedhjes së stafit. Njëkohësisht, zuri të ndaheshin më pak para për universitete nga buxheti shtetëror, nën arsyetimin se ato kishin më shumë autonomi për të mbledhur fonde.

Në dhjetor, frustrimi i akumuluar në mesin e studentëve shqiptarë në lidhje me këtë ligj arriti në një pikë ku ata vendosën të vepronin, veçanërisht rreth çështjes së pagesave për të hyrë përsëri në provime që ishin zbatuar më herët gjatë vitit me diskutim minimal publik.

Protestat filluan më 5 dhjetor kur studentët e Fakultetit të Arkitekturës kërkuan heqjen e tarifës për provime të përsëritura dhe së shpejti u përhapën në Durrës dhe Elbasan. Në ditët e ardhshme, shumë studentë nga fakultetet tjera iu bashkuan protestave dhe i publikuan disa kërkesa, përfshirë këtu përgjysmimin e të gjitha tarifave studentore, përfaqësimin e studentëve në organet vendimmarrëse të universitetit dhe përmirësimin e kushteve në konvikte.

Së pari para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe pastaj para Zyrës së Kryeministrit, mijëra studentë e mbështetës protestuan çdo ditë deri në pushimet e fundvitit dhe lista e kërkesave të tyre rritej vazhdimisht.

Të frustruar me gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri, studentët dolën në rrugët e Tiranës në dhjetor për protestat më të mëdha të drejtuara nga qytetarët në vitet e fundit. Foto: Lorin Kadiu.

Pas pushimeve, studentët zbatuan një formë tjetër të protestës duke okupuar Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin Juridik nga 9 janari. Pavarësisht ndërhyrjes nga Policia, studentët i mbajtën të okupuara këto dy fakultete për një muaj.

Liri Kuçi, një aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin që u themelua më 2015, thotë se pas protestave në rrugë, studentët filluan të protestojnë në fakultete, për ta forcuar organizimin e tyre dhe për t’u mbrojtur nga eksponentët e jashtëm politikë; ata pretenduan se disa aktivistë të opozitës që ishin prezantuar si studentë kishin kryer sulme fizike dhe kishin bërë përpjekje për infiltrim.

Në përgjithësi, ajo thotë se vala intensive e protestave në dhjetor ishte simptomë e pakënaqësisë së përgjithshme me sistemin e arsimit të lartë.

“[Është] simptomë e keqqeverisjes, e përdorimit të universitetit publik si mashë për ta futur dhe zhvilluar nocionin e partneritetit publiko-private”, thotë ajo. “Kjo u bë faktike me iniciativën e Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili kaloi duke zhvleftësuar plotësisht kritikën e thukët të trupës pedagogjike e studentore, përkundër protestave të vijueshme të tyre”.

Kryeministri Rama i morri përsipër të gjitha komunikimet me studentët dhe publikun në lidhje me protestat, të cilat ishin protestat më të mëdha të drejtuara nga qytetarët në Shqipëri në vitet e fundit. Qasja e tij ndaj protestave u luhat në mënyrë karakteristike nga akuzat që protestuesit ishin të nxitur nga opozita dhe se disa studentë ishin ngelës, në zotime për ta rishikuar Ligjin për Arsim të Lartë dhe për t’i pranuar disa nga kërkesat e studentëve.

Më 28 dhjetor, Rama gjithashtu e morri vendimin për t’i shkarkuar disa prej ministrave të tij përfshirë këtu ministren e Arsimit dhe për t’i zëvendësuar ata me teknokratë të rinj.

Në javët e fundit, protestave të studentëve u erdhi fundi dhe vëmendja publike u kthye drejt protestave të opozitës.

Kosovë

Protestat në Kosovë nuk kanë qenë aq të qëndrueshme në muajt e fundit, siç qe rasti me protestat në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri, por prapëseprapë kishte manifestime të rëndësishme në formë të protestave ad hoc dhe demonstratave më të zakonshme.

