Pikëpamje | COVID-19

Në këtë kohë urgjencash, VV-ja duhet t’i ‘përvjelë mëngët’

Nga - 25.03.2021

Qeveria e re duhet të dëshmojë urgjencë në adresimin e pandemisë dhe pabarazive.

Javët e fundit kanë qenë kohë e “herave të para”.

Hera e parë që një parti politike fiton 50% të votave në zgjedhje. Hera e parë që gratë sigurojnë më shumë se një të tretën e ulëseve të Kuvendit (shumica prej tyre fituan pa ndihmën e kuotës gjinore). Hera e parë që prej tre zëvendëskryeministrave, dy janë gra. Hera e parë me një ministër nga komuniteti egjiptian.

Për një vend që deri tash ka pasur qeveri që kryesisht janë shkëmbyer midis partish dhe politikanëve burra, të cilët karrierat politike i kanë ndërtuar në bazë të interesit personal, këto hera të para përfaqësojnë risi në demokracinë e Kosovës — një përbërje të larmishme që premton prurjen e një platforme të drejtësisë dhe barazisë.

Sidoqoftë, teksa risia e këtyre rekordeve është tashmë lajm i vjetër, muajin e kaluar u shënua një tjetër herë e parë — përvjetori i pandemisë COVID-19.

Një vit pas regjistrimit të rasteve të para, të thuhet se Kosova ka dështuar në menaxhimin efikas të pandemisë, apo madje të thuhet se ajo nuk e ka menaxhuar pandeminë fare, nuk është ekzagjerim. Që nga fushata zgjedhore e shkurtit, rastet e raportuara ditore janë rritur prej një mesatareje prej 300 në afro 800, kurse masat për kufizimin e përhapjes së virusit jo që s’janë shtërnguar, por bile janë lehtësuar. Ky hov i kohëve të fundit dyshohet se është shkaktuar kryesisht nga vetë partitë politike gjatë bërjes së fushatës zgjedhore, ku stërmbushnin lokalet me qindra njerëz, duke shpërfillur krejtësisht masat e sigurisë.

Viti pandemik po duket se ka qenë vit i gjithçkaje por jo i urgjencës.

Në ditën kur u konstitua legjislatura e re e Kuvendit dhe kur u votua qeveria e re u regjistruan 16 vdekje nga COVID-19 — numri i gjithsejtë i vdekjeve tashmë ka kaluar numrin 1,800. Ndërkaq, para seancës konstituive, shumë prej deputetëve që ishin pjesë e fushatave që mendohet t’i kenë kontribuuar vrullit të infektimeve, përshëndeteshin me shtrëngime duarsh e madje edhe më përqafime.

Në këtë pikë, ama, pas një vrulli fillestar të masave kufizuese — viti pandemik po duket se ka qenë vit i gjithçkaje por jo i urgjencës. Pandemia dhe efektet pasuese — qofshin ato humbja e punës, pasiguria e të ardhurave, sistemi i dërrmuar dhe i papërkrahur i shëndetësisë, ose madje edhe jetët e humbura — janë radhitur si probleme të dorës së dytë në krahasim me çështjet e tjera që po perceptohen si çështje politikisht urgjente.

Që pandemia nuk u konsiderua si urgjente në Kosovë u pa qartë thuajse qysh në fillim të saj — u rrëzua qeveria derisa mijëra kosovarë ishin në izolim strikt, gjë ua shtoi edhe një shtresë pasigurise frikës dhe brengave që veç ishin të pranishme. Që pandemia nuk u konsiderua si çështje urgjente në pjesën tjetër të vitit të kaluar u pa qartë kur masat sa vendoseshin e sa hiqeshin, varësisht nga përfitimet e mundshme politike e jo si mënyrë e menaxhimit.

Nuk u konsiderua urgjente kur vaksinat aprovoheshin e porositeshin nga qeveritë tjera, teksa e jona dështoi të lidhë kontrata përtej skemës së COVAX-it dhe madje as nuk ia doli ta zë hapin në garën për sigurimin e vaksinave, garë që me të madhe është fituar nga shtetet e pasura që tashmë kanë rezerva të furnizimit; nuk u konsiderua urgjente as kur pacientët me COVID-19 vazhdimisht detyrohen ta paguajnë trajtimin mjekësor nga xhepi i tyre ose varen nga ndihma e anëtarëve të familjes për përkujdesje brenda spitaleve publike.

