Në thelb | Qeveria

Një vit i qeverisë Kurti: qysh po shkon?

Nga - 22.03.2022

Kriza e ndryshime, viti i parë i qeverisë Kurti nën llupë. 

 

Kur e mori detyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në seancën e parë konstitutive në Kuvend, më 22 mars 2021, tha se ishin aty “për të jetësuar vullnetin e qytetarëve”. Zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit, ai i quajti “referendum, e ku populli u përcaktua qartë dhe drejt për rrugën që dëshiron të shkojë vendi ynë në katër vitet e ardhshme”.

Tek i fliste një vendi, i cili që prej vitit 2020, po i vuante pasojat nga masat kufizuese kundër COVID-19 dhe një vendi ku numrat e të infektuarve dhe të vdekjeve ishin dy e tre-shifrorë, kryeministri Kurti tha se e kuptonte jetën e vështirë të shumicës së qytetarëve për shkak të papunësisë dhe varfërisë. Aty, u zotua se “do të fillojmë rrugëtim e ri drejt progresit, të zvogëlimit të pabarazive dhe të rritjes së mundësive për të gjithë”. 

Në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me një listë të përbashkët me Iniciativën politike “Guxo” — të formuar nga Vjosa Osmani — korri fitore të thellë me 50.28% të votave të përgjithshme, gjë që s’ka ndodhur në asnjë palë zgjedhje të mbajtura pas shpalljes së pavarësisë. Programi i tyre, që në fokus kishte drejtësinë dhe barazinë krijoi pritje të mëdha në shoqëri.

Sot shënohet plot një vit që nga marrja e detyrës nga Kurti. Prandaj, kthejmë shikimin mbrapa dhe shqyrtojmë se çfarë përparimi ka arritur qeveria Kurti gjatë këtij viti dhe çka tregon ky vit për këtë qeveri në të ardhmen. 

Këtë e bëjmë përmes analizave specifike nga njohës të çështjeve të shqyrtuara, që ndër tjera përfshijnë menaxhimin e inflacionit dhe krizës energjetike, reformat në sistemin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. 

0 ditë të qeverisë Kurti nën llupë
0
ditë të qeverisë Kurti nën llupë

Rastet pozitive: Mars 2021 – shkurt 2022

Vdekjet nga COVID-19: Mars 2021 – shkurt 2022

Vaksinimi Mars 2021 – shkurt 2022

Nëpër valë pandemie

 

Në mars të vitit 2021 u bënë një vit që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Gjatë javës së parë të qeverisjes së Kurtit ishin të konfirmuara mbi 6,500 raste pozitive dhe mbi 80 vdekje. Deri atëherë, Kosova nuk kishte pranuar asnjë dozë vaksine. Në planin qeverisës të Kurtit, menaxhimi i pandemisë ishte prioriteti numër një dhe u premtua që brenda vitit 2021 do të vaksinoheshin 60% e popullatës.

Kontigjenti i parë i vaksinave, të dhuruara nga aleanca COVAX, arriti më 28 mars. Të parët në radhë për t’u vaksinuar ishin punëtorët shëndetësorë dhe personat mbi 85 vjeç. Në mes të qershorit, u nis i ashtuquajturi vaksinimi masiv, me vaksinat që u siguruan nga kontrata që Kosova lidhi me prodhuesit e vaksinës dhe të tjerat nga donacionet e shteteve partnere.

Dy valët e fundit të pandemisë, respektivisht variantet Delta dhe Omicron, ndonëse ndodhën në kohë të ndryshme, erdhën pasi u liruan masat bash në prag të ardhjes së diasporës gjatë verës dhe fundvitit. Kjo ndodhi kryesisht meqë variantet e reja tashmë ishin virulente në vendet prej nga vinte diaspora, ndërkohë qeveria nuk kërkonte dëshmi të vaksinimit të plotë në kufi dhe para shkeljeve të masave, mbyllej njëri sy.

Në prag të valës Delta në gusht, LVV kandidoi ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të parin e kryeqytetit në zgjedhjet lokale që do mbaheshin me 17 tetor. Si pasojë, në mes të pandemisë, pozita e ministrit të shëndetësisë brenda 9 muajsh kaloi nëpër tre persona të ndryshëm.