Një temë që ka nxitur veçanërisht reagime në fund të vitit 2018 ishte ideja shumë e diskutuar e shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Ndonëse kurrë nuk e kishte deklaruar në mënyrë eksplicite, Presidentit Hashim Thaçi i është atribuar gjerësisht sajimi i kësaj ideje nga analistët lokalë dhe ndërkombëtarë. Ai ka qenë ithtari më i madh publik i kësaj ideje prej kur zunë të përhapeshin thashethemet verën e kaluar.

Reagimi ishte i menjëhershëm.

Shoqëria civile, opozita, partnerët e koalicionit qeverisës e madje edhe ish-partia e Thaçit u deklaruan fuqimisht kundër kësaj ideje. Me përjashtim të disa krerëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve dhe një partie të vogël opozitare që nuk është e përfaqësuar në Kuvend, brenda vendit kjo ide gjeti mbështetje minimale.

Presidenti Thaçi pastaj aludoi se e kishin keqkuptuar dhe se ai beson që Lugina e Preshevës tri komunat në jug të Serbisë me numër të madh të banorëve shqiptarë duhet t’i aneksoheshin Kosovës, ndërsa Kosova nuk duhet t’i jepte territor fqinjit të saj; ai gjithashtu e prezantoi termin eufemistik “korrigjim i kufijve”.

Në Kosovë në shtator, partia opozitare Vetëvendosje udhëheqi një protestë masive kundër ndryshimit të mundshëm të kufirit me Serbinë, ithtar i së cilit është President Hashim Thaçi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kjo nuk e ndali partinë opozitare Vetëvendosje që ta thirrte një protestë më 29 shtator, nëpërmjet të cilës bëri thirrje kundër copëtimit të territorit të Kosovës. Edhe pse numri i protestuesve ishte më i ulët se në protestat e vitit 2015 dhe 2016 kur partitë opozitare u bashkuan për t’i udhëhequr protestat kundër zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes së diskutueshme për demarkacion të kufirit me Malin e Zi mijëra njerëz dolën në rrugë për ta shprehur kundërshtimin e tyre ndaj idesë së ndryshimit të kufijve.

Gjashtë muaj më vonë, mendimi që kjo ide mund të zbatohet në ndonjë formë nuk është zbehur, veçanërisht pasi që shihet si alternativë potencialisht e zbatueshme nga ShBA-ja dhe disa shtete të Bashkimit Evropian. Megjithkëtë, mbetet e paqartë ajo se çfarë po diskutohet saktësisht nga Thaçi dhe Vučić-i në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja e të zhvilluara në Bruksel, të cilat janë në vazhdim e sipër.

Disa parti politike në Kosovë janë bashkuar për ta krijuar një ekip negociator që e ka si qëllim të negociojë bashkë me presidentin në takime me homologët serbë, me justifikimin se kjo do të shërbente për ta kontrolluar presidentin dhe për ta parandaluar atë që ai të mos merr vendime të cilat ekipi i sheh si të dëmshme për Kosovën. Më herët gjatë muajit, Kuvendi i Kosovës e miratoi platformën e negociatave që u hartua nga ekipi negociator, edhe pse dy partitë më të mëdha të opozitës LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk e kanë mbështetur këtë platformë dhe kanë refuzuar të bëhen pjesë e ekipit, me pretendimin se ky ekip do t’i legjitimonte vendimet e Thaçit.

Larg protestave të drejtuara nga partitë politike, në Kosovë kemi parë gjithashtu zhvillimin e protestave të drejtuara nga qytetarët në kohët e fundit.

Në gusht, qindra protestues dolën në rrugë për të kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit pas një skandali që përfshinte listat e fryera të veteranëve të luftës.

Më herët gjatë atij muaji, prokurori që kishte për detyrë hetimin e keqbërjeve kriminale gjatë hartimit të listave të veteranëve të cilët kanë të drejtë për ndihmë financiare nga shteti kishte dhënë dorëheqje dhe kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Elez Blakaj tha se ishte detyruar ta bënte këtë pas kërcënimeve që i morri gjatë punës së tij në këto hetime, si dhe gjithashtu pretendoi se puna e tij ishte penguar nga Kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

Blakaj tha se gjatë hetimeve i kishte zbuluar rreth 20,000 emra që ishin përfshirë pa meritë në këto lista. Ambasada e ShBA-së, Presidenti dhe shumë anëtarë të shoqërisë civile menjëherë e shprehën mbështetjen e tyre. Por, kryeministri Ramush Haradinaj e etiketoi atë si “mashtrues” e Lumezi gjithashtu e sulmoi verbalisht ish-kolegun e tij.