Pandemia nuk u konsiderua urgjente gjatë fushatave zgjedhore të partive politike që teksa premtonin ta bënin pandeminë çështje urgjente, në të njëjtën kohë, pa pikë turpi, mblidhnin qindra njerëz në hapësira të mbyllura pa maska e pa distancë fizike. Po kështu, pandemia nuk u konsiderua  urgjente as prej shumë analistëve në debate televizive, ku disa nga ta zvogëluan urgjencën duke u mbështetur në argumentin se Kosova edhe ashtu ka popullatë të re dhe rreziku për jetën e njerëzve nuk është edhe aq i madh. 

Rrjedhimisht, ata nënvlerësuan përvojat e rënda të të infektuarve me COVID-19, të atyre që kanë sëmundje shoqëruese e për të cilët, mosvarësisht moshës, Covid-19 mund të përfundojë me fatalite, si dhe përulën jetët e të moshuarve, si të ishin cikërrima të pavlera.

Madje edhe VV-ja, e cila është lavdëruar për mënyrën e menaxhimit të ditëve të para të pandemisë, më vonë dha kontributin e saj në minimizimin e urgjencës së pandemisë. Në ditët e fundit të qeverisjes së tyre në maj 2020, kur numrat e rasteve dhe vdekjeve të raportuara mbaheshin në nivel relativisht të ulët, ata e nisën një rihapje të shpejtë që u zgjerua edhe më shumë nga pasardhësit e tyre në qeveri.

Për më tepër, një nga gjërat e para që bëri VV-ja pas daljes së sërishme në opozitë ishte mbajtja e një tubimi me mijëra njerëz, i cili shënoi nisjen e fushatës jozyrtare të rizgjedhjes. Përkrahësit e VV-së mund të kenë menduar se në kërkimin e tyre për rikthim në pushtet “ja vlen barra qiranë”, por ky tubim po ashtu ndihmoi në përcaktimin e asaj që do vinte pas.

Në pritje të planit urgjent

Anipse menaxhimi i pandemisë morri teposhtëzen gjatë kohës së qeverisjes së pasardhësve të tyre, VV-ja e ka mundësinë të dëshmojë se çfarë do të bëjnë tani në shansin e tyre të dytë.

Shenjat e para po tregojnë se mungesa e urgjencës qëndron.

Në ditën e parë të qeverisë së re, ministrat në largim dhe ata në ardhje shtrënguan duart ose u përqafuan në proceset e pranim-dorëzimit ceremonial të pushtetit, duke përsëritur skena të ngjashme me ato të deputetëve në Kuvend gjatë ditës paraprake.

Të dy situatat u raportuan në media ose u komentuan nga partitë politike si akte të shfaqjes së qytetarisë së mirë. Fakti që kjo u përdor në veçanti për të theksuar mënyrën se si mund të tejkalohen ndasitë politike për të siguruar kalim të lehtë të pushtetit thjesht konfirmon se polarizimi është rrënjosur aq shumë saqë një dorëzim i portofolit perceptohet si anomali e jo si pritshmëri.

Atë ditë, Klinika Infektive në Prishtinë kishte mbërritur kapacitetin e plotë dhe shumë klinika të tjera që po përdoren për trajtimin e pacientëve me COVID-19 u gjendën po ashtu në skaj.

Vënia e theksit te mirësjellja mund të duket si e parëndësishme a e papërfillshme në një vend ku për politikë flitet në rrafsh pozitash e jo në rrafsh politikash. Por në një vend që sillet sikur është imun ndaj pandemisë dhe në një vend që mbetet i vetmi në Evropë pa vaksina si pasojë e një procesi tërësisht jotransparent, në mungesë të ndonjë arme më afatgjatë për ta luftuar pandeminë, më e pakta që mund ta bëjnë është të udhëheqin duke qenë vetë shembuj të mirë për të tjerët.

Në një kohë urgjencash, është befasuese që “plani urgjent” akoma nuk është përgatitur, ose së paku nuk është menduar.

Duhet ta bëjnë të paktën këtë, sidomos kur dihet që ende nuk është paraqitur ndonjë plan konkret.

Fjalimin e parë si kryeministër para Kuvendit, si dhe të ashtuquajturin takimin e parë ceremonial të kabinetit, Kurti i hapi duke përmendur se Kosova është në “krizë shëndetësore” dhe se pandemia është “sfida kryesore”. Më tej, ai e premtoi, tanimë si kryeministër, një plan për ta vënë në kontroll virusin COVID-19 duke “ulur numrin e rasteve” dhe duke shkuar drejt “eliminimit të vdekjeve”, si dhe premtoi se 60% e popullatës do të vaksinohet deri në fund të vitit.

