Në thelb | Zgjedhjet 2017 | Sporti

Çështjet e mëdha zgjedhore: Sporti

Nga - 01.06.2017

Si do të zhvillohet sporti kosovar pas njohjeve ndërkombëtare?

Vetëm edhe 10 ditë kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve, dhe emocionet janë në rritje e sipër. Megalomania dhe premtimet ambicioze mbizotërojnë në diskursin politik, ndërsa lajmet 24-orëshe kërcejnë nga intervista në intervistë, nga tema në temë.

Në këtë seri, K2.0 po e bën një hap prapa nga krejt ky muhabet. Duke shkruar për tema të ndryshme deri në zgjedhjet e 11 qershorit, po i mbulojmë disa çështje kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova sot, dhe po i paraqesim disa prej zgjidhjeve të cilat i ofron secila prej pesë partive politike shqiptare që ishin të përfaqësuara në Kuvend gjatë mandatit të kaluar parlamentar; programet, manifestot dhe politikat e tyre.

Deri vonë, marrëdhëniet ndërmjet sportit dhe politikës në Kosovë kryesisht ishin të përqendruara në politikën e jashtme, ndërsa depërtimi i Kosovës në organe ndërkombëtare të sportit konsiderohet si hapi thelbësor për njohjen e Kosovës si shtet. Megjithatë, gjatë mandatit të kaluar parlamentar, Kosova u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, si dhe në disa federata ndërkombëtare siç është ajo e futbollit, basketbollit, hendbollit, dhe të shumë sporteve të tjera si tenisi, gjimnastika dhe kikboksi. Megjithëse objektivat e politikës së jashtme janë arritur në masë të madhe nga ana e federatave të sportit të Kosovës, marrëdhëniet ndërmjet sportit dhe politikës as nuk e kanë në plan të përfundojnë.

Këto janë zgjedhjet e para me një varg çështjesh të reja. Mungesa e investimeve që nga vitet ’90 e ka lënë infrastrukturën e vendin në gjendje të mjerueshme. Kosova tash ka përfaqësuese të futbollit por ndeshjet si “nikoqire” i zhvillon jashtë vendit. Nuk është vetëm ekipi nacional ai i cili po ballafaqohet me problemet e zhillimit të ndeshjeve në vend, por ky është problem i përgjithshëm efektet e të cilit mund të jenë të shumëfishta. Një studim i fundit i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) e ka identifikuar rolin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) si thelbësor për parandalimin e ekstremizmit islamik në vend. Derisa si hap kyç në këtë drejtim është rekomanduar përmirësimi i palestrave sportive.

Politizimi i federatave është edhe një brengë shtesë. Kryetarët e shumë federatave kanë lidhje me establishmentin politik, ndërsa sportistët shpesh janë ankuar për shkak të drejtimit të tyre të dobët. Me t’u anëtarësuar në FIFA dhe UEFA, dy anëtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës u larguan për shkak të lidhjeve të tyre me politiken. Përfaqësueset e sportit të vajzave dhe grave gjithashtu shpesh e kanë kundërshtuar nivelin e financimit të sporteve të tyre krahasuar me ato të kolegëve të tyre.

Si do të sigurohen pesë partitë më të mëdha politike që këto palestra të jenë në dispozicion, dhe që federatat të drejtohen në interes të sportistëve duke i ndalur njëkohësisht edhe ndërhyrjet politike?

K2.0 i ka analizuar programet e tyre, ka kontaktuar me anëtarët e këtyre partive dhe i ka analizuar deklaratat e tyre publike për ta kuptuar qasjen e tyre ndaj sportit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Në programin e saj “Misioni i Ri 2014-18”, PDK ia kushton tri faqe përshkrimit të mënyrave për “inkurajimin e të rinjve dhe zhvillimin e sportit”. Në këtë program, PDK-ja i përmend të arriturat gjatë qeverisjes së periudhës 2011-2014 si dhe i paraqet planet për të ardhmen, të cilat kryesisht janë të përqendruara në infrastrukturë, duke përfshirë edhe “ndërtimin e një stadiumi olimpik”, i cili do të kushtonte më shumë se 60 milionë euro. Megjithatë, përkundër qeverisjes bashkë me partnerin e saj të koalicionit, LDK-në, në mandatin parlamentar (i cili nisi në fund të  2014-ës) stadiumi nuk u ndërtua. Ishin përfaqësuesit e LDK-së ata që e drejtuan Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë atij mandati.

