Pikëpamje | Politika

Dy marrëveshje të kontestuara dhe dominimi politik i Kosovës

Nga - 08.09.2016

Andrea Capussela argumenton se marrëveshjet e Kosovës me Malin e Zi dhe Serbinë nuk janë shkaqe të jostabilitetit, por manifestim i shkaqeve reale të tij.

Duke cituar Besa Shahinin dhe duke iu referuar marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin-Komunitetin e Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, Eraldin Fazliu shkruan në K2.0: “Qeveria rekruton fuqinë e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion çdokujt për t’i pranuar thjeshtë marrëveshjet”. Ai shton: ‘Një akuzë tjetër që është bërë kundër dy marrëveshjeve është se mbështetja e fuqishme për to nga komuniteti ndërkombëtar ka bërë që të anashkalohen vlerat dhe debati demomkratik në Kosovë. Marrëveshjet u nënshkruan pa debat të brendshëm, dhe kjo shkaktoi irritim dhe huti në lidhje me përmbajtjen e tyre të saktë’.

Gjerësisht pajtohem me këto kritika, por dua të argumentoj se këto dy marrëveshje janë më pak shkaqe të jostabilitetit se sa manifestimi i shkaqeve reale të tij – rastësisht, ky ishte kontributi im në punimin e Fazliut, në kontrast me opinionin e Shahinit, por supozoj se pikëpamjet tona nuk dallojnë shumë.

Gjithashtu besoj se kriza nisi realisht në gjysmën e dytë të vitit 2014, kur një hapësirë e vogël për ndryshim politik u mbyll nga formimi i koalicionit qeverisës LDK-PDK.

Pika ime e nisjes është se dy marrëveshjet nuk duket se janë të pakuptimta (mjaft problematike) e as të parëndësishme. Asnjë pjesë e tyre nuk e justifikon krizën e gjatë politike që gjoja sillet rreth tyre.

Demarkacioni i kufirit shërben për t’iu shmangur polemikave. Është gjë e mirë, sigurisht, edhe pse nuk pres që Kosova e Mali i Zi të luftojnë për këtë, nëse mbetet edhe më vonë çështje e paqartë. Po u bë e po s’u bë demarkacioni, kufiri me gjasë do të mbetet i dobët për ta parandaluar kontrabandimin.

Është e vërtetë që ka mosmarrëveshje për atë se a humb Kosova territor apo jo; kjo çështje mbetet e paqartë. Kur i shohim sipërfaqësisht, argumentet e qeverisë duken të arsyeshme dhe të mundshme, ndërsa opozita (sa e di unë) nuk ka shfaqur ndonjë hartë që i hedh poshtë ato. Problemi, supozoj, është se përvoja i ka mësuar kosovarët që të mos i besojnë fjalëve të qeverisë me aq shumë gatishmëri – me fjalë tjera, problemi kryesor i marrëveshjes është mungesa e besueshmërisë së qeverisë që e nënshkroi atë.

Problemi tjetër është se BE e bëri kusht për liberalizim të vizave. Kjo është e drejtë e Brukselit dhe mund të justifikohet për shkak të çështjeve teknike procedurale. Por vendimi përfundimtar është vendim politik, dhe do të ishte ironike që Kosovës t’i mohohet liberalizimi i vizave për këtë arsye, dhe jo për shkak të ndonjë kushti tjetër shumë më të rëndësishëm; specifikisht, të ketë sistem efikas dhe dhe të besuar të zbatimit të ligjit.

Sa i përket marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin-Komunitetin, unë filloj me këtë vërejtje, se komuniteti serb i Kosovës mbetet i ndarë në enklava; nuk ka patur progres të prekshëm në 15 vitet e fundit në këtë aspekt. Nuk jam i sigurt për efektet e marrëveshjes, dhe pajtohem me kritikat për përdorimin e saj, direkt apo indirekt, të kriterit etnik në qeverisje të sektorit të zbatimit të ligjit, që është shkelje e parimit të barazisë.

Por marrëveshja u prit mirë nga komuniteti i serbëve në Kosovë. Nëse ata mendojnë se do t’ua përmirësonte jetën dhe do të ndihmonte me reduktimin e margjinalizimit të tyre, unë do ta pritja me poaq mirësi (duke besuar që gabimet e bëra në dhomën e negocimit mund të rregullohen nëpërmjet debatit të hapur dhe të arsyeshëm).

Unë e mirëpres gjithashtu sepse nuk mendoj se krijon problem as për strukturën kushtetuese të Kosovës, e as për koherencën e veprimeve të qeverisë. Problemi real është te rregullat vulgare dhe të tepërta të decentralizimit nga plani i Ahtisaarit,  që tani janë pjesë e Kushtetutës (gjë që nuk mund të ndreqet), dhe kushtohen për të gjitha komunat, e jo vetëm ato me shumicë serbe.