Bujar Vitia

Gazetar i sektorit të shëndetësisë në Gazeta Shneta

Pandemia është menaxhuar mirë në muajt e parë të Qeverisë Kurti 2. Megjithatë, gjërat ndryshuan në qershor [2021] dhe Qeveria iu nënshtrua presionit të bizneseve, si dhe e “vendosi” prioritet ekonominë përmes ardhjes së bashkëatdhetarëve. Sezoni i verës ishte pothuajse krejtësisht jashtë kontrollit, pa u zbatuar asnjë masë dhe asnjë rekomandim për mbrojtje nga Covid-19. Në përgjithësi të gjitha vendimet e Qeverisë për masat kundër pandemisë kanë qenë vendime të bazuara në pasojat e valëve të reja, pra i kemi shtrënguar masat vetëm kur ka filluar rritja e rasteve.

Sa i përket vaksinimit, zinxhiri i administrimit ka funksionuar mirë, por nuk është punuar sa duhet në ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e vaksinimit. Fatkeqësisht lajmet e rreme dhe teoritë konsipirative kanë fituar terren gjatë kësaj kohe, në krahasim me rekomandimet dhe argumentet shkencore pro vaksinimit. Kjo është një nga dështimet që i ka takuar kryesisht Qeverisë në procesin e vaksinimit. 

Midis një krize energjetike

 

Në fund të vitit 2021, bota u gjend në një krizë energjetike. Kjo krizë, në Kosovë u shpërfaq si rezultat i bashkëveprimit të faktorëve të brendshëm –– prodhimi i paqëndrueshëm vendor i energjisë dhe rritja e kërkesës për konsum –– dhe të jashtëm — rritja e çmimeve të energjisë në tregun botëror. 

Reduktimet e energjisë elektrike veç kishin filluar, teksa pas kësaj qeveria shpalli gjendje emergjente të energjisë për 60 ditë, përmes të cilit u lejua kufizimi i furnizimit me energji për konsumatorët. Po ashtu qeveria vendosi t’i ndajë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për ta subvencionuar importin e energjisë elektrike.

Meqë kjo nuk ishte zgjidhje e qëndrueshme, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) hapi një proces të jashtëzakonshëm të shqyrtimit të tarifave, me kërkesë të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) për shkak të rritjes së çmimit të importit. Sipas vendimit të ri të ZRrE — i miratuar me 8 shkurt dhe i vlefshëm deri më 31 mars të vitit 2023 — faturat për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kWh për muaj përfundimisht do rriten për deri në mbi 100%. Qeveria Kurti ndau 75 milionë euro për t’i subvencionuar qytetarët për faturat e energjisë elektrike, të cilat do të shfrytëzohen për një periudhë një-vjeçare. 

Ndërkohë, në programin e qeverisë, parashihet rishikimi i Strategjisë së Energjisë dhe hartimi i Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë, që synon sigurimin e energjisë së qëndrueshme dhe përmirësimin e ajrit. Por, përveç formimit të grupit punues për hartimin e Strategjisë së Energjisë (2022-2031) në nëntor 2021, nuk është komunikuar për ndonjë hap tjetër.

Ferdi Limani / K2.0

Pranvera Dobruna-Kryeziu

Konsulente e pavarur e energjisë dhe ish-drejtore e KEK

Me subvencionimin e KEK-ut për import të energjisë dhe të faturave të energjisë, qeveria nuk ofroi zgjidhje. Qeveria Kurti ka marrë kompetenca dhe përgjegjësi që nuk i takojnë, për shembull subvencionimin e KEK-ut për import të energjisë, ndërkohë që nuk po e kryen punën e vet të vendimmarrësit. Si rezultat, tash jemi në muajin mars, kriza energjetike po vazhdon — sado që nuk përmendet — problemet e brendshme që sollën krizën energjetike në dhjetor po vazhdojnë pasi nuk u bë asgjë në atë drejtim. Andaj, besueshmëria e ulët e blloqeve [paqëndrueshmëria e prodhimit vendor] të KEK-ut dhe mungesa e strategjisë do ta sjellin situatën e njëjtë në dimër. 

Kjo qeveri duhet të ketë politika proaktive, një adresë specifike për sektorin e energjisë dhe një strategji të energjisë që synon diversifikim të burimeve të energjisë për të arritur stabilitet energjetik.