Në takimin e parë ceremonial, Kurti po ashtu kërkoi plan urgjent. Por, në një kohë urgjencash, është befasuese që “plani urgjent” akoma nuk është përgatitur, ose së paku nuk është menduar.

Pra, mbi të gjitha, po flasim për një parti politike, qeverisja 52-ditëshe e së cilës kujtohet për reagim të shpejtë — dhe, sipas disave, të ekzagjeruar — ndaj pandemisë. Një parti politike që të paktën nga 14 shkurti ka qenë e vetëdijshme për fitore të thellë.  Diçka? Çkado?

Në ditën e tij të parë si ministër i shëndetësisë për herë të dytë, veprimi i parë i Arben Vitisë ishte riangazhimi i sekretarit të përgjitshëm të Ministrisë, të cilin e kishte shkarkuar ministri paraprak. Në ditën e dytë si ministër, ai deklaroi se nuk ka ende asgjë të re sa u përket masave kufizuese, duke shtuar se janë në kontakt me institucionet relevante dhe se “është dita ime e parë në zyrë dhe realisht nuk është se ka diçka lidhur me këtë çështje”. Asgjë.

Ky nuk është një rast i obsesionimit me gjëra të vogla — padyshim që zbarkimi në pozitë udhëheqëse përfshin edhe të pasurit e një të kuptuari e të një pasqyreje të gjendjes në të cilën po e merr pozitën nga paraardhësi. Por, një parti politike që bartë kapital të paprecedent politik po ashtu bartë përgjegjësinë dhe shansin për të udhëhequr dhe për të kryer punë. Prandaj, ofrimi i diçkaje, çfado qoftë, në vend të “është dita ime e parë në zyrë” do të ishte më e pakta për të treguar që urgjenca e pandemisë njëmend po kuptohet dhe trajtohet si e tillë.

Drejt një epoke të re?

Siç e di VV-ja mirë, ditët e para në pushtet janë kryesisht rreth simbolizmave.

Ditët e para të qeverisë së re përkuan me përvjetorin e 22-të të bombardimeve të NATO-s dhe të luftës. 

Kryeministri i ri Kurti ato ditë i kaloi në tri vizita. Të parën në Prekaz, ku në mars 1998 ndodhi masakra e familjes Jashari, të dytën te varri i Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe të tretën te varri i aktivistit politik Adem Demaçi. Me fjalët e tij, të gjitha janë të rëndësishme për kujtimin e së kaluarës, për “kryengritjen tonë kombëtare […] falë të cilës gëzojmë lirinë”, për të ditur se “nga kemi ardhur” dhe “për të kujtuar kontributin e të gjithëve” — “të sigurt të ecim përpara për atë çfarë na kanë votuar qytetarët më 14 shkurt”. 

Të tri vizitat u prezantuan si homazhe, akte publike të demonstrimit të respektit ose të nderimit të veçantë. Dhe nëse përkujtimet dhe homazhet janë përzgjedhur si aktet simbolike të përurimit të qeverisë së re, atëherë këto akte kërkojnë konsiderim të kujdesshëm të porosive dhe kuptimeve që ato përçojnë.

Një vizitë në spitale do të kishte shërbyer si shfaqje minimale e mirënjohjes ndaj profesionistëve të stërngarkuar të shëndetësisë

Nëse qëllimi ka qenë të kujtohet kontributi i të gjithëve, atëherë a nuk duhet që narrativa kombëtare e të kaluarës të shkojë drejt një përfshirjeje dhe kujtese më të zgjeruar — ku secili mund ta gjejë veten? Gjatë lidhjes së së tashmes me të kaluarën, a nuk duhet t’u bëhet homazh edhe mundimeve e triumfeve të të gjallëve?

Një vizitë te Heroinat, monumenti për gratë e dhunuara ose të përdhunuara gjatë luftës, ose te gratë e Krushës, të cilat pasi humbën thuajse të gjithë burrat të fshatit më 25 mars 1999 rindërtuan ekonominë lokale të fshatit, do të mund të fliste për lidership të ri. Mbase, një vizitë te memoriali i Masakrës së Tregut të Gjelbër në Mitrovicë, i cili vjet shkaktoi debat të madh publik pasi doli se emri i një vajze rome që ishte viktimë e masakrës, nuk ishte përfshirë në pllakën përkujtimore. 