Problemi real, siç thotë në shkrimin e K2.0, është se këto marrëveshje u imponuan. Perendimi ja imponoi elitës së Kosovës, së pari, e pastaj kjo e fundit ja imponoi parlamentit dhe elektoratit të Kosovës, pa debat. Pra këto marrëveshje i theksojnë dy shkaqe të pakënaqësisë: Janë produkt i një demokracie stagnante që është e dominuar politikisht nga fuqitë e jashtme.

Mendoj se ata që po protestojnë kundër këtyre dy marrëveshje në fakt po protestojnë kundër kësaj; kundër elitës politike të korruptuar, paaftë, papërgjegjshme dhe jodemokratike, që udhëhiqet nga fuqitë e jashtme si prindërit që i udhëheqin fëmijët e vegjël, dhe mbrohet prej tyre si prindërit që i mbrojnë fëmijët e vegjël. Dy marrëveshjet janë rast – dukshëm i mirë – për të protestuar për të gjitha këto gjëra, që janë shkaqet reale të jostabilitetit politik.

Prej këtyre shkaqeve, dominimi politik i Kosovës nga fuqitë e jashtme është rezultat i historisë së fundit, dhe marrëdhënieve të pushtetit. Kosova në mënyrë efektive u krijua nga SHBA dhe aleatët kryesor të tyre, dhe ende kryesisht varet prej mbështetjes së tyre politike. Gjatë Luftës së Ftohtë, Uashingtoni dhe Demokratët e krishterë që e udhëheqën vendin tim, Italinë, kishin një marrëdhënie të ngjashme, ku nënshtrimi (por jo servilizmi) u shkëmbye për mbështetje (që solli edhe shumë gjëra të mira për vendin tim). Sigurisht, Lufta e Ftohtë ka përfunduar, dhe SHBA kanë nevojë për Kosovën shumë më pak se sa që kishte nevojë për Italinë atëherë.

Sidoqoftë, është në interesin e fuqive perendimore që të vazhdojnë ta përdorin një shtet të nënshtruar për qëllimet e tyre (egoistike, po, por shpeshherë dashamirëse). Prej vitit 1999, politika e tyre tregon se ata (dhe veçanërisht Uashingtoni) tani janë mjaft të kënaqur me një Kosovë që ka më pak substancën se sa format e demokracisë, përderisa ka stabilitet. Kjo aludon shumë që ata (dhe veçanërisht Uashingtoni) e shohin Kosovën si instrument që mund të përdoret për qëllime dhe politika që shkojnë përtej këti shteti të vogël. E pse ta dorëzojnë një instrument të dobishëm, sado i vogël që është?

Pra unë nuk shoh se çfarë mund të bëjë Kosova për t’i dhënë fund dominimit politik. Çekuilibri i pushtetit e paraqet një pengesë të rrezikshme. As BE nuk mund të ndihmojë edhe aq, sepse, edhe pse është në interesin e tyre që ta shohin Kosovën duke u zhvilluar, Bashkimi dukshëm pati vështirësi që ta mbrojë atë.

Qoftë ashtu, problemi është se problemet e brendshme të Kosovës janë të lidhura me atë dominim, sepse në shkëbim për nënshtrimin e tyre, fuqitë kryesore perendimore vazhdimisht e kanë mbështetur elitën politike në Kosovë – elitë politike, ekonomike dhe kriminale – dhe e kanë mbrojtur nga llogaridhënia politike dhe ligjore. Për tani, kjo elitë veç se i ka në shërbimin e saj rrjetet e përhapura të patronazhit, elektoratin besnik, instrumentet e shtetit, fuqinë e frikësimit të organizatës(ave) që i morrën përsipër funksionet e Shërbimit Informativ të Kosovës (pasi u shpërbë zyrtarisht), dhe fuqinë e nxitjes së korrupsionit dhe asimilimit. Ky i fundit nuk duhet të nënçmohet – mendoni për ata që dikur ishin demokratët e rinj, e që tani janë kthyer në propagandistë të PDK, ose dijetarët e zgjuar që studiojnë jashtë vendit dhe thonë se në Kosovë nuk janë gjërat aq keq sa duket.

Shtoja kësaj mbështetjen e Perendimit, dhe e keni një përgjigje për pyetjen: ‘Pse një elitë kaq dukshëm e paaftë nuk është hequr ende nga pushteti?’ Me fjalë tjera, mbështetja perendimore për elitën është pengesë kolosale për demokratët e Kosovës, pengesë që vështirë se mund ta largojnë vet.