Zbutja e varfërisë

Në qershor, Qeveria Kurti prezantoi Pakon e Ringjalljes Ekonomike në vlerë 420 milionë euro, që synonte t’i ndihmonte sektorët e prekur nga COVID-19. Ndonëse kjo pako përfshinte një varg masash që preknin sektorë të ndryshëm, disa nga to morën më shumë vëmendje pasi përfshiheshin edhe në planin qeverisës për uljen e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies sociale. Përderisa për disa këto ishin masa të mirëpritura, nga disa të tjerë u kritikuan se nuk adresonin problemet në thelb. 

Prej shtatorit, lehonat e papuna në 12 muajt parapakë filluan të merrnin mbështetje financiare 170 Euro për 6 muaj, ndërsa ato të punësuara, nga 170 Euro për 3 muaj. Po ashtu, po atë muaj filloi edhe shpërndarja e shtesave për fëmijë që përfshin fëmijët deri në 2 vjeç me nga 20 euro në muaj, kurse për fëmijët 2-6 vjeç nga 10 euro në muaj.

Ndërkohë, po atë muaj, qeveria vendosi t’i heqë pagesat për shkollim për studentët në nivelin bachelor dhe master në universitetet publike. Po ashtu, ndau mbi 1000 bursa për gratë që studiojnë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matemartikës (STEM). Kjo ishte një ndër pikat e programit qeverisës për sektorin e arsimit, ku përfshihet edhe themelimi i fondit për hulumtim shkencor, gjë që nuk është iniciuar ende.

Në tetor nisi masa e subvencionimit të kredive konsumuese. Për subvencionim të kredisë mund të aplikojnë personat që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10,000 euro. Shuma e subvencionimit për aplikantët që kualifikohen është 10% e shumës totale të kredisë, deri në maksimumin prej 300 euro. Megjithatë, të vetmit kredimarrës që subvencionohen 10% janë ata që marrin kredi deri në 3000 euro, ndërkaq kushdo që merr kredi mbi 3000 euro do të subvencionohet me vetëm 300 euro.  

Që nga janari 2022, qeveria vendosi ta rrisë shumën e përfitimit për përfituesit e skemave pensionale të financuara nga shteti. Sipas këtij vendimi, asnjë pension nuk do të jetë nën 100 euro. Kjo përfshin rritje të pensioneve prej 10 deri në 20 euro për secilin pensionist që u takon skemave të pensionit të moshës, atij familjar, të aftësisë të kufizuar dhe paaftësisë për punë.

Artan Mustafa

Hulumtues i politikave sociale


Qasja e Qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje në fushën e politikës sociale prioritizon investimin social. Kjo është një qasje e drejtë, që i përshtatet nevojave të Kosovës. Deri më tash, qeveria ka realizuar disa dimensione të kësaj politike të investimit social. Megjithatë, këto masa duhet të shoqërohen me plotësime tjera. Fatkeqësisht, qeveria nuk ka lëvizur në mënyrë transparente dhe të përkushtuar në zotimin e saj kryesor — hapjen e 160 institucioneve publike të edukimit dhe kujdesit të hershëm parashkollor (ECEC). Pa lëvizje në këtë drejtim, benefiti i maternitetit për gratë e papapunësuara mund të ketë pasoja të padëshirueshme, në fakt edhe të pa synuara nga qeveria — si ato të fuqizimit të konservatorizmit. 

Qeveria duhet të shfrytëzojë krijimin e ECEC-ve publike dhe politikat e punësimit, për radikalizim të punësimit të gruas. Ajo e ka për obligim të japë rezultate në këtë drejtim, sepse përveç që orientohet si parti progresive e majtë, ka pasur edhe përkrahjen e shumicës së grave të Kosovës në zgjedhje. Brenda politikës së investimit social, interesimi i qeverisë ndaj reformave strukturore në arsimin e lartë dhe në kërkimin shkencor ka qenë befasisht tërësisht i munguar.

Përballë një inflacioni në rritje


Rritja e çmimeve –– inflacioni — filloi që nga prilli 2021, kur çmimet u rritën për 2.4% krahasuar me vitin 2020 duke kulmuar në shkurt 2022, kur inflacioni arriti në 7.5%. Nisja e luftës në Ukrainë nuk dihet se sa do ta rrisë shkallën mujore të inflacionit meqë të dhënat zyrtare për muajin mars publikohen tek në prill. 

