Në thelb | Zgjedhjet2021

ZGJEDHJET 2021: JAVA 3 — ÇFARË NA ËSHTË PËRVJEDHUR?

Nga , - 05.02.2021

Nga gjuha e larmishme deri te dilemat e diasporës, të gjitha në një vend.

Ndjekja e përditshme e lajmeve mund të jetë e lodhshme edhe në situatat më të mira, edhe kur nuk ka ndonjë pandemi që është duke tronditur jetët tona.

Prandaj, në paraprirje të rundit të radhës të zgjedhjeve, nuk ju fajësojmë nëse doni t’i hiqni qafe të gjitha njoftimet në telefon, ta mbyllni llaptopin dhe t’iu shmangeni të gjithë titujve e lajmeve 24/7 sikur ndonjë murtaje…

Por përderisa ndjekja e vazhdueshme e premtimeve të përsëritura, debateve dhe skandaleve mund të jetë e tepërt, kjo s’do të thotë që nuk është mirë të mbetemi të informuar.

Prandaj do t’jua sjellim “pikat kryesore” (dhe ato të ulëta) të shtatë ditëve të fundit për çdo jave deri në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt.

Pasi fillimi të shumëpritur të fushatës zyrtare të mërkurën (më 3 shkurt) — edhe pse ka pasur fushatë jozyrtare për javë të tëra — ethet e zgjedhjeve janë theksuar paksa këtë javë… 

Surprizë, surprizë…?

Fushata zgjedhore e këtij viti për pak u nis drejt një surprize të vërtetë: Nuk pati asnjë premtim për liberalizim të vizave.

Pas disa alarmeve të rrejshme — dhe një deklarate tragjikomike në vitin 2018 nga kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj se “liberalizimi ka ndodhë pardje” — është marrë përshtypja që politikanët këtë vit më në fund kanë vendosur të heqin dorë nga ajo që pa dyshim mund të quhet “premtimi më i popullarizuar” i fushatave të kaluara. 

Por të enjten (më 4 shkurt), joshja e saj doli të jetë tepër e fuqishme për kryeministrin në detyrë dhe kandidatin për kryeministër të LDK-së Avdullah Hoti. Në fjalimet para turmave në Istog dhe në Pejë ai ka njoftuar: “Në 2021 do të përfundojmë liberalizimin e vizave sepse qeveritë e shumë shteteve të BE-së na besojnë”.

Në ndërkohë, jo të gjithë kandidatët për kryeministër të partive janë aq të qartë sa do të pritej duke pasur parasysh se kanë filluar fushatat zyrtare. Në broshurën përfundmtare që përfshin listat e kandidatëve të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mërkurën, lista e Vetëvendosjes fillon me kandidaten numër dy, Vjosa Osmani. Kjo vjen pas një mosmarrëveshjeje mes Vetëvendosjes (VV) dhe KZQ-së e cila ka lënë Albin Kurtin jashtë vendit të parë për shkak të një dënimi nga gjykata në të kaluarën e afërt. 

Më 29 janar, VV-ja ka thënë që nuk do të bëjë apel në Gjykatën Kushtetuese pas vendimit të javës së kaluar të Gjykatës Supreme ia ka pamundësuar Kurtit kandidimin. Përkundër largimit të tij, Kurti ka vazhduar të këmbëngulë që partia e tij “ende do të ketë 110 kandidatë në listë”, duke iu referuar numrit të kandidatëve — që përfshinte Kurtin —  në listën origjinale që VV i ka dorëzuar KQZ-së.

Programet politike

VV-ja është partia e madhe e fundit që ka paraqitur programin zgjedhor këtë javë, edhe pse nuk është publikuar ende në formë të shkruar. Të enjten, natën para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, udhëheqësi i VV-së Albin Kurti ka paraqitur kandidatët për deputetë pasi ka folur për prioritetet e partisë së tij.

Ai ka thënë që puna e parë për qeverinë e tij potenciale do të jetë pandemia, duke filluar me vaksinimin e mbi 60% të popullatës deri në fund të vitit, sigurimin e medikamenteve dhe testeve të mjaftueshme, trajnimin e stafit dhe komunikimin me qytetarët. Ai gjithashtu ka përmendur bashkëpunimin me shtetet e rajonit, veçanërisht me Shqipërinë, për t’iu kundërvënë pandemisë.