K2.0 bisedoi me nënkryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin – i cili ishte Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë periudhës 2011-14 –  dhe e pyeti se pse stadiumi i premtuar nuk u realizua, si dhe nëse programi i “Fillimit të Ri” të PDK-së mund të siguronte se ky stadium do të ndërtohej. Krasniqi i tha K2.0 se në mars të vitit 2014 qeveria e drejtuar nga PDK-ja i filloi procedurat për ndërtimin e stadiumit, duke përfshirë edhe dorëzimin e kërkesës në Komunën e Prishtinës për të gjetur lokacionin. Kasniqi e drejtoi gishtin te koalicioni qeveritar pasardhës, të cilin e përbënte LDK-ja dhe partia e tij, PDK-ja, për mosvazhdimin e procedurave.

Krasniqi besonte se partnerët e ri të koalicionit do të siguronin qeveri më efikase. “Por, kjo çështje do të adresohet mënjëherë në qeverinë e re të koalicionit PDK-AAK-NISMA, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj”, i tha Krasniqi K2.0, duke premtuar se “ndërtimi do të nis qysh në vitin 2018 dhe do të përfundojë gjatë mandatit”.

Sa i përket investimeve në infrastrukturë, Krasniqi u ankua për mungesën e bashkëpunimit me qeverinë lokale gjatë përpjekjeve për implementimin e projekteve. “Ne jo vetëm që kemi qenë të gatshëm të investojmë, por i kemi pasë të ndara edhe mjetet buxhetore për projekte si Pishina Olimpike, në Prishtinë, Qendra multi-funksionale për sporte me dorë, etj. Fatkeqësisht, nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje konkrete nga Komuna e Prishtinës në kërkesat tona për ndarje të lokacioneve”.

Krasniqi e pranoi se sportit të vajzave dhe grave ka munguar mbështetja e qeverive të kaluara, megjithëse insistoi se vajzat dhe gratë kishin marrë mbështetje kur kishin garuar në skenën ndërkombëtare. Ish-ministri theksoi se programi “Fillimi i Ri”  e prioritetizon fuqizimin e grave, dhe se sporti këtu nuk është përjashtim, por nuk zbuloi politika specifike konkrete në lidhje me atë se si do të ndodhë fuqizimi i grave në sport. Programi i PDK-së nuk ishte në dispozicion të publikut deri më 31 maj.

K2.0 e pyeti Krasniqin për dorëheqjen e Bekim Haxhiut nga Federata e Futbollit në vitin 2016 me kërkesë të UEFA-së, dhe si do ta adresonte programi i ri i partisë çështjen e depolitizimit të federatave të sportit në Kosovë. Krasniqi e mbrojti postin e Haxhiut në Komitetin Ekzekutiv të Federatës, duke theksuar se ai u emërua përmes lidhjeve të tij me klubin futbollistik “Trepça” dhe se nuk e kishte përfaqësuar PDK-në, para se ta hidhte poshtë pohimin se federatat e sporteve në Kosovë janë të politizuara.