Si kundërpërgjigje ndaj inflacionit, në tetor 2021, qeveria pati paralajmëruar një pako masash që do t’i vinin në ndihmë qytetarëve. Deri sot, janë ndarë 100 euro shtesë për muajt nëntor dhe dhjetor për përfituesit e disa skemave pensionale, janë subvencionuar kreditë konsumuese dhe janë ndarë mjete financiare për bujq. 

Megjithëse me masa të kufizuara në dispozicion për ta bërë më të përballueshme rritjen e çmimeve, rritja e pagës minimale u diskutua gjerësisht si opsioni i duhur. Procesi i rritjes së pagës minimale ka filluar këtë vit, por qeveria dhe sindikatat nuk po pajtohen për shumën që duhet ta ketë kjo pagë. Qeveria ka propozuar rritjen e pagës në 264 euro, teksa sindikatat po kërkojnë që ajo të jetë 400 euro, pra më afër pagës mesatare që në 2020 ishte 416 euro. Paga minimale nuk ka ndryshuar prej vitit 2011 dhe është 130-170 euro varësisht nga grupmosha. 

Në gjithë këtë situatë të rënduar ekonomike, në mungesë të mbikëqyrjes nga trupat përkatës shtetëror, në mars të këtij viti u konfirmuan marrëveshje të fshehta mes tregtarëve, që rritën çmimet e disa produkteve deri në 100%. Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës, institucioni përgjegjës për t’i hetuar dhe anuluar marrëveshjet midis ndërmarrjeve rreth mallrave dhe/ose shërbimeve është jo-funksional prej qershorit 2021. 

Megjithatë, qeveria vuri në lëvizje Inspektoriatin e Tregut për t’i inspektuar depot e operatorëve ekonomikë pasi më 10 mars nëpër shumicën e tregjeve çmimi i vajit ishte rritur nga 2.10 në 3.49 euro. Ministria e Tregtisë konfirmoi se disa operatorë, një ditë më herët, kishin zbrazur raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse, të nesërmen kishin rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër. Pasi inspektoriati mbylli dy depo të operatorëve ekonomikë, çmimi i pamanipuluar i vajit u kthye nëpër tregje.

Inflacioni ndër muaj

Inflacioni ndër vite

Rrona Zhuri

hulumtuese në Instituti GAP

Meqë inflacioni ishte në nivel të ulët kur e mori detyrën, qeveria Kurti në atë kohë nuk e pati në listë të prioriteteve këtë çështje. Kur u përball me të, ofroi zgjidhje afatshkurte, si për shembull dyfishimi i pagesave për përfituesit e skemave sociale dhe pensione për muajin nëntor dhe dhjetor 2021 — që ishin në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Edhe me subvencionimin e faturave të energjisë, u ndërmorr një masë lehtësuese — por, vetë rritja e çmimit do të mund të shmangej deri diku nga qeveria meqë kriza energjetike botërore po diskutohej e adresohej muaj më herët. 

Meqenëse rritja e çmimeve po vazhdon, konsideroj që qeveria mund të ndërmarrë më shumë masa lidhur me menaxhimin e kësaj situate, si për shembull finalizimin e procesit të rritjes së pagës minimale dhe lirimin nga tatimi për disa disa produkte bazë për t’i lehtësuar ekonomitë familjare dhe bizneset nga barra e inflacionit.

(Mos)prioritizimi i dialogut Kosovë-Serbi


Që prej vitit 2011, secilën qeveri që ka ardhur në krye të vendit e ka përcjellur çështja e dialogut Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE). Për më shumë se një dekadë, dialogu po zhvillohet në dy nivele — atë teknik dhe atë politik me qëllim që të adresojë çështjet ende të pambyllura midis. Deri tash janë nënshkruar mbi 35 marrëveshje, përderisa një numër i madh i tyre ngecin për nga implementimi.   

Në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë konsensus të brendshëm mbi dialogun në tërësi. Që në fillimet e saj, LVV ka kritikuar ashpër dialogun. Insistimi i saj gjatë fushatës zgjedhore ishte që përveç që Kosova do të ulej si e barabartë me Serbinë në dialog, po ashtu do duhej filluar një dialog i brendshëm nga poshtë-lart, së pari me serbët e Kosovës. Po ashtu, si gjatë fushatës por edhe në fillim të qeverisjes, kryeministri Kurti vazhdoi të theksonte se dialogu nuk ka prioritet karshi reformave të tjera të premtuara përbrenda.  