Kurti më tutje ka folur për masat ekonomike që do t’i merrte qeveria e tij, me fokus të veçantë për mbështetjen e ndërmarrëseve, për rininë, për bizneset bujqësore dhe për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ai ka premtuar që qeveria e tij do ta rriste pagën minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe së kjo shumë nuk do të tatohej.

“Brenda 100 ditëve të para do të shfuqizojmë moratoriumin e qeverisë Hoti.”

Memli Krasniqi, PDK

Rivali i tij nga LDK Avdullah Hoti ka dhënë një premtim më bujar; ashtu si kandidati për kryeministër i PDK-së Enver Hoxhaj, ai ka premtuar një pagë minimale prej 300 eurosh, “pavarësisht nga mosha”. 

Këtë javë, Hoxhaj dhe Memli Krasniqi kanë paraqitur sektorin e politikave të jashtme dhe “rimëkëmbjes” së imazhit të Kosovës nga programi i sivjetshëm zgjedhor i PDK-së. Ndoshta ajo që tërheq më së shumti vëmendjen është premtimi për të shfuqizuar moratoriumin njëvjeçar për aplikim në organizata ndërkombëtare që ka qenë pjesë e marrëveshjes së shtatorit 2020 të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Hoti në Uashington. 

“Brenda 100 ditëve të para do të shfuqizojmë moratoriumin e qeverisë Hoti”, Krasniqi ka thënë të dielën. “Brenda 100 ditëve të para do të riorganizojmë platformën shtetërore për të rikonfiguruar marrëdhëniet diplomatike me shtetet me të cilat janë lënduar marrëdhëniet diplomatike nga paaftësia e qeverisë Hoti dhe asaj Kurti, si dhe të riorganizojmë qasjen tonë ndaj njohjeve të reja, jo vetëm si formalitet por gjithashtu si përmbajtje”. 

Hoxhaj ka shërbyer si zëvendëskryeministër mes viteve 2017 dhe 2019 në qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga Ramush Haradinaj i AAK-së. Pak kohë pasi koalicioni i udhëhequr nga Haradinaj ka marrë pushtetin është lajmëruar për “çnjohjen” e parë të Kosovës, ndërsa është lajmëruar për gjithsej 15 të tilla prej kohës kur Serbia ka filluar fushatën e saj për nxitjen e shteteve që ta tërheqin njohjen e tyre të pavarësisë së Kosovës. Beogradi ka pranuar ta pushojë fushatën e “çnjohjeve” si pjesë pikës së njëjtë të marrëveshjes në të cilën Kosova është pajtuar të pushojë kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. 

Bartësi i listës së AAK-së dhe synuesi i postit të presidentit Haradinaj nuk ka paraqitur asgjë të re sa i përket premtimeve të fushatës qysh nga publikimi i programit të partisë para disa javësh, por ai ka ritheksuar deklarata të mëhershme të prioritetit të partisë së tij për të iu bashkuar NATO-s.  

Në debatin e Euronews Albania të mërkurën, Haradinaj ka thënë që ai “i ka dërguar mesazh” Serbisë dhe të gjithë të tjerëve që duan ta bllokojnë Kosovën, se përpjekjet e tyre do të jenë kundërproduktive. “Nëse Kosova nuk është në dyer të NATO-s, do të bashkohemi me Shqipërinë”, ka thënë ai, duke përsëritur një ultimatum të fortë që se pari e ka përmendur — me me sa duket papritmas — para dy javësh

Shumë e mirë për të qenë e vërtetë?

Hoxhaj ka shumë për të arritur kur vjen puna te premtimet e mëdha zgjedhore. Para zgjedhjeve të vitit 2017, paraardhësi i tij si kandidat për kryeministër i PDK-së Kadri Veseli u ka premtuar votuesve se Kosova do të bëhej “Zvicra e Ballkanit” sa i përket ekonomisë, përderisa në vitin 2014 Hashim Thaçi pati dhënë premtimin e famshëm që do të krijojë 200,000 vende të reja pune. 