Megjithatë, lidhja në mes të problemit të jashtëm dhe ati të brendshëm funksionon në dy anët. Dhe arsyeja për këtë, besoj, është se ekuilibri politik dhe ekonomik në të cilin shtrihet Kosova nuk është i qëndrueshëm në afat të gjatë e as të mesëm.

Nëse është kështu, fuqitë kryesore perendimore do të kishin interes – megjithëse në një perspektivë të ngushtë realiste – që ta zhvendosin Kosovën në një ekuilibër më të mirë. Ata panë kriza në Maqedoni dhe çdokund, dhe supozoj që do të donin që t’i shmangeshin një krizës së ngjashme në Kosovë.

Gjithashtu supozoj se ata do ta vlerësojnë – pjesërisht në bazë të krizës aktuale me këto dy marrëveshje – që kjo zhvendosje kërkon lidership tjetër politik në Kosovë, për arsye se (mes arsyeve tjera) lidershipi aktual ndjell më pak besim në mesin e popullsisë se që mund të masin instrumentet më të sakta. Nuk e kam fjalën vetëm që Kosova të udhëhiqet prej personave tjerë – Kadri Veseli është fytyrë e re në sytë e shumë të huajve, pasi që nuk është parë shumë në publik. Përveç asaj, të ketë një lidership të krijuar nëpërmjet konkurrencës më të madhe politike, shumë e më shumë debateve të arsyeshme publike, dhe zgjedhjeve më të hapura e të lira.

Ishte një mundësi e vogël por me gjasë e vlershme për ndryshim politik prej qershorit deri në nëntor 2014, por zgjedhjet e LDK dhe presioni i ambasadave të huaja e mbyllën këtë mundësi. Demokratët e Kosovës ndoshta mund t’i ndihmojnë fuqive perendimore që ato ta kuptojnë se ishte gabim, edhe prej perspektivës së tyre; ta rishikojnë vlerësimin e tyre të qëndrueshmërisë së afatit të mesëm të ekulibrit të Kosovës; dhe ta ndryshojnë politikën e tyre në përputhje me rrethanat. Kjo është mjaft e thjeshtë, sepse aspekti kryesor është që të mos e mbështesin elitën aktuale, politikisht dhe financiarisht.

Paralelisht, ata duhet të mundohen që t’i shmangen turbulencës së tepërt, por kjo është e lehtë, sepse demokratët e Kosovës nuk kanë arsye që të provokojnë trazira të dhunshme – elita mund ta bëjë këtë, për ta mbrojtur vetën. Dhe fuqitë perendimore me gjasë e dinë se ku i kanë të fshehura elita armët dhe paratë, kështu që me gjasë nuk do të ishte shumë vështirë për t’i mbajtur të heshtur.

Po të ndodh kjo, jam mjaft i sigurt që qytetarët e Kosovës mund ta udhëheqin vendin e tyre në rrugën e zhvillimit material, civil dhe politik. Një lidership më i mirë politik rastësisht jo vetëm që do ta përshpejtonte zhvillimin ekonomik dhe demokratik, por edhe do të siguronte kredibilitet më të madh para fuqive perendimore. Çekuilibri i  pushtetit dhe historia e fundit do të kishin mbetur ende, por Kosova do të ishte më e respektuar në mesin e këtyre fuqive.

Po të mos ndodh kjo, dyshoj se Kosova do të përmirësohet me shpejtësinë e duhur për t’iu shmangur krizës, nëse mbetet hapësirë e mjaftueshme për protesta politike, ose një kthesës vendimtare drejt një forme të butë dhe oligopolistike të autokracisë.  Sidoqoftë, Kosova do të mbetet e dominuar nga pesë – ndoshta katër, madje edhe tre – ambasadorëve.

Përveç kësaj, e kam vetëm një sugjerim: Ata që e kundërshtojnë marrëveshjen e Brukselit të thonë gjithashtu ndonjë propozim për ta ndrequr margjinalizimin e komunitetit serb (dhe minoriteteve tjera në Kosovë). Kam frikë se politikat horizontale nuk mjaftojnë sepse duan kohë, dhe mbi të gjitha, sepse serbët e Kosovës gjithashtu vuajnë nga papunësia, sundimi i dobët i ligjit dhe demokracia stagnante, si gjithë tjerët: por përveç këtyre, ata edhe margjinalizohen ashpërisht.

Pra, nëse jo marrëveshja e Brukselit, atëherë çka? Atëherë ndoshta një diskutim frytdhënës mund të nis në mesin e kosovarëve, për atë se si të merren me këtë problem kombëtar; një diskutim që do t’i ipte burokratëve në Prishtinë dhe Bruksel disa idea më të mira dhe shumë të nevojshme.

Fotografitë: Fikret Ahmeti / K2.0