Në gusht, nisma e qytetarëve #Protestoj i drejtoi përsëri protestat kundër korrupsionit në Prishtinë pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, i cili pretendoi se kryeprokurori e kishte penguar atë duke mos lejuar kryerjen e punës së tij. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ajo që pasoi ishte një valë protestash të drejtuara nga qytetarët nën banderolën #protestoj, e cila ishte përdorur për herë të parë në protestat kundër korrupsionit në vitin 2016. Përpos që kërkuan dorëheqjen e Lumezit, protestuesit gjithashtu bënë thirrje për spastrimin e listave të veteranëve, pasi që u vlerësua se numri i veteranëve që po merrnin ndihmë sociale pa meritë po i kushtonte 38 milion euro në vit kuletës publike.

Ndonëse këtyre protestave u erdhi fundi pa u plotësuar kërkesat e protestuesve, Gramos Buçinca nga nisma e qytetarëve Protestoj beson se sidoqoftë ato kishin deri diku ndikim. “Nëpërmjet presionit tonë u mbështet një debat i duhur rreth beneficioneve meritore të kategorive të luftës [që kanë të drejtë për ndihmë sociale]”, thotë ai, dhe shton se në protesta ata kishin veteranë të vërtetë, deputetë prej partive të ndryshme politike dhe qytetarë të klasave dhe kategorive të ndryshme shoqërore.

Buçinca gjithashu beson se këto dy demonstrata si dhe protestat e kaluara të lëvizjes #Protestoj që u mbajtën pas publikimit të bisedave të përgjuara ku u zbulua një shkallë e gjërë e korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitave publike në zemër të një prej partive qeverisëse, PDK-së ndihmuan në përpjekjet për t’i bërë presion institucioneve gjyqësore në mënyrë që ato t’i kryejnë detyrat e tyre sa i përket ndjekjes penale.

Ai shton se nismat e tilla civile janë tepër të nevojshme për zhvillimin e Kosovës, veçanërisht në kohën kur ky vend po kalon nëpërmjet një “faze tranzicioni”, për shkak se ato ua mundësojnë qytetarëve që t’i bëjnë presion qeverisë.

“Ato janë të fokusuara direkt tek problemi dhe jo në kalkulimet e partive politike”, thotë ai. “Poashtu, ato e vendosin një standard të lartë të sjelljeve qytetare dhe ia japin agjencinë e ndryshimit qytetarëve e jo partive politike”.

Një nismë tjetër e tillë që është bërë gjithnjë më aktive në kohët e fundit është kolektivi MARShojmë S’festojmë, i cili ka bërë fushatë për barazi gjinore dhe drejtësi sociale në tri vitet e fundit. Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve individualë fillimisht u bashkua për ta organizuar protestën e përvjetshme për Ditën Ndërkombëtare të Grave më 8 mars 2016, por qysh atëherë është zgjeruar në masë, sikurse edhe sa i përket çështjeve që i trajton.

Adelina Berisha, koordinatore e avokimit dhe hulumtimeve në OJQ-në që merret me dhunën me bazë gjinore, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës një nga themelueset e kolektivit thotë se gjithnjë e më shumë organizata janë përfshirë me kalimin e kohës. “E kemi një listë të korrespondencës nëpërmjet të cilës e mbajmë të informuar njëri-tjetrin për reagimet, protestat që i organizojmë, grupet joformale të aktivizmit, në mënyrë që të kemi mobilizim më të madh gjatë reagimeve tona të ndryshme”, thotë ajo.

Kolektivi MARShojmë S’festojmë e ka drejtuar marshin e përvjetshëm në Prishtinë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas prej vitit 2016 dhe gjithashtu është zgjeruar në të ndihmuarit e të tjerëve me organizimin e protestave ad hoc. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në shkurt 2019, MARShojmë S’festojmë ndihmuan me mobilizimin e qytetarëve për dy protesta pasi një rast i profilit të lartë e shokoi shoqërinë kosovare. U raportua në media se një vajzë nga Drenasi ishte abuzuar seksualisht që nga mosha 16 vjeçare nga arsimtari i saj. Kur ajo shkoi në polici për ta raportuar rastin, u pretendua që një polic e abuzoi seksualisht atë për dy vite; kur ajo mbeti shtatzënë, polici supozohet se e detyroi për të abortuar.