Duke folur në një vizitë në fshatin e Suhodollit, që gjendet në veri të lumit Ibër në dalje të Mitrovicës, Hoxhaj u ka thënë mbështetësve të mërkurën (më 3 shkurt) se PDK-ja planifikon të rindërtojë çdo shtëpi në veri të shtetit.

“Për familjet shqiptare që jetojnë aktualisht në veri apo që duan të kthehen në pronat e tyre, [programi për] Rimëkëmbje [i PDK-së] do të ndajë edhe fonde për rindërtimin e shtëpive, për zhvillimin e bujqësisë, për punësimin dhe krijimin e ndërmarrjeve të vogla si biznese familjare”, Hoxhaj ka shkruar në një postim në Facebook. “Ne po vazhdojmë atë që e nisi Hashim Thaçi, Bajram Rexhepi e Ali Kadriu, me përkrahjen edhe të Kadri Veselit. Çdo shtëpi do të rindërtohet në veri”.

Qeveritë e Kosovës për një kohë të gjatë kanë pasur telashe me zbatimin politikave në veriun me shumicë serbe, zonë ende vepron kryesisht brenda strukturave paralele të Beogradit.

Problemi i ndërtimit të shtëpive është një temë veçanërisht e ndjeshme, për të cilin ka akuza të ndërsjella mes figurave politike në Kosovë edhe në Serbi për përpjekje të manipulimit të përbërjes etnike të zonës për fitime politike. Qytetarët lokalë kanë akuzuar paraprakisht udhëheqësit politikë se kanë përdorur problemin për “lojëra politike” në mënyrë që të sigurojnë vota para zgjedhjeve dhe që t’i shpërfillin problemet e tyre jashtë cikleve zgjedhore. 

QYSH kanë thënë?

Në luftën e ashpër të fjalëve në këtë fushatë zgjedhore, as monumentet e famshme në vendet e largëta nuk janë jashtë debatit.

“Nuk mund ta lejonim Shtëpinë e Bardhë të quhej e verdhë apo e kuqe”, ka thënë Avdullah Hoti duke filluar fushatën zgjedhore zyrtare të LDK-së në Podujevë.

Hoti ishte duke mbrojtur vendimin e partisë së tij për të filluar një votë të mosbesimit ndaj partnerit të tyre të koalicionit, VV, në ditët e para të pandemisë së COVID-19 pranverën e kaluar, gjë që LDK-ja e ka paraqitur si mbrojtje të miqësisë së veçantë të Kosovës me ShBA-në.

Gjuha e tij larmishme ishte referencë ndaj fjalimit të Albin Kurtit ku ka thënë se “nuk ka marrëveshje të nënshkruar as në shtëpi të bardhë, të gjelbër apo të kuqe”, në ditën e votës së mosbesimit, ndërsa kryeministri i atëhershëm ka refuzuar fuqimisht idenë e “shkëmbimit territorial” të mundshëm me të si në pozitën e kryeministrit. Shumë njerëz atë kohë kanë supozuar që një marrëveshje e përfolur për shkëmbim të territorit me Serbinë — së pari e paraqitur nga Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi dhe Presidenti serb Aleksandar Vučić — mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme që ishte duke u shtyrë fuqishëm nga administrata Trump dhe Kurti pretendonte se kjo ishte arsyeja e vërtetë prapa shkarkimit të qeverisë. 

“Secili ka të drejtë të lëvizë në katër anët e Kosovës, por nuk duhet të përdoret në asnjë moment për fushatë dhe për të treguar gjëra të cilat nuk qëndrojnë dhe nuk ekzistojnë.”

Avdullah Hoti, LDK

Këtë javë, Kurti dhe Vjosa Osmani kanë vizituar Mitrovicën e Veriut — një komunë me shumicë serbe që shumë kanë spekuluar që do të jetë pjesë e marrëveshjes për shkëmbim të territoreve. Në video të publikuara në rrjete sociale, të dy mund të shihen duke u pritur nga dhjetëra njerëz që thërrasin “këtu është Serbi” dhe duke përdorur sharje në bazë të etnisë dhe gjuhë fyese përderisa ecin në rrugë. 