Kështu gjatë vitit 2021, dialogu u zhvillua kryesisht në nivel të ekspertëve, teksa në nivelin e lartë politik kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić janë takuar dy herë, në qershor dhe në korrik. Në asnjërin prej këtyre takimeve nuk është shënuar ndonjë progres.

Takimi i radhës planifikohej të mbahej në shtator, por më 20 shtator 2021, qeveria vendosi të aplikojë reciprocitet për automjetet te regjistruara në Serbi që hyjnë në Kosovë. Kjo nënkuptoi heqjen e targave serbe dhe pagesën për një targë të përkohshme, ngjashëm se si duhet të bëjnë automjetet e regjistruara në Kosovë për të hyrë në Serb që nga viti 2011. Qytetarët serbë të Kosovës, shumë prej të cilëve kanë automjete të regjistruara në Serbi, u mblodhën në shenjë proteste, duke bllokuar trafikun në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak për disa ditë. Ndërkohë, qeveria i dërgoi aty njësinë speciale policore. Situata u shtensionua përmes një marrëveshjeje të përkohshme të arritur në Bruksel mes dy palëve deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme —  për të cilën po vazhdojnë bisedimet në Bruksel në nivelin teknik. 

Por, dialogu në nivel politik ka mbetur pezull prej atëherë. Kryeministri Albin Kurti mbetet optimist se marrëveshja do të arrihet brenda mandatit të tij. Ndërkohë, presioni nga BE-ja dhe ShBA-ja për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes të dy vendeve, po shtohet. 

Arbër Fetahu

Hulumtues në Grupi për Studime Ligjore dhe Politika (GLPS)

Është për t’u përshëndetur fakti që qeveria e Kosovës e ka shtyer parimin e reciprocitetit në dialogun me Serbinë, dhe që ka një kujdes të shtuar në angazhimin në dialog, për shkak që ngutitë e Kosovës në të kaluarën na kanë kushtuar me shumë marrëveshje që janë jo vetëm të dëmshme por përbëjnë pengesë në integrimin e serbëve në institucionet e republikës sonë.

[Mirëpo] rezultatet konkrete në dialog janë të mangëta. Më shumë ka qenë e mundur të bëhet në krijimin e konsensusit të brendshëm për procesin, zgjerimin e mbështetjes ndërkombëtare për pozicionin e Kosovës në dialog, si dhe një dialog i mirëfilltë me serbët lokalë të Kosovës është dashur të niset që kohë më parë, por që nuk ka ndodhur.

Duke i parë edhe zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale, ka pasur edhe ndikime të faktorëve të jashtëm si: zgjedhjet në Serbi që do të mbahen në prill të 2022, zgjedhjet në Francë [10 prill, 2022], dhe kriza e fundit në Ukrainë. Këta janë faktorë që [ndikuan që] fokusi në dialog të jetë më i mangët.

Mirëpo, këto nuk mund të shërbejnë si arsye për mospërgatitje të mirëfilltë për procesin nga pala kosovare në momentin që dialogu fillon rrjedhën e tij.

Ende mbrapa me politikë të jashtme 

 

Me premtimin për reformim të shërbimit diplomatik, qeveria mori vendim për lirimin nga detyra të të gjithë të emëruarve politikë nëpër misione diplomatike. Teksa disa konsulata veç kishin qenë pa ambasadorë me vite, shkarkimet e qeverisë Kurti — që përfshinë 12 ambasadorë — prej 19 majit e deri në fund të shtatorit, bënë që 21 nga 32 misionet diplomatike nëpër botë të mbeten pa ambasadorë. 

Në një kohë kur konfiguracioni politik në skenën botërore po ndryshonte, Kosova ka ngecur në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve të reja, vendi mbeti edhe pa përfaqësues në vendet kyçe si në Uashington, Londër, Bruksel e Berlin.

14 ambasadorë të rinj u emëruan në fund të nëntorit 2021, por është ende e paqartë se ç’po bën qeveria Kurti për të fituar njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Moratoriumi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të qeverisë paraprake amerikane Trump — i nënshkruar nga qeveria paraprake e Kosovës — që parashihte që Kosova të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare e në këmbim, Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve brenda një viti, skadoi më 4 shtator 2021.  