 

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

LDK-ja  në programin e saj të vitit 2012,  “Për Kosovën Europiane”, i ka të përfshira politikat e saja për sportin në kapitullin e shtatë që flet në fakt për “Politikën e Jashtme”.  Shumë shkurt, brenda dy paragrafëve, LDK aty thotë se anëtarësimi në organizata sportive, sikurse organizata tjera ndërkombtare, është synim i rëndësishëm i politikës së jashtme të LDK-së.  Kjo parti e sheh sportin vetëm si një mundëis të mirë të afirmimit dhe njohjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Më tej thuhet se LDK-ja angazhohet për  “masivizimin e sportit” (pa sqaruar çka nënkupton masivizimi i sportit). E këtë thotë se do ta bëjë përmes investimeve në infrastrukturën sportive, në mbështetjen e iniciativave të të rinjve dhe të talentëve të rinj. “Do të promovohet sporti shkollor dhe universitar. LDK-ja angazhohet në zhvillimin e sistemit të sportit në përputhje me Kartën Evropiane të Sportit dhe Kodit të Etikës në Sport dhe promovon pjesëmarrjen në sporte dhe në gara ndërkombëtare”, thuhet në programin e partisë.

LDK ka udhëhequr për tri mandate qeverisëse Ministrinë e Kulturës dhe Rinisë dhe Sportit në Kosovë (MKRS). Ministrat nga radhët e LDK-së, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri u akuzuan nga Prokuroria e shtetit edhe për keqëpërdorime. Ani pse akuzat ndaj tyre nuk lidhen direkt me sportin por keqpërdorimet e pozitës në kompetenca tjera në MKRS-së.

Në mandatin e fundit qeverisës, LDK-ja në Ministrinë e Kulturës e kishte vënë ministrin Kujtim Shala. Ky e kishte rritur buxhetin për departamentin e sportit dukshëm. Diku 2.3 për qind e buxhetit total të Kosovës është ndarë për departamentin e sportit, derisa 50 për qind e buxhetit total të Ministrisë i shkoi këtij departamenti. Me këtë ndarje, Shala ka rritur dukshëm buxhetin e sportit për vitin 2017.

Në vitin 2016 Kosova po ashtu u pranua në UEFA dhe FIFA. Përveç anëtarëvë të rregullt, pjesë e Federatës së Futbollit të Kosovës asokohe ishin edhe dy politikanë: Bekim Haxhiu nga PDK dhe Murat Hoxha nga LDK. Të dytë dhanë dorëheqje pas anëtarësimit të Kosovës në FIFA, meqë kjo kërkonte që të mos ketë persona politik në Federatë. K2.0 kontaktoi Sokol Havollin këshilltar i  ish-kryeministrit Mustafa, si dhe ish – ministrin dhe zëdhënësin e tij Arban Abrashi (të dy janë kandidatë për deputetë) për të pyetur nëse kanë plane për depolitizimin e federatave, por ngeli pa përgjigje.

Por, qeveria e Mustafës dështoi të përmbush premtimin për ndërtimin e Pishinës Olimpike në Gërmi të cilën e kishte premtuar ish kryeministri gjatë fushatës elektorale në vitin 2013. Një premtim tjetër ende i pa arritur i po atij viti është ndërtimi i Stadiumit Kombëtarë të Futbollit. Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të luaj në Stadiume të huaja edhe pas anëtarimit në FIFA dhe UEFA. Megjithatë, në janar të 2017-ës një projekt për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Futbollit në Prishtinë u aprovua nga Këshilli Kombëtar për Investime i Kosovës, dhe atë në tokën prej 37 hektarë të ndarë në Bërnicë (perfieri të Prishtinës), në kohën e qeverisjes së PDK-së. Gjatë vizitës së vendit, këtë vit, kryeministri në largim, Isa  Mustafa ka premtuar se do të sigurohet të ndajë mjete nga buxheti apo organizata dhe donacione për ta ndërtuar Stadiumin. K2.0 ka adresuar edhe disa pyetje tjera tek Havolli dhe Abrashi lidhur me investimet tjera në sport dhe avancimin e sportit për vajza dhe gra, por nuk ka marrë përgjigje.

Vetëvendosje (VV)

Kandidati i Vetëvendosjes për deputet, Faruk Mujku, i tha K2.0 se partia e tij synon ta bëjë sportin aktivitet ditor dhe thelbësor për të gjithë qytetarët përmes investimeve në infrastrukturë, duke e cituar programin e tyre “Alternativa Qeverisëse 2013”.

