S`fundmi | Bursa për Gazetari

Për këtë monografi

Nga - 10.12.2018

E lansuar sivjet, Bursa e Gazetarisë për të Drejtat e Njeriut i mbështetë dhe fuqizon gazetarët që kryjenë hulumtime thelbësore dhe raportojnë për çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, të cilat përndryshe mbesin të pahulumtuara, të panjohura apo thjeshtë të shpërfillura në Kosovë. Nëpërmjet programit gjashtë mujor, bursistët e zgjedhur mbështeten financiarisht dhe intelektualisht nëpërmjet mentorimit prej redaktorëve profesionistë.

Gjatë ciklit të programit të sivjetëm, tetë bursistë kanë punuar nga afër me redaktorë për të hulumtuar dhe raportuar gjerësisht për fushat që i kanë zgjedhur brenda strukturës së të drejtave të njeriut. Gazetarët kaluan muaj duke kërkuar palë të interesit, duke intervistuar burime dhe përmbushur kërkesat për të dhëna, si dhe duke kryer analiza për të identifikuar trende që i kanë ndhimuar atyre për të marrë informata për raportim më gjithëpërfshirës.

Zhvillimi i gazetarisë së përgjegjshme për shkeljet e të drejtave të njeriut kërkon që gazetarët ta fitojnë në mënyrë delikate besimin e subjekteve të tyre, shumë prej të cilëve kanë vuajtur prej formave të ndryshme të traumës dhe tragjedisë. Tetë tregimet intime dhe pikëlluese që u raportuan nga bursistët e sivjetëm, i theksuan realitetet e vështira dhe të shkelura të atyre që zhvlerësohen, përjashtohen dhe abuzohen në Kosovë në bazë të racës, etnisë, gjinisë, aftësive të kufizuara, orientimit seksual etj. Shpresojmë se këto tregime do ta kthejnë vëmendjen tek çështjet që deri tani nuk janë adresuar dhe do të shërbejnë si thirrje për veprim nga ana e zyrtarëve qeveritarë dhe anëtarëve të komunitetit.

Në vijim është lista e artikujve nga bursistët e sivjetëm.

Varfëria e shkëmbyer me burgun

Nga Halim Kafexholli

Në Kosovë, shkeljet e vogla mund të rrjedhojnë me kohë të gjatë në burg… por vetëm nëse je i varfër. K2.0 ndjekë tregimet e burrave që u burgosën për shkak se nuk i paguan gjobat për shkelje të ndryshme, prej kundërvajtjeve themelore në trafik e deri te prerja e jashtëligjshme e drunjve për punë. Në burg, disa prej burrave iu nënshtruan abuzimit, e të tjerë kushteve nën-standarde të jetesës, ndërsa familjet e tyre vuajtën financiarisht përtej mureve të burgut.

Jetë dhe vdekje: realiteti i ashpër i shtatzanisë në Kosovë

Nga Artinë Muçiqi

Kur një grua 21 vjeçare e komunitetit rom nuk mund ta përballonte financiarisht trajtimin e specializuar mjekësor gjatë shtatzënisë, atë e çuan në shtëpi pa u trajtuar. Por shumë shpejt, fëmiu i saj i palindur vdiq në mitrën e saj. Gratë e komuniteteve pakicë shpeshherë kanë mungesë të qasjes kritike në shëndetësi dhe mjekësi para lindjes në Kosovë, për shkak të fondeve të pamjaftueshme, por edhe për shkak të diskriminimit me bazë etnike. Ky artikull analizon atë se çfarë po bëhet dhe nuk po bëhet për ta adresuar këtë çështje.

Varfëri, pasiguri, vdekje

Nga Besnik Boletini

Në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë, punëtorët shpeshherë kanë punuar pa kontrata zyrtare, në lokacione me kushte të rrezikshme të punës. Ata janë shumë pak të mbrojtur në raste të lëndimit apo vdekjes. Por ndërtimtaria mbetet punëdhënësi më i madh i burrave në Kosovë dhe për shkak se burimet alternative të të hyrave janë të pakëta, personat e varfër detyrohen ta sakrifikojnë sigurinë për t’u paguar. Ky artikull i ndjekë tregimet e burrave që kanë humbur gjithçka – në disa raste edhe jetën – duke punuar për t’u paguar.