Qeveria Kurti ende nuk ka aplikuar në Interpol, por thotë që është në fazën përgatitore për aplikim këtë vit. Ndërkohë, deri vonë, nuk pati ndonjë sinjal se po punohet në arritjen e njohjeve të reja për Kosovën, proces ky, i cili ka stagnuar. Izraeli ishte shteti i 117 që e njohu Kosovën në vitin 2021 dhe përbën një nga 4 shtetet që e bënë këtë veprim në 5 vitet e fundit.

Lufta në Ukrainë vuri në lëvizje kabinetin e Kurtit, i cili në mars formoi grupin punues ndërinstitucional për integrimin në Aleancën Veriatlantike-NATO dhe njoftoi se do të aplikonte për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, u vendosën marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor. 

Fitim Gashi

Gazetar që mbulon dialogun dhe politikën e jashtme për grupin KOHA

Qeveria Kurti pati nisur mandatin me premtime të mëdha sa i përket reformimit të politikës së jashtme — qoftë në riorganizim të brendshëm apo përfaqësim jashtë vendit. Por ajo çfarë kemi parë deri tash është reduktim i politikës së jashtme në dialog me Serbinë. Edhe pse kemi pyetur disa herë, Ministria e Jashtme nuk ka dhënë asnjë sinjal rreth veprimeve për fazën pas 4 shtatorit 2021 dhe nëse janë hartuar strategji përmes së cilës i jepet fund shterpësisë sa i përket njohjeve dhe anëtarësimeve.

Një vit pas, nuk ka shenja drejt përmbushjes së zotimeve [në programin qeverisës]. Gjatë kësaj periudhe qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse u lanë për disa muaj pa ambasadorë pas “fshesës” së ministres Gërvalla. Megjithë premtimin e qeverisë se ambasadorët e rinj do të emëroheshin shpejt kjo nuk ndodhi, duke bërë që Kosova ta ul nivelin e përfaqësimit. 

Kosovës i duhet një reformim i shërbimit të jashtëm, nëpërmjet të cilit garantohet përfaqësim dinjitoz dhe rregull brenda ministrisë ku emërimet bëhen me meritokraci. Sigurisht, kjo do duhej shoqëruar edhe me transparencë, e cila deri më tani ka munguar. Për shumë procese dhe zhvillime brenda këtij dikasteri, MPJ-ja ka zgjedhur heshtjen.

Në hall me mediat

 

Gjatë vitit të fundit, raporti i qeverisë me mediat nuk ka qenë më i miri. Shumë kryeredaktorë të mediave kanë folur për një lloj mbylljeje të qeverisë ndaj tyre, me ministra që komunikojnë më shumë në rrjete sociale se sa në konferenca, nuk u përgjigjen gazetarëve në pyetjet e dërguara dhe me një kryeministër që nuk mban konferenca të rregullta me gazetarë. 

Një rast që tërhoqi posaçërisht vëmendje ndodhi në prill 2021, që përfshiu mediumin Insajderi dhe asokohe ministrin e shëndetësisë Arben Vitia. Insajderi pretendoi se, në bazë të dokumenteve që kishte siguruar, Ministria kishte refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje me prodhuesin e vaksinave Pfizer/BioNTech. Vitia nxitimthi e mohoi këtë në një konferencë për shtyp, e quajti lajmin “të pavërtetë” dhe “të dëmshëm” dhe këmbënguli në “konfidencialitetin” e procesit. Ai ftoi edhe Prokurorinë të marrë masa “ndaj kujtdo që dëmton një proces kaq të ndjeshëm e jetik”. Drejtori i Insajderit, Parim Olluri u mor në pyetje nga policia.

Së fundmi, një tjetër rast që përfshiu bashkëshortin e presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriun u bë çështje e diskutimit publik. Në Gazetën Express u publikua një lajm ku në kllapa shkruhejMundesh me hjekë krejt, veç nëse do mi qepu Vjosës”. Pas kësaj, Sadriu, i etiketoi mediat si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Qeveria Kurti, që është në koalicion me Listën “Guxo” dhe së cilës i takonte presidentja Vjosa Osmani, është kritikuar nga redaksitë për mosreagimin ndaj gjuhës së Sadriut, gjuhë që mund të nxisë mjedis të pasigurt për gazetarët.

