Blogbox | BE

Një letër BE-së për Ditën e Evropës

Nga - 09.05.2019

Çmimi për Evropianin/en i/e Mirë shkon për…?

Të nderuar pjesëtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

U preka nga përpjekjet e juaja sivjet për të na nderuar përsëri për vitin e katërt rresht me Çmimin për Evropianin/en i/e Mirë.

Kam arsye për të besuar se e dini çfarë jeni duke bërë, por do t’ia jap vetes lirinë që t’ua kujtoj megjithatë, që ndoshta e keni humbur pak lidhjen me realitetin. Ndoshta jo me të juajin, por definitivisht me timin.

Si shqiptare, jam detyruar ndër gjenerata të emigroj në shtete evropiane (dmth: shtete perëndimore). A doni t’ju kërkoj falje që ndonjëherë jam detyruar ta bëj këtë ilegalisht?

Ndonjëherë edhe kam vdekur duke u munduar të arrij në shtetin tuaj dhe kurrë nuk arrita. Sidoqoftë, në emër të atyre që kanë arritur, kërkoj falje, që nuk ua kemi respektuar kufijtë.

Por pe lëmë që jemi baraz. Të paktën unë e dija ku i keni kufijtë. Unë erdha te kufijtë e juaj në mënyrë paqësore dhe në nevojë për ndihmë. Shumë herë në histori ju erdhët në kufijtë tonë si okupatorë, për të qëndruar apo veç në tranzit; i ndryshuat kufijtë e mi, bëtë çfarë deshët me ta. Kur e kryet, mezi më gjenit në hartë.

Siç e thash, ju erdhët në vendin tim ashtu qysh e patët qejfin. Si okupatorë apo si shpëtimtarë. Natyrisht, kurrë nuk kishit nevojë për ftesë apo vizë. Ardhja e juaj ishte gjithmonë zgjedhja e juaj.

Zgjedhja e juaj për mua ishte si vullnet zoti fati im i mirë apo fati im i keq. E unë erdha në vendin e juaj (ilegalisht ose me vizë) dhe nuk ua ndryshova e as vura në dyshim kufijtë kurrë. Ardhja ime në vendin e juaj nuk ishte kurrë një zgjedhje. Nuk e di qysh përkthehet në anglisht fjala “dert”! Ta themi thjeshtë, ishte arratisje nga dhuna, e cila ishte pasojë edhe e padrejtësisë historike që e keni bërë ju ndaj meje.

Kështu që u ula në punëtoritë që i organizuat për mua dhe mësova të “ndërtoj paqe”. Të them të vërtetën, unë ju kam mësuar juve! Por nuk e keni shkruar kështu në raportet e juaja, apo jo?

Kur erdhët, më në fund, për të më shpëtuar mua dhe ne madje i duartrokitëm tenkat e juaja, menduam sa me fat ishim që po na shihnit. Por, ju erdhët, dhe duke gëzuar rroga të hatashme për ta ndërtuar shtetin tim, e bëtë të qartë shumë shpejtë që unë nuk e meritoj respektin e juaj.

Heshta me vite. Në fund të fundit, ma keni shpëtuar bothën. Nëse më keni thënë ta mbylli gojën, e kam mbyllur. Nëse më keni thënë se nuk jam viktimë e luftës, nuk më kanë përdhunuar, e as torturuar… me fjalë tjera, as mos me e përmend luftën unë kam heshtë.

Projektet e “ndërtimit të paqes” (që kanë vlerë miliona euro të taksapaguesve t’juaj) ishin sikur t’themi “hajmalia” e juaj. Shpresova që kjo do të më sjell pak fat edhe mua.

Kështu që u ula në punëtoritë që i organizuat për mua dhe mësova të “ndërtoj paqe”. Të them të vërtetën, unë ju kam mësuar juve! Por nuk e keni shkruar kështu në raportet e juaja, apo jo? Në fund të fundit, rroga juaj që në Kosovë të blenë jetë mbreti duhej të justifikohej me disa njohuri (të juaja) eksperte.

Sidoqoftë, edhe unë po mësoja diçka. E pashë se si funksionon pushteti. Paratë i japin njerëzve pushtet. Dhe unë isha e varfër (një tjetër arsye pse heshta). Dhe nëse gabimisht kam guxuar ta ekspozoj para juve kujtimin tim të luftës, padrejtësinë që më ishte bërë, ju me nguti më mbyllët gojën.

Dhe pastaj, unë në fakt jo unë, por politikanët e mi bënë gjithçka për t’u bërë të pasur shpejt e shpejt. Për t’u bërë ata për neve, ashtu siç ishit ju për ta. Por, të mos flasim për ta. Ju jeni të këqinj, por ata janë shumë më të këqinj. Nuk duroj dot kaq shumë karaktere të pushtetit absolut në një shkrim kaq të shkurtër. Përveç asaj, Dita e Evropës, ditë pushimi në kalendarin tim, por jo në t’juajin, është dita e juaj fund e krye. Pra të flasim për juve.

Për ta thënë shkurt e shqip, unë jam më evropiane se që do të jenë ndonjëherë shumica e evropianëve.

Vështirë është ta gjesh një shqiptar që nuk ka një tegim të vetin të depërtimit të kufijve (fizikë dhe kulturorë në një nga shtetet e juaja të dashura) për të mbijetuar. Se a janë këmbët e tyre ato që e kanë ecur rrugën apo janë të të afërmve të tyre, nuk ka rëndësi shumë. Zemrat tona kanë luftu bashkë këto rrugë të vështira. (Minus zemrat e politikanëve tonë ata nuk kanë diçka të tillë).

Herën e parë që emigrova i kisha 13 vjet. Si rrjedhojë e kësaj, në kohë të ndryshme gjatë jetës sime kam jetuar në shtete të ndryshme evropiane (le që edhe shteti im është në Evropë, teknikisht).

Që do të thotë se, unë kam jetuar, në tërësi, në më shumë shtete evropiane se shumica e evropianëve. Që do të thotë se unë flas më shumë gjuhë evropiane (gjuhë të huaja) se që i flasin aktualisht apo do t’i flasin ndonjëherë shumica e evropianëve. Që do të thotë, në frymën e integrimit (koncept të cilin tani e kanë integruar në politikë dhe kanë harruar se çfarë kuptimi kishte) unë kam mësuar historinë dhe kulturën e tyre më shumë se që e njohin apo e kanë mësuar ata të veten, le më të njëri tjetrit (as mos të flasim, më timen).

Që do të thotë, për ta thënë shkurt e shqip, unë jam më evropiane se që do të jenë ndonjëherë shumica e evropianëve.

Nga pushteti i këtij vendi, tani kërkoj nga ju, me mirësi, t’i nominoni ju disa njerëz nga shtetet e juaja për çmimin e lavdishëm Evropiani/ja i/e Mirë. Edhe në këtë lojë kisha me ju fitu. Por, kam nerën me e shiju kënaqësinë, që edhe ju të paktën një herë, të zgjedhni si të doni, sepse ashtu u është kërkuar.

Me kënaqësi do t’ia jap çmimin, sipas zgjedhjes suaj, evropianit/es ma të mirë. Sinqerisht, ju takon ky nder, të shpërbleheni edhe ju ndonjiherë.

Kjo është më e pakta  që mund të bëj për t’ua kthyer borxhin. Mogherini? Apostolova? Shumë mirë që po zgjedhni gra. Por ju lutem, mundohuni të jeni pak më apolitikë! Ju faleminderit! Zoti ju bekoftë, juve dhe gjithë njerëzit që ju i doni! Freude Schöner!

Ardiana

Foto kryesore nga autorja.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.