Hoti më vonë ka komentuar rreth takimit të rivalëve të tij politik me gjuhë jo fort të qartë:

“Me disa kauza dhe çështje duhet t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore, ai është territor i Kosovës pa asnjë dyshim dhe nuk kontestohet në asnjë formë”, ka thënë ai. “Secili ka të drejtë të lëvizë në katër anët e Kosovës, por nuk duhet të përdoret në asnjë moment për fushatë dhe për të treguar gjëra të cilat nuk qëndrojnë dhe nuk ekzistojnë”. 

Hoxhaj gjithashtu ka bërë komente rreth incidentit, që ngjajnë si tallje me Kurtin dhe Osmanin, e cila si kryetare e Kuvendit — dhe sipas kushtetutës — është bërë presidente në detyrë e Kosovës pas dorëheqjes së Hashim Thaçit në nëntor.

“Imagjinoni Ushtruesen e Detyrës së Presidentit, e cila u ngut 1 orë pasi shkoi Hashim Thaçi [nga zyra dhe] dje bëri turrë për një grusht votash bashkë me kryeministrin e famshëm, drejt veriut”, ka thënë ai. “Dolën pesëmbëdhjetë fëmijë serb e ndalën kolonën e U.D. të Presidentit, e ndalën ish-kryeministrin.”

“Tentimi për ta paraqitur Skenderajn si zonë me rrezikshmëri është i kamotshëm.”

Dega e PDK-së në Skënderaj

Ky nuk ishte i vetmi rast këtë javë ku Kurti është pritur më thirrje jo aq mikpritëse. Të hënën, ndërsa ecte nëpër sheshin e Skënderajt — i cili njihet si bastion i PDK-së për një kohë të gjatë — të hënën, një grup njerëzisht kanë hedhur ve dhe gurë drejt tij, duke thirrur “Thaçi”, “UÇK” dhe “kthehu në Serbi”. 

PDK-ja më vonë ka nxjerrë një deklaratë duke pyetur përse Kurti ishte shoqëruar nga forca speciale të Policisë së Kosovës kur nuk ka pasur mbrojtje të tillë në Mitrovicën e Veriut. “Tentimi për ta paraqitur Skënderajn si zonë me rrezikshmëri është i kamotshëm”, ka thënë në reagim. “Ata [qytetarët e Skënderajt] as sot dhe asnjëherë nuk do të bien pre e provokimeve të ulëta nga kushdo që bëhen”.

Kurti ka mohuar që policia ka qenë e njësive speciale, duke thënë që ishte prezenca e njëjtë e policisë që e ka shoqëruar në vendet tjera në periudhën parazgjedhore. 

Diaspora thërret

Saga për votuesit e diasporës ka vazhduar të bëjë bujë këtë javë, ndërsa procesi për regjistrimin e votuesve të rinj  jashtë Kosovës — që për herë të parë ka përfshirë telefonata verifikuese — është dukur se ka shkaktuar zallahi në përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). 

Sipas planit operacional të lajmëruar nga KQZ-ja, procedurat e regjistrimit të votuesve duhet të ishin përfunduar të mërkurën e kaluar (më 27 janar). Por pothuajse një javë më vonë, Komisioni ka njoftuar që rreth 19,000 aplikues ende nuk janë kontaktuar dhe më shumë se 17,000 të tjerë nuk janë përgjigjur në telefon. 

Të martën, KQZ-ja ka miratuar listën e votuesve për zgjedhje, duke përfshirë 102,100 votues prej jashtë Kosovës — një rekord i ri dhe pothuajse tri herë më i lartë se rekordi i kaluar prej 35,087 votuesish nga që janë regjistruar me sukses për zgjedhjet e vitit 2019. 

KQZ-ja gjithashtu ka vendosur që do të vazhdojë të provojë të kontaktojë 36,000 aplikuesit e mbetur të cilët ende nuk janë kontaktuar përmes telefonit; nëse nuk mund të arrihen deri të shtunën (më 6 shkurt), zarfet me vota që mund të arrijnë nga këta aplikues nuk do të verifikohen. 

Për javë të tëra, pjesëtarët e diasporës kanë shprehur frustimin dhe hutimin e tyre rreth procesit në rrjete sociale si pasojë e mungesës së informatave me kohë dhe të qarta nga KQZ-ja. 