Përkundër kësaj, shoqëria civile ka cilësuar si hap të mirë nga Kuvendi shkarkimin e bordit paraprak të transmetuesit publik — i cili është konsideruar gjerësisht politik — dhe zgjedhjen e një bordi në një proces transparent. Që prej vitit 2011, kur financimi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kaloi direkt në buxhet shtetëror, transmetuesi publik është konsideruar i ndikuar politikisht nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kritikat drejtuar RTK-së ndër vite perfshijnë anshmërinë, punësimet jomeritore dhe keqmenaxhimin e financave. 

Ferdi Limani / K2.0

Imer Mushkolaj

Drejtor ekzekutiv në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK)

Albin Kurti dhe VV kanë ardhë në pushtet me premtimin për transparencë radikale në të gjitha fushat, përfshirë edhe mediat dhe gazetarët. Por, tash një vit qeverisje ka nxjerrë në pah një qasje krejt tjetër. Në shumë raste qeveria nuk është treguar e gatshme që të bashkëpunojë me gazetarët dhe mediat, në çështjet që ata i kanë trajtuar. Ndërkaq, është vërejtur edhe një përpjekje e zyrtarëve qeveritarë e partiakë për të sulmuar media të caktuara, të cilat kanë qenë më kritike për mënyrën e qeverisjes.

Pushteti aktual një pjesë të mediave në Kosovë i sheh armiqësore dhe bën përpjekje që t’i etiketojë dhe atakojë ato. Në përgjithësi qeveria, po ashtu si dhe presidenca, nuk po e kryejnë punën si duhet në raport me mediat. “Transparenca radikale” në shumë raste është kthyer në “mbyllje radikale” për media dhe gazetarë.

Shumë punë përpara për drejtësi

Reforma në sistemin e drejtësisë kishte theks të veçantë në programin qeverisës të Kurtit. Për këtë planifikoi nisjen e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe themelimin e Gjykatës Komerciale.

Tashmë, për të gjitha objektivat janë ndërmarrë hapat e parë. Qeveria ka miratuar koncept dokumentin për vetingun e plotë të sistemit gjyqësor dhe ka ngarkuar një grup punues për hartimin e amendamenteve kushtetuese. Megjithatë, kjo nismë nuk u përkrah nga Këshilli Gjyqësor dhe nga Këshilli Prokurorial, të cilët thanë se kanë kapacitete të brendshme ta bëjnë një verifikim te tillë. Ndërkaq, Bashkimi Evropian e cilësoi si hap të fundit vetingun e plotë.

Më 29 dhjetor 2021, u miratua Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila do ta ketë përsipër këtë obligim. Organizatat e shoqërisë civile në këtë fushë, thonë se ka mjaftueshëm mekanizma ekzistues brenda sistemit aktual të rendit dhe ligjit dhe se themelimi i një byroje shtetërore nuk do ta rrisë efikasitetin në luftimin e pasurisë së pajustifikueshme. 

Ndërkohë, në janar 2022, u miratua projektligjii për Gjykatën Komerciale, përmes së cilës synohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve në fushën e biznesit, kështu duke e përshpejtuar zgjidhjen e këtyre kontesteve që zakonisht zvarriten me vite për shkak të grumbullimit të lëndëve nëpër gjykata. Megjithatë, marrë për bazë implikimet buxhetore, nuk dihet se kur do të funksionalizohet kjo Gjykatë.

Lëvizja FOL

 

Procesi i vettingut dhe konfiskimi i pasurisë shkojnë drejt një stadi të forcimit të sundimit të ligjit në vend dhe krijimit të kushteve për një siguri juridike më të madhe për qytetarët.

Pra procesi i vettingut është proces i domosdoshëm për kthimin e besimit të publikut tek institucionet e Republikës së Kosovës. Mirëpo, mbetet të shihet se si do jetë rezultati final i këtyre ligjeve dhe se sa do të përfshihen rekomandimet e shoqërisë civile të dhëna nëpër grupe punuese.

​​Të drejtat e njeriut ende të brishta

 

Femicidi dhe dhuna në bazë gjinore kanë vazhduar. Vetëm gjatë vitit 2021 janë vrarë 3 gra teksa raportimet për dhunë ndaj grave dhe në familje kanë vazhduar duke kthyer vëmendjen kah neglizhenca e vazhdueshme institucionale karshi këtyre rasteve. 