Më 7 shkurt u organizua një protestë nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut para selisë së policisë në Prishtinë, ndërsa një ditë më vonë një marsh protestues u organizua nga Këshilli Rinor në Drenas. “Ne, si kolektiv, u mbledhëm menjëherë dhe vendosëm t’i ndihmojmë Këshillit Rinor në Drenas për ta organizuar protestën”, thotë Berisha.

Reagimi i fuqishëm publik ndaj këtij rasti bëri që Kuvendi i Kosovës ta mbajë një seancë të jashtëzakonshme, ndërsa tre personat e implikuar profesori, polici dhe doktori i cili supozohet se e kreu abortin në mënyrë të kundërligjshme u arrestuan.

Bosnje dhe Hercegovinë

Një mungesë e madhe e mosbesimit ndaj institucioneve ka qenë në qendër të protestave në Bosnje dhe Hercegovinë në muajt e fundit. Me muaj të tërë, qytetarët kanë dalur në rrugët e Banja Llukës dhe Sarajevës duke kërkuar drejtësi për dy burra të rinj, pasi që besojnë që vdekjet e tyre ndodhën në rrethana të dyshimta dhe janë mbuluar nga autoritetet.

Në mars 2018, 21 vjeçari David Dragičević supozohet se ishte duke u kthyer nga një lokal në qytetin e Banja Llukës, në entitetin e Republika Srpska-s (RS), kur ai u zhduk. Më vonë u gjet i vdekur në Lumin Crkvena.

Sipas raportit zyrtar për këto ngjarje, David-i ishte përfshirë në një përleshje në natën kur u zhduk dhe pastaj shkoi për ta plaçkitur një shtëpi, para se të kërcente nga një urë në lumin e cekët dhe të mbushur me ujëra të zeza, ku u mbyt.

Por familja e të ndjerit besojnë se David-i u vra dhe e kanë akuzuar policinë për fshehje të së vërtetës, si dhe kanë kërkuar ndihmë nga qytetarët për ta zbardhur rastin e të birit të tyre. Gjatë një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin Kombëtar të RS-së, babai i David-it, Davor, i përmendi katër zyrtarë të nivelit të lartë për të cilët ai besonte se ishin të përfshirë në përpjekjet për ta mbuluar vdekjen e birit të tij, përfshirë këtu ministrin e brendshëm të RS-së dhe drejtorin e policisë.

Protestuesit që po kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie për vdekjet e dyshimta të dy djemve të rinj në Bosnje dhe Hercegovinë janë bashkuar pa marrë parasysh grupet etnike apo lidhjet partiake. Foto: Lidia Kurasinska.

Qendra e qytetit të Banja Llukës po mbushet çdo ditë me protesta të cilat janë rritur në mënyrë dramatike në gjysmën e dytë të vitit 2018 kryesisht të koordinuara nga lëvizja Pravda za Davida (Drejtësi për Davidin), që i ka më shumë se 250,000 anëtarë në grupin e saj në Facebook.

Rasti i David-it është jehonë e një rasti tjetër që ndodhi para dy vitesh ai i 22 vjeçarit Dženan Memić.

Dženan-in e sollën të lënduar rëndë në spitalin e Sarajevës më 8 shkurt 2016. Ai ndërroi jetë pas një jave. Ndonëse policia boshnjake raportoi se ai ishte lënduar në një aksidet në trafik dhe dy burra u gjykuan për shkaktim të aksidentit dhe arratisje nga vendi i ngjarjes familja e Dženan-it e ka mohuar këtë verzion të ngjarjeve.

Muriz Memić, babai i Dženan-it, gjithmonë ka ngulur këmbë se i biri i tij është vrarë dhe se krimi është mbuluar nga prokuroria dhe polcia; ai insiston se kryeprokurori i kantonit e informoi personalisht atë në mars 2016 se i biri i tij ishte vrarë.