Këto janë shtuar më tej pasditen e së mërkurës, kur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka publikuar një lajmërim që thekson se kushdo jashtë Kosovës që dëshiron të bëjë apel për përjashtimin e tyre nga lista e votuesve duhet ta bëjë përmes postës, jo emailit. Megjithatë, afati i fundit për dërgimin e apeleve ishte për po të njëjtën pasdite (duke marrë datën e dërgimit për referencë).

PZAP-i më pas e ktheu mbrapsht vendimin për të shqyrtuar vetëm ankesat e dërguara me postë, duke njoftuar të premten se nga “vullneti i mirë” kishte vendosur të shqyrtonte 281 ankesa që i kishin ardhur përmes email-it brenda afatit; nga këto tha se kishte pranuar 144 dhe po udhëzonte KQZ-në t’i shtonte këta emra në listën e votuesve.*

Në ndërkohë, periudha zyrtare e votimit për votuesit nga jashtë Kosova është ka nisur mëngjesin e së martës, por fletëvotimi dhe broshura që përmban listat e kandidatëve ende nuk ishte miratuar dhe e bërë publike nga KQZ-ja.

Deri në kohën kur zyrtarisht janë miratuar dhe publikuar në uebfaqen e KQZ-së, më vonë në pasditen e së martës, pjesëtarët e diasporës dhe politikanët ishin duke i shprehur frustrimet e tyre që votuesit përmes postës kishin humbur një ditë për dorëzimin e votave të tyre në një afat që prej fillimit ishte i shkurtër. 

Plot votues të diasporës kanë raportuar që kanë paguar dhjetëra euro në formë të tarifave për dërgesa të shpejta që të sigurohen se votat e tyre do të numërohen, por duke marrë parasysh pengesat botërore të shërbimeve postare të shkaktuara nga pandemia e COVID-19 dhe sistemit të dobët postar në Kosovë, ende nuk ka garanci që ato do të arrijnë para afatit të fundit më 21 shkurt

Vëzhgimi i qeverisë

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka njoftuar të mërkurën që kryeministri në detyrë Hoti ka pranuar të plotësojë të gjitha kërkesat e bëra nga Konferenca e Parlamentit Studentor javën e kaluar. 

Këto kanë përfshirë kthimin e ligjëratave fizike nga semestri i ardhshëm, lirimin e të gjithë studentëve të nivelit bachelor nga pagesat e universitetit dhe përgjysmimin e pagesave për studentët nivelit master dhe atij të doktoratës. Gjithashtu thuhet që studentët nga Lugina e Preshevës — zonë që përfshin tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi — nuk do të paguajnë për vitin e parë të studimit. 

Të enjten është bërë e ditur që ish-kandidati për deputet i LDK-së Valbon Krasniqi ka fituar konkursin për t’u bërë drejtor i institucionit të ShSKUK-së.

Postimi në Facebook i Parlamentit Studentor thotë që do të pasojnë vendimet zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe nga qeveria, ndërsa Universiteti i Prishtinës ka thënë që nuk ka pranuar asgjë zyrtare në këtë drejtim dhe që do të vazhdojë të zbatojë vendimet në fuqi deri sa të pranojë informata të tjera nga autoritetet kompetente. 

Jashtë kësaj, të enjten është bërë e ditur që ish-kandidati për deputet i LDK-së Valbon Krasniqi ka fituar konkursin për t’u bërë drejtor i institucionit të shëndetit publik Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK). Krasniqi fillimisht nuk ka arritur të bëhet pjesë e listës përfundimtare pasi është vlerësuar që i mungon përvoja e kërkuar menaxheriale për pozitën, por ai ka gjetur shtegun e vet për t’u kthyer në garë javën e kaluar pas një rivlerësimi të dukshëm.

Bordi i QKUK-së ka refuzuar kërkesën e BIRN-it për të monitoruar garën dhe thuhet se kanë nxjerrë vendimin për refuzim 20 minuta pas fillimit të testit me shkrim për kandidatët, kur monitoruesi i BIRN-it tanimë kishte arritur në dhomën ku mbahej testi.

Duke iu përgjigjur ankesës së BIRN-it, kryeministri në detyrë Hoti ka thënë: “Nuk qëndron ajo që një institucion publik vepron në kundërshtim me ligjin. Nëse punon dikush në kundërshtim me ligjin duhet me i ndjek procedurat ligjore në atë drejtim, por ata [bordi i ShSKUK-së] janë të pavarur në punën e tyre”.