Programi qeverisës e përfshin parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje, ndaj grave dhe në baza gjinore si pikë të veçantë. Këtë çështje, qeveria synon ta adresojë përmes hartimit të politikave e mekanizmave kundër dhunës dhe përmes fushatave vetëdijësuese. Përkundër kësaj, pak përparim është shënuar. Në fund të janarit është miratuar vetëm Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022 –2026. 

Në anën tjetër, në programin qeverisës, në pikën e veçantë dedikuar të drejtave të njeriut, personat LGBTQ+ as që përmenden. Kryeministri Kurti nuk doli as në Paradën e Krenarisë të vitit 2021. Të drejtat e personave LGBTQ+ u vunë në fokus së fundmi për shkak të vënies në votim të projektligjit të Kodit Civil, më 16 mars. Ky Kod Civil përmban 1630 nene dhe vlerësohet të jetë dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës, i cili rregullon dhe promovon segmente të ndryshme të jetës, si barazia para ligjit, të drejtat e njeriut, çështjet pronësore, transaksionet ekonomike, kontratat, marrëdhëniet familjare, të drejtat e fëmijëve dhe trashëgimia.

Por, paragrafi 2 i nenit 1138 morri krejt vëmendjen, i cili thotë: “Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedurat rregullohen me ligj të veçantë”. Në fakt, kjo u bë edhe arsyeja që Projektligji i Kodit Civil nuk kaloi në seancën e 16 marsit dhe u përcoll me komente të shumta nga deputetët që kundërshtojnë garantimin e të drejtave të çifteve LGBTQ+. Aktivistët e të drejtave të njeriut po ashtu e kundërshtuan formulimin e Kodit Civil, por këta duke argumentuar se si i tillë, dështon t’i sigurojë barazi të plotë në martesë komunitetit LGBTQ+. 

Leonida Molliqaj

Drejtore Ekzekutive në Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA)

 

Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet ndër të tjera edhe nën premtimin e angazhimit për barazi gjinore e sociale. Ajo çka kemi vërejtur përgjatë një viti të kësaj qeverisje kanë qenë disa politika ad hoc të cilat më shumë kanë qenë improvizim i rregullimit të problemeve të shtresëzuara prej kohësh, se sa adresim që prekë thelbin e problemit.

“Pagesat për lehonat” është një ndër politikat që qeveria e ka “shitur” si fuqizuese për gratë, e që ne konsiderojmë që në fakt është anti-feministe në thelb. Ne besojmë që politikat e tilla që kanë në fokus gruan vetëm brenda rolit të saj riprodhues, të pa përcjellura me politika konkrete të punësimit, kanë rrezikun që të ngujojnë edhe më tutje gratë brenda shtëpive nën ngarkesën e punëve të papaguara.

Ne besojmë që secili qytetar ka të drejtën për martesë. Draft Kodi Civil që ka propozuar qeveria është diskriminues në raport me këtë, për shkak se martesën e sheh si bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, pra burrit dhe gruas. Në anën tjetër [do të lejonte] bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me gjini të njëjta dhe procedurat për këtë do të rregullohen me ligj të veçantë. Ne konsiderojmë që kjo është përjashtuese. Nuk ka asnjë kuptim që të pranojmë një ndarje të tillë. Martesa duhet t’u takojë të gjithë qytetarëve pa përjashtim dhe qeveria e ka obligim ta shtyjë këtë përpara.

Ferdi Limani / K2.0
Ferdi Limani / K2.0

Iniciativat e qeverisë Kurti


Qeveria Kurti ndërmori edhe disa hapa ligjorë për të vënë themelin e dy nismave: themelimin e Fondit Sovran atë të Sigurisë.

Me shkarkimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, qeveria në mars 2022 miratoi koncept dokumentin për themelimin e Fondit Sovran, i cili do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe, ndër tjera, përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së tyre.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, qeveria themeloi edhe Fondin e Sigurisë ku u kërkoi qytetarëve të kontribuojnë financiarisht; mjetet e mbledhura të të cilit synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore.

Përderisa disa procese kanë nisur, disa kanë ngecur e të tjera janë në proces një gjë është e sigurt –– tri vitet e ardhshme të qeverisë Kurti do të jenë të ngarkuara. K

Imazhi i ballinës: Qeveria e Kosovës

Dizajnet dhe ilustrimet: Arrita Katona & Dina Hajrullahu / K2.0

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.