Në tre vitet e fundit, Muriz Memić-i ka organizuar dhjetëra protesta në Sarajevë nëpërmjet të cilave ka bërë thirrje që policia t’i sjellë para drejtësisë autorët e krimit.

Etërit e David-it dhe Dženan-it luftuan në anë të kundërta gjatë Luftës në Bosnje, por përpjekjet e tyre për të kërkuar drejtësi për djemtë e tyre kanë bërë që ata dhe mbështetësit e tyre të bashkohen pa marrë parasysh grupet etnike ose lidhjet partiake. Më 15 maj 2018, në një demonstrim të solidaritetit ndëretnik, që është diçka e rrallë në Bosnjen bashkëkohore, rreth një mijë njerëz dolën për ta mbështetur kërkesën e etërve për drejtësi, derisa dy burrat e mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ndërsa mijëra qytetarë janë bashkuar që prej atëherë në protestat e njëkohshme në Banja Llukë dhe Sarajevë.

Davor Dragičević, bashkëshortja e tij dhe disa anëtarë tjerë të Pravda za David janë larguar nga shteti, duke pretenduar se kishin përjetuar presion të madh nga policia, dhe se kishin frikë për jetët e tyre.

Në dhjetor, situata eskaloi kur Davor Dragičević-i u arrestua pas një përleshjeje të raportuar ndërmjet protestuesve dhe policisë; zyra e BE-së në Sarajevë reagoi duke shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me arrestimin dhe e nxiti policinë të tregohen të përmbajtur. Milorad Dodik-u, i cili ishte kryeministër i Republika Srpska-s në atë kohë, deklaroi se protestat kishin motive politike; disa politikanë të opozitës kanë bërë përpjekje ta asociojnë veten me lëvizjet protestuese.

Prej arrestimit të Davor Dragičević-it, ai, bashkëshortja e tij dhe disa anëtarë tjerë të Pravda za David janë larguar nga shteti, duke pretenduar se kishin përjetuar presion të madh nga policia dhe se kishin frikë për jetën e tyre. Disa anëtarë të Pravda za Davida ende po mundohen të mbledhen për çdo natë në Banja Llukë, por numri i tyre është shumë më i vogël se vitin e kaluar. Po mëtohet se policia e RS-së po e kufizon lirinë për t’u mbledhur duke ua ndaluar njerëzve të mbledhen në atë që është emëruar “Sheshi i David-it”, vendi ku e kishin parë të gjallë për herë të fundit.

Igor Štiks-i, një akademik i lindur në Sarajevë, ka thënë se protestat e fundit, si dhe protestat e përhapura që u mbajtën para pesë vitesh në Bosnje dhe Hercegovinë, kanë qenë të fokusuara në drejtësi sociale dhe se për herë të parë i kanë shfaqur pabarazitë në sistemin aktual, si dhe kanë theksuar mundësinë për të vepruar ndryshe.

“Ato e kanë shfaqur gjithë kalbësirën rreth tyre”, tha ai në një intervistë për Oslobodenje në shkurt 2019.

Megjithatë, ai gjithashtu argumentoi se përderisa lëvizjet si Drejtësi për Davidin ndihmuan ta “demaskojnë një sistem të kalbur”, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që sistemi do të ndryshojë. “Ata që kanë pushtet, ata që kanë mundësi të krijojnë konflikte, dhunë dhe luftëra në të ardhmen, nuk do t’i dorëzojnë lehtë privilegjet e tyre”, tha ai. “Qysh tani, brutaliteti dhe shtypja e tyre po shihen qartë nga të gjithë. Prej kësaj lëvizim para”.

Maqedoni

Në shumë mënyra, Maqedonia është në një moment politik më ndryshe se pjesa tjetër e rajonit pas “Revolucionit të larmë” që ndodhi atje në vitin 2016.

Lidhja Social-Demokratike e Maqedonisë (SDSM-ja), e drejtuar nga Zoran Zaev, erdhi në pushtet në fillim të vitit 2017, pas një dhjetëvjetëshi qeverisje nga Nikola Gruevski dhe partia e tij, VMRO-DPMNE-ja, që u karakterizua gjithnjë e më shumë me tendenca autokratike, duke e larguar kësisoj vendin nga rrugëtimi drejt integrimit euro-atlantik.