Ai ka nxitur BIRN-in të “ndjekë procedurat ligjore”, duke shtuar: “Keni të drejtë për qasje në të gjitha dokumentet. Kërkoni qasje, në bazë të ligjit brenda 7 ditëve janë të obliguar të gjitha institucionet t’ju lejojnë qasje”.

Vëzhgimi i pandemisë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë thirrje të dielën për shtrëngimin e masave kundër COVID-19, duke përfshirë një ndalesë të rreptë të tubimeve. Thirrja ka ardhur pas konfirmimit që “varianti i ri i Mbretërisë së Bashkuar” të virusit — që shkencëtarët besojnë se mund të jetë 70% më i ngjitshëm se varianti origjinal — është zbuluar në Kosovë. 

Përkundër paralajmërimeve të fuqishme, partitë politike të Kosovës kanë vazhduar t’i shpërfillim plotësisht masat parandaluese që kanë për qëllim ngadalësimin e përhapjes së virusit. Ndërsa fushata zyrtare ka filluar këtë javë, të gjitha partitë e mëdha politike janë fotografuar vazhdimisht duke mbajtur tubime të mëdha, shpesh në ambiente të mbyllura, pa distancim fizik dhe shpesh pa maska. 

Para fillimit të fushatës zyrtare zgjedhore, të hënën ka dalë një fotografi e një tubimi masiv të PDK-së në Ferizaj me qindra njerëz të grumbulluar në ambient të mbyllur, ku virusi përhapet më lehtë. Të nesërmen, PDK-ja është gjobitur për shkeljen e rregullave të COVID-19 nga Komuna e Prizrenit, gjë që besohet të jetë gjoba e parë në lidhje me COVID-19 për një politike jashtë Prishtinës. 

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj gjithashtu ka postuar fotografi ku shihet duke i shkelur rregullat në një tubim zgjedhor të LDK-së për të dytën herë me radhë këtë javë.

AAK-ja dhe Nisma gjithashtu janë gjobitur më shumë këtë javë për mbajtjen e ngjarjeve në mjedise të mbyllura me më shumë se 30 pjesëmarrës, ndërsa VV-ja ka marrë gjoba për ngjarje të mëdha në ambiente të hapura me më shumë se 50 persona. 

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj — i cili vazhdimisht i nxit qytetarët të respektojnë ndalesat e COVID-19 — gjithashtu ka postuar fotografi ku shihet duke i shkelur rregullat në një tubim zgjedhor të LDK-së për të dytën herë me radhë këtë javë.

Në ndërkohë, një paralajmërim i shpërndarjes ndërkombëtare të vaksinës i publikuar këtë javë ka sugjeruar që Kosova mund të pranojë vaksinat e para kundër COVID-19 deri në fund të shkurtit. Raporti nga aleanca GAVI-COVAX ka treguar që Kosovës sivjet i janë ndarë 100,800 doza të vaksinës AstraZeneca nga skema globale që ka për qëllim shpërndarjen e drejtë globale.

Meqë individët kërkojnë dy doza të vaksinës AstraZeneca, kjo do të ishte e mjaftueshme për të vaksinuar rreth 50,400 persona — përafërsisht 3% e popullatës së Kosovës — ndërsa pritet që të ketë prioritet për qytetarët më të cenueshëm siç janë punëtorët shëndetësorë.

Numri zyrtar i rasteve të reja të COVID-19 ka mbërritur një mesatare prej 300 sosh në ditë këtë javë, edhe pse numri i rasteve të raportuara si “aktive” ka vazhduar të rritet; Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka raportuar rreth 6,700 raste aktive të premten, shifër që është rritur nga rreth 6,200 në të njëjtën kohë javën e kaluar. 

Numri i vdekjeve që zyrtarisht i ngarkohen COVID-19 ka rënë pak këtë javë — janë raportuar 32 vdekje në 7 ditët e fundit (nga e shtuna, 30 janar) pak më pak se 40 vdekjet e raportuara në të njëjtën periudhë javën e kaluar.K

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

* Shënim i redaktorit (05.02.21): Informata rreth vendimit të PZAP-it për t’i lejuar  ankesat e pranuara me email i është shtuar artikullit pas publikimit origjinal.