Dikush që zgjedh të pranojë që lufta është përvojë po aq individuale sa edhe kolektive dhe se, ndërtimi i narrativës rreth luftës do të thotë njohje për ata që sistematikisht janë përjashtuar e nënçmuar. Do të thotë njohje se ka pasur përpjekje për t’i fshirë disa njerëz nga narrativa e së kaluarës por edhe njohje e nevojës që pikërisht këta njerëz duhet të përfshihen në të tashmen.

Përurimi i qeverisë së re me vizita po ashtu mund të kishte shërbyer si çast për t’i lidhur ato vizita me imazhin e institucioneve të reja, ku diversiteti dhe përfshirja po kremtohen si hera të para. Dhe në gjendjen e tanishme të pandemisë, një vizitë në spitale do të kishte shërbyer si shfaqje minimale e mirënjohjes ndaj profesionistëve të stërngarkuar të shëndetësisë, shfaqje e të bashkëndjerit me pacientët dhe familjarët e brengosur, si dhe do të ishte porosi e qartë për publikun që luftimi i pandemisë është çështje urgjente për këtë qeveri.

Në këto zgjedhje, VV-ja paraqiti vetveten si zgjedhja e duhur në një “referendum”. Zgjedhja e këtyre fjalëve doli të jetë ide politikisht e mençur që ua shtoi fletëvotimeve të qytetarëve peshën se vota e tyre mund të kontribuojë për një ndryshim të premtuar të vendit.

Por, problemi me referendumet është se u referohen votimeve për çështje të veçanta politike. Dhe këtë herë, mantra e VV-së se “hiqen të korruptuarit, vijnë të pastrit” si referendum u ka sjellë mbështetje të paprecedent krahasuar me cilëndo parti tjetër politike.

Por, referendumi në vetvete nuk përfundon me aktin e të zgjedhurit. Referendumi ndiqet dhe duhet të ndiqet nga një lloj tranzicioni. Sepse edhepse VV-ja ka premtuar se do ta ndryshojë vendin në mënyrë drastike, një mision i tillë nuk nis nga asgjëja.

Tranzicionet janë më të vështira se referendumet dhe VV-ja si “fije e shpresës dhe ndryshimit” do të gjykohet pikërisht në bazë të tyre. Mënyra se si do të sillen në pushtet, sidomos duke pasur shumicën e madhe, do të shërbejë si provë për atë se a do të jetë zgjedhja e tyre kalim në një faqe tjetër të politikës së Kosovës.

Tash është kohë të shkohet përtej përmendjes së këtyre herave të para dhe që VV-ja të tregojë çfarë mund të bëjnë me pushtetin për herën e dytë.

Dhe kështu dalim te hera e parë e fundit — hera e parë që një parti politike kosovare në qeveri pritet të udhëheqë me platformë progresive, duke ndërhyrë jo vetëm aty ku ka pabarazi, por duke e adresuar padrejtësinë si burim të problemit. Kjo do të thotë njohjen e mënyrave se si pabarazitë janë të ndërlidhura dhe se si pandemia në veçanti jo vetëm se i ka sjellur ato edhe më në sipërfaqe ato, por edhe ka theksuar nevojën për vëmendje nga qeveria në adresimin e tyre.

Kjo përfshin faktin se shumicës dërrmuese së popullatës i mungojnë burimet për të paguar trajtimin për COVID-19; se pjesëmarrja joformale e burrave, e sidomos e grave, në tregun e punës i bën ata tejet të prekshëm nga të gjitha pasojat që kanë të bëjnë me pandeminë; se nënat vetushqyese përballen me realitete posaçërisht sfiduese pasi u duhet të mbajnë punë dhe të kujdesen për fëmijët njëkohësisht; se dhuna në familje ndaj individëve LGBT është rritur gjatë vitit të fundit dhe jo vetëm gjatë kohës së ngujimit; se qasja në pajisje bazike për mbrojtje nga pandemia, sidomos në komunitetet minoritare, është kryesisht e pamundshme pasi çmimi arrin shumën e të gjitha të ardhurave që ata kanë për mbijetesë. Dhe këto janë vetëm disa.

Tash është koha të shkohet përtej përmendjes së herave të para dhe koha që VV-ja të tregojë se çfarë mund të bëjnë me pushtetin për herën e dytë, me gjasë më të gjatë se sa 52 ditë. Kjo do të thotë të përmbushet zotimi se është koha “të përvilen mëngët” dhe t’i kryejnë punët për të cilat janë zgjedhur. Kjo i bie të qeverisë për secilin qytetar të Kosovës.

Si dhe do të thotë trajtim i pandemisë me urgjencën që e kërkon.

Imazhi i ballinës: K2.0.