VMRO-DPMNE-ja në fund u rrëzua dhe doli në opozitë nëpërmjet zgjedhjeve që u shoqëruan me protesta të vazhdueshme dhe masive, kryesisht të fokusuara rreth “bombave” të Zaev-it incizimeve të bisedave të përgjuara që zbuluan korrupsionin e nivelit të lartë brenda qeverisë së Gruevski-t, sikurse zbuluan edhe projekte të mbikëqyrjes së qytetarëve nga shërbimi sekret shtetëror, të cilat i kishte drejtuar kushëriri i tij.

Për shumëkë ishte hapur një dritare e re në historinë e tranzicionit politik të Maqedonisë një epokë e stabilizimit të brendshëm ekonomik dhe politik dhe një kthim në rrugëtimin drejt integrimit euro-atlantik. Por si kusht për anëtarësim në NATO dhe BE, Maqedonisë iu kërkua zgjidhja e çështjes politike që kishte vazhduar për më shumë se një çerek shekulli: konflikti rreth emrit me fqinjin e saj jugor, Greqinë, e cila mëtonte se emri Maqedoni implikonte tendenca irrendentiste për shkak se Greqia kishte një rajon me po të njëjtin emër.

Pas negociatave intensive, më 17 qershor 2018, buzë Liqenit të Prespës, në kufirin ndërmjet dy shteteve, u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet Zaev-it dhe homologut të tij grek, Alexis Tspiras. Maqedonia u bë e njohur si Republika e Maqedonisë Veriore.

Qindra protestues nga organizata Për Një Maqedoni të Përbashëkt (Za Zaednicka Makedonija) dolën në rrugët e Shkupit për ta kundërshtuar ndryshimin e emrit, duke e etiketuar atë si akt tradhëtie.

Vetëm tri ditë më vonë, Parlamenti i Maqedonisë e ratifikoi marrëveshjen, por para se të hynte në fuqi u mbajt një referendum këshillues më 30 shtator. Opozita insistonte se Marrëveshja e Prespës ishte kapitullim kombëtar për Maqedoninë dhe nuk i nxiste mbështetësit e saj për të marrë pjesë në këtë referendum, ndërsa Presidenti i nxiste në mënyrë aktive qytetarët që ta bojkotonin plebishitin.

Edhe pse 91 përqind e votuesve votuan në favor të marrëveshjes, pjesëmarrja arriti vetëm 37 përqind, dhe jo 50 përqindëshin e kërkuar nga ligji maqedonas ashtu që referendumet të quhen valide. Megjithatë, qeveria e Zaev-it nguli këmbë që të vazhdojnë me ndryshimin e emrit pa marrë parasysh këtë.

Në tetor, diskutimet filluan në parlament për ta ndryshuar Kushtetutën në lidhje me Marrëveshjen e Prespës dhe më 11 janar, parlamenti i miratoi amendamentet, të cilat hynë në fuqi më 12 shkurt pasi që edhe Greqia e ratifikoi marrëveshjen.

Ndërkohë, qindra protestues nga organizata Për Një Maqedoni të Përbashëkt (Za Zaednicka Makedonija) dolën në rrugët e Shkupit për ta kundërshtuar ndryshimin e emrit, duke e etiketuar atë si akt tradhëtie nga ana e kryeministrit Zaev. E njëjta organizatë kishte protestuar edhe në prill 2017 kundër zgjedhjes së një politikani shqiptar si kryetar i parlamentit të Maqedonisë, si dhe në fillim të vitit 2018 kundër miratimit të ligjit që e zgjeroi përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Edhe pse organizata Za Zaednicka Makedonija është treguar mjaft e qëndrueshme, numri i pjesëmarrësve në aktivitetet e tyre ka mbetur modest dhe me sa duket kjo organizatë po ka pak ndikim për ta penguar Zaev-in që po lëvizë para në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE pas disa viteve në të cilat dukej se ky shtet po bënte hapa prapa e jo para në këtë rrugëtim.K

Foto kryesore:  Marion Dautry / K2.0.