Kur u pyet për sigurimin e infrastrukturës e cila i përmbush standardet ndërkombëtare, Mujku deklaroi se megjithëse stadiumi kryesor i Prishtinës është prioritet, programi i Vetëvendosjes është më shumë i orientuar drejt projekteve më pak të bujshme. “Ekipet rinore dhe palestrat sportive do të kenë prioritet kur flasim për investimet në infrastrukturë”, i tha Mujku K2.0. “Synimi do të jetë ndërtimi i objekteve cilësore kundrejt stadiumeve masive”. Megjithatë, shtoi ai, në bashkëpunim me Federatat e Futbollit të Kosovës, Shqipërisë dhe organeve ndërkombëtare, partia e tij do të ndërtojë një Kompleks Olimpik dhe një stadium i cili i përmbush standardet e UEFA-së dhe të FIFA-së në Bërnicë, në periferi të Prishtinës — vendi i cili tashmë është ndarë për ndërtimin e një stadiumi nacional nga qeveria e kaluar.

Për t’i zhvilluar edhe talentet e reja edhe sportet në mbarë vendin, programi i partisë parasheh dhënien e bursave për fëmijët e dalluar dhe të rinjtë të cilët do të vijojnë akademitë e sportit. Programi thekson rëndësinë e përparimit të mësuesve të rinj dhe trajnerëve për mësimin në këto akademi, ndërsa Mujku shtoi se këta trajnerë do të përgatiten përmes bashkëpunimit me institucionet edukative sportive në Shqipëri dhe në Europë. Mujku gjithashtu i tha K2.0 se sportistë e suksesshëm do të kenë trajtim special nga shteti, dhe se sportet olimpike do të kenë prioritet në programet përgatitore për talentët e ri.

Mujku gjithashtu i nxori në pah planet e Vetëvendosjes për programin e lirimit nga taksat për bizneset të cilat do të investojnë në zhvillimin e infrastrukturës sportive brenda komunitetit. Ai shtoi se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me komunat do të vendosë standardet për palestrat lokale të sportit, të cilat do të jenë pjesë e planeve zhvillimore të çdo komune.

Për t’i bërë sportet më përfshirëse për të gjitha komunitetet duke përfshirë edhe zonat që janë më të lëna pas dore, Mujku tha se Vetëvendosje beson se qendrat e komunitetit mund të ofrojnë hapësira të përshtatshme për organizimin e aktiviteteve sportive të komuniteteve, duke përfshirë pjesëmarrjen përfshirëse. Sipas Mujkut, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nën udhëheqjen e

Vetëvendosje do të alokojë një pjesë të buxhetit vjetor për organizimin e aktiviteteve amatore sportive në mbarë vendin. Duke iu përgjigjur pyetjes se si do ta adresojë Vetëvendosja çështjen e sportit të femrave i cili financohet më pak, Mujku i tha K2.0 se partia do “t’i heqë të gjitha pengesat të cilat parandalojnë që gratë të marrin pjesë në sport”, por nuk ofroi hapa të qartë se si mund të arrihet kjo gjë.

Sa i përket pavarësisë së federatave sportive nga qeveria, Mujku konfirmoi se Vetëvendosje e mbështet pavarësinë e shoqatave dhe federatave sportive, porse shteti duhet t’i japë shtytje zhvillimit të sportit. “Politikat e federatave ndërkombëtare janë shumë të qarta, dhe e ndalojnë përfshirjen e politikës në sport”, i tha ai K2.0.  “Roli i shtetit është që të jetë një lloj rregullatori i zhvillimit të sportit, ta parandalojë dhunën dhe vandalizimin në fushat sportive dhe të zbatojë disiplinën financiare në sport në përgjithësi”.

Mujku gjithashtu ritheksoi politikën e Vetëvendosjes nga programi qeverisës i vitiit 2013, për krijimin e përfaqësueseve të përbashkëta me sportistë nga Kosova dhe Shqipëria, si dhe liga të përbashkëta profesionale. Mujku beson se kampionatet e përbashkëta do ta rrisnin konkurrueshmërinë dhe do të jenë në interesin më të madh edhe të tifozëve edhe të investitorëve.