Një vend për ta thirrë shtëpi

Nga Dardan Zhegrova

Të drejtat LGBTI mungojnë pothuajse krejtësisht në Kodin Penal të Kosovës dhe anëtarët e komunitetit LGBTI përballen gjithnjë me raste të dhunës dhe diskriminimit, rrjedhojë kjo e një shoqërie që ka qenë e ngadalshme në pranimin e këtij komuniteti. Përmes miqësisë së dy kosovarëve të guximshëm, ky tregim ilustron se si është ta gjesh shtëpinë tek njëri tjetri, kur detyrohesh të ikësh nga shtëpia jote.

Në rastet e varfërisë ekstreme, fëmijët bëhen shtyllë e familjeve

Nga Fjolla Hajrizaj

Varfëria e fëmijëve në Kosovë po i detyron ata të rriten tepër shpejtë. Kur familjet nuk mund ta fitojnë bukën e gojës, fëmijët marrin përgjegjësi që ua vjedhin të drejtën për arsim, shëndet fizik dhe ndonjëherë edhe pafajësinë e tyre. Është cikël që kalon nga një gjeneratë në tjetrën, por pak po bëhet për t’i mbrojtur të miturit dhe familjet nga ky fat i zymtë.

Kosova nuk është strehë e sigurt në rrugën e errët drejt perëndimit

Nga Ardit Kika

Emigrantëve u ofrohen shumë pak mbrojtje në Kosovë. Qofshin refugjatë që janë duke u arratisur nga vendlindjet e tyre të shkatërruara nga lufta, që ndalen në Kosovë përgjatë udhëtimit të tyre drejt Evropës Perëndimore, apo persona me status të banimit të përhershëm, qeveria kosovare ka dështuar sa i përket përgjegjësisë së saj për t’i mbrojtur të drejtat e atyre që arratisen nga shtetet e tyre, pavarësisht faktit se udhëheq mbi një tokë ku shumë njerëz u detyruan nga lufta të bëjnë udhëtime të ngjashme, jo shumë kohë më parë.

As në intervistë

Nga Valon Fana

Infrastruktura nuk i mbështetë në mënyrë adekuate personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, por edhe më keq është diskriminimi me të cilin përballen këta persona në përpjekjet e tyre për të gjetur punë. Kufizimet e ndryshme në aftësi si verbëria apo shtatshkurtësia bëjnë që punëdhënësit vazhdimisht t’i injorojnë aplikimet e kandidatëve të kualifikuar për shkak të aftësive të kufizuara të tyre. Dhe duke i shpërfillur këta aplikantë, punëdhënësit janë duke e shpërfillur edhe ligjin, por pasojat për këtë janë të rralla dhe nuk motivojnë për ndryshim.

Legjislacioni i njëanshëm mbështet rolet tradicionale gjinore

Nga Dardan Hoti

Pavarësisht shtytjes së fundit nëpër shtetet anëtare të BE-së për pushim më të balancuar prindëror, në Kosovë, ligjet për pushim të atësisë dhe lehonisë japin mesazhe të ndryshme: burrat përkasin në punë, gratë përkasin në shtëpi. Ndonëse anëtarët e gjeneratave më të reja kërkojnë barazi më të madhe dhe përgjegjësi të ndara, legjislacioni për këtë çështje mbetet në të kaluarën dhe vazhdon t’i përforcojë rolet tradicionale gjinore.

Programi i bursës për gazetari në fushë e të drejtave të njeriut implementohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Center for Equality and Liberty (CEL) dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore. Programi realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe bashkëfinancohet nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’ financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).K

Kthehu prapa tek Monografia