Sa i përket ekipeve nacionale, Mujku i tha K2.0 se partia “qëndron prapa besimit se për ta qenë përfaqësues të denjë, ata duhet të bashkohen”. Ai shtoi se “detyra e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Vetëvendosjes do të jetë zhvillimi i një programi të përbashkët, të qartë, të drejtpërdrejtë dhe transparent me përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë sa i përket mënyrave dhe strategjive të cilat duhet të ndiqen derisa kjo të bëhet realitet”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

AAK në programin e saj politik thotë se do të përmbushë objektiva të rëndësishme në fushën e kulturës dhe sportit. “Fuqizimi i sportit, masovizimi i sportit, sport për të gjithë, në institucionet arsimore publike dhe private”, thuhet në programin e partisë që megjithatë nuk jep zgjidhje konkrete për sportin.

K2.0 ka kontaktuar me zyrën për Media të AAK-së, duke e pyetur rreth asaj se cilat janë intervenimet kryesore për zhvillimin e sportit që AAK mendon t’i bëjë, si do të sigurojë infrastrukturën e nevojshme sportive, çka mendon rreth politizimit të sportit, rreth buxhetit për sportin dhe për sportet e grave në vend. Mirëpo, zyrtarët e AAK-së nuk dhanë përgjigje në këto pyetje.

Pyetje për AAK-në rreth sportit kishte edhe kandidati për deputet nga radhët e AAK-së dhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Anton Berisha, i cili me anë të një postimi në Facebook me 31 maj, bënte të ditur se një ndër pyetjet parlamentare që do t’i bënte Ramush Haradinajt si kryeministër ishte rreth sportit. Ai shkruante se do kërkonte të sqaronte veprimet konkrete që do të ndërmerrte për sportin jo vetëm në organizimin qendror por edhe regjional.  

AAK udhëheqë me tri komuna në Kosovë atë të Obiliqit, Deçanit dhe Junikut. Këto komuna kanë probleme rreth sportit në nivel komunal. Në uebfaqen zyrtare të komunës së Obiliqit shkruhet se tetë klube që funksionojnë nga kjo komunë përballen me probleme të shumta, dhe në mungesë infrastrukture ndeshjet i zhvillojnë jashtë komunës dhe se stërvitjet i zhvillojnë në sallën e shkollës fillore “Pandeli Sotiri”, dhe në ambiente të improvizuara sportive.

Komuna tjetër të cilën e udhëheqë AAK-ja është ajo e Deçanit e cila në projektet e vitit 2016 ka realizuar vetëm një projekt në infrastrukturën sportive, ku ka ndarë 10 mijë euro për palestër sportive në Irzniq. Ndërkaq komuna e Junikut gjatë vitit 2016 nuk ka shpenzuar fare në infrastrukturën sportive.

NISMA për Kosovën

Nisma për Kosovën në programin e saj politik, të publikuar në qershor të 2016-ës nuk arriti të gjej as edhe një fjalë të vetme për sportin. K2.0 kontaktoi me zyrën për media të Nismës duke e pyetur se si e sheh ky subjekt fushën e sportit, cilat janë planet për zhvillim të sportit, cilat janë intervenimet konkrete në infrastrukturë që Nisma i parasheh, pastaj buxheti i sportit dhe detaje tjera. Për të njëjtën çështje ka kontaktuar edhe deputeten në largim të Nisma-s, Valdete Bajrami, që kë qenë kryetare e grupit parlamentar të Nismës por që nuk ka marr përgjigje prej saj. Gjithashtu edhe në prononcime publike anëtarë të Nisma për Kosovën nuk kanë dhënë deklarata rreth zhvillimit të sportit, projekteve e ideve për sportin.K

Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për më shumë rreth asaj se ku qëndrojnë partitë politike në hartën ideologjike, shikojeni videon e K2.0 për ideologjitë këtu si dhe programet politike rreth problematikës së papunësisë, arsimit, ushtrisë, dhe barazisë gjinore.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO